E merkure, 09.10.2024, 08:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Tek shtëpia e Franit

E marte, 14.06.2016, 08:34 PM


TEK SHTËPIA E FRANIT, NË DY KOHË

Nga Kadri Kadiu

Fran Shtjefnin nga Lezha e kam ndër shokët e mi më të mirë. Kemi qenë shokë klase e shokë dhome për pesë vjet me radhë kur ishim studentë në Fakultetin e Ekonomisë Agrare në Tiranë, por edhe më vonë e mbajtëm shoqërinë, madje e shtuam miqësinë dhe kemi hyrje-dalje midis familjeve tona.

Sa ishim studentë, jo vetëm unë por e gjithë klasa e deshim dhe e respektonim shumë Franin e mirë. Ai ishte shumë i dashur, i ndershëm, i sinqertë, besnik sa më s'bëhej. Ishte tip i durueshëm Frani, ama po t'i bije më qafë e t'ia bëje borxh, nuk të kursente fare e mund të haje dhe ndonjë shuplakë të mirë prej tij, kështu që nga kjo pikpamje ne ruheshim të gjithë nga Frani, pasi ai ishte  "Herkuli"  i klasës.

Frani, megjithëse ishte moshatar me ne studentët e tjerë, ai ishte i martuar dhe me fëmijë që në atë kohë, kështu që ishte i detyruar të shkonte shpesh pranë Familjes në Lezhë. Frani ishte student i mirë në mësime mirëpo bënte goxha mungesa në leksione e seminare. Unë kam qenë Përgjegjës i Klasës (Starrost i thoshim atëhere), kështu që unë mbaja Rregjistrin e Klasës ku për çdo orë mësimi duhej të shënoheshin mungesat e studentëve.

E po ç'të bëja unë i shkreti? Po t'ia shënoja të gjitha mungesat që bënte Frani, ai duhej të përjashtohej nga shkolla brenda muajit. Kështu që e prishja ndërgjegjen dhe Frani, edhe kur ishte në Lezhë, sipas Rregjistrit figuronte prezent në leksione e seminare. Për këtë "shkelje" që bëja, unë natyrisht që kisha edhe mirëkuptimin e shokëve të klasës por edhe të disa pedagogëve pasi, përveç meje, për çdo orë mësimi firmoste në Rregjistër dhe pedagogu përkatës.

Nejse, në vitin 1967 ne e mbaruam Fakultetin, morëm diplomat, bëmë dhe atë mbrëmjen përfundimtare të klasës dhe u shpërndamë nëpër Shqipëri, secili pranë familjeve të veta, në pritje të marrjes së emërimeve për në punë.

Unë shkova në Fshatin tim në Devoll, ku pas ca ditësh më vjen një telegram nga Ministria e Bujqësisë ku thuhej: "Jeni vënë në dispozicion të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Shkodër. Paraqituni menjëherë për të marrë emërimin e për të filluar punën". Nuk e prisnja këtë emërim kaq larg, e aq më shumë në një rreth si Shkodra që nuk vuante për kuadro. Unë kisha menduar se do të më emëronin me punë në ndonjë kooperative ose fermë në Rrethin e Korçës por ja që tani duhej të nisesha për në Shkodër, qytet ky që nuk kisha shkuar ndonjëherë deri atëhere. Babai im, ndjesë pastë, i gjeti borxh nja një mijë lekë e m'i dha që t'i kisha për udhëtim, për fjetje e për ushqim për nja dy ditë dhe më porositi: " Aty ku do të të caktojnë me punë, kërko të të japin paradhënie një sasi lekësh,deri sa të marrësh rrogën e parë".

Ashtu do të bëja unë, siç më tha babai; mirëpo babai im i kishte bërë hesapet pa hanxhinë. Kur u paraqita në Komitetin Ekzekutiv të Shkodrës më thanë se " Kryesia e Komitetit do të mblidhet për emërimet e reja javën që vjen".  Ç'të bëja unë fukarai? Lekë nuk kisha as për tu kthyer në Devoll, por as për të ndenjur nëpër hotelet e restorantet e Shkodrës. I thirra mendjes e mendja më tha: " Shko tek Frani".

Me makina të rastit, të nesërmen mbërrita në Gjadër të Lezhës ku Frani me bashkëshorten e tij, Anxhelinën, jetonin sëbashku me prindërit e Franit. Më pritën e më nderuan prindërit e Franit tamam sikur të më kishin djalin e tyre, ndaj gjithë jetën i kam kujtuar me respekt ata prindër aq fisnikë. Babai i Franit, i cili ishte punëtor në Fermën e Gjadrit, në Oborrin e Shtëpisë mbante nja 3-4 gica, kështu që me rastin tim e preu një gic. Ato 4-5 ditë që ndejta tek Shtëpia e Franit, në çdo vakt lëshohej në sofër një tepsi me mish thiu të pjekur ose të zier.

Fiks pas 20 viteve, në vitin 1987, ma solli puna që të shkoja përsëri në Shtëpinë e Franit. Në këtë kohë unë punoja në Ministrinë e Bujqësisë kurse Frani punonte në Seksionin e Bujqësisë së Rrethit Lezhë. Ishte periudha e hartimit të planeve vjetore për bujqësinë kështu që mua më kishin caktuar për të ndihmuar për problemet e planifikimit në Seksionin e Bujqësisë të Lezhës. Jo se e kisha shok Franin, por po them një të vërtetë:  Jam çuditur me përpikmërinë e saktësinë e dokumentacionit që kishte krijuar dhe mbante Frani si Ekonomist i Seksionit të Bujqësisë, sa që e bëmë edhe shembull në disa seminare që organizonim me ekonomistët nëpër rrethet e Vendit.

Unë qendrova disa ditë në Lezhë dhe isha i sistemuar në hotel, por një ditë Frani m'u vardis e më mori për darkë në Shtëpinë e vet në Balldre të Lezhës, ku tani jetonte me gruan dhe fëmijët. Frani nuk e çante shumë kokën se nuk turpërohej nga unë  por kur i shkuam në shtëpi Anxhelinës, e kuptova se ajo u vu shumë në siklet. E shifja që vërtitej nga një dhomë në tjetrën e gjora Anxhelinë dhe e ndjenja e po më vriste shqetësimi i saj. Dëgjova se njërin ga djemtë e saj, Ndrekën e nisi për në dyqan dhe e porosiste se çfar duhet të blinte. Pas ca minutash Ndreka u kthye nga dyqani, në duar mbante vetëm një shalqin të madh e asgjë tjetër.

Ç'të bënte dhe Frani i shkretë. O Kadri, më tha, a dalim pijmë ndonjë kafe andej nga Klubi i Fshatit e shikojmë për ndonjë psonisje? Dolëm, e pimë kafen në Klub dhe pastaj u futëm në Dyqanin Ushqimor. Shitësja e Dyqanit, në dorë mbante një vrasëse mizash por banakët i kishte bosh,aq sa edhe miu nuk kish ku të kapej e mund të thyente kokën.

Çfar do të më japësh ndonjë gjë o Dile, i tha Frani, pasi sonte kam këtë mikun në Shtëpi.

Ç'far të të japë Dila ty o Fran vëllai, i tha Dila, kam dy javë që s'kam furnizim.

Po mirë, i tha Frani, po ndonjë pije a ke?

Kam ruajtur vetëm nja dy shishe me raki dëllinje, po deshe merre njërën.

Ia mbështolli Dila shishen në një qese letre, pasi fshehur po ia jepte, dhe ne me Franin u kthyem në Shtëpi.

Anxhelina e shtrroi darkën. Në tavolinë kishte sallatë domatesh, speca të pjekur, një supë me barishte dhe shalqin. Frani e nxorri rakinë e dëllinjës dhe na i mbushi gotat.

E mora gotën e rakisë në dorë, e toka me Franin, e urova dhe Anxhelinën me fëmijët. Mua më vinte keq për Anxhelinën por mllefin e kisha me veten dhe me Franin. Nuk durova dot më dhe shpërrtheva: Dëgjo o Fran, i thashë, kur isha para 20 viteve në Shtëpinë e Babait tënd, juve hanit në sofër por në çdo vakt atëhere shtrohej nga një tepsi me mish. Tani po shoh se kini bërë përparime të mëdha; hani në tavolinë dhe kini futur në menynë e ushqimeve përdorimin në masë të perimeve. E për këto përparime o Fran, unë e ti, si kuadro të bujqësisë, kemi dhënë kontributin tonë. Harram e paçim o Fran që e katandisëm bujqësinë në këtë derexhe sa që fëmijët tonë po harrojnë shijen e mishit e të djathit! Na rrofshin planet që bëjmë për zhvillimin e bujqësisë se gënjejmë veten, të rrofshin edhe ty ato pasqyrat, formularët e grafiqet që bën për rritjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale në Rrethin e Lezhës, pika më rëntë edhe mua që vij dhe jap direktiva nga Ministria e Bujqësisë. Nuk më shtyhej më buka u largova nga tavolina, u ula në një divan dhe u mbyta në lotë. Erdhi edhe Frani pas meje dhe filloi të më qetësojë.

Kot e ke o Kadri, më tha, që më bie më qafë mua dhe vetes tënde. Ne kemi punuar tërë jetën me përkushtim, me ndershmëri e profesionalizëm, por faji qëndron gjetkë o Kadri, qëndron te politika e madhe e Partisë tënde. (Këtë fjalë Frani e tha tamam pasi unë isha anëtar i Partisë së Punës ndërsa Frani jo; mirëpo pas pak e kafshoi gjuhën dhe e korrigjoi veten duke shtuar: "E Partisë tënde dhe times"). Unë i bëja planet e bujqësisë së Lezhës edhe para 4-5 viteve o Kadri, vazhdoi Frani, mirëpo atëhere Lezha të mbyste me qumësht, me mish e me vezë dhe jo vetëm që plotësonte nevojat e saj por nga Lezha furnizoheshin dhe disa qytete të Veriut të Shqipërisë. Tatëpjeta e bujqësisë o Kadri, mos bëj sikur nuk e di, ka filluar në vitin 1982 kur disa mendje të çorroditura atje lart, ia morën fshatarit lopën, delen, dhinë, gicin, madje edhe pulat dhe shpikën këto tufëzat e arëzat që kemi sot, të cilat janë një dështim i plotë dhe tani i gëzofshim tallonat që na japin për të marrë me racion të gjitha ushqimet. Mirë që juve në Tiranë, një herë në javë e merrni një kile mish, gjysmë kile djathë, një pako gjalpë e 10 kokra vezë për familje, mirëpo ne në Lezhë nuk na bëjnë punë as tallonat, pasi këtu dyqanet një herë në muaj mezi furnizohen.

E dëgjoja Franin dhe nuk e kundërshtoja dot në asgjë por kjo gjë nuk më qetësonte, përkundrazi më dëshpëronte edhe më shumë fakti që ishim aq të pafuqishëm e aq gojëzënë, dhe këto gjëra që i ndjenim dhe i bisedonim në shtëpi, nuk guxonim as t'i shkonim nëpër mend e t'i përmendnim në punë e në kolektiv.

Po edhe sot ama, plas nga inati e më vjen pështirë kur dëgjoj të flasin, të mburren e të hiqen si disidentë disa njerëz që unë i kam njohur si krejt servilë e të pavlerë, disa zorraxhinj e shërbëtorë të përulur të çdo rregjimi.



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora