Kulturë
Xhevahir Cirongu: Në brigjet e shpirtit
E diele, 12.06.2016, 12:06 PM
Cikël me poezi
Xhevahir Cirongu
Në brigjet e shpirtit
Lamtumirë, o mik i dashur
Ike pa më folur si flladi i erës,
Nëpër rrugët e grisura të botës.
U tretën mendimet në çdo fjalë
Ashtu, mbi qepallë të përgjumura,
Lumturia e dashuritë qëndisur në shami.
Por, prapë o mik i dashur ti erdhe
Me lamtumirën e diellit – dashuri,
Si dallgë deti vrapuan tek unë
E qëndruan në brigjet e shpirtit tim.
Durrës, 13 maj 2016
Puthjet aty ngelën
Vështrova tutje në horizont mes reve
Dhe zgjata si shtizë krahët t’i prekja ato,
Ashtu, pa dashur m’u thyen si një pasqyrë
Mendmet dhe ëndrrat tek ajo re.
Pse vallë ndodh kështu te ty o njeri?!
Sa herë ëndërron për të puthur ato re,
Të treten mendimet e të humbasin në horizont,
Eh, kështu qënka thënë, nesër do bëhemi dhe.
Prapë, tutje vështrimet i ndala te ajo re
Si dy të dashuruar nga larg ne u përqafuam;
Dhe zjarrin e dashurisë atje mes reve
Asaj dhe mua në kaltërsi puthjet aty ngelën.
Durrës, 05 qërshor 2016.
Eshtrat e pëllumbit
Eca, ashtu ngadalë mbi atë lëndinë
I vetmuar dhe me plagën - trishtim,
Edhe gjethet e pemëve ishin zverdhur si dylli
Që të dy, as vet s’e dinim ç’kish ndodhur
Një tragjedi fshehur ajo lëndinë mbante në gji.
Ishte kohë e largët që kish ndodhur, sigurisht
Rëkonte toka dhe eshtrat nga ajo tragjedi,
Një korb i pashpirt i zuri besës pusi
Ah, atij pëllumbi të paqes i vrau
Të shtrenjtën – Liri!
Kohët e largëta si hekuri ishin ndryshkur
Sigurisht, edhe lulet aromë s’kishin më;
Te eshtrat e pëllumbit të paqes
Lotin e hidhur dhe ngushëllimin e fjalëve
U linin eshtrave çdo ditë aty.
U lutem, hapeni atë varr pëllumbi
Këmbanat e shekujve aty dëgjohen edhe sot,
Te hapi im, koha histori na thërret
Pëllumbi dëshmor ka vetëm jetë.
Hapeni atë varr o njerëz të mirë
S’e në eshtrat e gjoksit të atij pëllumbi;
Do të gjeni të shkruar me gjak
Fjalët plotdritë:Atdhe, shqiponjë e Liri!
Durrës, 09. 06. 2016