Kulturë
Ndue Lazri: Mat, mbretëreshës
E marte, 09.12.2014, 06:44 PM
NDUE LAZRI
- Cikël poetik-
NË EMRIN TËND, FLAMUR.
Në emrin tënd,
diktatorë,
që njerëz të pafajshëm
Kanë prerë e vrarë.
Pastaj…
Pastaj, të mbuluar me ty,
kanë ikur për në varr.
Në emrin tënd,
Politikanë,
Që tribunave çirren
Duke të ngritur në erë,
Ndërsa pas kurrizit tundin
Njëqind flamurë të tjerë.
Në emrin tënd,
bukuroshe
gjysmë të zhveshura,
reklamave të tundin gjithkund,
Pastaj të nesërmen
Të veshin si minifund.
Në emrin tënd,
Demagogët,
përse bëjnë kaq shumë
zallamahi?
Kur ti do veç fllad
Që të valëvitesh në ajrì.
Në emrin tënd...
E shpreh veç një herë
E në heshtje, të madhen dashuri…
Duke u flijuar për Ty,
Kur rasti të vijë.
MAGJEPSJE
Cili skulptor e zgjodhi atë alabastër,
e i derdhi aq hijshëm gjinjtë e tu të fryrë,
me fildish e lëmoi lëkurën e pastër,
e hije perëndeshe të dha në fytyrë.
Cili piktor pas teje u dashurua,
që ngjyrën rozë ia vodhi trëndafilit,
në petale i shndërroi dy buzët e tua,
gonxhe në shpërthin dy thithkat e gjirit.
Cili muzikant i mblodhi pyllit meloditë,
e kordave të tua derdhi atë zë të rrallë,
violinës së trupit tënd luajti sinfonitë,
nga instrumentet frymorë të dha frymën e gjallë.
Të sodis nga larg e nuk po e marr vesh,
vepër arti je, por më tundon si femër,
ti distancën shkurton dhe e zgjat midis nesh,
cilën lule të thërras, për të të dhënë një emër.
KONTRAEKSOD
-Në një vit nga Italia janë larguar 800 mijë emigrantë të mbetur pa punë-
Hipur stivë në majë të anijeve,
për lirinë me këngë e brohori,
në sy ëndrra për të ardhmen e fëmijëve,
Perëndim – ata vinin tek ti.
Ti ishe parajsa e ëndërruar,
ca ferrin që në nisje panë,
shumë humbën detit të trazuar,
të tjerë shteteve të tua u shpërndanë.
Me thonj tokën tënde e punuan,
për të patur një çikë fitim,
por mbi lëkurë shpejt provuan
ç’damkë lë fjala mërgim.
Për njëzet vjet, ndoshta më shumë,
u rrahën si hekuri mbi kudhër
nga mëngjesi në darkë në punë
e prapë qesja si kokërr hudhër.
Dhe ja, erdhi çasti të ikin,
Perëndimi s’ka punë as për vete,
një nga një dritat e shpresës i fikin,
kriza hedh njerëzit nëpër dete.
Perëndim, ata të deshën si nënë,
ndonëse bij s’i quajte asnjë çast,
me djersë pak pasuri ty të lënë,
kjo është e vetmja vlerë që marrin pas.
Superënë shkojnë drejt anijeve,
heshtje varri, kjo rruga e kthimit,
ëndrrat vrarë në sytë e fëmijëve,
eshtrat thyer prej lodhjes, zhgënjimit.
Me dimbje i vështrojmë ne që mbetëm,
ata, ne na quajnë me fat,
vërtet një çikë fat neve gjetëm,
apo është agonia që zgjat?
TRONDITJE
Sa e gjatë dita pa zërin tënd,
është festë, e ti festës i jep hijeshi,
me një gotë verë unë ulem në një kënd,
e më deh dhe jotja mungesë, për çudi.
Nimfë detrash a magjistare je vallë?
Circenë e sfidova më lehtë se Odiseu,
po ti paske një aftësi shumë të rrallë,
bën që nën këmbë të më shkasë dheu.
Unë tërmeteve nuk iu tremba kurrë,
Vezuvit iu ngjita pa pyetur për vullkan.
po s'e dija që mund të tronditet një burrë,
nga një vajzë çapkëne, vjeshtën veshur fustan...
MAT…MBRETËRESHËS
E dashuruar, ti e thërrisje: Mbreti im,
i dashuruar, ai të ndiqte me lule në dorë,
mbretëreshë të quante gjithë ledhatim
e lulet në kokë t’i vinte kurorë.
Por erdhi një ditë, ty lulet s’të mjaftonin,
dashurinë e vije në dyshim nganjëherë,
thellë vetvetes ti ëndërroje fronin
dhe nise lojën si mbretëresha në skakierë:
-Mbreti im, - i the një ditë në lëndinë,
dashurinë me vepra dua t’ ma tregosh,
nëqoftëse më do, rrjeshtoje ushtrinë
e mbretërinë fqinje të ma dhurosh…
Pa e zgjatur mbreti alarmin e dha,
në formacion ushtria u mblodh menjëherë,
për të ndjekur betejën ti u ngjite në kala
e pranë i mbajte nja dy oficerë.
E rreptë nisi lufta me kurthe e poterë
në ballë mbreti, pas vetes ushtrinë,
përballë rrezikut s’u praps asnjëherë,
që të ta dëshmonte më shumë dashurinë.
Një nga një ushtarët binin të vrarë,
mbreti luftonte e s’ndalej për të gjallë,
kur mbeti vetëm ktheu kokën për të parë,
i thirre: Mos ke ndërmend të tërhiqesh vallë?
Kur e pa se vdekja ushtrinë ia rrëmbeu,
shpatën e vërtiti me trimëri të rrallë,
çau si i çartur e më kokën s’e ktheu
dhe përfundoi në shtratin e mbretëreshës përballë.
QANIN TRARËT…
Dikur,
në malësitë tona thonin:
kur lindet vajzë në kullë,
qajnë edhe trarët.
Dhe u lindën
motrat e mia një pas një,
qanë njerëzit,
edhe trarët qanë,
derisa lotët u thanë…
Çudi,
si janë këto punë,
kur u linda,
nuk s’deshen t’ia dine…
e qava vetëm unë.
NJË GABIM NË AEROPORT
Eh, sa gabime ndodhin në aeroport
me bileta, valixhe, linja e udhëtarë,
por janë ca gabime që s' korigjohen dot
veçanërisht kur flitet për mërgimtarë.
Një avion mund të të çojë larg në lindje,
nga shkaku i biletës së marrë me nxitim,
kur rruga e fatit mbase të thotë me bindje,
të ndalesh diku më afër, në perëndim.
E ti ikën kuturu në trajektore qiellore,
fluturon mbi toka, dete e oqeane,
një fat i panjohur të tërheq për dore,
nëpër re puplore, mbi krahë aeroplani…
Dhe vjen një ditë që e ndjen veten larg,
zemra të ndrydhet, si e mbyllur në kafaz,
dikush të fton me një këngë, a një varg,
por ëndrrat mbeten varur mbi parvaz.
E atëherë thua: Kam kohë të gaboj prapë,
krahët s' më janë prerë ende për fluturim,
valixhia e emigrantit shans të ri do më japë,
nëse “gabimi” më çon në perëndim.
I paepur guximi për të ëndërruar,
ëndrra i devijon dhe rrugët qiellore,
mjerë kush magjinë e ëndrrës s' ka provuar
e ëndrra s' e ka tërhequr kurrë për dore…
“INCIDENT” NË KUFI
-Miqësia, - më the,
është vija e kufirit mes nesh, ta dish!!!
Dhe në atë kufi më përqafove gjatë,
miqësisht...
E kapërceva kufirin,
me hutimin e emigrantit,
që i mbetet vështrimi pas.
Asnjë valixhe me vete,
veç kujtimit të buzëqeshjes tënde.
Në kontrollin doganor kuptova:
Më kishe vjedhur zemrën.
E, pa të po shkoja
në të tjera vende.
KUR BIE MBRËMJA
Kur mbrëmja bie në vendin tënd,
Apeninet vështrimin hedhin larg,
ti që nga larg zbon gjumin tim,
E më vjen fshehtas në një varg.
Drenushe
e si shejtane shkel njërin sy,
në trurin tim pa leje gjithmonë bredh,
si shtozovalle luan në vargje e poezi.
PRANVERË E HIDHUR…
-Në kujtim të nënës-
Ai mëngjes pranvere
të mori me vete…
Brumi në magje, nuk erdh,
u thartua.
Deleve,
që mbetën pa mjelë,
u iku qumështi.
Perimet,
që të prisnin në kopësht,
ulën kokat, u thanë.
Trarët e shtëpisë
u përkulën,
çatia pikoi lotë- bloze.
Muret, për të mos rënë,
u mbajtën
tek portreti yt…
Unë
atë ditë kuptova,
që fjala “jetim”
nuk ka moshë…
REJA E FLOKËVE…
Ja tek u shfaq dhe reja prej flokësh,
si mjegullnajë që ulet lehtë zabelit,
davaritet kur arrin kodrave te gjoksit,
dhe zbret gjer në lëndinat poshte belit.
Tundohem ta prek, por a kapen dot retë?
Lojonjare floknaja vallëzon vals në erë,
zog do të bëhem, të ngjitem përpjetë,
e mes asaj reje të zhytem veç një herë.
I adhuroj ata flokë e, s’kam pse ta fsheh,
dua t’i thur gërshet e pastaj t’i shpupuris,
shpesh bëhem xheloz për krëhërin që i kreh
e për dorën delikate, që aq bukur i stolis.