E marte, 19.03.2024, 09:52 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Drama e një drame!

E diele, 02.11.2014, 09:00 PM


Drama e një drame!

Nga Elvi Sidheri

Në vitin e largët 1998, ndërsa në Kosovë pati nisur lufta çlirimtare kundër pushtuesit shekullor serb, dhe regjimit të tij shtypës e apartejdizues, një vit pati kaluar, qyshkur një bijë e madhe e popullit shqiptar, e qytetit dikur shqiptar të Shkupit, dhe e rajonit shqiptar të Kosovës, pati ndërruar jetë, duke shkuar përjetësisht në amëshimin hyjnor.

Viti i zymtë 97, për Shqipërinë apo vetë Kosovën, porsa kish shteruar, megjithë barrën e rëndë të mënxyrave dhe fatkeqësive që pruri me shumicë ndër shqiptarë.

Ish pikërisht ky pra momenti, kur pa rënë ende heshtja mbi shuarjen tokësore të jetës dhe frymës së Nënës shqiptare Terezë të gjithë njerëzimit, një penë prishtinase, pati marrë përsipër me kurajo e përkushtim, që të shkruajë një dramë të ndjerë, sa edhe tejet realiste, që do të kish si protagoniste, veç Gonxhen tonë kombëtare.

Një dramë e ndarë (sa edhe e bashkuar njëkohësisht) në tre kohë të ndryshme, në tre faza themelore, përcaktuese për jetën dhe veprën monumentale, të pavdekshme e shenjtërore të Gonxhe Bojaxhiut, shqiptares së vogël për nga shtati i mpakur, e cila i fali njerëzimit, të vobektëve dhe këndeve më të skamura të këtij rruzulli tokësor, dashurinë më të dëlirë, thelbin e kristaltë të pakufijshmërisë së mëshirës së hirit të Perëndisë.

Nënë Tereza ish e vogël për nga dimensionet njerëzore, që trupit të saj imcak, Zoti i kish falur.

Kjo grua, kjo murgeshë e panjollë, kjo shqiptare mëshirëplotë, përgjatë një jete të tërë, vetë ish ngritur pandalur, në majën më të paarritshme të një piedestali masiv modestie, shpirtmadhësie dhe vetëmohimi të skajshëm, aq sa nuk ish aspak nevoja që pas vdekjes së saj, pena njerëzore, të lëvronte me tepër, në artin e hyjnizimit të mëtejshëm të kësaj figure të bekuar, në papërlyerësinë e ndjeshmërisë së saj mbresëlënëse.

Nënë Tereza më nuk frymonte, por ajri që ajo kish thithur, ishte ndërlidhur pafundësisht, me grimcat qiellore që ajo kish rrezatuar në të gjallë të saj.

E tashmë ky popull gjithëbotëror i Zotit, përfshirë edhe shqiptarët e saj të origjinës e gjakut prindëror, ashtu si dhe indianët, hindutë, sikhët, të krishterët e myslimanët e skamur të cepave të ndotur të Kalkutës së çoroditur nga varfëria lemerisëse dhe disnivelet vdekëtare midis kastave dhe të pamundurve, do të mund të kërkonte e gjente përherë shpresën, tek kujtimi, vepra dhe tek figura e kësaj shënjtoreje shqiptare.

Shkrimtari, dramaturgu, më parë sesa thjesht (eufemizëm ky)... “botuesi” prishtinas Abdullah Zeneli, ish një ndër ata, të cilët e patën ndjerë dhe përthithur fort “rrezatimin” Terezian, dashurinë e pashtershme të kësaj Nëne shqiptare, të kësaj “Gonxheje”, lules që pati çelur petalet më të mëshirëshme për banorët e kësaj bote mëkatare, të Agnes Bojaxhiut, vajzës, gruas që e kish “lyer” këtë njerëzim të pandjeshëm, me ngjyrat dhe aromën e dashurisë më të purifikuar, përkujdesjes e sakrificës.

Pati pasuar një vepër, një dramë ku në kalërimin e pandalshëm kohor, midis 1918-ës, 1959-ës dhe 1979-ës, paraqitet rrjedhshëm ,qartë dhe me një mprehtësi të spikatur krijuese, duke u mbështetur vazhdimisht në fakte e ngjarje reale, jeta e tërëdevotshme e shqiptares së hyjshme, nëpërmjet tre prej momenteve të saj kulmore, që patën shenjuar thellësisht udhëtimin e saj 87 vjeçar mes banorëve të kësaj bote, të mveshur nën petkat e trupit të saj shtat-imët dhe shëndet-dobët.

E takojmë aty shenjtoren tonë, të bekuarën Nënë Tereza, si “Vajzën në të bardha” kur është akoma tetë vjeçe, dhe kur të atin, Kolë Bojaxhiun, apo “Bacën Kolë” siç autori e quan atë, e merr papritmas vdekja, i helmuar rëndë nga dora e zezë serbe.

Është viti 1918, fundi i Luftës së Parë Botërore, apo “Luftës së Madhe” siç ende sot e kësaj dite ajo njihet në Europë.

Ka dhjetë milionë të vdekur, njëzetë milionë të plagosur, të sëmurë, invalidë të përjetshëm.

Ka sëmundje të rënda, epidemi, uri, masakra.

Por njëkohësisht, ndërkohë që një konflikt madhor po mbyllet, në Kosovë valojnë masakrat e reja, gjithçka në Kosovë digjet, Kosova është në flakë...!

Në Kosovë mbretëron terrori, shtypja e uria, teksa kolonat me shqiptarë mbushin trenat e anijet për në Anadoll.

Ndërkaq, autori na rrëfen sesi në katedralen e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, aty ku vetë e porsalindura Gonxhe Bojaxhiu, tetë vjet më parë është pagëzuar një ditë pas lindjes së saj, me datë 27 gusht 1910 nga prifti shqiptar Dom Zef Ramaj, tanimë arqipeshkvi i Shkup-Prizrenit, kryeson procesionin e Trupit të Krishtit dhe meshën e përshpirtëshme për 450 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mbrojtësit të krishtërimit.

Është ditë e dielë...

Bacën Kolë e sjellin duke e mbajtur për krahësh dhe këmbësh, tre miqtë e vet të ngushtë.

Autori na përshkruan sesi atij i dallohen njollat e gjakut në rroba nga të vjellat, shenja të një helmimi vdekjeprurës.

Ai rënkon, por sërish me një zë të mekur, flet...

U kërkon shokëve të tij që të mos mundohen më për të, pasi ai tashmë është i ndërgjegjshëm se jetës së tij po i vjen fundi.

Por miku i tij Pali, i kërkon të mos rrëmbehet, pasiqë Kolë Bojaxhiu kurrnjëherë nuk është dorëzuar.

Por Kola, si është afruar edhe gruaja e tij Drania, i thotë edhe asaj që të mos shqetësohet, se çdo gjë do të bëhet mirë, se gjithçka është në duar të Zotit, e vetmja gjë që ai kërkon prej saj, është që ajo të këqyrë fëmijët e tyre, Agen, Lazrin dhe atë, Gonxhen e vogël.

Gonxhen e mitur, ëngjëllushen e tij, vajzën që do të shëndrohet në vetë “Ëngjëllin” tokësor të njerëzimit deri pranë agut të mijëvjeçarit të ri.

“Koha e dytë” e dramës së autorit Zeneli, vjen së bashku me epokën e diktaturave, fashiste dhe atyre moniste të proletariatit.

Është një kohë ateizmi në lulëzim e sipër, kohë burgjesh dhe qelish të stërmbushura me trupa dhe mendje njerëzore të etura për liri individuale dhe konfesionale.

Një periudhë luftërash të përgjakshme, por edhe të ftohta.

Kohë armatimi shkatërrues në masë.

Një kohë e sunduar nga varfëria që pllakos njerëzimin anembanë.

Në Indinë e largët, zërat e panjohur të të vobektëve anonimë, i kërkojnë, i luten Zotit për shpëtim, vdekjen kërkojnë me ngulmim, sytë e lodhur hapin për të shquar trajtat e bijve të tyre të harruar, ndërsa dikush tjetër kërkon nënën, Zotin, Perëndinë, Atin tonë që është në qiell, atë që të gjithëve na sheh, fal e gjykon.

Por gjithkush, sidoqoftë papushim thërret “Nënëëë”!

Dhe këtu, kështu, shfaqet Nënë Tereza e veshur me sarin e thjeshtë të motrave “Misionare të Dashurisë”, duke bërë kryqin me rruzare në duar, e duke u lutur e përgjunjur përballë Krishtit të gozhduar në kryq, me vështrimin e syve të saj plot mirësi, përqëndruar tek ai.

Ajo është shëmbëlltyra e atij Jezui që vuan, atij që padrejtësisht e gozhduan, ajo i shërben atij dhe nëpërmjet shërbimit ndaj tij, ajo i shërben kujtdo të vuajturi, të skamuri, të sëmuri, lebrozi, të pashërueshmi, i shërben njeriut, me hirin e Zotit, dhe fuqinë e mistershme të shpirtit dhe vullnetit të saj ëmbëlsisht, hyjësisht të hekurt.

Ajo është (ishte, do të jetë, si në të gjallë, ashtu edhe në amëshim), shpresa jonë, ashtu siç Jezui ishte shpresa e saj!

Siç autori, shkrimtari, botuesi dhe dramaturgu Abdullah Zeneli në mënyrë tejet fine na e shtjellon nëpërmjet bashkëbisedimit midis Nënë Terezës dhe personazhit të Shubashini Ma, bengalases së pasur, vajzës së veshur mirë që i përket familjeve të kastës së fisme indiane, e cila me mish e me shpirt, pret të dëshmojë përkushtimin e saj përfundimtar për Perëndinë dhe nevojtarët e kësaj bote, dimensioni jetësor i Nënë Terezës, i misionit dhe veprës së saj, është i pafund, në vetëmohimet dhe devotshmërinë e pakufijshme.

Misionaret e Dashurisë, nën shëmbullin e shqiptares Nënë Terezë, heqin dorë nga kënaqësitë që mund t’u ofrojë jeta... për jetë të jetëve.

Ato ndërrojnë veshjet, duart e tyre plasariten, thonjtë e tyre të kuruara shkurtohen, fytyrat e tyre nuk njohin më kurë apo grim, këto femra nuk dinë kur është natë, e harrojnë sa zgjat dita.

Ato frikë s’kanë nga të skamurit, të sëmurët, lebrozët...

Por ato kanë besim tek Ajo, tek kjo grua e madhërishme, tek forca e saj e pashterur, tek besimi i saj i pathyer në Perëndi.

Ato nuk i tremben aspak pragut të vdekjes, alkoolistëve, të narkotizuarve të rrugicave më të errëta dhe pa ligj të tërë këtij planeti mëkatar.

Fuqinë ato e gjejnë tek figura e Nënës shqiptare Terezë dhe tek përkrahja e vazhdueshme e Hyjit.

Jeta e saj dhe ajo e tyrja, sido që të ketë qenë pozita e tyre sociale, përpara se të vishnin sarin e Misionareve të Dashurisë, nuk ka asnjë vlerë apo kuptim, kur qytetet e kësaj bote mbyten nga rradhët e të vobektëve, shpresëhumburve, dhe të sëmurëve, nga fëmijët buzëpanjomur e të papërkëdhelur nga asnjë dorë e dashur.

Misionaret e Dashurisë, janë “krijesa të dashurisë hyjnore në vepër”, siç e përshkruan mrekullisht autori Zeneli.

Këtë dashuri për Jezuin dhe njeriun, ato e dëshmojnë përditë me dëlirësinë dhe pastërtinë e tyre, me ndërgjegje, me varfëri dhe me përkushtimin e jetës së tyre ndaj të varfërve ndër më të varfërit!

Për jetë të jetëve!

Teksa të sëmurët e skamnorët e saj pyesin për të aty larg në Indi, në megalopolisin njerëzor të Kalkutës së varfërisë ekstreme, të kastave të larta dhe të vobektëve të dergjur udhëve pa mëshirë, vetë Nënë Tereza është tanimë në Oslo, ku në vitin 1979, asaj i dorëzohet çmimi Nobel për Paqen.

-“Ky vit nuk ka qenë viti i paqes: grindjet e konfliktet në mes popujve dhe njerëzve e ideologjive janë zhvilluar të shoqëruara me pashpirtësinë dhe mizorinë më të madhe. Jemi dëshmitarë të fanatizmit e cinizmit, të përbuzjes së jetës njerëzore dhe të dinjitetit.”

Janë këto fjalët e përfaqësuesit të komisionit të çmimit Nobel, gjatë ceremonisë.

E autori Zeneli, na citon përgjigjen e Nënë Terezës se: “Biri i Perëndisë vdiq në kryq për të treguar një dashuri më të madhe, dhe vdiq për ju e për mua, dhe për lebrozin, për atë njeri që po vdes nga uria dhe për të zhveshurin e shtrirë në rrugë, jo vetëm në Kalkuta, por kudo, në Nju Jork, Londër apo edhe Oslo, duke kërkuar prej nesh që ta duam njëri-tjetrin, siç ju dua unë juve, ashtu siç Ati në qiell më ka dashur mua, ashtu unë ju dua!”

...Një dramë kjo e autorit Abdullah Zeneli, që përjeton ende prej 16 vjetësh purgatorin e vet, “dramën” e saj të mosvënies në skenë!



(Vota: 8 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora