E hene, 07.10.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Aleko Likaj: Një taksi për macen time

E enjte, 04.12.2014, 08:09 PM


NJE TAKSI PER MACEN TIME

Nga Aleko Likaj

Të dielën e tretë të dhjetorit kishim zënë vend në " Quai de Stalingrad ", aty ku vijnë e takohen tri nga rrugët më të rëndësishme të lagjes sonë në Paris. Ishte një bar i hapur në atë orar afër mesditës, ku shërbehej më pas edhe dreka. Një telefonatë në mëngjes më kishte nxjerrë nga shtëpia nën një qiell gri parisien që breronte pa ndërprerë një shi të imët, si të ishte situr atje lart. Bashkim Alimani, një ish inxhinier që kishte qenë kimist në Shqipëri, më priste përballë, sapo shtyje paksa derën e barit. I ulur qetësisht në tavolinë, gjerbonte një kafe ekspres. Lokali ende nuk ishte mbushur dhe tri a katër tavolina rreth nesh ishin bosh. Kur ende nuk kisha rrufitur për të dytën herë kafen time me qumësht, në derë u dhanë një grup të rinjsh, fytyrat e disa prej tyre m’u dukën të njohura.

- Janë bashkëkombësit tanë, – më tha Bashkimi gati nën zë. - Këtu mblidhen që të gjithë shqiptarët e kësaj lagjeje. Shumica të sistemuar nëpër fuaje si minorenë. Një pjesë tani punojnë, por ka nga këta që merren edhe me atë mallin. Kanë ardhur trokë, por sot nuk flitet me ta. Ta masin kokën me pe. Nuk dinë se ku t’i çojnë lekët.

Kishim marrë përshëndetjet shqip, ku ndjehej një lloj respekti për moshën tonë. Pastaj bashkuan dy tavolina së bashku, ku u ulën të gjithë dhe, pas kësaj, ra sërish qetësia në mjediset e atij lokali, që dukej se kishte muzgun brenda. Dritat nuk i kishin ndezur dhe herë pas here fytyrat e klientëve ishin si të përçudnuara nga një dritë që vinte nga ventratat përballë, pas së cilave rridhte qetësisht Sena dhe hijeshonte në sfond " Ile Saint-Germain" që dukej vetëm si një trajtë e largët anijeje gjigante aty në mes të lumit dhe gati e harruar, e mbështjellë nga një tis i lehtë mjegulle...

Një çast më pas, me sa duket, djemtë kishin biseduar me ata të lokalit dhe kishin bërë porosinë. Mendova për një çast sikur isha në Shqipëri pas atij mjedisi që u krijua aty, duke ndier nostalgji për ditët që kisha lënë pas. Nuk e di se pse m’u mblodh pastaj një gulç brenda kraharorit, që më bëri të ul sytë poshtë. Mbase nga turpi që ata kishin filluar të njomeshin.

- A mund të ulem edhe unë? - tha një zë që më erdhi nga pas. Mendova se na u shfaq ndonjë mysafir në tavolinën tonë.

Në tavolinat pranë lëvizën. Dikush u ngrit në këmbë për t’i hapur udhën të sapoardhurit. Njeriu që u shfaq në krahun tim të djathtë dhe që kaloi pastaj për tek tavolina tjetër ishte një i ri, të cilit nuk mund që t’i jepje më shumë se 18 vjeç. I hollë dhe i përkulur si një kosore, mbante të mbledhur me kujdes në një pelerinë ngjyrë gurkali në kraharor diçka që mua m’u duk si një bebe. Ai na përshëndeti me një “tungjatjeta të gjithëve!”  dhe zuri vend pas karriges së parë në tavolinën fqinjë.

- Qenka vërtetë një klub shqiptarësh dhe të duket vetja sikur je në Tiranë apo gjetkë nëpër Shqipëri, – i thashë inxhinierit që më kishte ftuar për një kafe dhe e vura buzën në gaz, duke ndier një lloj malli për vendin që e kishim lënë pas, gati tri mijë kilometra.

– Nuk paska rast më ideal për t’u takuar dhe njohur me ta.

Bashkimi heshti për një çast:

- Eh, ç’i do! - tha me një indiferencë jo të shtirur tjetri përballë. - Këtu i takoj vazhdimisht të dielave dhe më është dashur që t’i njoh, që të gjithë. Ua di edhe punët…

Natyrisht për mua shumica prej tyre ishin krejtësisht të panjohur, pasi problemet e mia si i saposistemuar në atë qytet më kishin mbajtur larg komunitetit shqiptar. Në tavolinën e tyre u ndie një lloj gjallërie. Hidhnin romuze për një nga shokët e tyre, një djalë shëndetlig, me flokët lart si iriq. I sapoardhuri qëndronte qetësisht në vendin e tij dhe herë pas here përkëdhelte atë që kishte mbledhur si një bebe. Dukej se kishte pushtet mbi të gjithë në tryezat e mbledhura të shqiptarëve, edhe pse dukej për shumicën më i vogël në moshë dhe më i imët.

Një çast më vonë kuptova se " bebja" nuk ishte gjë tjetër veçse një mace gri dhe me pulla të bardha, e cila kishte ftohtë dhe dridhej si një fëmijë. Mbase kishte temperaturë. I sapoardhuri u tha miqve që kishte afër se, "sapo i kishte bërë një banjë në mëngjes". Ndërkohë që biseda për macen ishte bërë në ato çaste si kryetema e ditës, vura re flokët biondë që ishin tërhequr mbi ballë, duke e ekspozuar këtë të fundit në të gjithë gjatësinë e tij. Fytyra krejtësisht e bardhë dhe disa dhëmbë të mëdhenj, që fshiheshin pas dy buzëve të trasha e të fryra, e tregonte djaloshin si një nordik të vërtetë. Ftuesi im i tavolinës më tha se ishte nga veriu, një fshat mes Alpesh. Tre vite më parë ishte rregjistruar si minoren në një shtëpi pritjeje për të vegjlit, diku në hapësirat e një lagjeje periferike të qytetit tonë, më e gjelbëruara.

Me sa duket, biseda për macen në tavolinën fqinje kishte kapur tashmë një kulm. Të gjithë kishin dhënë nga një mendim për shëndetin e saj, sikur të ishin mjekë të vërtetë të kësaj kafshe që dridhej në kraharorin e djalit, që sapo hyri aty.  "Ylli i Shamunaqes", kështu i drejtoheshin ata të tavolinës njeriut me mace në krah, i heshtur nxori celularin. Kërkoi taksi. La adresën dhe përsëri në heshtje e mbylli aparatin për ta vendosur në tavolinë. Ndërsa unë bluaja në kokë për të deshifruar emrin që posa dëgjova. U kujtova se ai ishte i një personazhi të një pjesë me kukulla me temë nga lufta. E shfaqte televizioni ynë shpesh në vitet '80. Natyrisht që Shamunaqia ishte emri i një nëne, Manushaqe, që ishte kthyer me humor dhe se biri i saj debatikas në atë pjesë ishte paraqitur si një personazh jo vetëm trim, por që edhe i përballonte i vetëm të gjitha situatat. Mbase ka qenë kjo e fundit që djalit i thërrisnin me emrin e personazhit. Ku i dihej ? Ylli, zor se dhe ky do të ishte edhe emri i tij i vërtetë. Zakonisht mosha e tij, kur vijnë në qytetet evropiane, ndryshojnë edhe emrat. U pëlqen të jetojnë nën një gëzof tjetri, abstrakt dhe sureal.

Me Bashkimin kishim nisur një bisedë për ngjarjet në Shqipëri, për politikën dhe për ekonominë, që sipas nesh ishte në rënie. Kur u duk se në tavolinën tjetër biseda kishte ngecur, në derën e lokalit u shfaq taksisti. Këtë e kuptuam menjëherë, pasi tjetri rrotulloi vështrimin sikur të kërkonte diçka nëpërmjet hapësirave të atij bari. E pashë që u drejtua nga tavolina e zhurmëmëdhenjve. Pronari i maces u ngrit në këmbë. Largoi me kujdes karrigen dhe u kthye nga i sapoardhuri.

-Dëgjomë mua, – i tha, – kam macen dhe më duhet ta nis për në banesën time, në…18 Avenue Henri Barbuss, pranë aveny "Place Markiz". Po të lë edhe çelësin. Hape derën dhe ma vendos në divanin e sallës së ndenjes, përballë, në fund të korridorit. Mbuloje mirë dhe eja e më sill sërish çelësin.

Taksisti, një afrikan i gjatë e i fryrë, u përkul përpara porositësit dhe zgjati një kartëvizitë, që me sa dukej ishte e tij, dhe pastaj mori macen e mbështjellë me një kujdes, sikur të ishte një fëmijë i sapolindur. Djali lëvizi nga vendi dhe nuk preferoi t’ia dorëzoje aty mes nesh. Dy hapa më tej qëndroi dhe, pasi ia la në dorë, hapi portofolin dhe nxori një njëqind euroshe. Tjetri iku duke e mbyllur me kujdes derën e lokalit dhe gjysmë i përkulur, si për të mos e zgjuar nga gjumi kafshën dhe u zhduk nën qiellin gri të Parisit.

Dhjetë minuta më vonë, ndërsa ne i ishim rikthyer përsëri situatës në Shqipëri, këtë herë duke folur për librat, shkrimtarët dhe lexuesit, u duk se "Ylli i Shamunaqes", që rrinte i heshtur në tavolinën pranë nesh, ngashëreu në një çast. Pastaj nxori një shami letre dhe fshiu sytë, ndërsa shokët e tij vazhdonin që të bënin hoka me shëndetligun qimeiriq. Mendova se duhej të kishte një gjendje të ngarkuar shpirtërore. Mbase malli për Shqipërinë nga bisedat që bënim ne këndej në tavolinën tone dhe që nuk ishte larg nga e tyrja as dhe një metër. Ndoshta për prindërit, të afërmit, shokët dhe miqtë, që kishte lënë aty në atë vend dhe që ndodhej tashmë shumë larg prej nesh në këto çaste. Bëra sikur nuk e vura re dhe u përqendrova te rrëfimi i Bashkimit, që ketë herë duke ndërruar temë, kishte vënë në qendër të rrëfimit të tij një histori për dajën poet, të dënuar nga sistemi që lamë pas. Pastaj tentova të kujtoj ndonjë poezi nga librat e botuara të poetit të dënuar, që në rininë time e kisha pasur për zemër, por nuk solla ndërmend asnjë, ndonëse mbaja mend shumë prej tyre. Librat kishin kohë që ishin hequr edhe nga qarkullimi. Kështu ndodhte sa herë që dënohej ndonjë, merrte me vete nga kjo botë gjithçka, edhe ajrin që kishte lënë pas.

Dikush iu afrua " Yllit të Shamunaqes ", më tepër për ta qetësuar, por ai filloi të qajë me dënesë. U duk se pati një shqetësim te të gjithë ne që ishim aty. Djali qante pa zë dhe supet i dridheshin së bashku me kraharorin. Pastaj psherëtinte duke shfryrë një "uhf", që tingëllonte si një fërshëllimë e mbyllur dalë nga kraharori. E ç’mund të bënim në atë çast? Djali kishte dhimbje. Na erdhi keq.

- Mbase bëmë gabim që folëm për Shqipërinë dhe hallet e saj, edhe pse për ne të ikurit mbetet një plagë e hapur, - tha Bashkim Alimani.

Në derën përballë mbërriti afrikani taksist. Në dorë mbante çelësin e shtëpisë së "Yllit" , si për të thënë menjëherë se "detyrën e kishte kryer". Djali nuk e pa, sepse ishte me kurriz nga dera. Shoku përbri tij i bëri shenjë. Ktheu kokën. Nga pas kishte qëndruar i porsaardhuri. I biri i “Shamunaqes” lëvizi në karrigen gjysmëkolltuk, ku ishte zhytur i tëri dhe ktheu kokën nga taksisti. Sytë i ishin skuqur dhe fryrë njëkohësisht, sikur të kishte kaluar një dramë të vërtetë.

- Faleminderit, por unë… po ndihem keq tani. Nuk di se ç’bën në këto çaste lozonjarja ime, Vika. Më duket e vetmuar atje. Nuk e meriton… - Kaloi kurrizin e dorës së djathtë, duke fërkuar të dy sytë që, mesa dukej, ishin të lëngëzuar. Pastaj fryu bulçitë e faqeve dhe lëshoi përsëri diçka si fërshëllimë nga buzët e trasha gjithë tul.

Taksisti e ndiqte gjysmë i përkulur në shenjë respekti për klientin, duke treguar në heshtje çelësat përpara, pa ditur se si do të reagonte tjetri. Mbase djali që kishte përballë iu duk si një klient i veçantë dhe tekanjoz nga të rrallët që mund të kishte takuar në Parisin e madh shumëdimensional.

- Të lutem, ma merr dhe ma kthe përsëri! Ajo vuan. Vuaaan. Duhet të më kuptosh se ajo vërtetë vuan atje në vetminë e saj.

- Macen tuaj?! – pyeti i çuditur afrikani, që tani kishte drejtuar trupin e bëshëm dhe të ngjallur. - Unë sapo e çova dhe e rehatova në shtratin e saj. - Pastaj tundi kokën me një farë mosbesimi. Dukej si mëdyshas, për këtë porosi të dytë të klientit të tij.

- Ah! – bëri djali, sikur të ishte kujtuar pastaj për diçka dhe nxori portofolin nga xhepi i brendshëm i xhiboksit blu. I vuri një njëqind euroshe përsëri në dorë taksistit, duke i bërë shenjë që të nisej "pa humbur kohë".

Këtë herë dukej se ishte nxituar disi. Ndërsa afrikani me trupin e ngjallur kaloi portën, "Ylli i Shamunaqes" rrëkëlleu menjëherë gotën me xhin, që ia dha shoku që kishte pranë si për ta sjellë në vete dhe pastaj lëpiu buzët e trasha e të dala jashtë. I bëri shenjë kamerierit dhe i dha urdhër që të sillte edhe për të tjerët nga një xhin.

Më duhej të largohesha. Kishin filluar të shtronin tavolinat për drekën. U ngrita dhe, pasi thashë, "çuna, mirupafshim!", dola në shesh. Ngrita sytë në qiellin gri dhe atje larg, si një vegim, dallova majën e Ejfelit. M’u duk se kishte ftohtë. Mërdhinte. Frynte erë. Binte shi i imët Dhjetori…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora