E enjte, 19.09.2019, 08:20 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Një “Nobel” për “armikun e popullit”!

E merkure, 23.10.2013, 08:40 PM


Një “Nobel” për “armikun e popullit”!

Nga Elvi Sidheri

Fushata ndërmediatike dhe mbi të gjitha ndërpopullore anti-Kadare para dhënies së çmimit Nobel në Letërsi, mua vetë më kujtoi qetësisht edhe pa asnjë dyshim të vetëm (“sem duvida nenhuma” që thonë portugezët)... idetë e Daci Bao-ve të dikurshme që zinin hapësirën e tabelave të vëna apostafat për një qëllim të tillë, në qendër të fshatrave, provincave të thella (e shpesh tejet injorante dhe të trasha në sjellje dhe mendësi) larg Tiranës, qytezave apo kooperativave punonjëse!

Këto Daci Bao apo denoncime publike, shërbenin në atë kohë, për demaskime të ndryshme publike, të armiqve të partisë dhe të popullit njëkohësisht (si një remix perfekt që buronte nga aftësitë e ndonjë “Dee Jay” anëtar të Byrosë Politike në versionin “Realizmi Socialist & Revolucioni i Kuq Kinez...on the dance floor”).

Të denoncuarit, të demaskuarit, të përçudnuarit publikisht, ata që meritonin sharjet apo anatemimet faqe popullit, kooperativistëve apo katundarëve të ndryshëm, ishin sërish padyshim, armiqtë e pamungueshëm të Nënës Parti, njerëz që pale nuk kishin realizuar dhe tejkaluar apo thyer planin me 117%, apo të tjerë që kishin refuzuar të rrasnin duart gjer në bërryl, brenda kazanëve me komposto fekalesh dhe bajgash lopësh apo kakërdhishë dhishë mali (një nga zbulimet famëmadhe teknologjike që na qe importuar vëllazërisht nga shokët kinezë).

Por të denoncuara rëndom ishin edhe do gra apo vajza të reja, që të dëbuara familjarisht nga Tirana (babait, mamit, gjyshit, kushuririt të pestë, ndoshta diku do i kishte shkarë këmba dhe “hop si top”, ato të ngratat bashkë me familjet e tyre, do të qenë përzënë pa shumë ceremoni, me trastat dhe valixhet majë ndonjë kamioni deportues, nga Tirana për t’u degdisur nëpër humbëtirat provinciale plot paragjykime, urrejtje për njeriun e fisëm dhe me dy gramë kulturë, ideale partie në kult dhe anti-borgjezizmave të shumta)...patën përfunduar fshatrave të panjohura, të denoncuara në tabelat e lartpërmendura.

Kishte Daci Bao të ndryshme thonë.

Unë kam lindur për fat pas tyre dhe dëshmitar nuk mund të jem dhe këtë marrëzi kolektive (nga ato që shqiptarët i kanë të shpeshta)...nuk e kam njohur personalisht.

Diku ndokush dilte në Daci Bao për një palë syze dielli për shembull (“shfaqje e huaj” e nivelit të lartë, që asnjë sekretareshë partie me qimen si të derrit, që depilimin trupor s’e kishte marrë kurrë në konsideratë...se fundja shfaqje e huaj ishte edhe të qënit femër prej vërteti atëherë, asnjë zyrtare rajonale partiake pra, nuk do t’a honepste dot pa e denoncuar para gjithë popullit, duke mëtuar përherë, një linçim publik, aq të dashur edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë).

Ndokund tjetër, një “fund me pala” (pra sadopak i konsideruar në modë) apo ndonjë palë sandale të bardha me njëfarë take të lartë, bëheshin problem aq i madh, sa të shqetësonin njëkohësisht Frontin Demokratik, Sekretarin e Partisë, Kolektivat Punonjëse, Brigadierin e rradhës (ndërsa i fuste duart ndonjë kooperativisteje të ngratë), operativin e zakonshëm të Sigurimit dhe keqanët apo keqanet e pamungueshme që gëlojnë në të tilla situata “denoncim-linçimesh” të çfarëdoshme.

Nga 1967-a e më tej, të tilla gjëra kanë qenë aq të rëndomta, sa besoj se nuk ka shqiptar që atë kohë e ka jetuar në kurriz të vet, që të mos e ketë ngrënë nga një Daci Bao të vërtetë apo të përafërt, që nuk është spiunuar qoftë edhe njëherë për çfarëdo arsyeje, apo që nuk ka parë nga afër ndonjë linçim publik të ndokujt, për faje imagjinare apo shkelje të moralit socialist (rroba ala-frënga, sjellje ca si shumë fisnike, flokë të krehura me shije, gjuhë të huaja të njohura, fytyrë e bukur, stacione të huaja televizive të ndjekura fshehtazi e shumë shkaqe të tilla të dënueshme egërsisht dhe brutalisht nga regjimi i kohës dhe langaraqët e lapangjozët që gjëmonin mbrapa qerres së socializmës dhe komunizmës shqiptare).

Aq shumë qe ekzagjeruar në këtë këndvështrim, sa në atë kohë dolën edhe tregime popullore që përshkruanin ngjarje nga më të ndryshmet që kishin të bënin me fenomene të lidhura me debilizma të shumtë që buronin nga pasojat e Revolucionit Kinez.

Diku në Labërinë e thellë, thonë se për shembull, disa shokë të partishëm dhe me ideale të forta komunisto-kineze, vajtën gjer tek kooperativa e fshatit ku banonte një plak i moçëm dhe mjaft i respektuar i atyre anëve.

Shokët e partishëm, të bindur se qëllimi i tyre për të sjellë metodologjinë më të re kineze lidhur me përpunimin e jashtëqitjeve shtazore dhe përdorimin e tyre sa më të efektshëm në plehërimin e tokës, arrihej më mirë dhe shpejt, duke bindur të parin e fshatit (plakun tonë të sipërpërmendur lab)...iu drejtuan pikërisht atij burri në moshë dhe patën nisur t’i shpjegojnë fije e për pe, sesi funksiononte përzjerja dhe përpunimi i bajgës, kakërdhisë, glasës së pulës e pse jo, edhe asaj të njeriut, brenda në kazanin e kompostos.

Shokët e partishëm, përveçse të shpëlarë mirë nga trutë, me shokun Enver të ulur galiç në zemër dhe me idealet e partisë të mirëngulitura në atë që u kishte mbetur pa u fshirë nga funksionet e tyre të pavarura celebrale (prandaj doli edhe shpehja e njohur “Për ideal të Partisë” ca kohë në përdorim)...qenë veshur edhe me kominoshe.

Kominoshet kooperativiste mesa duket do të kenë qenë të modës atë kohë!

Të gjorëve, për t’a bindur plakun lab (kokëfortë sa më s’ka domethënë) që komposto me fekale, ishte gjëja e duhur për t’u bërë, që jashtëqitjet e çdo kafshe të kooperativës duheshin qëmtuar dhe mbledhur me rradhë një nga një për t’u përzjerë më tej manualisht (me duar të zhveshura) nga njeriu gjersa të qenë shkrirë e  bërë “një” me njëra-tjetrën që më vonë të plehëronin tokën mëmë të kooperativës nga ku dikur do të mbinte gruri që do të ushqente tërë popullin tonë ushtar në mbrojtje të atdheut tonë kështjellë të komunizmit, far në detin e trazuar të botës së degjeneruar kapitaliste, borgjezo-revizioniste, atyre burrave pra, iu deshën sidoqoftë orë të tëra fjalësh dhe demonstrimesh të pafundme.

Plaku rrinte e vështronte, por zë s’bënte, kruante faqet e lozte me mustaqet e gjata, por s’pipëtinte kurrësesi!

Në fund, aty në të errur u duk se ia dolën pikërisht kur muzgu po binte dhe hëna qe shfaqur në qiellin përmbi Labëri, ndërsa dielli ishte zhdukur pa lënë gjurmë dhe siç dukeshin bathët, qe duke ndriçuar të tjera toka larg Shqipërisë sonë të dashur (e ku e meritonin qoftë edhe një rreze të vetme dielli, ata kapitalistët e qelbur në Amerikë ose revizionistët sovjetikë?...-do thoni ju!-Po ç’t’i bësh, partia me siguri që do e gjente një ditë edhe zgjidhjen e kësaj çështje me rëndësi kardinale për fatet e planetit tonë, padyshim që shoku Enver në të gjallë të tij, po të kishte patur kohën e nevojshme, një ditë do t’a kishte shkruar me dorën e shkrimtarëve të zakonshëm “fantazëm” edhe një copë libër lidhur me temën, sesi të bëjmë të mundur që dielli të lëshojë rrezet e tij të nxehta dhe të ngrohë ekskluzivisht vendet e ndershme socialiste si Shqipërinë, Kubën, Korenë e Veriut etj).

Plaku gjer në atë moment totalisht i pavëmendshëm ndaj leksioneve “fekalisto-komposto-plehëruese”...më në fund nisi të tregonte shenja vëmendjeje kundrejt burrave të partishëm veshur me kominoshe dhe me duart e zhytura në bajga e glasa brenda një kazani erëqelbur.

-“E bëmë të vëmendshëm dhe të interesuar edhe këtë matufin”!-kishin menduar burrat e partishëm me kominoshe!

Tani me siguri që edhe fshati bashkë me kooperativën, do të ishte më e thjeshtë që të ktheheshin në “rrugën e partisë” (se të Zotit e kishim ndaluar me ligj)...dhe sapo një kafshë të guxonte të lëshonte edhe një kokërr të vetme bajge apo kakërdhie, edhe me bark të qenë të gjorat shtazë, fshatari ynë, do t’ia kriste vrapit si atlet në garë 100 metërshi dhe do t’a merrte në duart e tij jashtëqitjen në fjalë, për t’a trajtuar atë si thesarin më të madh të tij, të atdheut socialist dhe të Partisë sonë legjendare, e me të do të përgatiste një alamet kompostoje me të cilën do të kujdesej që të plehëronte tokën dhe fushat e kooperativës.

Por sapo entuziazmi i burrave të partishëm me kominoshe qe ngritur në nivele stratosferike, plaku me mustaqe kërkoi të bënte vetëm një pyetje.

-“Çfarë të duash xhaxha, vetëm pyet se të përgjigjemi ne”!-i thanë shokët e partishëm që prej orësh po “ushtroheshin” lodhshëm në atë proçes përzjerjeje manuale të disa kileve bajgash e kakërdhishë.

-“Po mirë more djema, po për t’u menderosur (për të bërë nevojën e madhe)...si ja bëni juve me ato kominoshe mor aman”?-ishte pyetja e ndershme e xhaxhait, i cili gjatë tërë atyre orëve të gjata e kishte vënë vazhdimisht mendjen në punë vetëm lidhur me këtë fakt, për shkak se siç dihet botërisht, kominoshet nuk posedojnë as kopsa e as rrip në brez, ku të zbërthehen e të ulen në mënyrë që njeriu të kryejë normalisht nevojat e tij të detyrueshme fiziologjike.

Tani unë edhe sulmin e padenjë dhe anormal ndaj korifeut tonë apo siç e gjykoj unë në mënyrë autonome të paktën, Rilindasit tonë të fundit, Ismail Kadaresë, si të tillë e konsideroj (si komposto bajgash që përmbajnë brenda tërë keqanërinë tipike shqiptare, xhelozinë dhe smirën e gdhësë apo injorantit, ndaj të diturit dhe atij që me penë në dorë, ka bërë më shumë për t’ia zbadhur faqen këtij vendi, se kushdo tjetër pas Nënë Terezës të paktën)...dhe këtë përgjigje si kjo e plakut lab, u jap pa e lodhur shumë trurin!

Ka shkruar nën regjim apo jo, ka lëvduar xhaxhin Enver apo jo, janë gjëra me rëndësi relative!

Havzi Nela u var për një poemë e Pjetër Arbnori ose Zef Pëllumbi kryeveprat e tyre i kanë shkruar burgjeve të diktaturës dhe merita e mirënjohja jonë e pakufijshme i shkon guximit të tyre të pashoq.

Në idenë time, Kadare diti të luajë me regjimin, t’a miklojë atë së jashtmi dhe t’a denoncojë më së miri ndërmjet rreshtave, aty ku çdo mendje e thellë intelektuale di të lexojë atë që vërtet fshihet pas imazhit të rremë fillestar.

Kjo gjë dhe jo thjesht egoja për t’u dukur mirë para botës e regjimit, e bëri Kadarenë aq të dashur dhe popullor mes popullit të tij edhe para viteve 90-të.

Kadare nuk ka qenë një disident i mirëfilltë, por një njeri i madh, mendje e ndritur dhe penë e artë padyshim gjithmonë para dhe pas 90-ës!

Rastësisht Nobeli u fitua këtë vit nga një kanadeze, që pa e njohur fare unë, thonë se e ka gjetur të udhës të shkruajë për një fenomen shqiptar, atë të të ashtëquajturave “Virgjëresha Shqiptare”, grave që jetojnë maleve si burra.

Unë uroj që seriozisht në të ardhmen, ndonjë shkrimtar shqiptar të shkruajë për shembull edhe për ngjarje si të themi, marrja me dhunë, shkëputja nga famlijet e tyre të origjinës, ndalimi për të folur në gjuhën mëmë, përdhunimet dhe abuzimet seksuale sistematike ndaj këtyre minorenëve e turpe të tjera kombëtare kanadeze (që unë i kam zbuluar tek TV5 Monde, emisioni për Quebec-un, provincën frankofone), ngjarje këto të vërteta të ndodhura qysh në vitet 50-të të shekullit të kaluar në Quebec dhe nëpër tërë Kanadanë e “kulturuar”, kur qindra-mijëra fëmijë të banorëve autoktonë (amerindianë) janë keqtrajtuar me urdhër eksplicit nga shteti kanadez në këtë mënyrë tejet barbare dhe anti-njerëzore.



(Vota: 30 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT