E enjte, 09.02.2023, 07:10 AM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Një dëllinjë nga Qafë - Rrasa

E merkure, 24.12.2014, 11:16 AM


NJË DËLLINJË NGA QAFË - RRASA…

(Në vigjilje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2015)

Në vitet ’70, në Shëngjergj, kur ishim ende fëmijë apo të rinj, Viti i Ri ishte e vetmja festë, ndaj ne shtatë camërdhokët dhe dy vajzat e shtëpisë nxitonim të përgatiteshim për ritualin festiv, që nuk i përmbante Kërshëndellet e ndaluara (ani se gjyshet i zinin në gojë pa e vrarë fort mendjen), por prej tyre kishim huajtur vetëm pemën. E pema jonë ishte një dëllinjë që e prisnim në shpatin gjithë cicërima zogjsh, andej nga Qafë-Rrasa, e sillnim në shtëpi, e vinim në çardak dhe e zbukuronim si të mundnim, pasi nuk kishte zbukurime dhe ndoshta mirë që nuk kishte, pasi ashtu pema ishte më gjithë freskinë dhe aromën e malit. Nuk e di pse e kam dashur këtë dru, dëllinjën, paçka se “gjethet” e saj ishin krece që të thernin duart, ndoshta për kokrrat e kuqe e të zeza si margaritarë të vegjël fantastikë, ndoshta se poshtë kurorave e tyre ngrihnim rrasa për të zënë mëllinja; po dhe rakia e dëllinjës ishte me një shije të veçantë aromatike, kur e pinim ndonjë herë në klubin e minierës.

Tani e kuptojmë sa e brishtë dhe e zhveshur (nga konteksti) ishte festa jonë, ku derri i prerë (në mënyrë rituale) ishte thuajse i gjithë kuptimi i festës, jo se nuk dihej emri i gjeldetit të Vitit të Ri, po ai për hir të së vërtetës ishte një vizitor tepër i rrallë në anët tona. Po të kishte rënë borë, festa e fitonte magjinë, burrat e lagjes së vogël (Qafë-Vorrëzit) dilnin për të zënë shqez nëpër korrotiqa lisash, kah Fusha e Balit të Bardhë a Reza e Visë, pasi lëkura e shqarthit kushtonte shtrenjt e shkonte për eksport, për palltot e gëzofta të zonjave të kapitalizmit...

Por të mos ikim nga pema simbolike. Njëzet vite më vonë, tashmë në Rrëshen, kur afrohej Viti i Ri, bashkëqytetarët rrëmbenin nga një sakicë dhe dilnin andej nga kodrat e Gëziqit, apo merrnin teposhtë, rrugës së Rubikut, kësaj here jo më për dëllinja, por për pisha hollake. Gjyshet kishin vdekur, kurse Kërshëndellet ishin ringjallur. Pema tashmë ishte në vendin dhe emrin e vet, e Krishtlindjeve, por që kuptohet priste e përcillte dhe Vitin e Ri.

Ka vazhduar kështu disa vite, derisa nuk ishte më e nevojshme sëpata, pasi tregtarët do të na sajdisnin me pemë të gatshme pa “gjak” në deje, pemë sintetike, gjithë xhi(stri)ngla - mingla. Unë nuk i dua aspak pemë të tilla, por i pranoj vetëm kur mendoj se më mirë ato për dy javë se sa të na laskarohet pylli dhe më shumë, drurët e të cilit nuk rritën me vite.

Veç kjo nuk më pengon të përcjell një urim të dlirë si krojet e Munellës për të gjithë Ju, miq, dashamirë, të njohur e të panjohur, në këtë të kremte Kërshëndellesh, brenda dhe jashtë Atmesë së mbarëtrojeve,

duke nisur nga Nëna ime, që shkon për kah të 90-at, por që unë e ajo gjithnjë e më pak flasim për moshën e saj;

dhe kryekrejet urimi i trëndafiltë për nipat dhe mbesat e mia si kristale pishash: Amantin, Ernin, Emilian dhe Glevian.

Për shumë vjet!

Juaj, NDUE DEDAJ, Mirditë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora