Kulturë
Qazim Shehu: Vijë horizonti
E merkure, 03.12.2014, 06:42 PM
VIJË HORIZONTI
QAZIM D. SHEHU
Vijë e horizontit mbërdhin,
Në klithjen e një zogu;
Fshikull mbi kurriz malesh hijen shtrin,
Vetëtimë e pambrojtur.
Me dritë të largët të na gënjejë,
A pamundësia e hareshme,
Malet të kapërcejë.
Shkop kërcënues në duar fati,
Dikush atë vuri,
Edhe pse bataliona fjalësh
I kthen në zogj të hutuar.?
Ndoshta për këtë është krijuar…
KAFAZ
Për Ezra Paund a ishte e drejtë,
Për një vajzë përse duhet,
Pse për bilbilin e të madhit Mjedë,
Kafazi thuret?
Shfryej zemërimin si në shi, përrenjtë,
Dhe s`e gjej që s`e gjej
Pse
Në kafaz të mbyllen
Të dobtit dhe të mëdhenjtë,
Liri marrin maskarenjtë…
BREGU
Shpatull gjigandi që iu pre koka,
Bregu.
Ia pret valët lumit me hopa,
Nën diell teshtin.
Lumi i vërtitet, nuk e arrin,
Shpatullën e tij mitike,
Shekuj i rrëfen dashurinë,
Ai kërkon kokën që dikur kishte……
EMBLEMË
Emblemën që duhej të mbanim,
Na e vodhën mbretërit,
Na mbeti vetëm emri jonë,
Vënë nga etërit.
Tani s`dimë ç`të bëjmë me emrin tonë,
E ngremë me një vështrim të qorruar,
U harruan...
PORTRET
Ditët rrotullohen,
Vihen në radhë,
Potreti yt trishtohet,
Pulbardhë.
Në rrotullim e kam të vështirë,
Pikën të gjej ku të ndaloj,
Mund t`i radhis ditët sërë sërë,
Rrëshqjet portreti yt
Si drita që pa e parë agoi…
I LIGU
Brenda fjalës së mirë punon i ligu,
E ëmbëlson atë si karamele.
Në sytë e tij gjysmë të fikur,
Merr stuhi një dredhëz ere…
GJURMA
Mbi gjurmë të vjetra gjurmë të reja,
Rruga, libri ,mban.
Mbi një re të tretur shtrohet reja,
Për të parën duket sikur qan.
Mbi një shtresë vihet një shtresë,
Fryn era, të vjetrën zbulon.
Mendtë prej kokës të ikin për besë,
Kur për të vjetrën gjurmë e re firon…