E premte, 19.04.2024, 04:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Testamenti i Aleksandrit të Madh

E merkure, 25.12.2013, 02:30 PM


TESTAMENTI I ALEKSANDRIT TË MADH

Refleksione

Nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Në disa media të shkruara dhe portale elektronike, në dhjetëditorin e parë të nëntorit, u publikua si një nga lajmet e bujshme Testamenti i Aleksandrit të Madh, i zbuluar dhe transkriptuar nga studjuesja italiane Lucia Nadin, e cila e ka përfshirë në studimin e saj ”Statuti di Scutari della prima meta del secolo XVI con le addizioni fino al 1469” Romë 2002. Zbulimi i dokumentit është bërë njëmbëdhjetë vite më parë. Vetiu lind pyetja: përse nga ana e studjuesve dhe mediave tona u hesht kaq gjatë dhe u kujtuan pikërisht tani? E them këtë, ngaqë nëse testamenti është vërtet autentik dhe jo ndonjë sajesë e mëvonshme, bën që disa aspekte jetësore për Aleksandrin e Madh të shihen ndryshe nga sa i ka paraqitur historiografia e shumtë për këtë figurë të jashtzakonshme historike. Si autor i essesë”Aleksandri i Madh i Maqedonisë-miti dhe njeriu”, botuar nga “Luma grafik”, Tetovë 2010’, në këtë rast e gjeta të përligjur paraqitjen e gjykimeve dhe dyshimeve për saktësinë autentike dhe përmbajtjen e këtij testamenti, duke e konsideruar atë edhe si grishje për debat nga njohësit e kësaj fushe.

Në këta njëmbëdhjetë vjet, ka patur zhvillime, që po të ishte publikuar ky testament, do t’i bënte të shiheshin me një tjetër këndvështrim nga palët e përfshira. Te tilla janë kundërshtimi nacionalist megaloman grek për emërin e Maqedonisë si trashëguese historike e mbretyërisë së lashtë, përpjekjet e sllavo-maqedonasve pa identitet, për ta shpallur Aleksandrin dhe Maqedoninë antike si pjesë të etnitetit të tyre, që u materializua edhe me shtatoren në Shkup. Do të shërbente edhe për ripohimin me forcë, se shqiptarët e Iliridës janë vendës në trojet e tyre dhe trashëgimtarë historikë e gjenetikë të ilirëve, enkeleasve, paionëve dhe dasaretëve etj. Meqënse testamentit do t’i referohem disa herë, po e jap të plotë një pjesë të tij:

Unë Aleksandri, biri i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i monarkisë, krijues i perandorisë greke, biri i Zeusit, bashkëbisedues i Brahmanëve dhe i Pemëve, I diellit dhe i hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zoti i botës,prej ku lind e perëndon dielli,nga Veriu në Jug, pinjoll i farës së shquar të popujve ilirikë, të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qendrore të Thrakës, u sjell dashurinë paqen dhe përshëndetjet e mia dhe të gjithë atyre që ndjekin sundimin e botës”.Në testament nuk përfshihet askund fjala “Shkodranë”,por në krye thuhet se kjo është një letër që u drejtohet shkodranëve.

Në këtë pjesë të testamentit,ka thënie që pranojnë diskutim. Aleksandri,pohon se është bir I Filipit mbretit të maqedonasve, më tej shpallja e vetes bir i Zeusit, që ia kishte ushqyer e ëma Olimpia dhe ja kishte pohuar orakulli i Amon-Ra në Shiva të shkretëtirës libiane. Siç shihet, nga Aleksandri shpallet një birësi e dyfishtë, hyjnore dhe njerëzore. Këtu vlen të fiksohet theksimi që Filipi ishte mbret i maqedonasve, pra maqedonas( as grek,as ilir). Ajo që ka entusiazmuar shumkënd, është që ai e shpall veten pinjoll I farës së shquar të popujve ilirikë. Është një pohim i vetë Aleksandrit. Këtu ka një përcaktim të këtyre popujve dhe hapësirës së shtrirjes së tyre: Dalmaci, Liburni, trevave danubiane dhe Thrakën qëndrore. Me shumë vlerë është pohimi, se këta popuj flasin të njëjtën gjuhë, pra ilirisht. Çuditërisht, këtu ka njëanësi, përmenden vetëm ilirët e veriut dhe lihen mënjanë ata të jugut, nga Ambrakia deri në Liburni, me të cilët Aleksandri kishte lidhje gjaku dhe njohje shumë të mirë. Kjo harresë nuk ka si të spjegohet dhe hedh hije dyshimi për këtë dokument. Ky pozicionim i intereson historianes, ngaqë në jug të tyre gjenden labeatët.

Që Aleksandri e quan veten pinjoll të popujve ilirikë (jo ilir se s’është e njëjta gjë), pasi më sipër pohon se është bir i mbretit të Maqedonisë, sipas meje duhet spjeguar nga disa aspekte. Është e vërtetuar se maqedonasit nuk ishin grekë. Sipas historianëve të lashtësisë, maqedonasit, ilirët dhe thrakasit flisnin gjuhë të ngjashme, kishin zakone të ngjashme dhe visheshin në mënyrë të ngjashme. Në familjen mbretërore maqedonase, për hir të lidhjeve martesore, që bëheshin me synime dhe interesa politike, kishte hyrë shumë gjak ilir: Filipi ishte bir i lynkestes Euridika, dhe Aleksandri i epirotes Olimpia. Pranimi prej tij se është bir i Zeusit, pra që Filipi nuk është ati i tij biologjik, ai trashëgimin e gjakut e ka nga e ëma, në mitrën e së cilës u ngjiz, Olimpia, që ishte ilire. Kësisoj ai e quan veten pinjoll të ilirëve. Aq e vërtetë është kjo, saqë Olimpia deri në trembëdhjetë vjeç, e rriti dhe e edukoi të birin si ilir, me mësues nga Dodona. Greqishten ai e mësoi më vonë nga mësuesi i vet Aristoteli.

Por sa e njihte Aleksandri Ilirinë? Kur ishte gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjet vjeç, pas grindjeve me të atin, ai iku nga Maqedonia dhe bashkë me të ëmën shkoi në Epir, te daja, mbreti i Epirit Aleksandër Molosi, ku qëndroi gjashtë muaj. Kohë kjo e mjaftueshme për tu njohur dhe familjarizuar me ilirët e jugut. Thuhet se gjatë këtij qëndrimi ai u nis nga bregdeti jonian dhe bëri një lundrim më në veri. Por nëse ka shkuar deri në Shkodër, nuk mund të thuhet.

Pas hipjes në fron, gjëja e parë që bëri ishte lufta për të shtypur ilirët e rebeluar: dardanët, tribalët dhe fiset danubiane, por pa arritur rezultate. Në kthim ai sulmoi dasaretët dhe qytetin e Pelionit. Në këtë lufte ai u plagos rëndë, bile u përhap lajmi se ai kiste vdekur. Pra presupozohet që në viset e Labeatëve (për të cilët bëhet testamenti), Liburnisë dhe Dalmaciaë të mos ketë shkelur. Në trojet ilire ai nuk u kthye më pasi ndërmori fushatën kundër grekëve, që i dërrmoi në Tebë dhe atë në lindje kundër persëve.

Në testament,shkruhet se “shkodranëve” u jepet një krahinë e tërë në zotërim, pasi ata i kishin qëndruar besnikë dhe kishin luftuar trimërisht. Le të ndalemi te kjo e thënë. Aleksandri kishte ilirë në armatën e tij,rreth shtate mijë, por ata ishin kryesisht nga fiset e ilirëve të Pindit(tymfei,eurodei,elimiota etj.), nga fisi i lynkestëve dhe më pak nga peonët. Labeatët, në vitet që bëhet fjalë 334-335 para erës së re, ishin një fis I vogël rreth liqenit Labeat(Shkodrës) dhe brigjeve të Adriatikut, kryeqëndër kishin Skodrën, ata nuk kishin një formacion shtetëror të organizuar që të formonin reparte për ushtrinë e Aleksandrit, por nuk përjashtohet mundësia që të kishte reparte rrogtarësh (mercenarë). Labeatët me vonë, me hir apo pa hir, rreth viteve 250 para erës së re u përfshinë nga mbreti Pleurat II në mbretërinë Dardane, kryeqendrën e tyre e çvendosën në Meteon (pranë Podgoricës së sotme).

Është pak e habitshme dhe hedh hije dyshimi shprehja në testament se Aleksandri ishte krijues I perandorisë greke! Si është e mundur të pohohet nga ai, ngadhënjyesi i botës e tillë gjë? Aleksandri ishte pinjoll I Ilirëve, biri I Filipit II, mbret i Maqedonisë , pushtues i Greqisë dhe nënshtrues i grekëve, përse duhet të krijonte një perandori për grekët dhe jo për vete, për maqedonasit dhe Maqedoninë? Të jetë kjo lajthitje e Aleksandrit apo hile dhe dinakëri e kancelarisë së tij me nëpunës grekë? Kuptohet, që e tillë thënie, u jep shkas grekëve që ta quajnë Aleksandrin grek, bashkëkombas të tyren dhe jo një pushtues të greqisë siç e quante Filipin Demosteni, në filipikat e veta:”Filipi, jo vetëm që nuk është grek dhe kurrfarë lidhje farefisnore nuk ka me grekët , por është një murtajë e ndyrë e Maqedonisë.” Bëhet kjo më evidente, po të mbahet parasysh, se në armatën e Aleksandrit, grekët në ushtri, në flotë dhe në personelin komandues ishin një pakicë pa peshë. Jo vetëm kaqë, por në fillim të luftës,në Keronea, grekët ishin shumicë në ushtrinë persiane të Azisë së Vogël dhe i bënë një qëndresë të ashpër Aleksandrit në ndeshjen e parë me ta. Pas vdekjes së Aleksandrit, Greqia u bë pjesë e mbretërisë së Maqedonisë dhe u vu nën sundimin e saj nga mbreti maqedonas Antipatri

Tjetër pohim i testamentit që pranon diskutim dhe hedh hije dyshimi, është pohimi se testamenti është hartuar në Aleksandri dhe, në prani të princave që ai I linte si trashëgimtarë pasi e dinte që do të vdiste dhe nuk po linte trashëgimtar! E vërteta historike është ndryshe. Aleksandri, pas nënshtrimin të persisë,vendosi të kalonte në Babiloni dhe aty u vendos. Këtë qytet ai e shpalli kryeqytet të perandorisë së vet. As i shkonte mendja se do të vdiste. Filloi përgatitjet për ekspeditën e pushtimit të Arabisë dhe më pas të Afrikës së Veriut për të dalë në Gjibraltar. në këtë kohë u sëmur dhe vdiq në 10 qershor të vitit 323 p.e.r. në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit te tij.Trupi u ballsamos dhe u mbart përgjatë 1500 km. deri sa arriti në Memfis të Egjiptit. Pas dy vjetësh, Ptolemeu sundimtari i Egjiptit ndërtoi një mauzole në Aleksandri.

Aleksandri nuk ishte pa trashëgimtarë. Kishte me Barsinën , jashtë martese djalin Herakliun e Maqedonisë. Gruaja e ligjshme, Roksana ishte shtatzanë dhe disa ditë pas vdekjes së tij lindi djalin Aleksandrin IV, që u shpall mbret që në lindje. Trashëgimtar ishte dhe i vëllai nga babai Arrideu, i cili u shpall mbret me emrin Filip Arrideu, pas vdekjes së Aleksandrit dhe mbretëroi gjashtë vjet. Vetë Aleksandri, la si mëkëmbës gjeneralin Perdika. Kësisoj e thëna në testament, në Aleksandri, se ai po vdiste dhe nuk po linte trashëgimtarë, nuk përputhet as me vendin e vdekjes as me trashëgimtarët. Po të jetë e vërtetë ajo që thuhet në testament, atëherë duhet rishikuar historia e fundit të jetës së Aleksandrit të Madh.

Në fund, ajo që hedh hije të forta dyshimi, është krahina që Aleksandri u lë trashëgim “shkodranëve”. Kjo është hapësira e Akuilonit deri në skaj të Italisë së Jugut. Për aq sa munda të hulumtoj, kjo gjendet diku në afërsi të Molizes në Itali. Për kohën që bëhet fjalë në këto toka ishin vendës dhe zotërues fiset ilire të mesapëve, japigëve dhe daunëve. Mesapët në vitin 335( trembëdhjetë vjet para hartimit të testamentit) thirrën për ndihmë në luftën e tyre kundër Tarentit Aleksandër Molosin, i cili u vra në atë luftë. Më vonë me zgjerimin e Romës ata u përfshinë në zotërimet e asaj republike.

Krahina e dhuruar me tastament, dhe as Iliria nuk ishte në zotrim të shtetit të Aleksandrit, as të ndonjë aleati të tij. Atëhere si mund të dhurohet ajo që nuk zotërohet?

Këto pasaktësi, më bëjnë të dyshoj që testamenti, ashtu siç jepet nga studjesja Nadin, mund të mos jetë autentik, ose ai, kushedi se për çfarë arsye, është hartuar shumë më vonë pas vdekjes së Aleksandrit të Madh.

Shumkush, mund të mos jetë i një mendimi me mua, kjo ështe enatyrshme dhe në të drejtën e gjithkujt që ka njohuri për jetën e Aleksandrit të madh.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora