E marte, 31.01.2023, 04:36 PM (GMT)

Kulturë

Neshat Mehmedi: Shën Gjergji në Malësinë e Sharrit

E marte, 12.05.2015, 07:01 PM


Festa dhe rite pagane

SHËN GJERGJI NË MALËSINË E SHARRIT

Shkruan: Neshat MEHMEDI, Bozovcë e Tetovës

Festat dhe ritet në Malësinë e Sharrit janë të shumta dhe të moçme, aq sa është i moçëm edhe populli shqiptar. Përcjellja e këtyre festave deri në ditët e sotme është kontribut shumë i madh dhe shumë i çmuar i të parëve tanë. Ata asnjëherë skanë prituar e as sjanë turpëruar për festimin e festave, por janë mburur e janë krenuar se sa festa të bukra kanë trashëguar nga të parët  dhe me këmbëngulje e me sakrifica i kanë mbajtur gjallë deri në ditët tona, edhe pse është bërë e bëhet një “fushëbetejë” e pamëshirëshme nga të gjitha drejtimet për asgjësimin e çdo feste, riti adeti që frymëzon shqip. Pra duan fillikat të na lënë “lakuriq”, pa asnjë traditë, ... thjeshtë pa kulturë e histori. Shtrohet pyetja sa mund të jetojë një popull pa histori e kulturë të veten? Dhe përgjigja rrjedh natyrshëm: Mund të jetojë aq sa jeton zemra pa gjak, ose sa mund të qëndërojë trupi i njeriut vertikalisht pa eshtrat. Kur flejnë institucionet dhe institutet “ujqërit dhe hienat bëjnë hallakamë”.

Festat si Dita e Luleve që shënohet me pesë maj dhe Dita e Shën Gjergjit  me  gjashtë maj, janë me vlera të veçanta kombëtare, sepse në të gjitha trojet shqiptare festohen thuajse në të njejtën mënyrë.

Të rinjtë e katundeve të Malësisë së Sharrit: Bozovcë, Veshallë, Brodec, Vejcë, Shipkovicë, ...të cilët ishin në kurbet për të punuar nëpër shtete të ndryshme të Ballkanit dhe nëpër qytete të ndryshme të ish Jugosllavisë: si në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Podgoricë, ...pothuajse të gjithë me leje apo pa leje e kanë lëshuar punën dy apo tre ditë para Ditës së Luleve për të shkuar në vendlindjet e tyre. Pra Dita e Luleve i ka grumbulluar të rinjtë dhe i kanë dhënë një gjallëri të veçant katundit. Me ardhjen e të rinjve fillon festa, të gjithë mendojnë rreth organizimit për Ditën e Luleve dhe natën e Shën Gjergjit, pa dalim gjinie. Vajzat kanë qepur dimijat e kaltërta e xhaketa dhe strukat e bardha e për anash me krye e lule shumë të bukura. Kanë blerë nalle të Tetovës apo nalle Shkupi, ndërsa ka patur nga të rinj që kanë prerë e qepur tirqi e xhemadanë, kanë vënë brezin ( shokën )  shtatë kutë të gjatë dhe opinga të punuara nga lëkura e kafshëve, po ka patur nga të rinjtë që kanë prerë tesha nga tekstili, por edhe pantallona të gatëshme. Ndërsa sot se kanë atë ritëm apo gjallëri që e kishin dikur, por hala gjallërojnë.

Në katundin Kamjan “Tre tinte ( të enjte ) para Shën Gjergjit caullët i kanë la vetëm me lule pa sapun. Tre tinte para Shën Gjergjit caucat i kanë kreh flokët dhe i kanë praje ka ni tro dhe i kanë flugj në ujë reke, ene kanë thënë: “Për nji javë sa nji pllam,për nji muj sa nji dujë tre herë dhe i kanë hudhë”.

  katundin Kuk të Opojës vajzat tre të enjte para Shën Gjerghit flokët i futnin në ujë në këtë mënyrë: Dy vajza e mbanin shoqen për duar dhe shoqja e tyre e kthyer me shpinë nga ujë  me kokë nga rrjedha e ujit të lumit dhe flokët e lëshuar që të prekin ujin, ashtu si shkon uji të rriten flokët e vashave. Të njëjtën mënyrë e bëjnë të gjithë vashat e grupit.

Në Katundin Brodec vajzat kur janë kthyer nga Gjuri Turecit i kanë futur flokët në ujë të lumit.

Pra ritet ndryshojnë në një farë mënyre, por thelbin e kanë të pandryshuar.

Një ditë para Ditës së Luleve gratë dhe fëmijët mbledhën lule të ndryshme: lule ftajni ( dybeku ), lule zogu -( manushaqe ), lule gjalegjishte, lule nga pemë të ndryshme e lule të tjera. Lulet i varin në një pemë të çelur. Në mbrëmje fëmijët ose të tjerët kur lahen lulet i futin në kovën me ujë të ngrohtë dhe lahen të gjithë anëtarët e familjes. Larja bëhet në koritë  ose hamam dhe e vendosin në ndonjë gur. Në gur ulen anëtarët e familjes, me simbolikën se ashtu si është guri i fortë të bëhen edhe ata të fortë dhe të qëndrueshëm ndaj sëmundjeve ngjitëse, ndërsa ujin e derdhin në përrua apo vijë (përrockë), që të ligat t’i bartë uji i përroit ose vijës. Nga fundi i larjes nënat thonë: “Ujë teposht djali terma!” Kuptohet tri herë.Të njëjtat fjalë i thonë edhe kur e derdhin ujin në përrua ose vijë.

Përpos luleve kanë mbledhur barna të ndyshme një ditë para ditës së luleve që t’i kenë gati për ditën e Shën Gjergjit si: qepë arushe, kullosë, hithra dhe lule të ndyshme. Këto i kanë grirë dhe i kanë përzier me kripë dhe krunde. Me këtë përgatitje i kanë kripur sa më herët lopët, dhitë dhe dhentë, që tamlin( qumështin ) ta kenë më me bollëk dhe mos t’ua marrin të tjerët. Dhentë si kanë lënë të lëpijnë në xhollët e huja, që tamli mos t’iu ikë dhenëve e t;iu shkojë te dhentë e tjetërkujt.

Qepët e arushës apo thelpinjat e hudhrës i kanë grirë me kullosën, lulete  hithrit që të mos i kafshojnë gjarpërinjtë, hajvanët: dhentë, lopët, dhitë, kuajtë e të tjera.

Gratë, nënat e fëmijëve ditën e luleve i marrin teshat e fëmijëve dhe të anëtarëve të tjerë dhe i vëndojnë në pemë ; tirqit, xhemadanët, këmishat, dimijat , straukat, çorapët, e të tjerë, me uratën: “Ashtu si kanë lulëzuar pemët, ashtu të lulëzojnë fëmijët  dhe anëtarët e familjes”. Këtë rit e kanë praktikuar të gjithë fshatrat e Malësisë. Ky rit praktikohet edhe sot aty- këtu.

Ditën e Luleve herët në mëngjes, pa gdhirë agimi, pra që me natë janë nisur për te gjuri i caucave ( Guri i Vajzave ), grupe – grupe djemtë. Secili grup me vete ka marrë duajë të thekrit dhe kanë ndezur zjarr. Zjarri është simbol i burimit të jetës, se aty ku ka zjarr ka gjallëri, jetë. Pra argumentohet se qysh nga lashtësia se për të ruajtur zjarrin në çdo shtëpi lihej një njeri. Ndërsa edhe sot e kësaj dite ditën e luleve ndezin zjarre herët në mëngjes dhe në natën e Shën Gjergjit, në shtëpinë e zarrmit ( shtëpinë e zjarrit, apo në vatër) është e detyruar një grua për të ruajtur zjarrin tërë natën. Pra për këtë natë marrin nga një kërcunë- cung që mbanë zjarrin më gjatë e nëse digjet cungu – kërcuna i vënë drurë të tjerë. E nëse ndodh që zjarri shuhet në atë shtëpi thuhet se s’do të ketë fat.

Në Bozovcë deri në vitet  e pasluftës së Dytë Botrore kanë shkuar për lule te vendi i quajtur Përtereke (Përtejlumit ) përmbi Stanin e Ismailit të Tefikit.Sepse ka qenë një gur i madh mbi arën e Azemit të Beqirit. Po me pyllzimin e atij gurit katundarët vendosin të zhvendosen nga ai vend pak më larg disa qindra metra në juglindje, ku kufizohet vendi i Bozovcës me të Veshallës, nga ajo kohë edhe  sot e kësaj dite quhet Gjuri i Caucave dhe janë takuar të rinjtë e dy katundeve.

Po ashtu edhe të rejat dhe të rinjtë e katundit Veshallë para shumë dekadash kanë shkuar për tej lumit në vendin e quajtur Gjuri i Shipes (Guri i Shqipes) përballë katundit.

(Tregouan H. N  nga Veshalla dhe M. M nga Veshalla dhe  e martuar në Bozovcë.)

Guri i Cucave është vend si pikë takimi ku vajzat dhe djemtë kanë patur mundësi ta shohin njëri- tjetrin nga një distancë shumë e afërt dhe pa drojë nga të afërmit një herë në vit. Jo vetëm djemtë, por edhe vajzat e mahallës (lagjes ) tjetër s’kanë patur mundësi të takohen me vajzat e lagjes tjetër edhe në katund, po këtu te guri vajzat janë takuar dhe përshëndetur  me vajzat e lagjeve të tjera, po edhe me vajzat e Veshallës. Pra Guri i Cucave është vend ku lirshëm u jepet mundësia si djemëve dhe vajzave të takohen e të shikojnë njëri - tjetrin nga një distancë shumë e afërt. Këtë afërsi kurrë s’kanë patur mundësi ta realizojnë në katund, apo ndërmjet dy katundeve. Pra njëherë në vit apo në motmot u është dhënë mundësia të rinjve e të rejave të shikojnë njëri-tjetrin dhe të përfundojnë me fejesa e në martesa.

Vajzat nga katundi i Bozovcës, Veshallës, janë nisur për te Guri Caucave mahallë – mahallë, por me përcjellje të djemëve apo burrave, duke kënduar e duke u rënë dajreve (pra këngët janë përcjellur me dajre). Rruga është e gjatë dhe e lodhshme dhe shumë përpjet (terma  si i thonë vendasët ), vende - vende janë ulur dhe kanë pushuar. Gjatë pushimit gjithnjë kanë kënduar në grupe të gjitha vajzat. As vajzat e lagjeve të tjera s’kanë heshtur. Natyra këtë ditë ka gjallëruar nga zëri i vajzave dhe rënia e dajreve, por edhe nga të krisurat e armëve (çifteve dhe karabinave – armë me leje).

Para se me mbërri te Guri i Cucave, ka vende ku ka lule shëndeti dhe të gjithë mbledhin dhe bëjnë rrathë nga filizat e manaferrave dhe e mbushin me lule që kanë aromë shumë të këndëshme. Kjo lule rritet në gurëz. Rrathët, përpos luleve të shëndetit i zbukurojnë edhe me lule të tjera dhe i vëndojnë të gjithë në kokë si djemtë, vajzat dhe fëmijët.

Kur mbërrijnë te Guri i Cucave vajzat ulen dhe pushojnë veç nga djemtë. Djemtë ulen në anën tjetër dhjetë metra më tutje. Shitësit shesin lëngje e gjëra të tjera me çmime të dyfishuara në krahasim me çmimet e katundit. Disa të rinj i vrapojnë kuajtë e disa të tjerë gjuajnë shenjë me armët e tyre.

Këtu bashkohen të gjitha vajzat, këndojnë e vallëzojnë ndaras edhe të bashkuara, ndërsa pak më larg bashkohen edhe të rinjtë e dy katundeve. Pas dy a tre orësh kthehen për në katund. Pasi zbresin në livadhet e katundit vajzat vënë shilarësen ( shilarës apo kolovajzë ) në degë të pemëve me dy litarë (për shkaqe sigurie ) ku mund të shiluren një dhe dy vajza për njëherë. Gjatë shiluarjes këndojnë këngë për vëllanë e vajzës që ka hipur në shilur. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe vajzat e lagjeve tjera. Lirisht këtu bëhet një garë ndërmjet vajzave të lagjes se kush do të këndojë këngë më të bukura. Pasi shiluren të gjitha vajzat nisen për në katund.

Kënga s’pushon aspak gjatë rrugës deri në katund brenda. Ndërsa prindërit dhe të afërmit dalin dhe i përgjojnë fëmijët e tyre. Këtu kënga jehon edhe më fuqishëm. Duke shkuar rrugëve të katundit vajzat shpërndahen  nëpër shtëpitë e tyre për të ngrënë ushqim e për të pushar.

 

Rrathët e punuar i vënë nëpër degë të pemëve, pastaj nga dega i marrin dhe ia vënë dybekut ditën e Shën Gjergjitt. Pra kosin e tundin në dybek me lule. Ashtu si kanë gjallëruar lulet të gjallërojnë dhe të ketë mbarësi  familja, blegëtoria, prodhimet blegtorale. Gjithashtu ftajnit (dybekut) i kanë kënduar këngë kur e kanë tundë: /ftaunu ftoj more shoç/rrajte kokën sa ni kollomoç/ftaunu ftoj more bir/rajte kokën sa ni kompirë/ftaunu foj more ftoj/ rrajte kokën sa ni lethoj/ftaunu ftoj more vlla/ rrajte kokën sani arë/

Këndoi M. M

Pas çlodhjes dy a tre orëshe vajzat dalin në rrugë të lagjeve dhe e këndojnë ditën e luleve. Kush shiluret në shilarës e kush në shilarës sheri (qyteti ), këndojnë e vallëzojnë, këndojnë këngët e rrugëve: shale male, kumterëm kum terëm

1.ku da raujna natën e Shën Gjergjit/do ja plasim zemrën të keçit/hajdi moj shoqet e mija/se sone do bajna gurabija/hajde du bijëm napër vena/do t’i vijëm petkat napër breza/.

Kënga tjetër;

2.lujni oj cauca e konojni/ditën e Shën Gjergjitt da kërkojni /lujni oj cauca e këcini/ditën e shënxhexhit sën e xhini/

3. Shkuëm për lule gjalegjishte/Shoum vene shetajtëm lule s’kishte/Shën Gjergjo more i keço/Shkuëm për lule napër ara/Ataj kishin çel lule t’bardha/Shënxhexho more i majro/Shkuëm për lule ka Vardisha/Ataj ka konojshin zogj e çiçja/ Shënxhexho more i major/  Shkuëm për lule  napër hanza/Ataj kishin çel shaumë orgovana/ Shënxhexho more i major/

Ndërsa, njejtë si në Bozovcë dhe Veshallë, kanë shkuar te guri edhe të Brodecit. Ky gur quhet sipas vendasëve Gjuri Turecit që është matan lumit dhe duket se është shumë afër në vijë horizontale. Këtu dallon e shkumja për te guri. Nga katundi e kanë shikuar se kur është kthyer nga gjuri i Turecit te Mahalla e Malallare, kanë shkuar te Mahalla e Isallare, kur janë kthyer këta, kanë shkuar te  Mahalla e Bajramallare dhe pastaj te Ametallarët. E nëse janë takuar dy mahallët apo edhe të gjithë mahallët kanë kënduar e vallëzuar veças pa u bashkuar, në përjashtim të atyre vajzave që janë të afërme që janë përshëndetur.

Te Gjuri i Turecit ka patur raste ku kanë  ardhur edhe caucat dhe të rijntë nga katundi Shipkovicë.

Në katundin Vicën për lule vajzat kanë shkuar mahallë mahalël si në katundet e lartëpërmendura, por që dallon shumë shkuarja, sepse s’kanë patur një vend takim për të gjithë së bashku, por kanë shkuar në kahje të kundërta për të mos u takuar; Mahalla e Jerlive që kanë shkuar për lule kah livadhi, atëherë mahalla e Torballare shkojnë kah Kepi i Xhermës, Mahalla e Potallare shkojnë kah Gjuri Rumdum, ndërsa osmanallartë shkojnë në stranë

Në ditën e luleve granimi, zojat e shtëpisë shkojnë në lumë dhe rrotullojnë në skaj të lumit gurëz sa më të medhej, sepse kur të tundin tamlin –qumështin, kosin, kajmakun në dybek të nxjerrë të tundmen e tëlynit ashtu të madh sikur gurin që e kanë rrotulluar në lumë. Ka raste që gurin e marrin dhe e futin në koritë te kroni dhe mbi të e vëndojnë kovën apo kusin dhe e mbushin me ujë, dhe  me këtë ujë e lajnë ftajnin (Dybekun ), që kur të tundin kajmakun, qumështin ,… të nxjerrë tëlyjnin aq sa guri.

 

Buka e zënë dhe pathyer

Gratë gjatë Ditës së Luleve zënë bukë. Pasi i kanë pjekur, një bukë të plotë e lënë mënjanë që të mos thyehet, pra ta arrijë ditën e Shën Gjergjit.

Buka e pathyer simbolizon të gjithë anëtarët e familjes. Ashtu si është buka e plotë të jenë të bashkuar të gjithë anëtarët e familjes, pa asnjë gjë të ligë përbrenda anëtarëve të familjes gjatë tërë këtij viti kalendarik.

Nëse s’ka bukë të pathyer ose të plotë, atëherë në mesin e anëtarëve të familjes brenda vitit mund të ndodhë ndonjë e ligë: si sëmundje, mort e të tjerë. Këtë natë duhet të ketë patjetër në shtëpi edhe një bukë të pathyer, një bukë të plotë.

Këtë natë për hirë të zjarrit kokrat e zjerra të misri i vënë të qëndrojnë ngrohta dhe gatuajnë gurabija. Anëtarët e familjes të jenë të fortë dhe të ketë harmoni familjare dhe me begati të shumta ose t’iu shkojë viti pa probleme e pa kriza në produkte të ndryshme ushqimore.

Përgatitja e groshës

Për darkë shkojnë për të zier grosh, por pa mish. Qëllimi është që anëtarët e familjes të mos grinden ndërmjet veti, po të kenë harmoni familjare, dëgjueshmëri dhe respekt ndaj njëri – tjetrit në familje. Ndërsa pas darkës mishin e kanë shfrytëzuar për ruajtjen e natës së Shën  Gjeregjit. Për mish kanë përdor mish pule, të qengjave dhe të kecave.

Në këtë natë kanë gatuar edhe gurabija. Brumit i kanë futur vetëm të bardhën e vezës, sepse gurabijat bëhen më të forta dhe të qëndrueshme, e ashtu si bëhen të forta gurabijat të bëhen të fortë dhe të qëndrushëm edhe familjarët e tyre. Po ashtu edhe fati i tyre të jetë i bardhë për tërë vitin si e bardha e vezës.

Vajzat që mblidheshin apo bashkoheshin sipas lagjeve opo familjeve për të ruajtur natën e Shën Gjergjit, shkonin me produkte të veta: njëra me vezë, tjetra me miell, e dikush me qumësht, dhe pas pjekjes i kanë ndarë gurabijat në mënyrë të barabartë.

Natën e Shën Gjergjit, përpos  djemëve dhe vajzave e kanë ruajtur edhe fëmijët. Vajzat natën e Shën Gjergjit e kanë kaluar me shumë lojëra të ndryshme humoristike dhe kënga s’ka pushuar thuajse tërë natën. Kanë kënduar për të afërmit e tyre që kanë qenë të fejuar, për beqarët, për fëmijët e vegjël  dhe për vëllezërit që i kanë patur në gurbet apo edhe ushtarë. Këngët i kanë kënduar në çardak në grup dhe të përcjellura edhe me dajre. Pra i tërë katundi ka gjallëruar nga jehona e këngës.

Shoqja që ka rënë të flejë, shoqet tjera kanë luajtur me të: e kanë ngjyrosur fytyrën e saj me gaca, i kanë vënë mustaqe, ia kanë nxier faqet, ballin.

Djemtë, të organizuar sipas dëshirës dhe shoqërisë në grupe: Grupi s’ka qenë shumë i madh. Këto në këtë natë kanë therur qengja  dhe kanë përgatiur mish të pjekur. Tërë natën kanë kënduar këngë të ndryshme patriotike të shoqëruara me fyell, çifteli dhe dajre, por edhe pa instrumente, kanë kënduar edhe këngë të dashurisë, kanë luajtur lojëra të ndryshme; qibrit, myhir (unazë) , bëz dhe tregime të ndryshme të humorit.

Anëtarët e familjes që zgjohen nga gjumi ose ato që janë të zgjuara kur dalin nga shtëpia  shikojnë qiellin, malin, sepse s’duan të shohin njeri apo kafshë. Mund të ndodhë që të shohin një - njeri shëndetëlig, jo punëtorë – dembel dhe tërë viti do kalojë me sëmundje e me dembeli, pra s’do të ketë mbarësi.

Atëherë pse shikojnë qiellin apo malin? Sepse në qiell shohin yjet, shohin hënën. Pra ashtu si shëndrit ylli apo hëna të shëndritë fati i atij personi. Pra të ketë mbarësi për tërë vitin. Nëse qielli është me mjegull s’duan ta shikojnë, sepse ashtu si është i vranët qielli besojnë se do të ketë plogështi, iritime dhe grindje në mes të anëtarëve të familjes dhe s’do të jenë të lumtur, pra s’do të ketë mbarësi gjatë tërë vitit. Më së miri është të shikojnë malin karshi. Ashtu si zhvillohet mali, si rriten drunjtë në mal, ashtu të rriten e të zhvillohen njerëzit  e familjes, të jenë të forte e të qëndrueshëm. Pasi shikojnë malin apo qiellin shkojnë dhe ulen në gurë të “gjallë”-në një gur të palëvizshëm. Pra të bëhen të fortë e të qëndrushëm si guri. Këtë gur ose gurin e “gjallë” e kanë shfrytëzuar edhe për ato gra shtatëzana që s’iu kanë jetuar fëmijët, por edhe për fëmijët i kanë çuar te ky gur, ashtu si e ka jetëgjatësinë guri të jetojnë edhe fëmijët.

Gatimi i flisë

Pa zbardhur agimi gratë zgjohen  dhe gatuajnë flija thuajse në tërë katundet e Malësisë së Sharrit, ndërsa vajzat që janë beqare në prushin e zjarrit futin nga një kokër vezë për të provuar fatin. Në atë drejtim apo lagje që ka krisur ( pëlcitur ) veza, në atë drejtim do ta ketë fatin dhe do të fejohet - martohet. Vezën e pjekur-ose të plasur e ka ngrënë ai person për të cilin ka plasur veza. Nuk bën që vezën e plasur të tjetërkujt të hajë tjetërkush.

“Ditën e Shën Gjergjit kimi zije vaue ene va kimi dhanë caulle t’i hanë me maje thajke mos u dhame fajti”. (Tregoi Mirije Mehmedi)

“Petat kur i kimi ba për here të parë me hithës, kaçajtën e parë e kijmi ngranë me maje thajke, të mos na dhame e mos t’na there zemra”. ( Tregoi Mesude Rushani)

Foto:Gatimi i flisë

Në mëngjes herët duhet të zgjohen të gjithë anëtarët e familjes ose sa më herët se të tjerët e lagjes ose të katundit për të patur mbarësi. “Ditën e Shën Gjergjit i lagjim njerzit e shpojsë, shtratnat, odatë, drithnat, izbet, bilmetin, hajvantë, lamën me ujë të mushëm në kroj, po pa folë”( pa bërë bisedë me askend)

Me qëllim që të ngriten herët që të tjerët mos j’ua lëshojnë gjumin, dembelinë,  të ligat, e anëtarët mund të ndodhë që të kenë vuajtje në shëndet. Ujë pa folë kanë mbushur që brenda familjes të mos ndodhin grindje, po të mbretërojë harmonia familjare, si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj.

Më herët në furrë të zjarrit, për ditën e Shën Gjergjit kanë vënëkusi me bakërdar për të zier, e jo fli. Bakërdari zijhet top dhe të gjithë anëtarët e familjes të jenë top, të bashkuar, grumbull. Bakërdarë kanë zier edhe atë natë që ka shkuar në kurbet anëtari i familjes. Fli nuk kanë gatuar sepse kur e hudh lugën e brumit e derdhë, pra kjo derdhje të mos ndodhë edhe te anëtarët e familjes, të mos shpërndahen.

Të rejat apo të rinjtë krisin plasin vezë në zjarr ku gatuhet flija.Vezët nga temperatura e lartë krisin-plasin. Në drejtimin që plas veza në atë drejtim është fati-kismeti i vajzës ose i djalit. Nëse veza pëlcet më shpejt, edhe fati i vajzës apo i  djalit do të zgjidhet më shpejtë ose në të kundërtën nëse veza do pëlcet me vonesë fati i vajzës – djalit do të vonohet për fejesë.

Në katundin Vejcë përpos vezëve, vajzat ose djemtë kanë futur në zjarr edhe këmbët me kthetrat e pulave. Nëse kthetrat e pulave janë tkurrur – janë mbledhur, ajo vajzë apo ai djalë do të fejohet e martohet në katund, e nëse kthetrat e këmbës hapen, atëherë ajo vajzë apo ai djalë do të delë nga katundi, pra do martohet jashtë katundit.

Në katundin Bozovcë dhe Veshallë, gratë – nënat në ditën e Shën Gjergjit ka zier vezë për të gjithë anëtarët e familjes: “Ditën e Shën Gjergjitt kijmi zije vaue  ene va kijmi dhanë caulle t’i hanë me maje thajke, të mos u dhame fajti” .

Ditën e Shën Gjergjit vajzat, në grupe – grupe shkojnë herët në mëngjes për potka. Presin degë të holla nga shelnet për veten e tyre, për të afërmit e familjes dhe shkojnë nëpër arat e mbjellura dhe i vëndojnë shelnet. Ashtu si ze shelnja e rritet kollaj, të zënë drithërat e mbjellur dhe të rriten kollaj si rritet shelnja.

Thuprat nga shelnja i vënë për beli të gjithë anëtarët e familjes. Ashtu si është elastike shelnja, ashtu të jetë  elastik beli i të gjithë anëtarëve të familjes dhe mos t’iu dhemb kurrë, sepse është organ shumë i ndishëm dhe lëndohet shumë kollaj.

Shelne vënë edhe nëpër derët e shtëpisë, të ahurit të bagëtive, nëpër dritare e në enë, …

“Ato xhi zbajnë caull, shkojnë te reka në këtë ditë, lagjen me ujë me gjrusht (grusht) dhe marrin gjurëz ( gurëz ) e shelne. Gjurin e  shelnen e vijën ngat vitit e i lajnë  krajet. Ashtau sikur xhi ze shelnja kollaj çashtau të zanë caullët kollaj e t’i kesën të fortë e të shënosh sikur gjuri”.

Në këtë ditë gratë që s’lindin fëmijë shkojnë në fushë dhe thkin plitë ( të kthejnë plit ). E gjejnë vendin pak si më të lagët (ligatin ) dhe shtrihen në atë vend po me kokë të kthyer nga lind dielli dhe shoqja që e shëron me shatë aty këtu kthen plit deri sa të del apo të gjejnë ndonjë krimb apo skërahe (skërrajë).

Nëse gjejnë skërahe apo krimb grate apo gruja do të ketë fatë dhe do të lind fëmijë fëmijë, e nëse s’gjejnë  as krimb e as skërahe gratë apo gruaja s’do të lindë fëmijë.

Ritet janë të shumta në këtë ditë: gratë shkojnë në lumë dhe i futin këmbët në ujë, që të mos u dhëmbin këmbët, shkojnë te ujë thartë te ara e Dadës Fize. Aty lajnë këmbët dhe lënë para të hekurit, kurse në një ferrë të thatë lidhin penj të zi. Ashtu sikur që shkojnë te ujë i thartë, shkojnë edhe te lumi dhe i futin këmbët në ujë, që mos u dhëmbin këmbët.

“Ato xhi derxhin shkojn te ujë tharët ene nji pin të zi e lidhin  me nij ferrë të that ene thauën .duëm sebep pi ujit, kllosës, pi drunit e pi insanit”.

Ndërmjet Ditës së Verës dhe Shën Gjergjit ka shumë rite të ndryshme e do t’i përmendim disa:

Kur murmuron për herë të parë, njerëzit që e dëgjojnë e mbështetin shpinën për muri, guri. E bëjnë këtë që të jenë të fortë, të mos frikësohen, aq sa frikësohet guri apo muri aq të frikësohet edhe njeriu. “Kur ka mumraue sefte (në filim) e kimi vu  shpajnën për muri, ene ftajnit i kimi ra bosh treherë, ene kapakin e manxhes e kimi çelë ene e kimi mshel tre here”

Në katundin Vejcë e praktikojnë thuajse ngjajshëm si në Bozovcë e Veshallë: “Kur ka mumraue sefte i kimi ra hamarit, manxhes buke tre herë me durë dhe ftajnit treherë bosh, sikur me taun. E kimi ba ketë çashtau, si vajnë mumrajma t’vaje bereqeti e t’mushen hamarët me drithë, ftajni e shekat me bilmet, e manxhja me bukë, mos ese kurrë pa bukë”

“Në kataun para shënxhexhit ësht’ majrë të mledhën majza për kokën e majrë. Majzat i kanë fajt në qebrit apo në shishe për me Iirujtur më gjatë. Kur ësht’ smu njeri e kanë marr majzën e kan’ shtajp dhe e kan’ vu në maj  brum ene ja kanë vu nërmet shpatllave në korajz. Kjo a kanë koka e keçe po pi fragjës i kim thane koka e majrë , e ta marrëm me të majrë mos stërkeçet”.

Pulën, nëse e ka zënë nata e Shën Gjergjit duke i klloçitur vezët, është shenjë e keqe. Ajo shtëpi s’do të ketë mbarësi. “Çashtau si i kllaukën pula vauet, çashtau do kllaukin – njerzit në shtrat nga sëmundëjet”. Këtë pulë e kanë quajtur Kupilshë

Kur e kanë vërejtur se pula i klloçit vezët i vëndojnë natën e Shën Gjergjit një patkua nën pulë, afër vezëve. Ashtu si është i fortë patkoi, të jenë të fortë njerzit e familjes. I kanë vendosur një patkua nën pulë, afër vezëve. Ndërsa në katundin Vejcë ia vënë patkoin nën pulë, që të mos i godet rufeja ( mos i gjegje hajvantë faktajma. S. J )

Ndërmjet ditës së Verës dhe Shën Gjergjit këndon edhe qiqja (qyqja). Ai njeri që e dëgjon për herë të parë duhet ta gjejë një gurë të bardhë të vogël dhe  të vëndojë në kokë dhe ashtu duhet ec deri kur t’i bie guri. Guri është mirë të bie prapa kokës. Ashtu si bie guri të largohen sëmundjet, të ligat dhe ai njeri thotë tre herë: “Shëneti para e t’ligjat mas”.

Fotografi nga Gjuri i Caucave, me të rinjë nga katundi Bozovcë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora