E marte, 19.10.2021, 04:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Dashuria ndaj krijimtarisë

E hene, 15.12.2014, 10:04 PM


Dashuria ndaj krijimtarisë

Nga Dr. Ilir Muharremi

Sa më shumë që artisti dashuron veprën e tij, aq më tepër përforcohet e pamundura. Është komike ta parafytyronim artistin vegimtar në kërkim të veprës ideale. Dashuria lind nga i njëjti pasion, nganjëherë më tërë qenien e tij, përsëritja shpërfaq thëllimin e dhuntisë. Shpreson të jap atë që askush tjetër nuk mund ta bënë. Vepra zgjon dëshirën e kësaj përsëritje, shpesh herë krijuesi nga zemërimi brohoritë në vetë për dhënien e dashurisë. Nuk duhet të habitemi kur shpërthen e qeshura se tek e fundit kërkon dashuri edhe më shumë. Atëherë, rrallë dashurojmë për të dashuruar shumë. Dashuria dhe lidhja e brendshme ndërmjet artistit shumëfishon vepra. Çdo qenie që gëzon shëndet të plotë synon të shumëfishohet.  Kështu ndodh me artistin e dashuruar në krijimtarinë e tij. Atëherë, trishtimi nga këta artist është i pranishëm për dy arsye: padije ose shpresë. Kemi artistë që dinë dhe nuk shpresojnë, ata i njohin kufijtë e tyre pa i tejkaluar, nga intervali i punës kërkojnë superlativen, të mrekullueshmen duke u ndjerë mjeshtër i madh. Inteligjenca nëse arrin korrigjimin e vetvetes kalon në gjenialitet. Në kufirin me vdekjen, artisti i dashuruar njeh trishtimin, trishtimi qe i pranishëm edhe gjatë punës, e dhimbshme është për paraardhësit e tij. Më së shumti trishtimi vërehet gjatë kohës së shpresës.  Piktori në ngjyrat e tij, poeti në vargje, muzikanti në kompozim, regjisori në film, balerini në balet, aktori në rol, gjejnë shijen e hidhur dhe ngushëllimin e vetëm shkencor. E hidhura reflektohet paksa, nuk është e përkryer, por e nevojshme për ndjenjën e lumturisë. Njerëzit në përgjithësi artistët asnjëherë nuk ndjejnë keqardhje për dëshirën e tepruar të kënaqësisë, reflektimi i veprës në çdo moment paralajmëron papërfundimin e saj. Në esencë asnjë vepër nuk është e përfunduar. Shpirti i artistit gëzohet gjatë pauzës së vështruarit krijimtarinë, sepse mos gëzimi i shpirtit, shet shpirtin. Shpirti këtu nganjëherë reflekton me nuanca të kombinuara në vepër. Përkundrazi, artistët e dashuruar e komandojnë kënaqësinë.

Nëse shkrimtari shqyen atë çfarë ka shkruar, e bënë sepse nuk e dëshiron më. Një tekst i bukur gjithnjë është i dëshirueshëm. Ai dashuron një tjetër dhe kjo nuk është e njëjta gjë. Aq sa të jesh i huaj për tekstin tënd, aq më i fuqishëm do të duket. Nëse analizojmë Luixhi Pirandelon, vërejmë te novelat shaka të lehta pa të keq ,na duket se ai tok me dramat e zymta, reflektojnë përmes buzëqeshjes humoristike. Kjo vetëm mbetet ana e jashtme. Në thellësi gjejmë diç tjetër. Keqardhjen për vuajtjet e njerëzve, dashuria shpërthen për ndjenjat e pastra, për bukuri të lartë. Ai mendon se jeta është e tillë, kundër kësaj nuk ke çfarë të bësh. Dashuria e thellë për veprën lind nga spastrimi, duke i lënë forcë shpresës për një jetë të dyfishtë, këtu mbetet zgjidhja e mos shkuarjes më tej. Pirandello vërtitet rreth kësaj kënaqësie duke u kthyer në fillim, pastaj në breg, e deri të fati i pakundërshtueshëm. Dashuria lind me imagjinatën e zgjidhjes. Kjo mbetet vetëm e momentit.

Krijuesin kjo jetë e kënaq, i vije keq ta humb, kënaqësia dyfishohet për krijimtarinë dhe ky i çmendur shpik edhe urtësinë. Tek këta njerëz gjejmë shpresën, atëherë përshtatja ndaj universit është e vështirë. Rrojnë në sasi gëzimesh sepse vetëm efikasiteti i veprave ka rëndësi. Nga këndvështrimi jonë kuptojmë mirë vetëm atë çfarë simbolizojnë në formë të rëndomtë: janë mashtrues të zakonshëm sikur një burrë me shumë gra. Dashuri si Don Zhuani. Këtu ndërgjegjja bëhet e pamundur, me vetë faktin se përpiqet të konkretizohet. Artistët mashtrues me veprat e tyre që përpiqen të jenë të ndërgjegjshëm nuk ndryshojnë. Sikur Don Zhuani, edhe këtu, të mashtrojë është zanati i tyre. Ata mashtrohen nga dashuria e tepërt për artin. Më shumë e duan se vetveten, por harrojnë se një pjesë objektive ndodhet aty. Ata ndryshojnë gjendjen e tyre, mendojnë se bëhen më të mirë. Mashtrohen, dhe mashtrojnë ngaqë asgjë s’ka ndryshuar, por vetëm transformuar.

Këto dy bota të mbyllura e bëjnë njeriun mbretë dhe njohës. Nëse Van Goghu pikturon një fshatare të veshur me fundin bojëtymi, të arnuar dhe me jelekun e po kësaj ngjyre, nën ndikimin e vrenjtërisë së motit, të erës që fryn dhe të diellit që herë duket e herë zhduket, përfiton nuancime të holla që e bëjnë të duket zonjën tejet bukur krahas me ndonjë zonjë të stolisur. Por, edhe pikturimin e fshatarit të veshur me shajak në arë, është më piktoresk sesa të dielave në kishë kur shkon i veshur me kostum zotërie. Dashuria ndaj tablosë rrjedh nga shkëlqimi i vërtetë, sepse shkëlqimi i rremë është sipërfaqësor nëse rrjedh nga varfëria shpirtërore e Van Goghut. Artisti na mëson se të tjerët duhet ta njohin artin nga pikëpamja e tij e pandryshueshme. “Çdo gjë është ashtu si duhet” lirohet Van Goghu nga arsyeshmëria absolute e kuptimit. Dashuria në vetvete është padrejtësi, por s’ka shpëtim. Transformimi i vetë artistit nga vetja në telajo shprehë prapë vetveten, për t’u ngjitur në majat e bukurisë. Artisti veçon vetëm avullin shpirtëror, por jo dukjen, ndoshta vëren dukjen, në momentin e transmetimit humb imazhin total.

Aktori në skenë është udhëtar i kohës, ndjek shpirtrat, pavetëdijshëm i zbaton veprimet, nëse shkakton të qeshura i nënshtrohet pasionit të vetë, poashtu edhe nëse nxjerr lot prapë e njëjta është. Vetvetiu nxitë lëvizjen spontane të mjaftueshme për bindjen e publikut. Në këtë çast jeta në skenë është një ëndërr. A përfiton diç nga personazhet e tij, pak ka rëndësi. Ai njësohet me jetët e tyre, ndodh që i bartë me vete dhe dashuria lind në fillim nga kundërshtimi emocional për ndërtimin e rolit. E ngjashmja me atë të aktorit, ripërsëritja në shkallën ekstreme krijon dashuri absolute. Atëherë, vështirësitë e mëdha janë për të dal nga bota identike. Pyetja se a është egoistë artisti i dashuruar në krijimtarinë? Sipas ecjes së vet, pa dyshim. Në radhë të parë, duhet të merremi vesh. Ekzistojnë disa artistë  të bërë për të jetuar dhe për tu dashuruar. Në esencë ekziston dashuria ndaj vetes dhe veprës, dhe dashuria për të cilën po flasim këtu i qaset zbukurimit të përjetësisë. Ekziston dashuria e përjetshme veçse ajo pengohet. Kontakti dhe pauza e të vështruarit veprën, e shpërfaq këtë. Kjo dashuri merr fund në kontradiktën e vdekjes. Në art, duhet të jesh i vërtetë ose hiç. Vrasja e vetvetes bëhet pas dhënies së plotë të vetvetes, apo harrimit. Dashuria lind nga një përzierje dhembshurie, mirëkuptimi apo dëshire. Njeriu artist shumëfishohet duke u unifikuar.

Në muzikë besojmë se është e mirë ajo që na pëlqen neve. Mosbesimi dhe ripërtëritja zgjohet me pafajësi të plotë, aq sa më shumë ikën tingulli, aq më tërheqës bëhet. Muzika pëlqehet kur distancohet nga shpirti, qëndron përballë artistit sikur diçka e huaj për të. Nëse shkrihet bashkë me të, njësohet humbet dhe lëshon të njëjtat nota të përjetshme. Artisti krijon dashurinë e përsëritjes së notave dhe për asnjë moment nuk janë të njëjta. Notat lindin nga rrëmuja shpirtërore dhe natyrore, bëhen unitet i kënaqshëm për shpirtin dhe zemrën. Artisti i dashuruar duhet ta dijë se dashuria është bujare vetëm atëherë kur është kalimtare dhe e  veçantë. Qëllimi i artistit gjithmonë do të jetë të dashurojë dhe të zotërojë, të fitoj, pastaj të shteroj. Më vijnë në mendje gjithë ato përralla për dashurinë, në veçanti ajo për Narcisin. Kërkuan prej hyjneshës Afrodita që ta dënojë Narcisin, për arsye se, kinse është duke i përbuzur dhuntitë e saj. Afrodita këtë e kurdisi në atë mënyrë që Narcisi të dashurohet në vetveten, saktësisht në pamjen e vet të cilën e pa në sipërfaqen e qetë të liqenit të vogël në pyll. Sipas një versioni, aq gjatë u përkul mbi liqe, duke u mahnitur me veten, deri sa u rrëzua aty dhe u mbyt. Këtu kënaqësia përfundon në vetëshuarje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora