E diele, 10.11.2024, 03:53 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Dhia që ngordhi në Velabisht

E shtune, 22.10.2016, 07:06 AM


Dhia që ngordhi në Velabisht*

Tregim nga Përparim Hysi

Në fshatin tonë atë mëngjes të ftohtë dhjetori kishte ardhur, me porosi të veçantë, një ekip nga komiteti i partisë dhe,veç tij, dhe një i dërguar nga Tirana. Ky, i dërguari nga Tirana, kish sjellë dhe atë qarkoren aq të rrufeshme:"Pasqyrë sinoptike të poliagjentit Mehmet Shehu!". Pra, partia lart dhe në rreth. si të thuash matte "temperaturën" e mbështetjes në popull për këtë zbulim "gjenial" të pagabueshmit Enver. Qarkoren e lexoi i dërguari i rrethit dhe, pasi theksoi meritën e madhe të sh.Enver në zbulimin e armiqëve, edhe këtë radhë "gjahu" i zbulimit kish qenë i madh: kryeministri për 27-vjet me radhë ka qenë agjent i shumë shteteve: që nga ata amerikan e deri tek revizionistët.

Sa i dërguari i ftoi njerëzit për diskutim, i pari e mori fjalën Beshir Arizi. Ky, Beshua (kështu e thërrisnin në fshat), kish qenë partizan dhe, kur u çlirua Shqipëria, qe nga komunistët e parë në fshat. Epo nuk qe i vetëm ky, pati dhe të tjerë nga fshati ynë. Edhe ata u bënë komunistë, por, kur ra "kolera"(kooperativa), këta nuk pranuan të hynin në kooperativë dhe i dorëzuan testat. Beshua jo vetëm që mbeti në parti, por ndryshe nga ç'ishin zotuar me njëri-tjetrin, se kooperativë nuk bëhemi,por tha në atë mbledhje:- Unë, or shokë, për partinë jap dhe kokën dhe do futem në koplativë! I shkreti Besho, nuk e thoshte dot atë fjalën"kooperativë", por  si ajo druja e shtrembër që prish  tërë stivën, i la në baltë shokët me të cilët kish luftuar. Dhe me të tillë, si Beshua (përgjithësisht, qoftë Beshua dhe qoftë ata që u futën në"koplativë", në shtëpi nuk kishin kokrrën e kripës), u ngrit kooperativa dhe kjo ndodhi në shkurt të vitit 1953. Tani jemi në vitin 1981 dhe as Beshua dhe as ata të tjerët e "koplativës", s'është se kanë ndonjë rrojtje kushedi se çfarë, por, kur thonë në fshatin tonë, tym,Selim e shko për matan. Por "koplativa" qe kolerë e shkuar kolerës: se jo vetëm ra mbi ata si Beshua, por"pushtoi" tërë fshatin dhe, pa dyshim, edhe ata të përjashtuarit nga partia. Kësaj,- thoshte Ganiu (ish-partizan dhe komunist që dorëzoi triskën e partisë), i thonë:- Me"vullnet", por me bodec! Shtrëngo këmbët, o karkalec. Epo ç'ta zgjat më.

Le të kthehemi tek Beshua që po merr fjalën, pasi dëgjoi atë "qarkoren aq të famshme".

*    *    *

E digjova me vëmendje, atë  që lexoi  qy shoku që ka ardhur nga lart,- filloi Beshua. Për fjalë nuk ia them shumë una, por më bëhet zëmra mal, muana, që këtë armik kaq të rrezikshëm, e zbuloi vet  Komandanti ynë i dashur. I dërguari,sa dëgjoi Komandanti, u ngrit në këmbë dhe duartrokiti. Turma në këmbë dhe e mbëshetit. Epo thashë,- vazhdoi i entuziazmuar Beshua,- i lumtë komandantit dhe, në vrau vehten aina, e di si i themi ne? Nuk ka pse qan Berati se ngordhi një  dhi në Velabisht!!!

- Shumë mirë,- e the,- mbështeti i deleguari. Dhe e çoi gojën  vesh më vesh.  Ja kështu i do njerëzit partia.

Beshua u ul, tepër i kënaqur me fjalën e tij mbështetëse. Por...

Por kot nuk thonë që dardha e ka bishtin prapa. Në fshatin tonë (pothuajse me 500-shtëpi), ka ca njerëz që të japin ujë  në shoshë. Për të qenë më i drejtpërdrejtë: janë të tillë që të çojnë në shtatë çezma dhe nuk të lënë të pish një pikë ujë. Një i tillë është Dania. Këtij jo i  pret goja hekur, por është zeher. Në intimitet, Dania më thotë:-Zeher, se zeher e kam shpyrtin.

Nuk  e la Dania që të binte pesha e entuziazmit. Fliste pak çaprazçe, por t'i vije re, ndryshe shprehej e ndryshe ndjente.

Loza "thjatro" me ato leshkot që na quajnë si dele nga fshati,- pohonte në intimitet.

Edhe una,- filloi Dania,- ashtu si të  tjarët e digjova atë "qarkoren". Aha,- filloi nga gjylet Dania,- më kot jini munduar nga Tirana gjer këtu. Se una, si Dane,e kuptova pa "qarkore", që,qyna, Mehmeti ( opo unë e quaj "laneti",për t'i dhënë më shumë ilaritet fjalës me shumë kuptime të tij), është armik e kuptova menjëherë. Se ishte e xhuma. kur tha rajdua që Mehmet Shehu vrau vehten. Bobo,- thashë me vehten una. Jo se më erdhi keq. Opo unë nuk e kam dashur se qe i egër ( mahere kur nuk e doja,qe kryeministër dhe nuk ma mbante fare, muana ta shaja). Po bëra bobo se prisja një koncert me këngë popullore. Aha,i thashë, sime shoqe,  kot pret. Është vrarë i biri i botës dhe mos prit më kot. Se gavnjeshtra nuk njoh una. Vdes njeri në fshat, nuk është se ngremë zurna apo saze edhe në paçim gëzim a  dasëm. Kur ç'të shoh, buçiti zëri:- Po   vazhdojmë me një koncert me këngë popullore!!! Epo një fshat që duket, nuk do kallaus. Po të mos ish armik qy, laneti, nuk e linte Enveri të jepej muzikë. Mirë armik, qy "laneti", por qy qenka laturizur me shumë lanetër të tjerë.

- Por jo lanet, mor shok,- ndërhyri i deleguari. Por poliagjent.

Ne, or shoku i delguar,- vazhdoi të luante Dania,- lanet i themi djallit. Edhe armiku është djall. Qy paska qenë me shumë"lanetër".  Më i rrezikshëm akoma. Por, tërnjë kështu  ka qenë ky"shumëlaneti". Pse nuk vrau qy afër 70 burra në Çukas dhe një gjëmb në këmbë nuk i hyri. Edhe Enver Hoxha e duroi,e duroi dhe tak më t'ia vuri atë mëgojzën, që thoni ju, dhe tak ia futi vehtes. Por dhe durimi ka kufi,se nuk i thonë pak, por plot 27-vjet mu në buxhak të qeverisë. Tani u zgjaçë shumë una, por me Beshon nuk jam dakort.

- Siiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii?- mend u hodh përpjetë i deleguari.

-Ore,- vazhdoi Dania, pa e prishur terezinë. Tjatrin mos e duaj, por jepi hakën. I them Beshos una, ai,"laneti", nuk qe dhi e ngordhur në Velabisht,se e kam parë me këta sy una. Erdhi në korpusin e Korçës për kontroll, dhe gjimë ata oficerë që të "merrnin gjak në vetull", nuk gjenin vrimë ku të futeshin. I egër si jermën dhe i sert që mend të hante me dhëmb. Por i lumtë Enverit,- tha Dania,- se shpëtoi vendi nga një e keqe e madhe.

I deleguari e pa një diskutimi  i Danes qe paksa me piper dhe, si u konsultua dhe me sekretarin e partisë dhe me kryetarin e kooperativës, vendosën ta mbyllin mbledhjen dhe propozuan që të deklarohej me entuziazëm, mbështetja për partinë e sh. Enver.

*     *    *

Nuk kishin kaluar as dy javë nga kjo mbledhje e  fshatit dhe, përsëri, mbledhje. Prapë ndonjë"lanet" tjetër,-shpoi Dania. Vërtet qe puna për"lanet", kur thotë Dania, por ky, "laneti" qenka vendas!!! Këtë radhë në presidium të mbledhjes nuk ishim më  as ata nga rrethi, as ai nga Tirana, por"koksit" e fshatit ( nënkupto: kryetarin e kooperativës, sekretari i partisë dhe kryetari i pushtetit). Fjalën e mori operativi i zonës. Qy,- tha Dania,- e ka zbuluar ndonjë "lanet" se vetëm për prapësira është.

Operativi,ca se prej natyre ishte i zi dhe ca se kishte rënë në "gjah" të majmë,e mori fjalën. Shokë,- tha operativi,- jo më shumë se para dy javësh, ne i premtuam partisë e sh.Enver se do rrisnim vigjilencën. Por a e dini, more shokë, njeriut që i kemi besuar "Pikën e hapjes" të mbushur plot me armë, jo vetëm e humbi vigjilencën, por ia dorëzoi atë armikut. Aha,- tha Dania,- kaq e pati dhe Beshua. Po, po,- foli tërë nerv operativi. Shkova për kontroll dhe, kur shikoj, mu tek dera e "Pikës së hapjes", varur automatiku i rojes dhe roje nuk ka. E mora automatikun dhe shkova më në zyrë.

Provokova dhe mbledhjen e partisë dhe organizata njëzëri mbështeti propozimin tim:- Beshir Arizi nga sot jo vetëm nuk është më komunist, por është armik.  E humbi vigjilencën dhe tërë armët e fshatit i mori armiku.

Këtë mbledhje e bëjmë që t'u bëhet mësim të gjithëve. Tani unë kaq, pata dhe të flasë vet ky,armiku.

Besho Arizi e mori fjalnë dhe ashtu, zhytur pa mbytur, shpejgoi:

Ore shokë,unë nuk u tuprova para gjermënit dhe qenka thënë të tuprohem tani, në pleqëri. Të drejtë ka operativi.Atje e lashë tomatikun una, se pashë timeshoqe ngarkuar e krrusur me një barrë shkarpa. Epo më lëshoi zëmra, muana, dhe bëra këtë faj, por armik nuk jam.

Më keq,- bërtiti tërë mllef operativi.  More më qafë jo vetëm fshatin, por tërë zonën,se aq armatim ka në atë "Pikëhapje". Ma bënë hallall,- donte të mbrohej Beshua.

Por vendimi qe marrë dhe, në shpëtoi nga burgu, kjo ndodhi se ishte me një çap për të dalë në pension.

Kur mbaroi mbledhja, Beshoja, po mundohej të mbrohej me disa bashkëfshatarë. Kur ballë për ballë me Danen.

- Hë,- pyeti si pak provokueshëm Dania.

-Opo lëre, o Dano,se u tuprova tani në pleqëri.

- Nuk qan Berati se ngordhi një dhi në Velabisht,- shpoi me bodec Dania.

- Pse njilloj qenka puna me atë, shumë lanetin, - desh të mbrohej Beshua.

- Xha Besho, çfarë bën, ta bëjnë e ta  teprojnë,- tha Dania.

Edhe kjo më duhej,- u qa Besho Harizi.

* Velabishti është fshat në Berat.

Në tregim kam ruajtur të folmen e personazheve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora