E shtune, 27.04.2024, 04:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Kujtimit të Ismet Koritës

E hene, 05.05.2014, 11:04 AM


Rrëfime të një njeriu të mirë

Kujtimit të Ismet Koritës

Nga Përparim Hysi

Ismet Korita ka qenë një  burrë i urtë që i kishte lezet fjala. Dikur, në kohën e mbretit, kish shërbyer xhandar në zonën e Elbasanit dhe, tek tregonte, kishe qejf  ta dëgjoje. Tregimet  e tij qenë përjetime dhe të mbushnin me emocione. Natyrisht, jo të gjitha ç' rrëfente, i ndjeri ( ka vdekur mes viteve '70- të), i mbaj mend, por,siodoqftë, disa syresh unë do t'i sjellë  për lexuesit se janë me të vërtet sa informuese, por aq dhe formuese. Ndonjëherë, në këto rrëfime e përjetime ka të tilla që ta çojnë buzën vesh më vesh, por dhe sjellin mesazhe.

*    *   *

Shërbente në Elbasan dhe paska ndodhur që Beut të madh elbasanas, Vërlacit, t'i bjerë zjarri. U dogj një pjesë e shtëpisë. Njerëzit vijnë për ta ngushëlluar ( natyrisht, një traditë e kahershme dhe e mirë e popullit tonë) dhe beu, tek pret ngushëlimet, thotë:

- Pjesën që u dogj e bëj prapë, por po ligështohem vetëm për bibliotekën. Ku do gjej përsëri atë bibliotekë?!  Deri këtu nuk është se ka ndonjë risi, por bukuria qëndron më tej, që, si të thuash, është thela përmbi bisht i rrëfenjës. Dhe ja se si vazhdon. Ndodh që dhe një xhandari (ishte nga një fshat  në zonën e Shpatit) t'i digjej  shtëpia. Kolegët po i thoshin fjalë ngushëllimi për fatkeqësinë që i ndodhi... dhe ai (epo mos thuaj që nuk kemi ardhur nga majmuni?!):- Shtëpinë e bëj prapë,po ku do gjej si ajo bibliotekë!!! Paradoksi se xhandari qe aq i "shkolluar",sa   e merrni vet me mend: gjysëm analfabet!!!!

*     *    *

Në Elbasan, i ndjeri Ismet Korita kishte patur njohje dhe me  Profesorin e nderuar, Aleksandër Xhuvani dhe për të tregonte... Kishte shkuar në zonën e Shpatit që të mblidhte fjalë të rralla. Interesohej për ritet e urimit dhe të mallkimit. Frymën e kishte mbjajtur tek kroi  i një fshati. Atje kish gjetur një grua që po mbushte shtambat. I foli, por shpatarakja, nuk e kish me nom t'i fliste një burri të huaj dhe aq më tepër një qytetsi siç qe profesori. Fol profesori, po fol o gur, fol o mur! Pikërisht, pas kësaj orvajtjeje, profesori ia rrëmben një shtambë dhe ia thyen. Gruaja shpërtheu në mallkime. Profesori,pa e prishur terezinë, mbushte fletoren. Mandej, nxori kuletën dhe  e pagoi sa për 4 shtamba. Tani gjuha e shpatarakes u zbraz me urata. Fletorja u mbush dhe në faqen tjetër.

*    *     *

Ismet Korita kishte dalë në pension. NJë mëngjes, tek u takua me një moshatarin e vet, dëgjoi nga goja e tij t'i thotë: - Ismet! Mbrëmë të  kam parë në ëndërr.

- Po si më pe?- pyeti Ismeti.

- Sikur të kisha mbërthyer dhe po të  rrihja mirë e mirë,sa të bëra shirk!!!

- Po unë a të ktheva dorë?

- Jo. Jo. Hiç!

- Po pse nuk më vrave fare,po më le të gjallë?!!!

*    *     *

Sado në fshat, rronte në një pallat të fermës. Kishte dhe lopë dhe donte që të vinte një mullar për dimër. I thotë një bashkëmoshatarit të tij që kishte shtëpinë e vet:

- A ta vë pak mullarin tek baçja jote ( një gardh i ndante nga pallati).

- Po llaf është ai? Ta vësh që çke me të?- i tha gjitoni.

Të nesërmen, Ismet Korita, hodhi strumbullarin në krah dhe po grahte nga komshia. Ai e pa dhe i foli që nga dritarja:

- Ku vete me atë strumbullar?

- Po aty, ngjitur me mullarin tënd, që të vë mullarin sipas fjalës.

-Jo. Jo,- kundërshtoi gjitoni.

- Aha,- foli shpotitës Ismeti,- të paska vrarë lopa!!!

- Më vrau sa m'i bëri brirët copa,- pranoi komshiu. E merrni me mend,se prapa "lopa", aludohej për gruan e komshisë.

*    *    *

Tek Ismet Korita kishte ardhur për vizitë xha Osmani. Burrë i mirë dhe shumë i gjendur. Qe gati tek tetëdhjetat në këtë kohë dhe i kish ndodhur  një fatkeqësi. I kish vdekur gruaja dhe, tek gjerbte kafenë, i thotë Ismetit:

- Ti e di se si e kam hallin. Mbase më gjen ndonjë grua për të shtyrë ditët e pleqërisë (unë këtë rrëfenjë e kam  përjetuar,se qeshë prezent). Tek dëgjova kërkesën pak të përpjetë të hallexhiut Osman, prisja përgjigjen e të urtit Ismet Korita. Dhe  ja se si  iu përgjigj:

- Osman, të kam mik dhe ta di hallin. Sikur të kisha dy gra, njërën do ta jepja që sot që ta merrje me vete, por Barien (kështu është quajtur, e ndjera grua e Ismet Koritës) kam dhe kjo më lipset për vete!!!

Hallexhiu babaxhan, xha Osmani, aq i mirë  bubulloi nga të qeshurit veç nga kjo përgjigje aq fine e burrit  të urtë Ismet Korita.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora