E merkure, 24.04.2024, 12:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Jeta e artistit, e tashme e përjetshme

E diele, 09.11.2014, 06:26 PM


Jeta e artistit, në  një    tashme të  përjetshme

Nga Dr. Ilir Muharremi

Nuk ka një të vërtetë përveç asaj që është e vërtetë, kjo e vërtetë përcaktohet nga esenca, pastaj konkretizohet nga ekzistenca. Kjo tingëllon në të menduarit ekzistencialist veçanërisht për atë që thuhet: nuk ka dashuri të vërtetë përveç asaj që ndërtohet, dhe mundësia e dashurisë shfaqet në një dashuri. Nuk ka gjenialitet në art përveç trupëzimit të artistit në veprat e tija arti. Gjenialiteti i Racinit është në serinë e tragjedive të tij, jashtë kësaj ka vetëm një gjë, ndikimi për t’u krijuar këto tragjedi. Ekzistencialistët pohojnë se nuk ka asgjë tjetër jashtë kësaj. Por, si mund të shkruaj një tragjedi të re kur ai jashtë vetvetes nuk ka bërë gjë? Ai krijon pamjen e tij nga uni duke pranuar nga e vërteta. “Njeriu vepron në jetë, krijon pamjen e tij dhe jashtë kësaj pamje nuk ka gjë tjetër”, thotë Sartri. Ky është një mendim i tij i filluar mbrapsht. Kjo pamje ndërtohet nga realiteti, pa të cilën nuk mund të ekzistojë e as të njihet si dukje. Si mund Racini të shkruajë një tragjedi kur ai nuk e ka përjetuar këtë gjë? Si mund Van Goghu ta pikturoj “Kafenenë e natës’ pa shkel as njëherë në kafene. Si mund Albert Camus ta shkruaj “Njeriun e revoltuar’ pa qenë ndonjëherë i revoltuar? Si mund Picaso ta nxjerrë “Guernikën” pa e jetuar këtë gjë? Realja jashtë nesh ekziston aq sa ekzistojmë ne për ta kuptuar, realisht ajo është vetëm një iluzion sikurse që është edhe njeriu për të. Kontakti ndaj të dyjave krijon kërkimin e përgjegjës e cila buron nga esenca e ekzistencës dhe absolutizimi i botës. Nuk është e vetmja gjë që peshon realiteti, njeriu dhe realiteti, krijon bashkëveprim me kundërthënie për të vazhduar. Shpesh thuhet: nuk je tjetër  gjë veçse jeta jote, kjo ngritë gjykimin e artistit ne veprat e tij, mirëpo mijëra gjëra ndikojnë në krijimin e atyre veprave. Le ta theksojmë Camusin e revoltuar duke krijuar distancën me veprën e tij “Njeriu i revoltuar”, ky njeri i ngritur kundër zotit të vet duke mos e mohuar si qenie, por si zotërues. Camus shpreh revoltën  si ngulmim i drejtë, vlera e tij nuk mund të kuptohet nga masa e përbashkët aty ku çdonjëri gjen vlerën te çdo kush, bëhet i pakuptueshëm. A ka të drejtë? Impulsi i revoltës shpërthen si kërkesë për unitete, ngritët i shkatërruar për unitetin të cilin e sundon padrejtësia, dhe drejtësinë e kundërvë për të rregulluar mbretërinë e duhur. Camus në jetën e përditshme më shumë ka sfiduar sesa ka mohuar, kjo kryengritje dominon te “Njeriu i revoltuar”. Ai dëshiron si rob të barazohet me të zotin, paralajmëron si mirësjellje, nga polemika dhe dëshira për të fituar mbaron me kërkimin e mbretërisë. Nëse Camusi do ta fitonte pushtetin, nga i revoltuari do kalonte te i dominuari apo sundimtari.

Kritika që na bëhet si artist është jo tek pesimizmi, por një lloj ashpërsie optimiste. Ja si thotë Sartri; “Në qoftëse njerëzit kanë vërejtje për romanet tona në të cilat shkruajmë për qeniet e squllta, të dobëta, të poshtra dhe ndonjëherë sinqerisht të këqija”, nuk do të thotë se vërtetë janë ashtu, sepse në qoftëse siç ka thënë edhe Zola, atëherë do mbetemi te deklarata se janë të tillë për shkak trashëgimisë, ndikimit të mjedisit të shoqërisë. Kjo ka të vërtetë, por njerëzit do thonë: ja kështu jemi bërë, askush nuk mund të bënë asgjë. Ekzistencialisti poshtërsinë e bënë përgjegjëse ndaj vetes: “I poshtri është vetë përgjegjës për poshtërsinë e tij”. Zemra e tij nuk është e poshtër , ai është krijuar si njëri i tillë me poshtërsinë e tij nëpërmjet veprimeve. Këtu absolutizimi vijon në radhë të parë derisa kuptimësia na dërgon këtu. Nëse nuk kemi me argumente për këtë, lehtësisht e them çdo njeri është i tillë çfarë është në të vërtetë. Kjo është absolute. Absolutizmi i shtyrjes i vazhdimit vendos për gjatësinë dhe jetën e kësaj. Mendimi i kthjellët e do identiken, ngjashmërinë dhe vërtetësinë. Arti është i kundërt. Lidhja ndërmjet karakterit absolut dhe angazhimit të lirë, bënë që çdo njeri ta kuptoj veten, duke kuptuar të tjerët. ‘Kështu pra, ju jeni në gjendje të bëni gjithçka, çfarëdo qoftë!”. Nëse akuzohemi për anarki atëherë del kjo: “Ju nuk jeni në gjendje të gjykoni të tjerët, sepse nuk ka arsye të parapëlqehet një konfiguracion kundrejt një tjetri”, për të vazhduar, “Çdo gjë është arbitrare në zgjedhjen tuaj”. Zgjedhja është e mundur, ajo që nuk është e mundur është të mos zgjedhësh. Unë mund të bëjë zgjedhje, duhet ta kem parasysh, edhe nëse nuk zgjedh, përsëri zgjedh. Imponuarit mendor me të angazhuarit objektiv korrespondon dhe bashkëvepron edhe nëse nuk pëlqehet.

A ka pyetur ndokush ndonjë herë: “Çfarë pikture ka bërë ai?”, ose “Çfarë poezie ka shkruar?”, kuptohet shumë lehtë se nuk ekziston pikturë ose poezi e parapërcaktuar që duhet krijuar, por piktura e krijuar rrjedh nga vetë artisti. Vetë artisti nga absolutizimi i cili ngacmohet nga objektivja për tu solidarizuar në bashkëveprim. Arti dhe etika tingëllojnë përbashkët, por nuk mund të vendosim se çfarë duhet bërë , askush nuk mund të tregoj si do të jetë piktura e së nesërmes. Gjykimi prek vetëm bërjen momentale të saj, të gjitha planet për të asgjësohen në praninë e momentit i cili është më i vërteti si në art ashtu edhe në jetë, sepse reciprokisht jeta shtyhet në art, dhe arti korrigjon të shëmtuarën. Nietzsche-ja refuzonte çdo gjë morale dhe hyjnore duke e cilësuar si shtyrje drejt shpifjes së botës dhe jetës, por ndoshta ka diç që mund të bëjë të dojë bukurinë e kësaj të vdekshmes dhe kufizueshmës. Arti nga artisti kështu krijon formën e një vlere e cila lartësohet në zhvillim të përhershëm të cilën artisti e parandien duke rrëmbyer nga historia. “Nuk mund të heqë dorë nga diçka më e madhe se unë, që është jeta ime dhe fuqia për të krijuar”, rënkon Van Goghu. Atëherë, ai nuk është në gjendje të bëjë gjithçka çfarëdo qoftë. Ai nuk është i tillë çfarë mendon që është duke distancuar veten me jetën, e jeta rrjedh nga jashtë. Njeriu është i vetmi në këtë botë që refuzon atë çfarë është. “Kafeneja e natës”, klithë nga brenda revoltën totalitare të artistit, përmban pohimin e hapësirës ku njeriu vetëshkatërrohet, kalon në çmenduri, dehet nga vetja dhe nga bota e jashtme. Zhgënjimi vjen nga jashtë, por artisti bëhet i dyshimtë ndaj reales duke e refuzuar se në art përveç refuzimit ka edhe pranim balancim të veprimit dhe bukurisë. Në këtë rast njeriu gjen shpëtim, ikë nga e vërteta duke mos abstenuar totalisht nga ajo. Njeriu është i kufizuar duke dal në skenë, kufizon vetveten. Nëse sipas ekzistencialistëve konceptohet si i pakufizueshëm, shkaku nxjerr asgjënë. “Njeriu jo vetëm është siç e koncepton veten, por është edhe vetëm ashtu siç dëshiron te jetë pas shtytjes së tij drejt ekzistencës”. Ky mendim i ekzistencialistëve e bënë njeriun përgjegjës për ekzistencë. Qëllimi është i zotërimit të përgjegjësisë. Nëse ai përpiqet të ik, prapë në ikje është i përgjegjshëm. Nëse vetëmohohet, përgjegjësia është e tij. Atëherë, bota e jashtme përkufizohet nga e brendshmja dhe nuk ekziston së jetuari pa njeriun. Njeriu është vetëm aprovues i asaj që është dhe që duhet të jetë, pa ndryshim. Picasso shpreh gjenialitetin në vepra, jashtë kësaj nuk ka asgjë. Gjenialiteti i Shekspirit qëndron te seria e tragjedive. A mund të pohojmë se Picasso kishte mundur ta ëndërrojë një vepër tjetër, duke mos e krijuar, poashtu edhe Shekspiri kishte shkruar një tragjedi tjetër, kur ai nuk e shkroi dot? Artistët përfshihen në jetë duke lënë vulën, dhe kjo tingëllon si mendim i ashpër për të tjerët që jeta e tyre nuk qe e suksesshme. Nga ana tjetër, artisti shtynë njerëzit drejt realitetit, por pa fuqinë e ëndrrave, fantazuarit, imagjinuarit, parashikuarit, e vërteta do vdesë në heshtje. Bota është më reale nga brenda duke kthjelluar përkufizimin, e jashtmja harmonizohet nën kufijtë e së brendshmes. Arti tjetërsohet me realitetin. Në art nuk ka gravitet. Forca magnetike lëkundet, shkundet, dorëzohet para një perandori artistik. Cili është ky perandor? Anonim, abstrakt sepse buron nga tejkalimi. Po, kështu lartësohet nga e vërteta e besueshme për të pabesueshmen. Artistët jetojnë  në një të tashme të përjetshme, të nuancuar nga buzëqeshje e indiferencë, kjo gjendje i takon të amshuarës, por arti fuqizon momentalen para të amshuarës sepse aty gjejmë përfundimin.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora