E marte, 10.12.2024, 12:43 PM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Përparim Hysi

E marte, 18.11.2014, 06:54 PM


Përparim Hysi

 

Në mbetsha këndej pari

 

Në mbetsha këndej pari ku më solli krejt, rastësia,

Jo. Kurrë s'më ikën malli.  Malli i vendit: Shqipëria.

Se për natë më del në ëndërr, gjumë nuk fle aspak rehat

Më regëtin e shkreta zëmër dhe nga malli jam "sakat"

 

Se më grryen mua keqas malli, ndaj po mpakem, po firoj

Dhe, në mbetsha këndej pari, Shqipëri, nuk të harroj.

 

 

Ankesa e një "lyrashi"

 

Një "lyrash" nga ata  të "fortët" po ankohet:

-Policia e ka dhunuar padrejtësisht?!!!

Në komitetin e Helsinkit drejtohet:

-Ç'është kjo sjellje policësh, harbutërisht?!!!

 

Arsyet e "dhunës" lyrashi nuk i tregon

(Ngjasme u dhunua fare kot!!!)

Se çfarë "hyneri" bëri... veç gulçon

Helsinki, për çudi, lyrashin mbron.

 

"Lyrashi" kapërdisur mbi "Bens" demonstron forcë

(Një zonje ia bëri kostumin të tërin baltë)

Ndaj dhe policia ndërhyri dhe e mori "osh"

Këtë lyrash që emrin e ka bajgë.

 

Unë nuk e kuptoj fare komitetin e Helsinkit

Që merr nën mbrojtje këto "specie të veçanta"

Kundër tyre dhe forcën dhe ligjin

Se, ndryshe, do na hipin kaliqafa.

 

 

"Vrasja" e Shekspirit

 

E pashë Shekspirin në Irak, të "vrarë"

E pashë në një bibliotekë në Bagdat

Dy plumba  në sytë dhe një mu në ballë

Të vrasësh Shekspirin a nuk bën mëkat?

 

U derdh anarshia mbi tufën me libra

Portretet që gjetën, i qëlluan me plumba.

Turmat si turmat: si ujqit duan dimra

Të vrasësh Poetët sikur vret pëllumba.

 

Pse nuk i ndaluan në vrullin e shplarë

Lejuan  që të prishnin gjithçka me vlerë

Kur pashë Shekspirin ashtu, të vrarë

Anarshia dhe turmat më sjellin të vjellë.

 

 

Opopo si qenka jeta

 

Opopo si qenka jeta!

Ka përpjeta, tatëpjeta.

Je i ri dhe ke fuqi

Të do gruaja e fëmijë.

 

Më pastaj, më pastaj

Mos pandeh se është kollaj.

Në u plake,s 'ke gjëkafshë

Ik, zhduku! Mbathja! Marsh!

 

Mos kujtoni se po shtoj

Është kështu(shumëkush provoi)

E çuditshme qenka jeta

Të shikojnë veç nga kuleta.

 

Në s'ke gjë në kuletë

Nuk ke vlerë dhe je për ibret.

Në mos do që ta pësosh,

Mos e mbaj kuletën bosh.

 

Jeta është veç interes

Është si farsë me disa pjesë.

Asgjë s'shpik, me sy e shoh

Se unë shkruaj për ç'ka dhe njoh.

 

Le ta kesh dhe kokën plot

Asnjeri s'të njeh për zot.

Respektohet veç kuleta

Ja, kështu, është e vërteta.

 

Mblidhe mendjen dhe kurse!

Nesër mos bësh "olele!"

Sidomos në pleqëri

Do të duhet, o njeri!

 

Tash e thashë dhe e mbarova

Jetë, moj jetë, të provova.

Po t'më pyesni si shkon jeta?

Djalë e vajzë është veç kuleta.


 

Sepetja me vargje

 

E hapa sot sepeten e vjetër

Dhe gjeta në të fletore me vargje

Më duket sikur kam qenë tjetër

Më duket sikur nuk jam nga kjo "lagje?!"

 

Zakonisht, kam shkruar për dashurinë

Sikur të kem lindur në "Ditën e dashurisë"

Nëpër fletkat e verdha qëmtoj poezinë

Dhe zë mbresohem prej nostalgjisë.

 

Se dikam të shkruaj dhe ndryshe

Në fletkat e zverdhura e shoh

Dhe të më besoni: pa si e qyshe?

Mbresohem  dhe  zë nxier ndonjë "oh!"

 

Eh, moj sepetja ime e vjetër!

Që mbushur qenke me vargje

Unë jam dhe nuk jam tjetër

Gjykojini, por ju lutem: jo tallje!

 

Kam shkruar ashtu si kam ndjerë

Dhe nuk luaj nga "istikami!"

Kanë apo nuk  kanë vlerë

Varet nga ju: veç vargjet mos m'i shani!

 

4 nëntor  2014

 

 

Sa vende të bukura që ka bota!

 

Sa vende të bukura që ka bota

Ku dora e njeriut ka bërë mrekullinë

Dhe nuk ke pse u futesh hamendësive të kota

Dukesh se përpara ke  magjinë.

 

S'do mend. Prekesh e mbushesh shend

Sado negativist e nihilist mund të jesh

Por mua mendja më rri veç tek imi vend

Dhe them:- Jo. Më të bukur vend s'mund të gjesh!

 

Le ta braktisë këtë vend kush të dojë

Kurse unë, vetëm atje dua të jap frymë!

Ta dini: vendin tim me asgjë nuk e ndërroj

Mbi gjithë bukuritë që ka bota, unë vë Shqipërinë.

 

Florida, 29 janar  2003

 

 

Nuk shoh dot njeri të brengosur

 

Nuk e di, po nuk shoh dot njeri të brengosur

Sa e shoh, më kap dëshira që brengën t'ia heqë

Me hallet e të tjerëve, shpesh jam "nakatosur"

Dhe ka ndodhur që ta kem pësuar dhe keq.

 

Natyrisht, unë nuk kam shkopin magjik

Që sa ta prek dhe ndodhi mrekullia

Por brenga e tjetrit më bën aq nevrik

Sa zë e qahem tek vet Perëndia.

 

Duket se më tepër ankohem se sa qahem

Se nuk shoh dot njeri të brengosur

Mundohem ta ndihmoj, nga halli i tij s'ndahem

Kështu mendoj këtë jetë kam për ta sosur.

 

Florida, 29 janar 2003

 

 

Nuk më pëlqen

 

Nuk më pëlqen që të ha në një restorant luksoz

Ku takëmet janë të gjitha të argjënda.

  pëlqen më shumë një tavernë që tymos

Se aty gjej gatime siç m'i bënte nëna.

 

Në restorant luksoz jam si zogu ndër leqe

Se bëhem nervoz,se kërkohet politesë

Jam si një elefant në një pallat me qelqe

Se dhe për të ngrënë, u dashka "licencë"

 

Florida, 30 janar  2003

 

 

Bosh

 

Boshësia më tramaks

Neveritëse zbraztësia

Gati të pëllcas

Po s'shkrova dy vija.

 

Një ditë të mos shkruaj

Qoftë dhe dy  rreshta

Ta dini që vuaj

S'më rri mirë "kapela"

 

Të shkruarit çdo ditë

Më është bërë si shok

Lexues! Mos u çudit:

- Pa shkruar, jam "ulok!"

 

 

Poetët hermetikë

 

Poetët hermetikë që kam njohur në kohëra

Ma mbushën kokën me shumë të "panjohura"

Sikur nuk lexoj poezi, po sikur bëj  algjebër

Dhe ngjajnë si "Ufo",ardhur nga planet tjetër.

 

Lexoj poezinë e iks poeti

Dhe zë e bëhem pak "rrëmujë"

Se ndodh si me punën e atij mullirit:

-Mirë mulliri është prej ere,

Po nga i vjen ujë?!!!

 

Florida, 1 shkurt  2003


 

Ti  je gjithmonë mes nesh  *

 

( poezi jubilare)

 

In memoriam, Riza Lahit

 

Ti je gjithmonë mes nesh,

O i bukuri, RIZA LAHI!

Në se sot e shkruaj këtë vjershë,

Më dhëmb shpirti, më dhëmb xhani.

 

Jam i tëri mbushur dhimbje

Se ti ike krejt papritur

Kam  një pyetje pa përgjigje:

- Pse të gjithë jemi goditur?!

 

Ikja jote- tramundanë

Na goditi mu në shpirt?

Kush nga ne harrron Rizanë?

Si ai, kish altruist?!

 

Veç ai qe shend e verë

Sa humor! Ç'hokatar!

E kujtoj  me shpirtin vrer

Nesër do ta shoh të gjallë !!!

 

Nesër- mbrëmja jubilare

Salla plot miq dhe shokë

A mund t'i mungoj asaj salle

Riza Lahi në bashodë?

 

Për atë enkas do mblidhemi

Se për të na  ka marrë malli

Në se doni që ta "shihni"

Aty gjallë do jetë Riza Lahi.

 

Tërë jetës përmbi libra

(vet i shkroi tridhjetë e pesë)

Nëpër libra përzë dimra

Nëpër libra: gaz e shpresë.

 

Gaz e shpresë qe mbushur vet

Gaz, humor në tavolinë

Mbeti veç mbi biçikletë

E përbuzte pasurinë.

 

Pati një shpirt prej kurbati

Mes kurbatëve kish "limer"

Riza Lahi qe shpirtmjalti

Për kë  vallë nuk u bë diell?

 

Mu atje, tek ministria,

Bëhet mbrëmja si homazh

Për ty Riza Lahi- BUKURIA

Kushdo do lërë një mesazh.

 

Unë e thashë fjalën time

Me sa munda, miku im!

Zemra-copë e thërrime

Flama lotin që më shkim...

 

* e kam shkruar enkas për mbrëmjen jubilare që organizohet nesër më 16 tetor në një nga sallat e Ministrisë së Kulturës.

 

Tiranë, 15 tetor 2014



Halli

 

Halli! Ma kalli: fala plaçkë e shtëpi

Nga halli të lashë, e ëmbla Shqipëri!

Halli! Ma kalli. Jam larg nga miq e shokë

Halli? Ma kalli: nga xhepat jam trokë!

 

Nga halli po jetoj si të jem i vetëm në një ishull

Halli? Ma kalli: vazhdon të më "rrahë" me fshikull!

Dhe nuk është për t'u çuditur: vazhdon të më rrahë akoma

Halli si varri! Të ngrëntë, o hall, zezona!

 

 

Kaseta

 

Pashë një kasetë me këngë të vendlindjes

Më llamburiti shpirti si pema e Krishtlindjes!

Dhe u përtëriva, u bëra krejt i "ri"

Se me trup e shpirt qeshë në SHqipëri.

 

U riha, besomëni: kush thotë që jam plak?

Më rihu kaseta; ndryshoi imi gjak.

Zura, shoqërova këngët një dhe nga një

Ke parë si një fëmijë qava, por pak nën zë.

 

 

Kurbeti

 

Kurbet,

Rrëmet,

Kiamet!

 

Kurbet! Kush të shpiku, e pagoftë me kokë!

Se ti  je rreziku që rrënon një komb!

Ashtu si erozioni që zë dhe "ha" tokën

Ti zë ha një komb dhe i sjell kobin.

 

 

Statuo quo

 

As jam tretur as jam ligur, por jam trashur dhe dhjamosur

Veç nga koka unë jam  thinjur dhe nga mendja jam "djallosur"

Domosdo kështu do ndodhë, se nga vendi im jam larg

Shkon çdo ditë e më "lodh", shkon çdo ditë e shpirti plagë.

 

Dhe mërzitem, s'ka se si? Jam pa miq e jam pa shokë

Më mungon, moj SHqipëri; ndaj dhe zemra m'u bë copë.

Dhe stresohem, dhe stresohem ( tunjatjetës ia kthej:plaç!)

Nga mërzitja,sa s'tërbohem ( helm ka zemrën, po t'ma çashë?!)

 

* Apel të  emigruarëve të moshës së tretë

 

Janë shkruar në Florida në vitin 2006

 

Tiranë, 10  tetor 2014

 

 

Ç'të kujtoj më parë nga  ti?

 

Ç'të kujtoj më parë nga ti?

Amali!  Amali!

Të kujtoj dy  sytë e zi

Amali! Amali!

Apo gushën farfuri

Amali! Amali!

Buza jote si qershi

Amali! Amali!

Më fanitet yti gji

Amali! Amali!

Dhe zë ndiej nostalgji

Amali! Amali!

Ku do jesh (s'e di tani)

Amali! Amali!

Këto vargje janë për ty

Amali! Amali!

 

 

Portret me vargje

 

Tek ti  vështroj një atmosferë brishtësie

Si të jesh gati për një vallëzim të gëzueshëm

Je e freskët, lozonjare: mbuluar kënaqësie

Ke një portret për këdo të tundueshëm.

 

Mjekrra me majë e buzët e holla

Sytë i ke të butë me çikla blu

Këdo, kur të sheh, zë e "mbyt" kolla

Sa dhe unë , i moshuari, bëj "ububu!"

 

Nuk është ububu frike, por ububu gëzimi

Në ata sy fshihet një dëshirë për t'u "vërejtur" nga të tjerë!

Ndaj e humbi fillin edhe Përparimi

Se mendja dol nga burgjia e u bë erë...

 

 

Ftesa

 

Ti më fton që të puth

E të gjej limer tek ti

Për andej unë ka  marr  "rrugë"

Prandaj, pritëm dashuri!

 

Gjej "limerin" e zë  shtrihem

Aty shtrihem gjer e gjatë

Nga "limeri" unë nuk nginjem.

Ende "bukën" s'e ha thatë.

 

Veteran në dashuri

Prej aq kohësh kam"licencë"

Eh , moj qene pleqëri!

Që s'më lë për "audiencë"

 

 

Për pak humor

 

I them një moshatareje: të dua!

Ajo zë e më sheh me dyshim

Ke qejf që të mbresh "qetë" me mua?

Jazëk.- më thotë,- mor Përparim!

 

Po ti,- vazhdoi,- tani je gjysh

Pa unë si dhe ti jam gjyshe

E di, i them, që jam babagjysh

Por të dua dhe s'ka as  si a qyshe?

 

Dhe nuk ka nevojë për pasqyrë

I thashë moshatares që "dua"

- Pula plakë supën e bën më të mirë!!!

Pa zu qeshi moshatarja  me mua.

 

Ja, kështu, zëmë  bëjmë humor

(se kot  nuk thonë që jam "shakaxhi?!"

Iku koha jonë për amor

Dhe "rihemi" tani, në pleqëri!

 

* Çdo përkim emrash apo aludim është vetëm rastësi.

Tiranë, 22 shtator  2014


 

Dy   sy

 

Dy sy përballë: gati më "përpijnë"

Më hëngrën të gjallë, mua qingjin "kërthinj"

Kërthinj me thinja, shtatëdhjetë e një

Po lëshoj "shkëndija?!"( nuk besoni, ë?!!!)

 

Turp nuk kam fare (e  ha unë me bukë)

Shoh një sylarme, (eh, sa më ka dukë!)

Faj nuk kam unë, ma kanë të dy sytë

Po më zë  me shkumë, m'u liruan burgjitë.

 

Dhe zë i afrohem sikur nuk kam mëndjen

Për ç' t'u përgjërohem që s'e zotëroj gjëndjen

E humbas nga sytë, moshën e harroj

Bëhem si i dytë: pse më "hëngre", moj?!!!

 

 

Helena  ime

 

E ç'ishte Helena e Trojës që futi në luftë dy shtete?!

Para teje, moj Helenë e Topojës që të desha sefte?  *

Se më kishe nur e sharme,sa më ngrite mua avadan

Për ty, mëndja në "alarme" dhe shpërtheja si vullkan.

 

Sytë i kishe të kaltër, të kaltër ashtu si një qiell pa re

Unë,atëherë, ashik i varfër, të ndiqja pas si manar, se

Se me ty më kish zënë qymyri (eh, se sa i gëzuar qeshë!)

Të kujtoj unë, kokëthinjuri, kudo që, moj Helenë, të jeshë

 

*Topoja- fshat në zonën e Semanit

 

 

Erdhi një mbresë

 

Erdh një mbresë dhe më kapi

Dhe më tundi, dhe më shkundi

Plagë të re kjo mbresë më hapi

Por më dhëmbi si plagë plumbi.

 

Se më çoi, tutje në vite

Se më çoi në kohëra djali

Kur unë ndiqja pas një "vide"

Në e ndiqja, veç nga malli.

 

Qe një "vide" si ftujake

Që më shtinte mua çika

O moj mbresë që erdh më kape

A e di ku më është "vidja?!"

 

Kujtoj kohën kur e kapa

Atë "vidë" me aq sharme

Ja, tani, m'u mais "plaga"

Dhe zë ngrihem në alarme.

 

Nga një mbresë marr përpjekur

Kohë e largët  me vjen afër

Dikur merrja gjak në vetull

Tani  jam ashik  i varfër.

 

 

Shtrirë

 

Shtrirë je... ke kohë që pret

Po Çeçua ka biçak!!!

Pse mos e mendon të lehtë,

Të bëj si një çunak?

 

Mesazhi erdhi, s'e mohoj

( Tani ka "kollajllëk?!")

Po fare lehtë skuqesh me bojë

Fare lehtë, të thonë:- Jazëk!

 

Dëshira e madhe,e vogël mundësia

Sado  që malli është reciprok

Oh, është e "lexueshme" dashuria

Dhe s'ka nevojë për horoskop.

 

Nga dëshira tek mundësia

Në mes është një det i tërë

Kur reciproke është dashuria

Çdo pengesë nga koha zhbërë.

 

shtator   2014

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora