E shtune, 27.04.2024, 05:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Hysi: "Dallëndyshet e erës" të Pëllumb Goricës

E enjte, 16.07.2015, 07:51 PM


"Dallëndyshet e  erës" të  Pëllumb Goricës

(ese)

Nga Përparim Hysi

Pëllumb Gorica sa vjen dhe po  e bën jo vetëm më të plotë profilin e tij prej krijuesi, por dhe më të larmishëm. Këtë radhë vjen para lexuesit me vëllimin poetik "Dallëndyshet e erës".

Ma dhuroi librin mu aty tek holli i Pallatit të Kulturës dhe, tek po vinte përkushtimin për mua, po mundohej që t'më shpjegonte titullin metaforik të librit të tij. E dëgjova me politesë dhe, tek po shfletoja kalimthi për të shuar sadopak kuriozitetin, hasa me një penë të njohur: me poetin Agim Bajrami. Ky është dhe redaktor i këtij libri. Duke njohur vlerat e penës made in Agim Bajrami, mbeta pa i premtuar Pëllumbit, në do shkruaja diçka rreth librit. Qeshë në atë pozicionin e ceitnotit të një lojtari shahu, se, kur shkruan Agim Bajrami, duhet të angazhohesh shumë që t'i vihesh përbri. Sidoqoftë, unë do flas me zërin tim, kur thotë diku Çehovi dhe qoft Pëllumbi dhe, ca më shumë,Agim Bajrami, nuk do ta marrin shkrimin tim as si  karshillëk, por dhe as  si një shkrim sa për të kaluar radhën.

*     *     *

Tek shkruaj për këtë vëllim me poezi, nuk ka  se si të mos më vij ndërmend një postullatë që thotë:" Merr një libër poezie,lexoje dhe ke për të  parë se do t'ju çojë tek e bukura". Kështu ndodh dhe me vëllimin në fjalë. Kur i shikon poezitë një e nga një, nuk ke se si mos mbresohesh nga disa syresh. I shikon me syrin jo vetëm të një lexuesi dhe aq, por zë i ballafaqon dhe me autorë të tjerë, por dhe me veten time ( pa modesti të rreme, jam si pakëz poet!!!) dhe, tek arrin në një konstante të paluajtshme,s'ke se si mos thuaj: poezia e Pëllumbit bën të njëjtën rrugë letrare (në mund ta emërtojmë kështu) që bëjnë poezitë e shumë autorëve: secila poezi e tij sikur i shton jetë jetës apo më saktë: është jeta e autorit në katror.

Henrik Ibsen thotë:"Çdo njeri i madh ose i vogël, mund të jetë poet, në qoftë se në veprimtarinë e tij sheh të qenësishmen, idealen, të bukurën."

Dhe vërtet kështu ka ndodhur dhe me  poetin, Pëllumb Gorica. Ai vërtet nuk ka bërë një ndarje klasike të poezive,si: erotike, sociale, narative, patriotike, por, në gjithë librin, ato jo vetëm nuk i bëjnë hije njëra-tjetrës as si sasi, por dhe as si cilësi. Tek lexon me syrin skurpuloz të një kritiku,e ke fare të lehtë që të arrish në një përfundim: temat sikur i kanë ardhur mu mbi gojë dhe ai, sa ka ndjerë kontaktin me cilëndo temë, tak është ulur dhe e ka hedhur në vargje. Në botën e shpëndëve të egra, tregojnë biologët, por dhe njohësit empirikë të zogjëve, ndodh një fenomen i tillë: kukuvajka lëshon klithmën vajtuese (njerëzit stresohen nga një klithmë e tillë) dhe, tri zogj fluturakë vullnetarisht fluturojnë drejt këtij zogu vajtues dhe vetsakrifikohen duke u bërë ushqim për të. Kështu ndodh dhe me poetin Pëllumb Gorica që,sado ka emër të këtij shpëndi kaq miqësor për njerëzit, në vend të gojës, ka rrokur penën dhe na ka dhënë poezi të ngrohta: Poezi që të relaksojnë që ja tek e them hapur: pse janë kaq relaksuese këto poezi,  më shërbyen si një aperativ në këtë vapë dërmuese, si e ardhur nga Afrika, dhe, në vend që të fle, ndryshe nga gjithë ai stereotip imi gati pesëdhejetë vjeçar,u ula para kompjuterit që të lë përshtypjet e mia për të. Unë jo vetëm i pëlqeva poezitë e tij, por kam të drejtën time të plotë që të shkruaj:

"Jam i lodhur dua të flë

Por Pëllumbi nuk më lë.".

*     *    *

Nuk më lë, se unë një poezi që më pëlqen,e lexoj me qejf dhe,pastaj, zë e meditoj.Se jo më kot nuk thonë për poezinë: është vetmundim i dëshirueshëm. E sheh këtë"vetmundim të dëshirueshëm", pothuajëse, në gjithë vëllimin e tij. Për t'ju bindur,sadopak, se kështu i ka ndodhur autorit, unë do citoj disa poezi të tij. Që tek poezia e parë "Eh, fjala..." kjo dallohet lehtaz. /eh, shpirti kërkon të heshtë/ dhe fjalët meken, bëjnë mënjanë/ mendimet s'durojnë një botë të sertë/ dhe ngrenë një det me tramundanë/ Letra më ik për fletëpalosje/ më fton të futem tek e panjohura/ dua t'i gdhënd bustin kësaj bote/ si kujtesë që nuk e humbet koha/.

Që ka profilin e një poeti të lindur (thonë që poetë lindin dhe nuk bëhen), këtë  e kupton dhe në stilin apo mjeshtërinë e tij. Ai nuk e mërzit lexuesin. E di mirë që lexuesi është qibar dhe nuk ka nge "të rrokanisë kokën" me "ç'grijmë ne poetë". Poezitë i ka të shkurtëra, me mesazh të lexueshëm, me rimë dhe kurrë poezinë nuk e stërzgjat. Esenini (as ky nuk ka qenë i vetmi), thoshte:" Një poezi duhet të jetë tri- katër strofërshe". Të tillë e ka poezinë Pëllumbi,si atë erotike,atë meditative apo atë sociale.  Ashtu si dy fjalë,- thonë,- ndajnë detin,ashtu dhe Pëllumbi di  ta thotë bukur atë meszah që do të përcjellë.

Ja dhe një poezi erotike, ku, ndryshe nga shumë poetë që i këndojnë dashurisë, zënë e thurin vargje  pas vargjesh duke e kthyer poezinë në një ,gati si poemë,se ç'i ka gjetur ata, mos gjetët dhe hasmin e gër e mër e gër e mër.

Ja Pëllumbi ( po si  mund mos e duash vërtet atë?). Po jua sjell,ashtu si është në libër:  " Ti s'erdhe as sot"

"Ti s'erdhe... as sot

Dhe qielli keq u nxi

Vetmia sytë po m'i përlot

E reja po ndjell vetëm shi.

Mbi gurin e një rruge

Të pres, të pres "butësisht"

As sot ti s'erdhe

Qielli shira shkund pafundësisht."

A ke se ç' i shton kësaj poezie?

Unë mendoj se Pëllumb Gorica është nga ai soj poetësh që nuk presin që lexuesi të  lëshojë djersë të ftohta kur lexon poezi, por, përkundrazi, të këndellet dhe të çlodhet duke lexuar e shijuar poezinë. Se ka dhe të tillë poetë që, kur i pyessin,se a e vrasin mendjen se sa janë të kuptueshëm për lexuesin, përgjigjen me një qibër prej snobi: aha, lexuesi duhet të vijë në nivelin tim!!!. Këta lloj " të nivelit tim", Esenini , me të drejtë, i kishte quajtur "poetë gojëmbyllur". Se,sado bukur mund të shkruash, kur nuk ke  lexues, poezia quhet e vdekur. Aq më tepër bëhet imperative kjo kërkesë ndaj poezisë sot, kur lexuesi, sa vjen e po  braktis të lexuarit. Dhe braktiset, sidomos, poezia.Poezia që është "mbretëresha" e letërsisë. Aq bonjake dhe lënë mënjanë është poezia, sa librarëve, kur u ofron një libër me poezi, mend i zë cërma.

*    *    *

Kur lexoj "Sirtari i kujtimeve", më krijohet bindja e postulatit që është thënë"kujtimi është poezi dhe poezia është kujtim. / i rëndë  sirtari që mban kujtimet/ si në labirinte gërmova/...ku vallë fëmijërinë e harrova?/

Në fund të fundit,matematikisht mund të shprehem kështu: emëruesi i përbashkët i gjithë poezive të Pëllumb Goricës, është veç një: kanë lindur nga shpirti. Janë të zhveshura nga çdo lloj stisje. Për ta dhënë të plotë këtë shpirt të tij kaq gjeneroz ai zgjedh jo vetëm vargun tradicional, por dhe gjuhën e gjallë e mataforike të popullit, të cilën,siç e vërej,e njeh mjaft mirë. Vargjet e tij janë si muzikë që del nga zemra.Ç'del nga zemra, ta ngrohë shpirtin.Po vallë,ç'mund të bëjë një poet më shumë?



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora