Kulturë
Qazim Shehu: Kreshta
E hene, 24.11.2014, 08:15 PM
KRESHTA
QAZIM D. SHEHU
Bien kambanat e kreshtave mbi male,
Me tinguj drurësh të ngrirë,
Fyejt e barit në livadhe,
I shprushit një mall i lirë.
Si sfungjer mbajnë një re,
Thith tingujt e barit,
Në majë vështrimesh lodrojnë,
Kambanat e mallit…
TRILL
Çukërmimin e kalit tek dheu i shprishur
Ëndërrova.
Ç`kërkonte ky kalë prej tokës,
Mos dashurinë që zbriste jehonës?...
NISJE
Rrëzohet heshtja në supe tingujthyer,
Angullima e qenit shqyen fytin e agimit,
Diku po buron një ngjizje e papëlqyer,
Ditën do ta kemi të përkryer…
SHTEGTIM
Lodhur nga shtegtimi i gjatë midis rrugëve pa mbarim,
Eci.
Asnjë rrugë s`e kam përkryer.
Gishtat e diellit me mjaltë dëshirash,
Ngjyej.
Nuk e di në cilën skutë do i plagosë ato gishta,
Mbase aty ku kutërbojnë pamjet e trishta...
PËR NE
Mbi kokën tonë hapet qielli,
Zog i ngrirë në fluturim, dielli
Për dashurinë tonë ndrin,
Udhët e kryqta verbon.
Për ne ,tokën me rreze shpon,
Ta gjejë ku guduliset më shumë,
Hapin tonë mos verë në gjumë…
KORDË
Pa pushuar bie hija e trazuar,
Lëkund thumbin e një kambane,
Dhe i vë një kordë të shtuar
Me një britmë zane.
DY-ZI..M
Marramendje ndjej, vrik çohet,
Një zë i brendshëm.
Hija e trishtimit vërtitet,
Skajit të rrejshëm.
Të hedh një hap në hije,
Josh ajo me terpri,
Në anë të kundërt të shtrihem,
Drita më aty s`rri.
LUG
Lugut të mundimit pikoi djersë e kotë.
Ec tani dhe përfytyro turbinat.
Kanalet gjigande që mbushen të plota,
Mundimit të tokës i mblodhën shirat.
E verdhë hëna, e verdhë xhelozia.
Pyjet në vjeshtë të verdhë mbeten.
Hëna, vjeshta, xhelozia, të tria,
Pështyjnë të verdhën dhe vetveten…