Orizi kinez
Kujtimit të
Enver Dragotit
Tregim
nga Përparim
Hysi
Qe ditë e
dielë dhe, sado që e kishte ditëpushimi, doli heret nga shtëpia. E kishte
lodhur ajo puna rutinë në zyrë ( tërë
jetës mbyllur brenda), dhe e kishte vendosur: do kënaqej duke lozur tërë
paraditen domino. Zakonisht, shokët e lojës mbrrinin pas orës 8-00, po deri sa
të vinin ata, e gjerbte ndonjë filxhan
kafe në një nga klubet e afërta dhe,
pastaj, fillonte beteja. Sa u bë gati që të mbyllte derën, dëgjoi zërin e së
shoqes: - Enver,- foli ajo,- meqë po del, bli 1kg oriz se do bëj speca të mbushura. Po shiko: orizi të jetë oriz vendi,
se ai është i shijshëm. Tek dëgjoi porosinë e së shoqes, as që i erdhi mirë,
por më nuk u kthye brenda dhe zbriti shkallët e katit të dytë, pothuaj, me një
frymë dhe u lëshua që të merrte orizin. Tha me vete: dyqani dy hapa është që
këtu. E ble orizin dhe, si e çoi në shtëpi, e kam hequr samarin nga kurrizi.
Gjerbi kafenë dhe frymën atje: në "fushëbetejë". Sa u përcoll dhe me katin e parë, sytë në
ishte hapur dyqani a jo dhe, tek bëri këmbë për andej, doli një i njohur i tij
i vjetër. I njohur, por i "ftohur" qe ky dhe xha Enveri (se moshatar
dhe në pragpensioni qe) as që donte të takohej me të, por, në fund të fundit,
vrarë e prerë nuk qe. Vrarë e prerë nuk qe, por Enver Dragoti nuk e harronte
dot atë që i kish punuar ky që i doli, ashtu si
befas, sot kur xha Enveri nxiton për ta hequr atë të shkretë "samar".
Ky, miku i beftë, është Nashua me të cilin xha Enveri njihej që
nga vitet e para të pasçlirimit. Punonin tok në komitetin ekzekutiv të rrethit
dhe që të dy jetën e partisë e bënin në një organizatë. Se komunist qe xha
Enveri, po komunist ishte dhe Nashua. Po ku komunisti Enver Dragoti dhe ku
një komunist si Nasho Petraqi. Ndërsa për xha Enverin kishin respekt të gjithë
ata që e njihnin, për këtë, Nashon, sa e shihnin, ose ulnin kokën ose i bënin
bisht, se nuk donin që t'i shihnin sytë. E sa për atë "proçkën" që i kish bërë Nashua, kjo kish ndodhur larg e larg në vitn 1953. Kish vdekur Stalini dhe kryetari i
komitetit i kish thënë Enverit (asi kohe Enver
Dragoti qe sekretar i komitetit ekzekutiv) :- Dëgjo, Enver! Do shkosh zyrë më
zyrë dhe do lajmërosh punonjësit që të lënë zyrat e të shkojnë në shtëpi, se do
bëhet pushim se ka vdekur baba Stalini. Shkoi Enveri dhe, tek punonjësit po mbyllnin zyrat, një
nga zyrtarët ia dha të qarës.
Ore,- i tha Enveri,- ç'ke që qan? Po ja,- qaravitej zyrtari,- ka
vdekur baba Stalini.
Ka
vdekur, baba Stalini,- përsëriti fjalët e punonjësit Enveri,- por ç' e kishje Stalinin ti baba apo xhaxha?!!! Nashua i dëgjoi në ligjëratë të drejtë
fjalët e Enverit dhe, pa u ftohur pilafi, drejt e tek kryetari:- Jo kështu dhe
jo ashtu. Kryetari që Enverin e donte ( që të dy qenë fis bejlerësh që qenë
bashkuar me komunistët), bëri sikur nuk
i dëgjoi jargavitjet e Nashos, por për ta rrahur hekurin me të nxehtë, bëri një
rrugë e dy punë: i thirri që të tre në zyrë dhe iu drejtua punonjësit:- More
ky, Nashua, më tha kështu-kështu për Enverin, është e vërtetë a jo? Punonjësi
qe burrë i ndershëm dhe duke i njohur dhe Enverin dhe Nashon, diti të ndante
shapin nga sheqeri. Ia zbardhi faqen
Enverit dhe ia nxiu Nashos. Ky i fundit, pasi u fshikullua mirë e mirë nga
kryetari, mend e bëri gjak buzën nga e keqja. Tek po linte zyrën e tij,
kryetari i tha:- Beu i Dragotit, mos loz më me zjarrin se do digjesh.
* * *
Ja kështu
iu kujtua ajo ditë e premte e vitit 1953. Tani xha Enveri është nëpunës kuadri
në një ndërmarrje dhe ky, Nashoja, punon në "firifistun". Është nga "ata" që të ngjitin
"flamën" edhe po t'i takosh rastësisht dhe jo, kështu, si po i ndodh
sot xha Enverit.
