E hene, 07.10.2024, 08:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Blini bajame me kripë

E premte, 10.06.2016, 08:35 PM


KRISTAQ TURTULLI

JU LUTEM, BLINI BAJAME ME KRIPE...

tregim

Çunak isha, me pantallona te shkurtra, kur dola të shisja bajame me kripë. Në kockë më priste i ftohti i hidhur. Shkak u bë thirrja e vëllait të madh nën armë. Ai ishte shtylla e shtëpisë, e ardhura më e rëndësishme e familjes. Vëllai punonte mbartës në fabrikën e birrës. Babai pas operacionit të tretë, heqjes së gërshërës së harruar në bark s’ u bë më për punë, u dergj në shtrat. Dhe nëna ime e imët e urtë e flokëbardhë, la punën dhe i shërben natë e ditë. (Kur linda u përfol në maternitet se lindi një plakë, por nëna ishte tridhjete e pesë vjeç.)

Kur dilnin vëllezërit në shitje të bajameve, kërceja mbi shtratin prej dërrase, mbështesja bërrylat në parvazin e dritares, vendosja ballin në xhamin e ftohtë dhe ndiqja me shikim ziliqar siluetat e brishta të vëllezërve, supe mbledhur prej thëllimit, kthenin bërrylin e rruginës me gropa të Pani Kuqos dhe mbështilleshin prej tisit të natës...

Dalja ime në lokale dhe baret e qytetit, në shitje të bajameve me kripë, u shoqërua me psherëtimën e thellë të babait, kthimin e kokës së thinjur nga ana e murit. Rrëmbushjen e nënës prej ngashërimit dhe kafshimin e buzës.

Unë e prita si ngjarje te madhe. Më joshte ikja nëpër natë e vëllezërve të mi. Bajamet i mbështillnim me fletë fletoreje këtër lekëshe, me fletë librash të vjetër ose copëra gazetash. Një ditë mu drodhën duart kur pashë që mbështillja bajamet me fletë nga libri: Don Kishoti i Mançës, përkthyer nga Fan Stilian Noli. Mu veshën sytë, fleta e librit mu çmbështoll në duar dhe bajamet ranë përdhe. Nëna më pa vëngër, por ku pa lot në sytë e mi u step.

-Me Don Kishotin mbështjellim bajamet mama,- i thashë me gjysmë zëri.

Nëna rënkoi dhe tundi kokën me trishtim. Dikur jetonim në një shtëpi të madhe në qendër të qytetit dhe kishim bibliotekë të bollshme, krijuar në breza. Vepra nga shkrimtarët dhe filozofët me të shquar të kohës. Por librat u shpërdoruan e humbën gjatë bastisjeve, kontrolleve dhe shpërnguljeve. Dhe në ato pak libra që mundëm ti mblidhnim, dora e nënës shkonte si padashur e, përfundonin mbështjellëse bajamesh të pjekura.

Në secilin prej kaushëve vendosnim dhjetë kokrra bajame, kur mbetej ndonjë gjysmë bajame, thërrmuar gjatë pjekjes, nëna fuste edhe një më tepër. Kur ndihmonim nënën të mbushnim kaushët me bajame, na porosiste gjithnjë:

-Numërojini me kujdes bajamet, bota paguan paranë dhe turpërohesh për hiç mos gjë.

Kërkova me krenari të më jepej çanta prej doku, qepur me dorë nga nëna prej çarçafësh të vjetër. Nëna luajti kryet në shenjë kundërshtimi.

-Kaushët me bajame ku ti fus!

-Çantën do ta mbajë vëllai,- tha nëna.

Mblodha buzët i pabindur. Kujtoja se çanta prej doku më vinte në një shkallë barazie me vëllezërit e mi. Paçka se unë isha tetë vjet dhe vëllai im Alfredi, trembëdhjetë.

Dalja ime në shitje të bajameve me kripë, natën, nga një lokal në tjetrin, u bë  i mbushur me kureshtje, në zbulim të enigmave të mëdha. Në kthinat e ngushta, të pista pihej birrë, vodkë, përtypeshin kërnace me qepë të prera hollë dhe tymosej duhan me shumicë. Bota më dukej misterioze, rënduar me mjegullën e dendur dhe kundërmimin karakteristik të alkoolit. Bares nga një tavolinë në tjetrën dhe të flas zë ulët:

-Ju lutem, blini bajame me kripë.

-Ngrije zërin mos fol si miza në qyp,- më këshilloi vëllai.

-Ju lutem, blini bajame me kripë,- fola zë plotë. Ndërkohë ndjeva mbi shpinë të gjitha llojet e vështrimeve: Te ngrohta, dashamirëse, përdëllimtare:

-Birka e nenës! I vogël si zogth shet bajame!

Shikime indiferente, deri tek hakërrimi dhe kërcënimi i vërtetë:

-Shko qërohu miush i keq me gjithë bajame!

Fatmirësisht vëllai im Alfred qysh në fillim më dha instruksionet e nevojshme; mos ligështohesha nga provokimet e pijanecëve. Të shmangesha me kujdes. Mos humbisja toruan. Të qëndroja gjakftohtë.

-Sa i ke bajamet?- më pyeti një zë i trashë. Ngrita kokën dhe pashë një fytyrë gjerë me vështrim të vëngër.

-Dhjetë lekë kaushi,- u përgjigja.

-Lër katër kaushë.

Lashë katër kaushë.

-Sa bajame ka në një kaush? – Më pyeti burri fytyrë gjërë.

-Dhjetë bajame,- u përgjigja.

-Je i sigurt që kaushët kanë dhjetë bajame?

-Po,- u përgjigja me gjysmë zëri.

-Mirë. Do i hap kaushët në sy tënd. Nëse kanë dhjetë bajame, do ti jap lekët. Po... gjeta me nëntë bajame, s’ ka para!

Luajta kokën në shenjë aprovimi, por gjuha mu tha. Vëllai qëndronte në përgjim, më jepte kurajë, të mos trembesha, të mos tërhiqesha. Nëna i numëronte me kujdes bajamet përpara se t’i vendoste në kaushë, vinte dhe nga një bajame më tepër. Ku i dihej, ndodhte që letra mbështjellëse hapej në fund, ose grisej dhe bajamet binin.

Me ceremoni fillonte numërimi i bajameve, për fat të mirë dilnin më shumë se dhjetë bajame. Merrja frymë i lehtësuar. Prova kaloi me sukses.

Kish nga ata pijanecë dredharakë, sy skuqur, që gjatë numërimit të bajameve, me gishtin e vogël futnin ndonjë prej bajameve në mëngën e xhaketës. Më hakërroheshin:

-Spurdhjak hileqar. Mungesa e ndershmërisë ka elemente të këqija, armiqësore, të përvetësimit së djersës së popullit.

-Kaushi ka dhjetë bajame,- këmbëngula.

-Hesht! Hëm, s’e dimë dhe, prindërit e tu kështu e shfrytëzonin popullin. Shko mbushu, s’ka para!

Mposhta  me shumë vështirësi ngashërimin, ngula këmbë dhe thashë:

-Shkundte mëngën e djathtë të xhaketës.

-Hej, dreq i vogël,-mu gërmuq ai.

Nuk tundesha nga e imja. Të tjerët duke u shkrirë së qeshuri detyruan shokun të shkundte mëngën e xhaketës. Bajamet fshehura ranë përdhe. Ata më zgjatën lekët pa e ndërprerë argalisen e çmendur. U largova me lëmshin e pështjellimit dhe të ankimit në shpirt.

S’e përfytyroja që edhe të rriturit tallen, gënjejnë, mashtrojnë një djalë të vogël, që kish dalë për nxirrte kafshatën e gojës. Kujtoja se ishin seriozë dhe të drejtë si babai im. Kjo gjë më bëri të tregohesha më i kujdesshëm, kur shikoja të dehur kërkoja të më jepnin lekët, përpara se t’u jepja bajamet. Ndodhte që disa hiqeshin sikur harronin dhe vazhdonin bisedën. Me këmbëngulje i tërhiqja prej mënge. Ata ktheheshin më shkreheshin:

-Çfarë do more kopuk?

-Paratë e bajameve, - u thosha.

-T’i dhamë lekët,- dhe rrëkëllenin me zhurmë vodkën në gurmaz.

Fillova ta kuptoja s’e shitja e bajameve s’ish lodër, aventurë, por një punë e lodhshme e mundimshme. Shtegëtim i pandalshëm në orët e vona të mesnatës, nga një lokal në tjetrin. Në mot të ftohtë me erë shi dhe dëborë. Veshur me bluzë të ronitur dhe këpucët e hapura si gojë e urituri.

Në mëngjes nëna më shkundte butë nga shpatullat dhe më fliste me të ulët, të ngrihesha të shkoja në shkollë. Shpëlaja fytyrën, fusja në gojë një kafshatë bukë dhe ikja me kokë të renduar nga pagjumësia. Ndodhte që gjatë mësimit koka më varej në bankë. Në pushimet e vogla shkoja me vrap në banjë, i hidhja me ujë fytyrës të më dilte gjumi.

Ruska topolake, biondja e bukur, mësuese Svetllana, martuar me inxhinier Besnikun erdhi në klasën tonë. Ne qeshnim me të, i bënim pyetje te vështira:

-Mësuese, si i thonë shkrepëses në rusisht?

- Ju a kam thënë dhe herë tjetër, ‘spiçka’ i thonë,- na përgjigjej ajo.

Ne djemtë argaliseshim. Ajo skuqej, ngatërrohej, i shtrembëronte fjalët më keq. Ndërsa vajzat ulnin kryet të turpëruara.  Mësuese Svetllana s’ mërzitej. Ajo e kish vene re se nuk isha si më parë, i vëmendshëm, i dalluar, nuk përqendrohesha në mësime dhe përtoja të flisja. Më  përgjonte me sy, më pyeste gjatë shpjegimit, më tërheqte vëmendjen. Përshkundja kryet dhe e vështroja i hutuar, ndërsa ajo vazhdonte shpjegimin.

Më lodhte bredhja nëpër lokalet e qytetit në shitje të bajameve me kripë, por e ndjeva veten burrë, po i bëhesha krahë familjes të varfër. Trupi im i hajthëm po argasej në bredhjen e gjatë nëpër lokalet e klubet natës, më tërhiqte me kënaqësi dhembjeje dhe provokative, mes lokaleve të tymta e të lagështa të qytetit. U afrohesha me kujdes tavolinave, i përqendruar, prisja me durim kur pijetarët me gotat përpara, ndërprisnin një moment bisedën, të mbusheshin me frymë dhe unë ndërhyja:

-Ju lutem blini bajame me kripë.

Pijetarët ktheheshin nga unë, më shihnin të habitur, të shpërqëndruar. Nga u ndodh ky fëmijë i imët, me flokë të qullur prej shiut dhe borës, në botën e korkolepsur të burrave, që mbytnin shqetësimet dhe brengat në gotat e rakisë dhe birrave! Komunikoja me burrat e të gjitha moshave, të cilëve u tërhiqte vëmendjen zëri im i hollë, pa notat e bezdisshme të pasigurisë dhe të frikës. Kishte ditë që shisja bajame më shumë se vëllai im. Alfredi qeshte. Por nënës dhe babait të sëmurë s’u jepnim. E rëndësishme ish shitja e bajameve, nxjerrja e bukës së gojës jetesën.

Më shpesh më blinin bajame miqtë e hershëm të babait. Ata mblidheshin në qoshe të klubit ‘Familjari,’ bisedonin zë ulët dhe sa më shihnin më thoshin:

-Vogëlush, lëri të gjitha bajamet, sa ke.

Shihja se klientët e mirë rralloheshin dhe në tavolinën e kthinës herë vinin dy e herë një. Shkundnin xhepat, numuronin kacidhet, blinin një vodtkë dhe bajamet e mia. Pyeta vëllanë. Ai më tha:

-Janë si ne, familje të përmbysura. Disa futen në burg, të tjerë internohen dhe kusuri vdes.               - Po përse?!- klitha.

Koci, çalo bajamka, burrë i shkurtër, kokëmadh, që gromësin dhe pjerdh si kalë gërdallë, këmbë të shkurtëra, të shtrembëra, ishte armiku im. Ai tërbohej nga xhelozia kur gjente nëpër tavolina letra të hapura me bajame. Shkrofëtinte nga inati dhe vërtitej në njërën këmbë pa gjetur qetësi. Klientët e ngacmonin:

-Je i vonuar Koci. Nuk e sheh, i blemë bajamet.

Koci gromësinte, më shihte egër sikur do më hante. Një mbrëmje u shfaq me të birin, Matin. Një fëmijë kokëmadh, flokëzi e bullafiq, me sy të vegjël që ndiqte të atin duke u grindur nëpër tavolina. Mati ish dy vjet më i madh se unë, i mbahej goja dhe, dukej haptas i ati e kishte marrë me zor në shitje të bajameve. Mati mërzitej shpejt, gromësinte si i ati, fshihej në ndonjë qoshe dhe cimbiste bajamet që kishte në kaushë. Shpesh herë gjendej gafil ndaj provokimeve të pijetarëve kur i kërkonin të hapte kaushët dhe të numëroheshin bajamet  me kripë.

U përpoqa të zija miqësi. Ne ishin më të vegjlit në shitje të bajameve me kripë, por ai më shmangej me bezdi. S’e dija që Mati më urrente dhe s’më shihte me sy, njëlloj si i ati. Më shtynte me bërryla, ngërdheshej, më përqeshte, më nxirrte gjuhën, kur ndesheshim në rruginat e ngushta mes tavolinave. U mundua të më vinte këmbëzën, të më rrëzonte ne mes të lokalit të më turpëruar, unë iu shmanga me kujdes dhe me shumë vështirësi. E dija mirë, rrëzimi, zgërlaqja në dyshemenë e pistë të lokalit, do ishte turp i madh dhe katastrofë për mua. Tre herë më goditi me grusht në ije sa mu mbajt fryma. Nuk i tregoja vëllait s’ doja ta ngatërroja.

Në mes të janarit kur babai u shtrua në spital për gjakderdhje në urinë, ndodhi rrëmbimi i dhunshëm i kaushëve me bajame. Po dilja nga lokali i ‘Familjarit’ për të shkuar në klubin ‘Një maji.’Më shfaqej dhe rishfaqej trupi i verdhë babait dhe shikimi i perënduar i tij. Çfarë thonj të poshtër paska sëmundja kur një dy metro burrë e shndëron në skelet?

Bënte ftohtë, acar dhe duart i kisha të mpira. Koci, çalo bajamka kaloi pranë duke çaluar dhe shfryu nëpër dhembë:

-Hyyy dreq, borgjez i vogël! Të kam thënë njëmijë herë, mos mu ngatërro nëpër këmbë!

-Hyyy dra..q...ba...rgjez, do të he...dh këm...bë...për...pjetë,- dëgjova dhe zërin e hollë dhe të zvargur të Matit. U ktheva vështrova shpinën e kërrusur, ecjen e shkapërderdhur si kangur të Kocit dhe hapërimin e plogët të Matit.

S’e kuptoja përse të silleshin kështu këta njerëz. S’u kishim bërë asgjë të keqe.  Ata ishin të varfër si ne dhe lokale e klube qyteti ynë ka me shumicë.

U kapërdiva me vështirësi. Mendimi i vdekjes së afërt të babait më mundonte dhe kisha ditë që ndjeja dhembje në shpatullën e majtë. Hodha disa hapa, kur papritur dhe pa kuptuar dy duar u zgjatën vetëtimthi drejt meje, pa lënë mua të mblidhja mendjen  U përpoqa të mbroja kaushët, por në duar më mbetën vetëm fundet e letrave mbështjellëse, me ndonjë bajame të ronitur nëpër to. Disa bajame prej sillës së rrëmbimit ranë përdhe në tokën e qullur. Rrëmbyesi morri një pjesë të bajameve. Unë s’e pashë kush ish rrëmbyesi i dhunshëm i kaushëve të bajameve, sepse gjithçka ndodhi vetëtimthi.

Ngela i gozhduar në mes të trotuarit, disa metra larg derës së klubit ‘Një maji’ dhe trupi filloi të më dridhej. I premtova nënës, me lekët që do fitoja prej shitjes së bajameve, do blija bukë për shtëpinë dhe qumësht për babanë shtruar në spital. Por dhjetë kaushët me bajame u përlanë dhunshëm nga doçkat e mia të vogla. Qëndroja duarbosh. Një shkundje e fortë më vinte prej shputave të këmbëve të qullura, turrej drejt muskujve të lodhura të këmbëve, ngjitej me vërtik drejt trupit të ngurtësuar. Jo vetëm prej të ftohtit, por më shumë prej ankthit dhe merakut të mundimshëm.

Fluturuan njëqind lekë, u bënë erë. Kaq i ngathët, i shastisur u tregova, lashë veten të më vidhnin bukën e gojës si një hutaq i gjorë! Një lëmsh i madh, sa një mal mu mblodh në gjoks dhe një ngërç torturues  më shkundi trupin. Nuk doja të qaja, s’ duhej të qaja. Ç’të bëja, lagështira e madhe më bllokoi frymën dhe sytë më përvëlonin. Ku duhej të shkoja, çfarë të bëja? Turma indiferente më shtynte majtas dhe djathtas. Të mos rrëzohesha u mbështeta në qoshen e dritares së klubit ‘Një maji.’ Si për inat vëllai s’po dukej. Po a kisha kurajë t’i dilja vëllait me duar bosh? Dhjetë kaushët me bajame bënin njëqind lekë. Isha vërtet një lëngaraq. Më mirë të vonohej vëllai derisa të qetësohesha, le të qullesha si miush i mjerë. Mendova t’i lutesha Potirit plak, mikut të babait,  kuzhinierit të vjetër të lokalit ‘Familjari’ të më jepte të laja pjatat, të mblidhja një pjesë të lekëve të humbura. Koka më rëndonte dhe më dukej sikur po më binte zali.

Gëlltita me vështirësi lëmshin e madh të pështymës që më qe grumbulluar në fyt dhe vështrova me kujdes rreth e rrotull. Nga krahu i majtë dallova një kokë që zgjatej dhe fshihej nxitimthi pas murit të ulët të lulishtes ‘Një maji.’ Më ngjau si koka e madhe e Matit me zgërdhitjen e shëmtuar në fytyrë.

Pas një copë herë pashë Koci, çalo bajamkën që dilte nga ‘Familjari’ dhe bariste drejt meje me të ecurën si kangur. Qëndroi, më pa, gromësiu, pordhi dhe pështyu përdhe.

-Hë këlysh borgjezi, ç’më je zgërlaqur kështu, -më tha dhe u zgërdhi.

Ngrita kokën dhe nëpërmjet mjegullës së pështjellimit i thashë:

-Çalo, shko pyet gagaçin, tët bir,- dhe ika me nxitim.

Goja e Koci bajamkës qëndroi e hapur si kamare dhe gërhiti:

-Çfarë, si guxon... këlysh i vogël!

-S’jam si këlyshi yt gagaç dhe ngordhalaq,- ia ktheva.

Koci bajamja ngeli i gozhduar mes trotuarit. U gëlltita me vështirësi dhe gati sa s’u mbyta. Pranë u afrua vëllai im. Alfredi. Më vështroi i shqetësuar.

-Ç’të ka ndodhur?- më pyeti.

S’fola. Shtrëngova në grusht copërat e letrave të kaushëve me bajamet e thërrmuara. Nuk do qaja. I thashë vëllait se s’kish ndodhur gjë. Do t’i lutesha Potirit plak, mikut të babait,  kuzhinierit të vjetër të lokalit ‘Familjari’ të më jepte të laja pjatat, të mblidhja një pjesë të lekëve të humbura, të blija qumësh për babanë e sëmurë..!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora