Kulturë
Qazim Shehu: Dhimbje për një qen
E enjte, 13.11.2014, 07:09 PM
DHIMBJE PËR NJË QEN
QAZIM D. SHEHU
Aq i drobitur, sytë e tij janë shuar,
Veshët lëviz, fuqi të lehë s`ka,
Jetën prej qeni tek vuan,
E shoh si më do, më vjen të qaj.
Afrohu, dhe nëm putrën tënde,
Ashtu si Esenini qenin e ftoi,
Vetmia e mbështjell këtë mbrëmje,
Me krahë palloi.
Ndërsa ngjyrat e tij s`i shoh në të,
Shoh vetëm errësirën që vërshon,
Rërë që hidhet pa zë,
Tym që harbon.
Kështu i dashur, të shoh e të shoh dhe,
Ç `më thua me syte e tu?
Jetën prej qeni duke lehur me inat,
Kockat që ckërmite,falenderimet e pakta
Prej njerëzve që të gjuajtën me shqelm,
Jeta jote shkoi shërbim dhe helm…
RAPORT
Nga një trëndafil dhe një vetëtimë
Ngjyrën e kuqe ne marrim,
Kështu e bukura me tmerrin rrinë,
Ndjenja të përziera na falin.
Jeta skajohet mblidhet në qendër,
Në skaj ik kur do,
E brishta me të egrën përzihen dendur,
Dhe ndahen herë herë me zor.
Në ngjashmërinë e ngjyrës mund të përfillësh,
Ratësinë e vjedhur të saj,
Prej një trëndafili mund të rilindesh,
Me zjarr vetëtime ta djegësh pa faj…
TELEFONI
I vetmi shok që më kupton
Kur s`jam në ndonjë zemër,
Ul veshët dhe përgjon,
Hapin e emrit.
Kur hapin ndjen, tundet,
Kuti hedhur në det,
Të gjejë në breg një njeri.
Indet e numrave drithmojnë,
Shkrofëtijnë zile të ngrohta.
Numra rreshtohen në ekran,
Përmes tyre,
Ndjej si u skëlqen
Retinë e syve…