-
Mirëmëngjes, Enver!- përshëndeti Nashua.
-Mirëmëngjes,-
ia ktheu Enveri.
-Paske
dalë që në sabah,- tha Nashoja.
- E, më
porositi imeshoqe, që të blej 1kg oriz.
- Po vij dhe unë,- tha Nashoja
-Po hajde. Se mos do të mbaj në
kurriz,- ia ktheu me shpoti Enveri.
Shpejtuan
këmbët dhe frymën në dyqanin e ushqimeve.
- Ke
oriz?- pyeti Enveri.
-Kam,-
tha shitsja.
-Më bëj
1kg, po të jetë oriz vendi.
- Xha
Enver,- foli shitsja,- nuk kam oriz vendi. Vetëm oriz kinez.
-Jo, jo,-
ia preu Enveri,- nuk dua oriz kinez.
La atë
dyqan dhe o burra diku në dyqan tjetër. Edhe atje vetëm oriz kinez. Xha Enveri
po nervozohej: le oriz vendi nuk po gjente, por dhe dominotë po i merrte dreqi.
Hajde tani dhe bjeru kryq e tërthor lagjeve për të gjetur atë të shkretë oriz
vendi. Nashoja po nuk iu nda. Nuk të lë vetëm,- tha. Pastaj, i ngeshëm jam,- u
mbrojt ai. Që mos bëhem i bezdisshëm pr lexuesin, xha Enveri, i mori dyqanet që
kish qyteti me radhë dhe asgjëkundi nuk gjeti oriz vendi.
Kinezin nuk e begenisi sipas
porosisë të së shoqes, dhe, tek po
kthehej i lodhur për në shtëpi, u nda nga "flama" i nxheur dhe as i
ktheu sytë nga ata që loznin domino. Ngjiti shkallët tërë nerva, iu zbraz së shoqes që njëherë nuk
ia hoqi samarin nga kurrizi, i tha:- Mos ngrënçë orizin e vendit që më le pa domino! U mblodh kutullaç
atje mbi divan dhe qe hundë e buzë.
* * *
E
nesërmja e gjeti në punë dhe, mbyllur atje mbi dosjet e punonjësve, ndjen zilen
e telefonit që bie. E ngriti dhe sa dëgjoi zërin e kryetarit, e njohu.
Enver-bej,- shpotiti zëri i tjetrit,- lëre "çifligun" dhe urdhëro tek
zyra ime. Xha Enveri e mbylli zyrën dhe u nis drejt e në komitet. E kishte marr
malli për mikun e vjetër dhe një rrugë e dy punë: edhe të çmallej, edhe të
merrte vesh pse e kish thirrur. Trokiti dhe, kur hyri,
pa që miku nuk qe në "ujëra" të mira.
Ore,- i tha kryetari,- mos të ka
ardhur ngordhja? Ç'ke ti që shan kinezët?!
Xha
Enveri. në vend që të shpjegohej, tha:- Ah, Nasho Petraqi! Ah, Nasho Gjarpëri!
Prandaj m'u bëre rrodhe dje tej e tej dyqaneve të qytetit!
Pse?- si
është puna, kërkoi të sqarohej kryetari.
Xha
Enveri i tregoi fill e për pe se si qe "sharja" për kinezët.
Kryetarit i erdhi mirë që "sharja" kish qenë vetëm trillim dhe, pasi e
uli xha Enverin që të qetësohej, i ra telefonit. Urgjent,- urdhëroi ai,- për
dhjetë minuta Nasho Petraqi të jetë në zyrën time. Nasho Petraqi i ngjiti me
një frymë shkallët e komitetit dhe sa trokiti në derë, dëgjoi zërin me ton të
lartë të kryetarit, hyr! Hyri dhe kryetari, sa e pa, iu lëshua: - More ligavec!
Tfu! Po kështu gjete të hashë bukë ti,
duke zhbërë fjalët dhe, gjasme, ka sharë
kinezët. Këput qafën dhe të mos ta shoh bojën më! Turp dhe atyre që u besojnë
"proçkave" të tua. Nasho Petraqit iu duk sikur iu hap dheu para
këmbëve dhe humbi shkallëve.
* * *
Po deles së zezë i ngjiten rrodhet.
Qemë prishur me kinezët dhe Xha Enveri kish
dalë në pension. Qe me grip dhe, tek hyri në klub, i thotë banakieres: -
Shiko, moj nuse e xhaxhait, më bëj një çaj, po të jetë pak e fortë.
Xha
Enver,- tha banakierja,- çaji është kinez!
Ah, m'u
bëftë mu në grykë,- mallkoi xha Enveri. Prapë me kinezët. Le të vdes dhe nuk e
dua,- i dha dum.