Kulturë
Qazim Shehu: Lule e bashkimit
E enjte, 11.12.2014, 06:39 PM
LULE E BASHKIMIT
QAZIM D. SHEHU
Zgjohet zemra nga forcë e panjohur,
E flirtit marrok,
Normë e moral i ndotur,
të thonë: mos!...
Në ajër lulja e bashkimit
Hedh e hedh polen,
Si të kapësh ndjenjën e zgjimit,
Zemrën që na zjen?
Morali si kokë Cerberi,
Na ruan e na frik,
Një sy e mban tek nderi
Tjerin në publik.
Në ferr shoqëror na do,
Të larë e të pëlqyer,
Ia hedh atij kush mundet,
Ta mbajë si maskë të vyer…
SI NJË VERË PA RESHJE
Shkund reflekse dashuria
Nëpër erë ndjell polen,
Si një grusht me shkëndija,
Syri i saj shpërthen…
Pret një po, një buzëqeshje,
Brenda vetes t`i mbledhë të gjitha,
Si një verë krejt pa reshje,
Të na djegë krejt, e mira…
LAK
Fjalën lak nga fjala llak një germë e ndan,
Si shumë gjëra që s`janë të njenjta.
Ndodh që nga pak llak në lak,
Të shpëtohet jeta.
ÇLIRIM PREJ FJALËS
Vendosa, në anije
Një ditë do hip fjalët,
Me që s`mund tu jap udhë
Drejt bregut të largët…
Me që s`u bëra kapiten,
Ndonjëra rast do ketë,
Do më kujtojë si një sejmen,
Që i shërbeva me besë.
Kur të ndahen krejt prej meje
Me urimin më të mirë,
Do merrem me tjetër zeje,
Për të mbërrirë…
LARTËSITË
Lartësitë na joshin përherë
Kur poshtë tyre mbetemi,
T`i kapim ato siç kap një erë
Çdo majë
Dridhemi ,mbetet e pamundur,
Ndodh ndonjëherë në ëndërr,
Se nga vetja duhet shkundur;
Çdo barrë e tepërt e vëngërt.
Veç bezdi ndjejmë kur shohim,
Si i kapin të tjerët lehtësisht,
Vallë ia vlen të lodhemi
Nga kjo pabesi lartësishë..?...
IMAZHE TË SHPËRNDARA
Nata
Një pellg krisme,
Më kujton pyllin që ishte.
Trungu
Një pemë,
Një grua që rend;
Dashurinë që humb.
Shpirti
Hije kujtimesh ruan,
Hijet bën rrugë,
Të kalojë në to
Nata,
Pema,
Gruaja.
Pa parë njëra tjetrën
Si qenie të huaja…