E hene, 03.10.2022, 12:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Albina Idrizi: Fuqia në poezinë e Agim Matos

E enjte, 16.06.2016, 07:33 PM


FUQIA E FJALËS NË POEZINË E AGIM MATOS

Nga Albina Idrizi

Para disa muajsh, mes dhjetëra mijëra lexuesve virtualë nga mbarë bota, hasa në një mesazh të poetes Rune Lazuli që thoshte: shpëtojeni botën me poezi! Sa i besova kësaj thënjeje e cila më ngjalli asociacionet e librave më të mëdhenj të të gjitha kohërave që u mbijetuan epokave.

Sigurisht se kjo pasoi edhe me disa komente mosmiratimi që aludonin në një disonancë të tepruar të mendimit. Por jo nga ata që njihnin fuqinë e fjalës. Jo nga ata që e shkruanin fjalën. Jo nga ata që e jetonin fjalën. Kurrsesi për ata që fjalën e kanë të shenjtë.  Ata që në të gdhendin ëndrrat dhe humbjet, shpresat e zhgënjimet. Ata që në fjalë bien dhe po në fjalë ngriten. Nga  fjala zvogëlohen dhe po nga fjala rriten. Ata për të cilët fjala është shtëpi. Është lëkurë. Është frymë. Fjala është nënkresa e netëve pa gjumë dhe drita e ditëve të dëshiruara, të një jete më të mirë, të një bote më të  paqtë.

Dhe  këto ditë, duke rishikuar përmbledhjet e Agim Matos, gjeta brenda vargjeve të tij bindjen time ndaj mesazhit të Rune Lazulit. Gjeta atë ‘anima mundi’ (lat. shpirti i botës) që frymonte nëpër fjalë, zërin e brendshëm të poetit që Sokrati e quan ‘daimonion’ dhe Horaci ‘mens divinor’ - frymë hyjnore (libri l, satira IV, vargu 43).

Shpeshherë kur lexojmë një poezi të bukur na vjen ta përsërisim në vete me zë gjersa ta mbjellim brenda nesh fjalë për fjalë në mënyrë që të gëzojmë më pas ndjenjën e kënaqësisë dhe përmbushjes që ngjall ajo.

‘Kur një varg është i mirë, ai nuk të lë ta mërmërisësh në heshtje, apo me zë të ulët, por kërkon ta thuash me zë të lartë’ thotë Borhesi. Dhe mua kjo më ndodhi me shumë poezi të Agim Matos, ndër të cilat.., ja pra përsëri më vjen ta them me zë:

ZILI

Më kap zilia kur mendoj se një rrënjë e vetme ulliri

mund t’ia kalojë dobisë sime,

kur një lule me dritat dhe linjat e saj

ua kalon vjershave të mia,

kur një bletë kthehet nga kullota e ngarkuar me nektar

dhe unë i kërkoj vetes llogari në mbyllje të çdo dite,

kur një yll shënon me përpikmëri rrugën e tij

dhe mua më duhet shumë punë për ta gjetur.

Sa herë i mendoj të gjitha këto

përpiqem të kem brenda vetes

një ulli,

një lule,

një bletë

dhe një yll.

A nuk është kjo fuqia e fjalës poetike e cila përmes poetit flet për të gjithë ne. Psherëtijmë, ofshajmë, gëzohemi, mallohemi, qeshim e qajmë sipas rastit, bashkë me autorin. Sepse nëpërmjet gjendjes shpirtërore të tij ne njohim jo vetëm poetin por edhe vetëveten.

Në një lidhje shumë të ngushtë me kohën, vendin dhe popullin në poezinë e Agim Matos ne jo vetëm që mësojmë kështu të kaluarën dhe përjetimet e poetit por jemi atje, me të, shpirtërisht:

‘Habitesha me ata që mbanin shënime rrotull siluetës

së një zootekniku,

pa e marrë me mend se ne vet ishim

qenie që rriteshim në vaskat absurde të një doktrine,’

(TROFTA)

Njohim dëshirën dhe etjen e madhe për liri me shprehje  metonimike sinekdokash të zgjedhura:

Veç për ty shikonim udhës

se mos shfaqeshe që larg

siç u shfaqe përmes detit

burrave anijembytur

tokë e dashur e shpëtimit.

Duke shtuar më tej me një silogjizëm gati apatik nga trazimi dhe lodhja e një bote të ashpër, të pandjeshme, konformiste deri në skajshmëri:

Krejt të plakur e të thinjur,

do të mbrrinim para Teje.

Gojëkyçur, të hutuar,

sepse më nuk e kuptonim

ishe Ti apo vegimet

që fanepseshin nga lodhja.

Mbi një pirg vitesh të humbur

ngelëm, s’ecëm dot më tutje,

se papritur kish mbaruar

gjithë kuptimi i sakrificës.

(LIRI)

Përmes një përzgjedhjeje të  fjalëve të figurshme, metaforave të gjalla me të cilat poeti krijon imazhin e tij, ne e shohim se është:

...biri i brigjeve të gjelbra. Biri i rërës dhe i detit.

Sepse, fytyrën e tij nuk mund ta ndash kurrsesi nga buzëqeshja e portokalleve, nga trungjet e menduara të ullinjve.

Dhe kemi përshtypjen se:

...u mblodhën aromat e tokës,

gjithë dritat, gjithë shqetësimet e detit,

vet mendimet e ullinjve

Dhe e krijuan ate.

Kemi përshtypjen gjithashtu se:

...është çdo gjë mbi këtë dhe që rrahin valët.

(SHQETËSIM PRANVEROR)

I lumtur në pasurinë e zemrës së tij, gjënë më të shtrenjtë e më të rrallë të kohës sonë ndër njerëz:

Faleminderit, nënë,

Që më le trashëgim zemrën

me tërë pasuritë që kishte brënda.

Pa testament,

pa noterë,

pa u grindur me të tjerë.

(PASURIA IME)

Njohim dhimbjen e thellë për metamorfozën e gurtë të qytetit:

Vetëm thellë pas mesnate, ulem i vetëm, mbi siluetën

e një shkëmbi që rri brënda meje

dhe qaj mirazhin e përmbysur të qytetit.

(VEGIMI I TRETË VETËM PËR SARANDËN)

Sa i madh është shpirti i poetit, sa e çiltër, e pastër dhe e pafund dashuria e tij për njeriun në vetëm dy rreshta për këngëtarin zezak:

Ndryshojani ngjyrën

dhe do të më gjeni mua.

Kjo ndodh kur të përfshin fuqia e fjalës poetike dhe  kupton se asgjë më mirë se fjala e shkruar letrare nuk mund të paraqesë tërësinë e jetës shoqërore dhe shpirtërore të njeriut.

Ndaj, të nderuar, zhytuni fundo në poezinë e Agim Matos, në thellësinë e mendimit të tij, surfoni mbi shumëllojshmërinë tematike, shihni imazhet origjinale, ndjeni variacionet ritmike, kënaqjuni vargut të lirë, dhe ju siguroj se do dilni që andej më të rritur, më të mëdhenj, më të pasur për një jetë, për një botë, për një njeri më shumë.

Sepse, nëse jo botën, së paku të shpëtojmë vetëveten me poezi.

Faleminderit!

(TREKËNDËSHI POETIK I PAQES, 11 qeshor 2016,)

Karadak, Gjilan



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora