Kulturë
Kalosh Çeliku: Miqtë e mi besnik të penës
E marte, 14.06.2016, 08:22 PM
MIQTË E MI BESNIK TË PENËS
NUK I PËRCJELL NË VARRE
NGA KALOSH ÇELIKU
(Kalosh Çeliku i përgjigjet
me poezi Date Koçit)
Erdha, në Kërçovë. Dhe, rash në Cërvicë
Varrin e stërgjyshit kaçak: Emin Çeliku.
Që, ishte krahu djathtë i Dervish Carës
E çliroi Shkupin. Luftë bëri në Katllanovë.
Qëllimi: pasuri e pushkë për Shqipëri Etnike
Motoja e tij luftarake ishte: burra, me dorë!
E vizitova Babain, ku edhe mbi të kam qarë
Nënës. Vëllait. Dhe, gruas besnike – mal.
Mezi u ndava nga varret, jetonin në Katund
Përjashtim nga ne, qe ende ishim në gjumë.
Arave Cërvicës, u rash këmbë pash më pash
Pasdite, dola edhe tek “Jasakët e Tikeve”.
Imzot, i kishte mbuluar fundekrye bërlloku
Mëkot, i kërkova dardhat “turke” të Xha Derallës.
Mrizet e Zanave të Fishtës. Kreshnikëve Jutbinës
Ishin dalldisur pas posteve të Partive Politike.
Nuk i gjeta. Përçudi, sot i kishin mbuluar ferrat.
E, as Mullirin e Arapit. Xha Dervishit, në “Llag”
Nateditë, që e bluanin grurin. Misërin kokërrmadh
Dhe, përditë katundarëve ua rrasnin barkun. Trurin.
Poezi, pasmesnate lexova me poetë në mal
Gati të gjithë, sot ishin bërë shkrimtarë?!
E, asnjëri bujk. Bari me janxhëkun në krah
Fyellin në dorë, kullosë maleve bagëtinë.
Manxhatore, bukën ta pjek me çerep e saç
Fëmijët t’i përkundi në djep, nën dardhën gorrice.
Edhe ministrin me kusi, s’e gjeta t’i mjeli dhentë
Agait Çelike, pasëmesnate ia kishin djegur stanet.
Ditën e nesërme, i mërzitur u ktheva në Shkup
Poetë shumë me thasë, e pak barinj për kopenë.
Poezisë t’i dalin zot. Nesër shpetojnë Mëmëdhenë.
O shqiptarë, kemi shumë këlyshë me zgjebe. Qenë
E pak ogiçë kopeje, brirëpërdredhur ndër dhenë...
(Kositja e Livadhit Madh
me tërfojë rrëzë Çukës)
Unë, dikur i kam kositur livadhet, rrëzë Çukës
Arës Madhe, i sulesha me kosën në krah.
Fushës Cërvicës, nateditë ia kam lënë namet
Në Shkup, betejat tek “Parku Grave”. Viktimat.
Prishtinën, dje e pushtova me “nagantë” në brez
Dhjetë vite rresht e ngrita flamurin në “Tok Bahçe”
Gjithë jetën u rroka fytas me Bajlozin e Zi
Natën, tinëz kur i sulej: grabisë motrën Doruntinë.
Unë, dikur e kepja kosën me çekiç nën ftua
Ditën e Nesërme, armën kisha pusi pas gardhi.
Sot, në vend të armëve luftës të Babait me Gjok
E kam vargun: Shtatë male larg e ndez zjarrin...
(Baam - baaam i paloj
me vargje tek porta)
“Miqtë” e mi, i ka lidhur kërpeshi kanapit në grazhd
Edhe, më sulen pas shpine kur dal tek Livadhi.
Trusakatët, nuk e dinë se, i ka lidhur nyje Nëna Parti
Dhe, përjagen kot pas meje. Torbën plot me taxhi
Përqafe, pas porte: laam-laaam. Këlyshët me zgjebe.
Nateditë, lehin “roje besnike” tek porta. Gardhi.
Lëmsh m’i bëjnë vargjet. Shkrimet publicistike
Gjoja se, vetëm ato dinë ta “lexojnë” poezinë?!
Deshifrojnë mes rreshtave tek Policia letrare?!
E ngatërrojnë Ditën me Natën. Rrugën pas Çuke
Shkrepjen e “nagëntit” tim në Robëri, për Lirinë...
(I pëlqej gratë që ecin si patat)
Përderisa, i marr “ilaçet” e përditshme tek “Pirini”
Përçudi, para këmbëve të Olimbisë. Zonjëmadhe
Herët në mëngjes, me fëmijë në bark, gji e prehër
Papritmas, kalon krenare një Grua që ecën si pata.
Them, vetëmevete: Ecje madhështore historike
Dhe, ku ta di Unë: më pëlqejnë gratë që ecin si patat...
(Unë jam tek Rrapi këmbëkryq
me Miken Dhe poezinë)
E di, një ditë mund të ik pakrye nga shtëpia
Vetëmse, mos më kërkoni tek Nëna Parti!
Guxim mirrni, dilni si burrat tek Rrapi nën hije
Padyshim, do më gjeni këmbëkryq mes poezive.
Mikes azgane. Dhe, dy shtambave me verë
E shaloj, sot me të katra atin e Babait pullali.
Edhe, nëse një ditë nuk më gjeni në shtëpi
Unë jam tek Rrapi me Miken. Dhe, poezinë...
(Edhe, Sot e mjel nën Rrap
rrunzën Doruntinë)
Fëmijërinë time e lash peng, moti në Katund
Mrrizeve Zanave të Dardhave gorrice në mal.
Dhentë, i mjela me kusi tek “Jasakët e Tikeve”
Poezinë rebele, mjel në Shkup. Dhe, Prishtinë.
Padashtas, dikur nën hije tek Përroni i Thanës
Duart ia fusja tinëz, edhe rrunzës Doruntinë.
Ende mjel dhenë. Ama, anda m’i ka rrunzat
Rakinë e rrushit. Edhe, dy shtambat me verë.
Që, më zgjojnë nga varri. Qesin në Pranverë
Ehu! Marr malet. Gjokut i kërcej në shpinë.
Hapin mes reve ia ndal tek Përroni i Thanës.
Zanat, ku më japin gji. Fuqi për luftë... Liri...
(Miqtë e mi besnik të penës
nuk i përcjell në varre)
Miqtë e mi, mund të ma marrin për të madhe
Që, Unë Poeti nuk marr pjesë nëpër varrime.
I këtill jam, Unë. Gëzohem, vetëm me Lindje
Dhe, nuk i përcjell miqtë e mi besnik në varre.
Mezi e përcolla Babain. Dhe, Nënën time plakë
Vëllain e Ri, pak më vonë me shi. Gruan besnike.
Ende, nuk e kam përcjell motrën e Re Doruntinë
Cucën e moçme. Vëllezirit e gjallë e të vdekur
Shtatëmbëdhjetë djemë, Nëna që i lindi në fushë
Arave, hijeve gorrice ku e kishim “spital Shteti”.
Nesër, do ta përcjell Veten në varr me këngë e dajre
Mes cucave. Përçudi, Imzot: as i gjallë, as i vdekur?!...