Kulturë
Xheladin Mjeku: Drejt vlerave të reja poetike
E hene, 08.12.2014, 08:14 PM
SYNIME DREJT VLERAVE TË REJA POETIKE
Arbëresha Gashi: “LOTI FLET”, poezi, botoi SHB “Orfeu” – Prishtinë, 2014
Nga Xheladin MJEKU
Arbëresha Gashi (1997), ndonëse e re në moshë dhe e angazhur në mësime shkollore, sikur ia ka dhënë vetes edhe një detyrë tjetër tepër të ndieshme dhe sfiduese, në angazhimin e saj edhe në fushën e krijimtarisë poetike, që tashmë ka lëshuar rrënjë në atë fushë plot befasi të këndshme dhe nganjëherë edhe të ndieshme, varësisht prej indikacioneve që e shtyejnë muzën krijuese dhe i trasojnë rrugën drejt vlerave poetike. Nga nostalgjia për ta vënë në letër, që pastaj të mbetet dëshmi ajo që e preokupon në përditshmërinë e saj, në familje, në shkollë, me shoqëri e fenomene të ndryshme që ia kap vigjilenca e saj prej kurreshtareje, ajo sjell këtu një tufë poezish me motive nga dashuria për jetën, për synimin e arritjeve në realizimin dhe përmbushjen e detyrave shkollore, shoqërore dhe pa asnjë dyshim, edhe mbi kujtesën për të kaluarën historike të atdheut dhe shumë tema tjera. Këto poezi i përmbledh në një libërth të vogël me një titull simbolik dhe shumë domethënës për moshën e saj “Loti flet”, që padyshim shpreh fuqinë e mendimit plotë besim në vetvete dhe në realitetet që i prek çdo çast, ku: “Thellë në zemër ka burimin/E shpreh gëzimin e pikëllimin”, (“Loti flet”, fq. 33), për të shprehur bindshëm dhe me këmbngulje se pavarësisht, si rrjedh ai lot dhe për ç’arsye rrëkllehet faqeve, ajo e sheh vetëm ashtu si e përshkruan në vargjet: ”Është i pastër si kristali/ Askujt lotin kurrë s’ia fali”, (po aty). E ndërtuar në katër cikle simbolike dhe kuptimplotë: “Vendlindja”, “Mbretëreshë e shpirtit”, “Loti flet” dhe “Mendim akull” me lëndën poetike që sjell në secilin prej tyre, ajo dëshmon se ka një vizion për jetën dhe ushqen dashuri për të bukurën, por edhe ka një ndieshmëri të hetuar për sitauta e fenomene që i japin kahe dhe trajtime ndryshe kësaj bote përplot sfida e peripeti.
Vendlindja si frymëzim
Arbëresha Gashi vazhdimisht ka gjetur frymëzimin e saj në bukuritë e atdheut, por asnjëherë ajo nuk e sheh atdhe të vetin veç aty ku u lind dhe vepron, por shtrinë shikimin e saj gjithandej kah Prishtina, Janina, Mitrovica, Çamëria, Presheva e Dardania, duke shprehur mllefin e saj në ndarjen e padrejtë të trojeve shqiptare, sepse:
“Me Shqipërinë në disa copa
Nuk ka paqe kurrë Evropa”
(“Pse na ndanë”, fq. 13)
Këtë motiv e trajton edhe në poezitë tjera, ku veçojmë disa prej tyre, si: “Vendlindjes”, “Ne jemi një”, “Lirinë amanet”, etj. Kurse motivi i kurbetit gjen trajtim në poezinë “Mall”, ku gjithçka e sheh të hidhur, të dhimbshme dhe me mallin e pashuar për atdheun shprehet: “Këtu as buka nuk ka shije/Shprishet shpirti fije-fije”, (“Mall”, fq. 18)
Përveç dashurisë për vendlindjen, autorja me theks të veçantë i thur vargje edhe nënës, duke e cilësuar “me shpirt margaritari”, tek e cila rrezaton dielli i mëngjesit, pastaj gjen edhe “bukurinë e hënës së plotë” dhe pikërisht fal këtyre bukurive që i takon te nëna, këtë poezi e ka vendosur në fillim të përmbledhjes poetike, duke e cilësuar ndër poezitë programatike dhe njëkohësisht duke e përjetuar si frymëzim për jetë dhe hapjen e rrugës së krijimtarisë së saj. Dashuria dhe gëzimi që sjellin më të dashurit e familjes, e në këtë rast nëna, që nuk kursen asgjë nga vetja e saj për fëmijët dhe lumturinë e tyre, që të arrijnë suksese në çdo lëmi të jetës, tek Arbëresha Gashi vjen si motivuese dhe frymëzim i pashterrur në rrugëtimin e saj poetik. Kjo pikënisje e Arbëreshës vazhdon pastaj nga cikli në ciklin tjetër për të sjellur freski poetike në krijimtarinë e saj.
Ritme rinore nëpër vargje
“Mbretëreshë e shpirtit” është vet krijuesja, ku spikat guximi dhe besimi i saj në jetë dhe me vendosmëri vazhdon të shpreh atë që ndien në qelizat e saj, që ia shtojnë vrullin e jetës. Autorja e sheh më ndryshe jetën, duke i demaskuar traditat kanunore të kohës së kaluar, gjithnjë me vetëbesimin se:
“Unë jam fermër shumë krenare
Bota ma ka zili
Fjala ime pret si shpata
Jam superfuqi”
(“Mbretëreshë e shpirtit”, fq. 21)
Në këtë cikël poezish trajtohen tema nga jeta shkollore, nga koha që “rrjedh si vaj ulliri/M’e çmuar se floriri”, (fq. 25), pastaj autorja i këndon edhe fruteve të përditshmërisë rinore, këngës, dashurisë, çasteve të lumtura rinore, librit, etj. Në poezinë “Ëndërr rinore” paraqitet një fluturim përrallor i imagjinatës poetike, duke bredhur nëpër botë, në gjithësi e në ëndrra të pafund, për të përjetuar buzëqeshjen e diejve, prej nga “Si mysafire e rrallë/ Ëndrra ime e magjishme/ U kthye në përrallë”, (fq. 29). Këto që u thanë më lart i takojmë nëpër vargjet e poezive, si: “Dashuria”, “Lumturi moj lumturi”, “Shkollës”, “Më i shtrenjtë se ari”, etj.
Nuk ka dyshim që jeta i ka edhe anët tjera të saj, përveç pjesës së lumtur, dashurisë dhe haresë. Tema të shumta për dhimbjen, zhgënjimin, lotin, pabesinë, etj. i takojmë të shtjelluara me kujdes e modesti në poezitë e ciklit “Loti flet”, gjithnjë duke ruajtur frymën e besimit se gjithçka i kthehet rrjedhave normale me kalimin e kohës, sidomos në moshën që e jeton autorja, ku ritmet rinore rrahin me pulsin e kohës dhe ndryshojnë në të mirë. Të këtilla janë poezitë: “Dhimbjes”, “Pse s’më do vallë lumturia”, “Dridhet shpirti”, etj.
Edhe në ciklin e fundit “Mendim akull” vërehet një laryshi temash nga jeta e përditshme, nga loja, gëzimet fëmijërore, veset, pastaj për fenomenet natyrore, për stinët, librin e të ngjashme, që pasqyrojnë një realitet të jetuar çdo ditë. Teknologjia moderne ka pushtuar botën, duke arritur që edhe ne të jemi pjesë dhe shfrytëzues i denjë i saj. Madje edhe në viset rurale, ku deri dje kishte vështirësi komunikimi me njerëzit, tashmë thuase ka zbarkuar bota si në pëllëmbë të dorës, falë zhvillimeve të mëdha teknologjike, por këtu Arbëresha Gashi në poezinë e saj “Moderniteti” e ndien më ndryshe këtë arritje, e cila, edhepse krijon mundësi të shumta komunikimi e mësimi, prapseprap i ka edhe të këqiat e saj, ku: ”Na vjedh kohën interneti/Kështu e do moderniteti”, (fq. 55).
Nga e gjithë kjo që u tha dhe ato që do të thuhen nga lexues e vështrues të tjerë për këtë përmbledhje poetike, konsiderojmë se parësore është të potencohet gatishmëria dhe entuziasmi i vazhdueshëm i autores, që, përveç gjetjeve tematiko-poetike, ajo nuk anashkalon edhe veshjen stilistike dhe figuracionin e bollshëm të kësaj poezie, rrjedhshmëria e pastër gjuhësore e së cilës e bën edhe më atraktiv dhe të këndshëm leximin e saj.
Mbase, në mbyllje të këtyre pak mbresave për poezinë e Arbëresha Gashit po citoj këto vargje: “Muza ime më vjen rrallë/Herë si ëndërr herë si përrallë/ Më motivon ajo për të shkruar/Jetën në art për ta kundruar”, të shkëputura nga poezia “Muza ime”, që na bën kurreshtar se autorja do të vazhdoj të sjell edhe shumë krijime të reja me vlera gjithnë më të avancuara, duke na dhuruar edhe shumë përmbledhje tjera poetike.