E premte, 11.10.2024, 01:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Pak dhè të shkriftë

E marte, 11.11.2014, 09:40 PM


Nga Fritz RADOVANI

PARANDJENJË...E  MIKUT  TIM...

 

Poezi nga: DANIEL GÀZULLI

 

PAK  DHÉ    SHKRIFTË

 

Nesër,

mbi rrasën e varrit tim

me shkronja të derdhuna lè të shënojnë

emën e mbiemën,

asgja ma shumë.

Datëlindja? Kush e di, asht tepër e largët,

dhe nëse ndonjeni do të pysë:

Rron apo ka vdekë?

Mos u nxitoni të përgjigjeni.

 

Përse të mundoheni më kot

të shkrueni ma shumë?

Përse të shprehni dhimbshuni?

A nuk kisha unë edhe me vdekjen feeling?

(Ndoshta ndonjë kalimtar

për tek varret e të tijëve

do të lëshojë edhe fjalë të jargëta, ani.

Do të thotë se isha pijanik, bie fjala,

po askush s’ do ta besojë po të thotë

se edhe për atë

nuk ndjeja dashuni).

 

Unë as që e kërkova atë rrasë të lëmuet.

Do të kisha preferue

mbi varr të kisha dhé të shkriftë

ku të harbonin lulet.

 

Rrasë të lëmuet lè të kenë

ishdrejtori i Bankës,

kryebashkiaku im,

gjyqtarët, të gjithë;

ata do të kenë lanë patjetër diçka

që të afërmit t’i shpenzojnë pa kursim;

çfarë lashë unë,

veç katër-pesë librave,

të papaguem endè plotësisht?

 

Lè të kalojnë atypranë fjalëjargëtit

dhe gazetarët e kërrusun, gjithë mundim,

e të thonë se në jetë

paskam  pasë shoqni me endacakët;

lè të thonë,

por askush nuk mund të thotë se

kur kalon pranë varrit tim

ndjehet erë e keqe

si tek varri i doktorit përbri,

që para se të operonte pacientin,

“operonte” pa mëshirë xhepat e të afërmëve të tij.

 

Kryqi le të jetë i madh dhe i pagdhendun.

Edhe ma i madh ishte ai që mbajta në jetë

në udhëtimin mbrenda vehtes.

Por lè të jetë Kryq i thjeshtë,

jo Kryq  i shtrejtë,

si tek varri i fqinjit,

anëtar i shtatë partive (dikush thotë tetë),

dhe pronar i shtatë hoteleve në plazh

dhe i një  të teti në qytet, ku, thonë,

e shoqja pret e përcjell lesbiket.

 

Ata, kryetari, doktori, gjykatësi, të gjithë,

lulet do t’i kenë të gdhenduna në mermer,

lulet mbi varrin tim lè të vyshken:

të paktën ato dikur

mbanin aromë dehëse për Shpirtin

dhe ditën flutura prisnin e përcillnin,

kurse natën u shkelnin synin yjeve në qiell

dhe lanin petalet me vesën e mëngjesit.

 

Vetëm pak dhé të shkriftë dhe lule do të kisha dashtë,

të ndjehesha i lirë.

O, sa me dhimsen ata mbi varret e të cilëve

randojnë shtatoret!

 

Janar 2012.

Shenim F.R.: Plot dy vjetë u bane pa Danielin! As unë nuk dij se, kur... Ikën... Si t’ishte dje!..



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora