E premte, 26.04.2024, 08:28 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Driton Tahiri: Një promovim madhështor

E marte, 16.06.2015, 09:21 PM


Një promovim madhështor

Nga Driton TAHIRI

Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Drejtoria për Kluturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Bibliotekën “Naim Frashëri”, në QK “Hasan Prishtina” në Vushtrri, organizuan promovimin e monografisë së autorit Bedri Tahiri “Jashar Jashari- Komandant DURAKU”, eveniment kulturor që u mbjat në 17- Vjetorin e Betejës së Hamidisë.

Për ta nderuar autorin dhe veprën e tij, për ta nderuar Jashar Jasharin dhe gjithë dëshmorët e lirisë, kishin vërshur sallën e madhe pleq e të rinj, familjarë dëshmorësh e luftëtarë të lirisë, veteranë e invalidë të UÇK-së, qeveritarë e veprimtarë, profesorë e studentë, artistë e këngëtarë, qytetarë e mysafirë.

Ata, fillimisht i përshëndeti moderatori i shkëlqyer, aktori Fazli Muharremi, i cili, pasi bëri një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë së profesorit, shkrimtarit e publicistit Bedri Tahiri dhe lavdisë së UÇK-së, fjalën ia dha drejtoreshës së DKRS, znj. Shpresë Rama, e cila tha:

Fjala e drejtoreshës

Pastaj, redaktori dhe recensuesit, e vlerësuan lart librin, nga fjalët e të cilëve po shkëpusim fragmente:

Habib Mustafa; Duke vlerësuar veprimtarinë botuese të prof. Bedri Tahirit, mu kujtua Leonardo De Martini, i cili për Jeronim De Radën kishte shkruar: “Atë që e bëri Skënderbeu me shpatë, Ti e bëre me penë, o i madhi De Radë”. Edhe unë, ka kohë që kam bërë një krahasim në mes dy galicasve: Azem Galicës dhe Bedri Tahirit. Derisa Azem Galica, gjatë viteve 1912- 1924, me pushkë dhe me trimëri, u bë i njohur në Galicë, në Drenicë, në Kosovë, në Shqipëri dhe në të gjitha viset e banuara me shqiptarë, Bedri Tahiri u bë i njohur me penën e tij, duke botuar mbi 30 vepra, kryesisht me tematikë historike atdhetare...

Mentor Hasani: Në këtë libër prof. Bedri Tahiri, me qasjen e tij profesionale ka paraqitur sakrificën e atdhetarit Jashar Jashari, tashmë dëshmor i kombit, i cili dha një kontribut specifik dhe shumë të çmuar për Kosovën dhe lirinë e saj... Libri nga fillimi e deri në fund është shkruar me përkushtim për atë periudhë historike që është taban i fuqishëm i gjithë zhvillimeve në vend, për atë periudhë të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Ajo ishte koha më e artë e një gjenerate me gatishmëri të lartë guximi, angazhimi e flijimi për liri, për komb e për atdhe...

Ardian Jashari: Pas asaj që u tha më lartë, lirshëm mund të vijmë në konkludim se krijuesi i Monografisë “JASHAR JASHARI-Komandant “DURAKU”, studiusi Bedri Tahiri, ka përdorur elemente faktike, duke u bazuar kryesisht në historinë gojore, që tashmë është duke u zbatuar në tërë botën. Kjo faktografi, e përcjell me një kujdes të shtuar letrar, i ka dhënë ngjyrë historiko-letrare  librit, që e bënë atë një dokument të vlefshëm për brezat që do merren me historinë e Kosovës dhe luftën e UÇK-së.

*  *  *

Gjatë zhvillimit të ceremonisë arritën shumë telegrame urimi, nga të cilat u lexuan dy, ai i krybashkiakut të Tiranës, kryetari të PD, z. Lulzim Basha dhe shkrimtarit e publicistit nga Durrësi, z. Xhevahir Cirongu, përfaqësuesit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, anëtar i se cilës është edhe Bedri Tahiri.

*  *  *

I nderuari krijues Bedri Tahiri!

Të dashur miq, të nderuar kolegë!

Përzemërsisht ju uroj nga zemra ime të gjithë pjesëmarrësit në këtë event sublim, sa përkujtimor por edhe historik, sepse të kujtosh e të shkruash  për dëshmorët e atdheut tënd, ke bërë vlerësimin  më të çmuar.

Me gjakun e dëshmorëve është shkruar edhe ky libër monografi-historik që i kushtohet dëshmorit të kombit tonë Jashar Jashari.

Unë vërtet s’jam aty në atë sallë, por e ndjej veten mes jush, dhe ndihem krenar, sepse vargjet që i kam kushtuar këtij dëshmori, në çdo fjalë e gërmë të shkruar shqipe, penën e kam ngjyer me gjakun e këtij dëshmori.

Dëshmorët kanë përjetësi në altarin e kombit, e si të tillë, ata janë midis nesh, sepse na dhuruan më të çmuarën fjalë: Liri!

Mundësisht, lexoni disa vargje nga poema që i kam kushtuar Jashar Jashari, që edhe unë ta ndjej veten si pjesëmarrës ‘’fizikisht’’, por dhe falje ndaj jush,e mbi të gjitha  ndreim ndaj dëshmorëve të atdheut tonë!

Lavdi dëshmorëve të kombit tonë!

Durrës dat.10 .06. 2015  Xhevahir Cirongu

Publicist, poet, shkrimtar

*  *  *

Në emër të familjes përshëndeti bija e dëshmorit Jashar Jashari, Vlorë Jashari, e cila  kishte ardhur nga Gjermania.

Në fund i erdhi radha edhe autorit Bedri Tahiri, i cili të pranishmëve ju drejtua:

Të nderuar familjarë të dëshmorëve Jashar e Januz Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!

Të respektuar veteranë, invalidë e bashkëluftëtarë të Jashar Jasharit!

T? dashur kolegë, miq, mysafirë, nikoqirë e  dashamirë t? fjal?s s? bukur artistike!

Sot mua m? takon t? flasë m? s? paku, sepse ato q? i kam ditur i kam th?n? n? lib?r. Fridrih Niçe thoshte: Kur flet libri, autori duhet të heshtë. Ose, më mirë të them, pajtohem me shkrimtarin tonë, Fatos Kongolin, që thotë: Jetoj me librin derisa e përfundoj së shkruari, se kur botohet, ai nuk është më imi.

Gjithmonë është thënë: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë. Kjo vlen sot më shumë së kurrë. Sot, kur çlirimtarët dhe lufta jonë e shenjtë po sulmohen nga të gjitha anët, me qëllim që të njolloset. Por, jo, ato janë përpjekje të kota. Shkëlqimi i diamantit nuk përlyhet dot. E historinë e përbëjnë ata që me gjakun e tyre sollën Ditën e Bardhë- Lirinë. Të djeshmit e të sotmit. Ata nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha e për lëvdata, sepse ata janë lavdia vetë. Dhe, të shkruash për ta, është krenari, por  edhe përgjegjësi.

I tillë është edhe dragoi i Qyqavicës, Jashar Jashari, i njohur më shumë si Komandant DURAKU, të cilit edhe ia kam kushtuar librin që e keni përpara. Librin nuk e shkrova vetëm, atë e bëmë bashkërisht: vepra dhe gjaku i vet dëshmorëve, familjarët, mësuesit, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët me rrëfimet e tyre autentike, redaktorët, recensuesit, botuesi, shtypshkronja etj.,  prandaj edhe besoj se kështu ka dalë më i fuqishëm.

Krypersonazhin tim, Jashar Jasharin, u përpoqa të skalis sa më të gjallë, në mënyrë që të mbetet gjatë në kujtesën e brezave që do vijnë. Atë e vendosa në sfondin e përgjithshëm të ngjarjeve historike, duke nisur edhe para ardhjes së tij në këtë botë, dhe pastaj duke ndjekur formimin e personalitetit të tij njerëzor, atdhetar e luftarak, deri tek përjetësimi në Altarin e Pavdekësisë.

Të nderuar të pranishëm!

Puna ime është e vockël fare në krahasim me veprën madhore të atyre që me gjak sollën Ditën e Bardhë- LIRINË! Nëse sado pak ia kam dalë të lajë një trohë borxh ndaj liribërësve, në përgjithësi, e ndaj Jashar Jasharit, në veçanti, do të ndjehem i nderuar. Këtë verdikt mund ta japin vetëm meritorët- lexuesit e respektuar!

Në fund, të gjithë ata, që në çfarëdo forme më kanë ndihmuar, i falënderoj nga zemra! Falenderoj familjen për financimin e librit dhe organizatorët e përurimit: Komunën, Drejtorinë e Kulturës dhe Bibliotekën “Naim Frashëri”, e cila, po ashtu, ka organizuar edhe një ekspozitë më librat e mi.

Lavdi Jashar Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë të të gjitha periudhave historike!

*  *  *

Në holin e Shtëpisë së Kulturës, Biblioteka, gjegjësisht drejtoresha Advie Maxhuni, kishte organizuar një ekspozitë libri me titull “Opusi krijues  Bedri Tahirit”, ku ishin ekspozuar 30 libra të botuar e disa dorëshkrime që presin për ta parë dritën. Referuesi,  z. Hajrullah Mustafa, lexoi kumtesën “Opusi Krijues i Bedri Tahirit- Gërshetim i mrekullueshëm i së vërtetës  me artistiken”, nga e cila po citojmë:

“Për mua, është nder i veçantë, por edhe përgjegjësi e madhe, që të shpreh opinionin tim për veprimtarinë krijuese, të një pedagogu, të një intelektuali, të një  publicisti dhe të një shkrimtari, i cili në çdo vepër të tij, e ato siç po shihet  nuk janë një e dy, por mbi tridhjetë, reflektojnë  shkëlqyeshëm rreze  drite në rrugëtimin e gjatë  historik te popullit tonë liridashës. Sepse prof. Bedri Tahiri, në asnjë çast nuk di të ndalet duke gjurmuar si ”meteor” nëpër këtë rrugëtim historik, duke gjurmuar faqet e lavdishme të qëndresës dhe sakrificës se popullit shqiptar,  tribunët, ideatorët e  personalitetet me te ngritura te kësaj historie, sado me plagë dhimbje, megjithatë krenare, nga se sakrificat dhe gjaku i tyre janë vetë liria që ne gëzojmë sot.  Prandaj, është e pamundur që tërë këtë veprimtari te shkëlqyeshme krijuese te këtij shkrimtari të palodhshëm të sublimosh për pak minuta. Ndoshta vetëm tryezat dhe simpoziumet shkencore, të organizuara enkas për këtë veprimtari, do te kryenin deri diku obligimin  ndaj këtij krijuesi  te denje dhe mjaft te frytshëm, për krijimtarinë e tij, te shkruar me një  stil te qartë,  dhe me fjalën e tij te gjallë e plot kolorit…”

Dhe, fare në fund, autori u dhuroi me nënshkrim të gjithë pjesëmarrësve nga një libër, të cilin e kanë financuar vëllezërit e dëshmorit Jashar Jashari.

Ditë më vonë, autori Bedri Tahiri dhe recensuesi Ardian Jashari, ishin mysafirë në RTK-1.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora