E merkure, 28.09.2022, 08:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Lidhja e Shkrimtarëve e privatizuar

E marte, 14.06.2016, 08:33 PM


EDHE LIDHJA E SHKRIMTARËVE TË KOSOVËS E PRIVATIZUAR

NGA SHEFIK SHKODRA

Nuk mund ta marrë me mend njeriu se, çfarë ndarjesh bëhen në këtë Shoqatë, përkatësisht Lidhje..., jo komuniste edhe pse ka ngjashmëri, por thuhet Lidhja e Shkrimtarëve. Do të thotë, krejt kah gjenden shkrimtarët shqiptarë duhet të falen te ky altar. Pra, për të qenë me emër shkrimtari (krijuesi), duhet që këta, një a dy persona, ndoshta vetëm njëri prej tyre, sa herë e hapin gojën nga kjo kryesi, preferohet që anëtari i kësaj Lidhjeje...t‘i dëgjojë mirë e të bëhesh tepër i kujdesshëm si një rekrut. Se është e domosdoshme të përgjigjesh e të jesh ndjekës i tyre, si vendim i prerë nga një rregullore e panjohur për anëtarësinë, është vërtetuar kësaj here, në javën e parë të qershorit me një manifestim vjetor.

Drini poetik, emër shumë simbolik

Është emblemë shumë simpatike me këtë fjali: “Festivali ndërkombëtar i poezisë –  Drini poetik”. Edhe ndërkombëtar! Këtu nuk mund të arrijnë kombëtarët e për të tjerët nuk di. Megjithatë, një rrugëtim poetik me tendencë që të bëhet një shenjë tradicionale në këtë vazhdë. Që t’i afrojë në mes veti krijuesit letrarë, përkatësisht poetët e të gjitha trojeve shqiptare. Pra, të njihen në mes veti së paku. T’ua shtrijnë dorën institucionet përkatëse të Qeverisë dhe krejt një herë në vit. Që t’u shtrohet një sofër për dy-tri ditë. Të marrin një frymëzim të ri. Të ndjehen se vërtet kanë për çka e lëvorisin trurin e tyre. Të mëtohet se vërtet janë pararoja e mendimit intelektual. Janë për atdheun. Shënojnë dashuri për njeriun, për traditën, për mallin e brezave e për shumëçka në jetën e përditshme e edhe për ardhmërinë njerëzore në përgjithësi. Në tubime të tilla mund të takohesh me njerëz që i ke njohur para dyzet e më tepër vjetëve. Mund të ndërrosh ndonjë bisedë të shkurtër, me persona të moshave tjera e të vise ndryshme të banuara me shqiptarë dhe jo vetëm me shqiptarë. Jo se duhet pa tjetër të lexosh (dikush duhet të dëgjojë) në ato momente të fiksuara, sepse shumë pak del që dallon diçka aty për aty nga njëri-tjetri me ato krijimet e tyre. Po thuaj, të gjithë i kapërthen e njëjta ide, e gati të njëjtat motive. Po takimi është me shumë interes e me shumë ndjeshmëri për shumëçka që nuk mund të thuhet krejt me këtë rast.

Vija është e përshtatshme, veç asaj çështjes esenciale, por edhe një shëtitje e një argëtim nëpër vendin tonë të lirë së bashku. Po në qendër të Kosovës, në Prishtinë është selia e Lidhjes (Shoqatës) së shkrimtarëve... Me një program të caktuar për këtë manifestim: në ora 12,00 të mbahet një përkujtim, këtë herë, për dy shkrimtarët më të vjetër, Adem Demaçin dhe Ismail Kadarenë, me dy-tri kumtesa. Pas kësaj, promovimi i ndonjë libri të krijuesve nga kjo Lidhje...dhe mbetet që në mbrëmje, prej orës 18.00 të mbahet një orë letrare nga të pranishmit. Këta kaporalët, bëjnë e ç’bëjnë, “mysafirët rrinë me ne...” thonë, “ju të tjerët shkoni kah të doni deri në orën e caktuar!” Pra,  shkrimtarët e Kosovës deri në ora 18.00, duhet të cakëllojnë qytetit si qentë e rrugëve. Nuk ka kurrfarë dreke për ta. Nuk paguhet rrugë prej qendrave tjera. Parulla e kaporalëve organizatorë është: – Le të bëjnë çka të donë vetë! Kuptohet, të gjithë s’janë nga Prishtina dhe s’ka rëndësi fare edhe po të ishin të gjithë nga kjo qendër. Tashmë janë të ftuar nga dikush e këta dikush do të duhej të përgjigjen me nga një mëditje apo me ndonjë sigurim dreke. Përndryshe, këta panlaverë si do ta arsyetonin veten se kanë bërë diçka. A do të vraponin letrarët e kësaj Lidhjeje...pas figurave të tyre?! Çfarë dobie presin nga kjo kryesi? Çfarë është lehtësimi që për një vit të shkruajnë dhe të botojnë? Kush ua heq shpenzimet e botimeve...askush e më së paku këta “kanunxhij” që nuk e shohin mirë veten. Madje, borizani mjaft prepotent ndaj të pranishmëve. Nejse...disiplinë duhet të ketë çdo kund, por jo si me shkop xhandari në dorë.

Kaporali me tarkaçen si rojtari i pyllit

Pak klasik e pak modern. Estetika e tij s’kalon prej bankave shkollore. Po aq e ndien veten kompetent, sa ngjan me një narcis. S’e ka dertin e krijuesit. E qartë është se si shumë pak do të kesh lidhje me këtë Lidhje...që e udhëheq tipi me tarkaçen në krah. Ndoshta është ndonjë fitil i më hershëm që ti nuk e di, sepse nuk ke pasur punë kurrë njëherë me te, pos në pastë marrë ndonjë “havadyz” provincial. Shihet hapur se, nuk mund të jesh aq krenar me anëtarët e kësaj kryesie. Nuk je aq i lirë e i rehatshëm. Kaporalët janë të dalë nga një sistem, sikur gjenden në të gjitha segmentet e jetësh shoqërore te ne, kulturë me trashëgimi teorike të politikës – xhandar! Do të thotë, i pa kompromis me ata që nuk i ka roja për simpati, që nuk i ka në klanin e vet, me ata që nuk ha në një çanak të përbashkët...Prandaj surrati këtyre kaporalëve shpreh një neveri sikur ti u ke diçka faj. Kështu e kanë edhe sjelljen si padronë me këtë anëtarësi.

Pata qëlluar njëherë në një kuvend për zgjedhjen e kryesisë së re të kësaj Lidhjeje...dhe më erdhi turp kur disa kolegë  (nuk e dija gjendjen), të cilët u shprehen keq për disa të këtyre anëtarëve deri atëherë, ndonjëri sërish ka mbetur po aty. Një pjesë e atij kuvendi i quanin si të dështuar në udhëheqje, e madje edhe të korruptuar (s’di nëse ka pasur me çka të korruptohen). Po ata që nuk qëndrojnë në raport si miq e kolegë me të tjerët, lehtë është të korruptohen edhe me paraqitjet dhe sjelljet e tyre. Këta oficerë: Jo kryetarja, një femër që për shumëçka nëse ka gabime, nuk do  ta fajësoja për arsye të njohura, po do farë si banane të prishura, demek, shumë me një farë kajde, duken hijerëndë. Të papërshtatshëm. Refuzues në pamje. Pa një grimcë animatori. Do farë panlaverash, që i “vjerrin nalt kept”. Dallohen me një farë paraqitje sikur varet edhe jeta prej tyre e lë më shkrimtaria. Madje, për mëshirën e tyre, po të kishin mundësi do të fërfëllonin për dritare, kush e di?! Edhe i njohin gjithë cili prej nesh mirë që s’ka gjë të jashtëzakonshme prej tyre. Kaporali me tarkaçe ngjashëm me rojtarin e pyllit sikur do të duhej me urdhër komande për rreshtim të rekrutëve me ata klasave më të vjetër. Po,

spikeri – Shyqeri Galica qenka përgjegjës se, kush mund të lexojë dhe kush jo. Kush mund të jetë anëtar i kësaj Lidhje...dhe në çfarë përmasash e deri në çfarë afati. Ndoshta patentën e ka prej anëtarëve tjerë të kryesisë. Kush e di sot çfarë pështjellohet. Sepse edhe njerëzit e kulturës, të artit e të letërsisë kanë marrë tatëpjetën herë-herë. Në organizata e shoqata publike kanë formuar klane ilegale, për interesa personale-parciale, të ulëta e krejt primitive . Prandaj, jeta e një krijuesi letrar të cilitdo nivel, të cilësdo shtresë e cilësdo moshë qoftë, qenkan të papërfillshëm, nëse nuk i dukesh sa duhet simpatik apo në interes të odës së kaporalëve. Madje edhe i padëshirueshëm...si një bishë. Shihe ti këtë farë njeri të kulturës. Profesor me gradë. Ish spikeri i dikurshëm i Radio Prishtinës, është tepër zyrtarë me njerëzit që s’i përkasin rrethit të tij. Dhe tash, si bisha bishën e pyet, po me urtësi: – A mund të na tregosh zotëri se,  cilët janë të nënvizuar për të lexuar dhe kur e ku, se përndryshe jemi të terreneve jashtë Prishtinës. Nuk kemi ku të strehohemi e as ku të ushqehemi? A dini si flet borizani i kësaj Lidhjeje? – Cili je ti? Sikur je student në bankën para tij. – A,a. Ti je i fshirë nga lista. Ka kohë që nuk je aktiv dhe nuk vjen në takimet tona! Kështu thotë ky kaporali me tarkaçen dhe ik duke murmuritur diçka vetë me veti. Hë! Mbeti pa e pyetur, kë e fshin dhe çka. Kjo LSHK me anëtarët e vet është nga vullneti i mirë. Asnjë lehtësim pjesa më e madhe e tyre nuk ka prej tyre. Veç sa të dukesh se je në një asociacion letrarësh. Dhe erdhi koha e u mbajt ora letrare. Nuk i ftoi një pjesë fare që të lexonin, por një pjesë që mungonin. Sa për të thënë, ne jemi shumë preciz, por e shihni, ju bëni mungesa! E pyeti sërish dikush tjetër, për te Lidhja e Prizrenit që do të mbahej një orë letrare dhe një tjetër në Kukës. A e dini çka u thotë kaporali me tarkaçen në krah: autobusin e keni pa pare deri në Prizren e në Kukës. Se kush do të lexojë, do ta shohim ne atje. Në ora 9.00, te Instituti Albanologjik hipni në autobus. Sa interesant! Duhet të kthehen anëtarët e kësaj Lidhje...nga qendrat tjera të përgjumur, vetë të paguajnë rrugën, deri te autobusi i Prishtinës. Kënaqësi e madhe...e tetari me bori do të thoshte: – autobusi prej Prishtine është pa pare deri në Kukës, mos ardhsh punë e madhe...!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora