E premte, 26.04.2024, 07:53 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Rusia ka vetëm një alternativë

E shtune, 22.03.2014, 05:29 PM


RUSIA E PUTINIT KA VETËM NJË ALTERNATIVË

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Konti rus Lev Tolstoi mësoi në fillim frëngjishten pastaj rusishten, ndërsa familja e presidentit rus Vladimir Putin fliste gjermanisht në shtëpi. Sado absurd të duket krahasimi, çdo kush mund të vejë re se, sado larg njëri tjetrit janë Tolstoi me Putinin, qofshin edhe 180 gradë larg, ata janë europafonë. Të jesh europafon a mund të jesh europafob? Në pamje të jashtme duket e pamundur! Lev Tolstoi ishte fatlum që nuk e jetoi erën sovjetike, në të cilën u lind dhe u rrit Putini ku fobia kundër Perëndimit arriti në apoteozë.

Por pas 4 dekadash e ca, sa zgjati Lufta e Ftohtë, që prej gati tridhjetë vitesh midis Perëndimit dhe Rusisë startoi një erë e re, si pasojë e dështimit të plotë të sovjetizmit.

Gjatë këtyre pothuaj tri dekadave e në vazhdimësi, qëllimi i SHBA dhe Europës ishte europianizimi i Rusisë dhe integrimi i saj në NATO dhe BE. Një Rusi e tipit si Gjermania, Franca, Kanadaja, që do ta bënte Europën të merrte frymë e lehtësuar nga vala e refugjatëve që do të gjenin një vend të ri për të shpresuar! Ëndërra në beze!

Do të ishte ndofta një nga presidentët më konservatorë të SHBA, Republikani Ronald Reagan, pikërisht ai që e konsideronte sistemin komunist të përfaqësuar nga BRSS më 1983 – si Perandori e të Keqes – që të dilte në përfundimin se kishte ardhur koha të lëvizej në të mirë të paqes. Takimi i parë Reagan – Gorbaçov u zhvillua në nëntorin e vitit 1985 në Gjenevë të Zvicrës; i dyti në në tetor të 1986 in Reykjavik të Islandës, ndërsa i treti më 1987 në Washington D.C. Atëhere temë e bisedimeve ishte Lufta e Yjeve, dhe paçka qendrimeve të ndryshme apo shumë të ndryshme, takimet patën rëndësi të jashtëzakonshme, sepse i hapën rrugën dialogut.

Kanë hyrë në histori dy përqasje në korrelacion kontekstit historik përpara Portës së Brandeburg-ut në Berlin, krejtësisht me kahe të kundërta. Njëra e shqiptuar nga një president Demokrat dhe tjetra nga një president Republikan. E para e shqiptuar në qershorin e 1963 në kulmin e Cold War nga J.F.Kennedy kur tha „ich bin ein Berliner“, dhe e dyta nga Ronald Reagan më 12 qershor 1987, në prag të përfundimit të Luftës të Ftohtë, kur duke iu drejtuar në largësi Mihail Gorbaçovit, ai do t’i bënte thirrje:„ Sekretar i Përgjithshëm Gorbaçov, nëse ju kërkoni paqe, nëse ju kërkoni prosperitet për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, nëse kërkoni liberalizim: Ejani këtu tek kjo Portë! Zoti Gorbaçov, hapeni këtë portë. Zoti Gorbaçiov, rrëzoheni këtë mur!“ Ishte fjala për Murin e Berlinit.

Dhe do të dukej sikur do të ngjante mrekullia, kur në dhjetorin e 1991,Sekretari i Përgjithshëm i BRSS, do ta shpërbënte Perandorinë e së Keqes. Kishte lindur një shpresë e madhe për një kthesë historike, që Rusia t’i bashkohej Europës të vlerave.

Të gjithë Presidentët e SHBA do ta çonin më tutje trashëgiminë e krijuar nga Ronald Reagan në raport me Federatën Ruse, krijuar pas shpërbërjes të ish-BRSS. Presidenti Bush senior, Bill Clinton, Bush Jr, Barack Obama. Të gjithë nga pozicione shumë loyale kanë kërkuar transformimin e Rusisë në një vend demokratik, duke gjallëruar dialogun,komunikimin dhe bashkëpunimin e Perëndimit me Rusinë, në mënyrë konstante dhe permanente. Edhe përfshirja e Rusisë në G7+1 u bë me inisiativën dhe mbështetjen amerikane.

Ndërsa Putini me ndërhyrjen në Krime shumëzoi gjithçka me zero. Gjithçka që ishte ndërtuar me aq mund për gati çerek shekulli pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe përfundimit të Luftës të Ftohtë. Putini anormalisht i vuri vizën gati 30 viteve histori komunikim, bashkëpunim e dialog midis Rusisë me SHBA dhe Europën.

Putini demonstroi antiloyalizëm e pabesi ndaj Perëndimit, duke treguar se personalitetin e tij e dominon ish-oficeri i KGB-së. Ai duket  beson se background-i i ish-spiunit është karta e fatit të tij. Fakti që Jelcini e emëroi një ish-zyrtar të KGB-së si kryespiun të FSS e bëri Putinin President të Rusisë. Po deri kur do të zgjasë kjo? Përgjithmonë? Përgjithmona nuk ekziston.

Prej kohës kur u bë pasuesi i Jelcinit, Vladimir Putini do të duhej t'i kishte forcuar lidhjet me SHBA. Si kanë vepruar Japonia dhe Gjermania, pas Luftës të Dytë Botërore, duke u bërë aleatë. Por Putini nuk beson tek as tek SHBA dhe as tek Europa. Dhe kur nuk e priste askush, e kur nuk ia merrte mendja askujt, Putini aneksoi Krimenë.

Por tani të gjithë janë zgjuar dhe Putinit i mbetet të reflektojë. Të mbetet vetëm, çfarë ideje e marrë, apo të korigjohet. Perëndimi tani i mban sytë katër, ndërsa vendet e Europës Lindore ish-satelite të Rusisë të kohës sovjetike, tani janë anëtare të NATO-s.

Në fund të fundit, ai nuk duhet ta harrojë se Rusia është pjesë e Europës. Fjala është për Rusinë e Lev Tolstoit dhe e Boris Pasternakut,sepse ata janë Etërit e Rusisë, jo Rusia sovjetike.

A do ta pranonte sot Lev Tolsoi, po të ishte gjallë, mentalitetin mosbesues të një ish-spiuni si e ka Putini. Spiunët thonë se nuk u besojnë as rrobave të trupit. Putinit i mbetet të heqë dorë nga personaliteti paralel i spiunit e të bëhet një burrështeti. Ai nuk mund të veprojë kurrë në mënyrë unilaterale. Si veproi në Krime. Është fatale.

Rreth krizës në Ukraninë janë shkruar shumë. Ka shkruar elita amerikane, Këshilltarë të Sigurisë të ish-presidentëve të SHBA, ish-Sekretarë Shtetit etj. Nga opinionet më analitike për mua mbetet ai i shkruar nga Roger Cohen tek NYT, i cili shpjegon se çfarë ka ndodhur në Rusi, ose më mirë çfarë ka ndodhur tek Vladimir Putini. Roger Cohen, që vetë është hebre, shpjegon se Putini ka mbetur peng i së shkuarës së tij. Që do të thotë se Putini është armik i Putinit.

Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, SHBA dhe BE e kanë trajtuar Rusinë me një vizion afatgjatë për ta integruar në NATO-o dhe BE. Perëndimi e nderoi Gorbaçovin me Nobelin e Paqes. Sepse as SHBA dhe as BE nuk kishin synim dhe nuk kanë synim konfrontimin me Rusinë, por konvertimin e Rusisë në një shtet demokratik.

Por lind pyetja. A është Putini një lider i formatit të Obamës, Merkelit e me rradhë? Përgjigja është imediate. Jo! Mjafton të shihni se ai ka ndryshuar Kushtetutën për të qëndruar në pushtet përjetësisht. Por përjetësia nuk ekziston. Për askënd.

Në SHBA dhe shtetet e BE-së gjatë këtyre 15 vitesh janë ndryshuar presidentë, kryetarë shtetesh, kancelarë, kryeministra, Putini ka mbetur aty, herë president, herë kryeministër, tani prapë president, pastaj prapë kryeministër, por deri kur?

Çfarë ka në kokë tani Vladimir Putini? Cili është modeli i Rusisë që aspiron ai? A aspiron Putini një Rusi demokratike, si një vend ndërtuar mbi ideale, parime dhe standarde, mbështetur në shtetin e së drejtës, tregun e lirë, që ofron liri dhe prosperitet jo vetëm për qytetarët e saj, por që i hapë portat edhe për emigracionin, sepse territori i Rusisë sot është 17 milionë kilometra katrorë! Apo e ëndërron Rusinë si një bunker gjigand, të rrethuar me tele me gjëmba?

Deri tani gjithçka duket shumë e zymtë. Si thotë Roger Cohen tek opinionin i tij The Agent in His Labyrinth. Presidenti i Rusisë ka mbetur rob i mentalitetit të një zyrtari të vogël të ish-KGB-së. Prandaj Putini ka nevojë për një psikolog, që ta shërojë nga ky morbus që natyrisht dëmton atë të parin, por edhe vendin e tij dhe padyshim nuk është në të mirë të paqes, për të cilën u dekorua Gorbaçovi më 1990, i cili kur do të firmoste shpërbërjen e ish-BRSS, do të kishte kurajon  të pranonte se sistemi komunist kishte marrë fund, sepse ishte i mbështetur në luftën kundër pronës private dhe shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ndërsa sa për retorikën dhe demagogjinë rreth aneksimit të Krimesë, duke ngritur paralele me Kosovën, po të ishte kështu si thotë Putini, Rusia do të duhej të ishte nga shtetet e para që do ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Por edhe një herë, duhet theksuar se ndërhyrja në Kosovë nuk ishte një veprim i ndërmarrë në mënyrë unilaterale dhe banditeske nga ndonjë shtet i vetëm. Ndërhyrja në Kosovë e SHBA dhe NATO-s në djeni edhe të Rusisë ishte hapi i fundit që u ndërmor pas një maratone të gjatë të komunikimit të dështuar diplomatik, kur gjithçka ishte shteruar dhe nuk jepte më asnjë frut, për të ndalur spastrimin etnik dhe genocidin kundër një populli të pafajshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora