E shtune, 12.10.2024, 07:33 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Pluhuri i artë i poezive

E premte, 10.06.2016, 09:27 PM


Pluhuri i artë i poezive …

Përsiatje mbi vëllimin poetik “Pluhuri i artë i përjetësive” të Agim Matos

Nga Timo Mërkuri

Thënia …që ta kuptosh poezinë duhet të “njohësh” autorin,  qëndron më shumë se kudo në rastin e poetit Agim Mato. Kjo, jo për arsye se poeti “vargëzon” biografinë e tij, por për faktin se është  vetë  jeta e  tij  trunglisi zgërbojë, i goditur e i përcëlluar nga rrufetë e absurdit politik, ”lehe”  ku farëzohen poezitë, duke na dëshmuar edhe njëherë se …poezia lind nga dhimbja.

Prandaj ju lutem të më mirëkuptoni në “prezantimin” tim,  të stërpikur me pluhur poezie..

Poeti Agim Mato “lindi” kur mbaroi shkollën e mesme.  Deri atëherë ishte një adoloshent  trazovaç,  nga ata që nuk linin “dy vajza bashkë”.  Jetonte pranverën e moshës sipas  motos …ku rrafsha mos u vrafsha dhe … çdo gjë që fluturon,  haet. Mrekullohej me … koncertin e pulëbardhave/dirigjuar nga erërat joniane/në gjirin e Sarandës  .dhe …për tu ndjerë burrë/e trashte zërin me shokët…

Por jeta i kishte rezervuar disa të papritura të hidhura. Pikërisht atëherë kur shpresonte të hidhte hapin e parë drejt jetës, i erdhi goditja e papritur dhe trullosëse.  E papritur, për kënd- vështrimin  e tij human për  jetën dhe trullosëse, për nga forca shtetërore e goditjes.

Ishte ballafaqimi i parë me …luftën e klasave.

Shokët dhe shoqet e tij u ulën nëpër auditoret e universiteteve, ndërsa ai…me një kostum të grisur ëndërash endesha në një gji të mbyllur deti/me hirin e zjarreve të shuar në shpirt…

Por nuk mjaftoi me kaq. U nis ushtar, ndoshta me mendimin pajtues (me regjimin) se do shërbente për mbrojtjen e Atdheut, etj. etj. Por ja që, për pushtetin, nuk konsiderohej i besueshëm, përkundrazi, me fantazinë që kishte, mund të ishte i rrezikshëm me armë në dorë. Prandaj i dhanë një pushkë druri, (që të mos mësonte funksionimin e armës), si dhe një kazëm të madhe (me majë hekuri, sigurisht).

Isha si një guackë e zbrazur/…asnjë shpresë nuk i rrihte krahët rrotull meje/ të mi zgjonte  ditët me klithma gëzimi…

I mbyllur shpirti/E mbyllur kënga/Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt…

Por ndërsa heshtëte publikishti, …bukuritë galaktike frymonin brenda vetes…dhe krijonin botën e bukur të poezisë. Sepse bota shpirtërore e poetit është “laboratori” më efikas  që zotëron njeriu, i aftë që “helmin” e jetës së tij personale, ta shndrojë në mjaltë për njerëzimin.

Dhe kështu, ecur me kujdes…të mos shkelja/aty ku më prisnin greminat…,  kur… për shumë kohë dhe  penën ma sekuestruan/si një armë të paligjëshme…kur…ngela pa zërin tim, pas gjuhën time, pikërisht atëherë, kur normalisht duhej të  harohej në heshtje, atëherë poeti hodhi në publik arin e shpirtit të tij në vëllimet “Jug” dhe ”Në prag të shtëpive tona”, dy vëllime që tërhoqën vëmëndjen e botës letrare për risinë e re që sillnin në poezinë shqipe.

Suksesi i këtyre dy vëllimeve, dëshmoi se, poezia  është kulla e rezistencës, ku ngujohen dhe triumfojnë shpirtërat e mëdhenj në kohë diktaturash.

Bota letrare shqiptare i përshëndeti me entusiazëm, këto lule të brishta joniane, me aromë … erë limoni e jodi përzier. Por, duke perifrazuar thënien  se… në Shqipëri, lulet i hanë … gomerët, kujtojmë se,...gomerët e diktaturës u sulën dhe hëngrën edhe…“Bukën  e fjalëve “ , vëllimin e tretë poetik të Agim Matos.

Ishtë një kohë urie e madhe në Shqipëri. Diktatura, si Polifemi, hante edhe ëndërat që sillte … hëna. Prandaj, ndoshta … Hëna vononte të dilte/hidhej duke u penguar nëpër bokërimat e qiellit/atje ku yjet gremiseshin

Dhe poeti vijonte te shëtiste anës detit, miku i tij i përherëshëm, me të cilin …vumë në provë vetminë/ti (deti) i zbrazur nga aniet,unë i zbrazur nga shpresat/mënjanë botës së madhe…

Por deti asnjëherë nuk të lë vetëm. Jo vetëm kaqë, por ai të zgjeron dhe forcon frymarjen me jodin e tij, dhe ta bën shpirtin të madh…sa shtatë dete, duke të fisnikëruar botën shpirtërore.

duke u futur çdo natë brenda meje/ma zgjerove shpirtin/…dhe më bëre ti mëshiroj ata që luftuan njeriun/verbuar prej ideologjive…

….Me një dritë të lëngëshme më pagëzove të tërin… thotë  poeti dhe neve instiktivisht na kujtohet pagëzimi i Jezu Krishtit me ujë, në lumin Jordan dhe drita qiellore që ra mbi kryet e tij në atë çast, duke dëshmuar origjinën e tij si bir perëndie.

Por poeti nuk ishte bir perëndie. Ai  ishte thjeshtë, bir i një të… porsaliruarit nga burgu, i cili dilte  i vetmuar, me një kostum mbretërie/me një kapele republike, dhe rinte  pas vehtes, si pas një dritareje, në pritje të lirive të munguara…dhe priste ndryshimin i paduruar.

Por ishte poet, nuk mund të rinte i mënjanuar. Boll ndënji i heshtur tridhjetë vjet.

Ndajë …me lopatëzën e një ëndrre / zhvendos(t)e  errësirën reth e rotull/ hap(te)i shtigjet që (të) e lidhnin me botën…jo vetëm duke u bërë pjesë aktive, por edhe faktor në botën letrare me poezinë e tij.

Poezia e tij është një urrë që lidh shpirtërat njerëzor, nëpër të cilën kalojnë ëndrrat  e bardha të poetit drejt lexuesve, si nuset  para altarit, kur shkojnë nga krahu i prindit në krahët e dhëndërit.

Ky është çasti që dhëndërit i mehet fryma nga lumturia.

E vlen të jetosh e të vuash në jetë, vetëm për të përjetuar këtë çast. Asgjë tjetër nuk kujtohet nga jeta. Kaqë dritësim ka ky moment, sa që i zbardh dhe i “fshin” gjithë aspektet e dhimbëshme të jetës, si fotot e stampuara në negativin e një filmi, të dalur befasisht në dritë. Mbeten vetëm shënjat e plagëve mbi trup e mbi shpirt. Dhe ato, të stërpikura me një pluhur të artë poezie, sa që ti bën të bukura këto plagë, si piktura të Rembrandit të magjishëm.

Dhe këtë botë humane të poetit që e  bëri ti mëshiroj ata që luftuan njeriun/verbuar prej ideologjive…, duhet të  theksojmë se e projektoi dhe ndërtoi një person vendimtar në jetën dhe krijimtarinë  e autorit, gjyshja e tij, një plakë e vuajtur çame, e rudhosur dhe e kërrusur që , për nga fati në jetë të kujton Rozafën. E murrosur në dhimbjen e saj, me një këmbë tundte djepin e ëndrave të nipit në Sarandë dhe me njërën dorën  ujiste shpresat e të jatit të tij, në birucat e diktaturës.

Si s’mendoi një herë për vete kjo plakë shamibardhë. Gjithë jetën me skalistir në dorë duke mihur dheun e luleve në obor, në saksi apo në ëndëra, duke i kënduar nipit ninulla për Marko Boçarin e Osman Takën, për tumankuqen me festen treqint mexhite  apo të bukurën e trimit larg në More. Dhe e konte (ushqente) me një shqipe të ëmbël, si mjalti, që sado mote të shkojnë, kurrë nuk e haron.

Se duhet të theksojmë që Agimi është një njohës dhe përdorues mjeshtëror  i gjuhës shqipe. I nxjerr fjalët e bukura të shqipes së vjetër si margaritarët nga pinat detare, mbuluar me leshterikë. Margaritarë fjalësh që rezëllijnë nëpër vargje, duke i bërë më të bukura, më të gjalla, më shqiptare poezitë e tij.

Ato poezi joniane që  rrjedhin rrëmbyeshëm nëpër shtratin e artit popullor, ashtu siç rrjedhin pranverës përrenjtë e porsa krijuar malorë nëpër shtratin e vjetër të përrenjve, ato poezi që të mrekullojnë me magjinë e tyre, që të duket se je nën stërpikje  valësh përroi a nën stërkala dallgësh deti, që të duket se rend nëpër yje a eksploron botën nënujore,  ato poezi që të mbushin frymarjen me jetë, unë ju them se kanë lindur nga dhimbja e poetit, që ju të mos ndjeni dhimbje në  këtë jetë.

Por ne, le të lexojmë poetin:

Sipër nesh ngrihej si aureolë një fashë hyjnore e ëndravë/ të notepsura me dritë/Ajo që nuk e thoshnim me zë, ishte më e bukur se fjalët/më e ëndëshme se qumështi i yjeve/që xixëllonjat pinin mbrëmjeve nëpër qiell/ Dëgjonim në heshtje muzikën e shpirtërave tanë/…dhe vinim re se plepat fjalamanë e kishin pushuar frushullimën/ të magjepsur/ Ndjenim në gjoks limfën e trupave tanë/…Edhe një puthje na dukej zhurmë…

Hëm, nuk e kuptuat mirë. S’ka gjë, mos u trishtoni dhe sidomos, mos u përpiqni ta kuptoni.

Poezia joniane e Agim Matos është si dashuria. Ndjehet, përjetohet dhe vetëm kur e

humb, e kupton se çfarë ke humbur.

Ndaj dhe unë ju them:- Ndjejeni dhe përjetojeni poezinë e Agim Matos, miqtë e mi.

Me siguri që do lumturoheni.

Dhe unë ju falnderoj që më  nderuat me vëmëndjen tuaj.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora