E enjte, 27.06.2019, 11:28 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Realiteti sipas teorisë Lubonjane!

E merkure, 24.07.2013, 06:00 PM


Unë Lubonja, ti Lubonja, ai Lubonja...realiteti sipas teorisë Lubonjane!

Nga Elvi Sidheri

Që gjuha jonë e dashur shqipe ka një gramatikë të vështirë sa edhe një fjalor dhe trashëgimi tejet të pasur, këtë gjë tashmë e dimë të gjithë.

Ç’vend zë me ose pa meritë analisti i gjithëpërfshirë dhe kudogjendur e çfarëdo...(temë)...mendues Lubonja në këtë kontekst gjuhësor, kjo është pra diçka të cilën kam ndërmend (jo ditë e natë siç flet poema e madhe e Naimit me qingjin që linte kopenë pasi pati blegërirë dy a tri herë) t’ua shpjegoj unë më poshtë.

Me gjuhën zoti Lubonja për fat të madh nuk më është dukur se ka pasur ndonjë gjë në veçanti dhe kjo është diçka e mirë.

Jo se mund të mos ketë dashur t’i fusë hundët e tij (nuhatëse të mira të secilit rast ku ai mund të përfshihet duke ose pa e ftuar njeri)...edhe në debate gjuhësore, por se kushedi nuk i është ofruar një rast i tillë!

Por zotërinë e nderuar, e kemi dëgjuar të përflasë lart e poshtë (tek “Opinioni” ku e ka bërë vrimë karrigen në mbi dhjetë vjet rradhazi ku e thërrasin që të diskutojë mbi çdo temë, çështje apo bisedë e ngjarje të mundshme, duke të lënë përshtypjen se erudit të tillë nuk ka njohur më parë historia e inteligjencës shqiptare në kaq shekuj ekzistence të këtij populli)...për shumëçka, për gjuhën sidoqoftë nuk më kujtohet ndonjë koment i tij që ia vlen të përmendet.

Më pas prej tij kemi dëgjuar se Shqipëria është vend maskarenjsh, prostitutash, rrënimi të gjithëanshëm, mungese totale kulture, historie inekzistente, heronjsh dhe mitesh fallso dhe pa asnjë bazë, mos-harmonie sa njerëzore aq edhe fetare, largësie kozmike nga Europa, por edhe prapambetje të pariparueshme me këdo fqinj apo komb tjetër, e çfarë më tepër se kaq!

Nuk ia përton fare goja tjetrit (ka qenë në burgjet komuniste, nga të cilët kur ka arritur të dalë gjallë, sigurisht që s’ka më përse t’ia bëjë syri tërrt...po çfarë ka që inatet e tij personale, ndrydhjet dhe rininë nga e cila e kanë privuar në internim, t’ia nxjerri më kamatë tërë shqiptarëve, këtë po që nuk mundem t’a pranoj dhe aq më pak t’a mirëkuptoj)...dhe merr përsipër të përflasë gjithçka, me një tipar të përherëshëm, që kur tema për të cilën flitet, ka të bëjë qoftë edhe përciptazi me Shqipërinë, komenti i tij do të jetë nihilist, nekrofilist, mohues, përçmues, anatemues, kundërshtues, rrënues, urryes dhe nënçmues në më të lehtin e rasteve.

Tani i erdhi rradha edhe zotit Haradinaj!

Pritej edhe kjo në fund të fundit.

Në idenë time, pa e vrarë shumë mendjen për t’a deshifruar fushatën filoserbe dhe antishqiptare që ka pasuar humbjen e regjimit serbomadh Millosheviçian në Kosovë (ndaj NATO-s dhe UÇK-së), rrota e fundit e qerres, janë edhe shqiptarët vetëurryes, përfaqësuesi i denjë i të cilëve është edhe z.Lubonja.

Ky është një ekuacion tejet i thjeshtë për t’u zgjidhur edhe nga kalamajat e ciklit të ulët e jo më nga njerëz me gjykim të çlirët dhe të kthjellët në moshë të pjekur.

Pra miq të nderuar, dështoi (por edhe u përdor dhe u shtrydh si limon) zoti Marty, humbamenoja zvicerian që shihte ëndërra me veshka serbësh të shkulura “shtazërisht” (tezat e shqiptarëve të egjër, qënieve me bisht që hanin njerëz, të hedhura në eterin europian në vitet e pavarësisë së Shqipërisë, ciklikisht rikthehen nga “dikush”)!

Para tij me lajme të freskëta që tregonin një më një aventurat e kobshme të robërve serbë të luftës fshatrave të Burrelit, ishte marrë personalisht edhe kryeshpifësja me famë ndërkombëtare, ”gruaja e frustruar” (citoj Bexhet Pacollin) e cila me fantazinë e Agatha Christie-s, thurte legjenda të denja për filma horrorë, në të cilat protagonistë ishin përherë shqiptarët e pajisur me hanxharë të mprehtë dhe qingjat e butë serbë, të cilët qenë vënë në rradhë (porsi cjapi tek kasapi) për t’u therur, rrjepur dhe shitur (organet e tyre të shijshme) tek ofruesi më i mirë në tregjet botërorë të gjësë së gjallë (veshkave njerëzore).

Zinxhiri u plotësua këto vitet e fundit edhe me sulmin tjetër paralel, i cili synonte baltosjen dhe helmimin e mbi të gjitha mohimin total nga sharlatanë dhe injorantë historikë, të modelit sërish “zvicerian” (Schmitt)...të historisë dhe trashëgimisë së lashtë shqiptare në të gjitha trevat ku populli ynë jeton akoma.

Lubonja ndërkohë, do pranuar se ka qenë plotësisht konstant me secilën nga tezat dhe pohimet e tij!

Kjo gjë nuk ka sesi t’i mohohet dhe të mos i njihet.

Thotë ndokush nga Perëndimi, Zvicra apo qoftë edhe Serbia se Gjergj Kastrioti ishte serb, bullgar apo grek (domosdo që jo shqiptar), opa...edhe Lubonjën e kemi në të njëjtën vijë mendimi, në sintoni të plotë me këto pohime.

Të ketë mundësi shkon edhe më larg!

Ia kris dikush tjetër që shqiptarët jo vetëm se nuk kanë as lidhjen më të largët me ilirët, por as vendas nuk janë nga këto anë dhe në të vërtetë kanë “mbirë” në këtë tokë pas plehërimit amerikan (do na kenë mbjellë amerikanët, meqë i kemi aleatë të vetëm) apo të bërë nga kushedi se kush vetëm këto vitet e fundit (dhe kështu i bëhet qejfi dhe zemra mal kujtdo antishqiptari, qoftë ky fqinj i yni apo tjetërkush, nga ata që nuk do t’a pranojnë kurrë autoktoninë tonë në këto troje, çfarëdo prove shkencore, historikë apo gjuhësore t’u paraqitet para syve)...dhe Lubonja është në rradhë të parë mes atyre shqiptarëve vetëpërçmues që do t’i mbështesin dhe për më tepër fuqizojnë “shqiptarisht” këto teza ogurzeza.

Tani ja ku doli (vonë u kujtua në të vërtetë “analisti” i madh që të lidhet me këtë fill, do ketë qenë tepër i zënë duke pështyrë dhe “përmjerë” mbi aspekte të tjera të trashëgimisë dhe përditshmërisë sonë shqiptare)...sërish në pah tema e preferuar e asaj pjese të Perëndimit që u gjend e  “detyruar” totalisht kundër vullnetit të vet nga amerikanët që të marri pjesë në bombardimin e Serbisë (mëkat i pashlyeshëm ky, që amerikanëve nuk u kushton gjë se janë të fuqishëm më tepër se kushdo, por që neve nuk na e fal kush).

Pra çështja “veshkat e serbëve”, si dhe ku ato u shkulën, në ç’kushte ndodhi kjo pseudo “mënxyrë”...me çfarë tigani u gatuan, a u përdor vaj apo gjalpë në përgatitjen e tyre për t’u ngrënë nga kanibalët shqiptarë, a u shoqëruan me verë, djathë, presh, hudhra, sallatë të gjelbër, spinaq, revani, bakllava apo tavë kosi?!

Edhe Lubonja nuk kishte sesi të mos t’a thoshte të tijën lidhur me një temë të kësaj delikatese!

Sepse nëse është e vërtetë që ish-kryeministrin liberal Fatos Nano në 2005-ën dhe konservatorin Sali Berisha këtë vit, i akuzuan me të drejtë se inauguronin gjithçka, gjithëkund, mjafton që të bëheshin prezentë para publikut të gjerë përgjatë fushatës elektorale (pra edhe kur ndokush vente për të blerë ndonjë televizor për qejf të vet, gjindja thoshte se ishte e mundur që Tosi atëherë ose Sala tani, të mund të ndodheshin atypari për të bërë “inaugurimin” e kësaj blerje), po ashtu edhe Lubonjë-analisti “di unë gjithçka lidhur me çdo gjë dhe çdokënd, shkencë, art, religjion, filozofi, histori, politikë...jetë-vdekje e mrekulli të gjithëkujt banor të këtij planeti ku banojmë”...nuk mund t’a linte rastin e artë që t’i ikte duarsh pa thënë edhe ai të tijën.

Duket që nisur jo vetëm nga “mësimet” e Librit të Shenjtë të tij (Gjuetia, unë dhe kriminelët e luftës) i Carla Del Ponte, por ndoshta pse jo, edhe nga aroma e veshkave serbe e cila Lubonjës patjetër që do t’i ketë arritur gjer tek dritarja e tij në Tiranë, ose për më tepër, pasi të ketë kapërcyer Adriatikun, t’i ketë vajtur deri në Itali ku ai banon një pjesë të mirë të kohës (edhe Italinë e shan paq sa herë i vjen mundësia tjetri, mosmirënjohjen dhe atdhe-urrejtjen e paska tipar duket), ai pra tashmë i bindur “sa më s’ka” se faktet nuk duhen heshtur kurrësesi, gjen momentin e duhur dhe fut gojën në punë, e hap shpellën dhe nis të kujisi si langoi pas rosës së vrarë nga gjuetari (Carla prokurorja me pushkë antishqiptare në dorë)...apo qeni natën e hënës së plotë!

Leh ky, leh ambasadorja aktuale e Zvicrës në Buenos Aires, leh Shcmitt-i, leh Dick-u, lehin edhe ndoca shqipfolës shqiptarë-urryes të tjerë dhe nga ca fije bar, na bëhet një mullar me shpifje të cilat nuk mund të injorohen më sepse tashmë janë shtuar ca si tepër!

Tani unë them se po qe se zotëria i sipërpërmendur i cili mjaft na i ka çarë dërrasat me komentet e tij diarreike (të cilat edhe kur je “kaps” me siguri të çbllokojnë, laksativ i mrekullueshëm është zëri dhe mendimet e tij gjithëçka-ditëse)...lidhur me çdo temë të mundshme tek Opinioni (por kur sidoqoftë jemi të lirë të shfrytëzojmë mundësinë që na paraqitet nga ndërrimi i kanalit, pastaj të pëllasë tjetri sa të dojë apo deri në ngjirje, se unë së paku vendos të mos t’a dëgjoj)...ai pra nëse posedon prova për ato që thotë, le t’a paraqesi atë në publik, prokurori apo gjer në Hagë po t’ia dojë shpirti.

S’e pengon kush.

Po qe se ai personalisht ndodhej në ditët e 1999-ës në fshatrat e Burrelit ku supozohet të kenë ndodhur këto “krime” të ashtëquajtura, apo më pas po ashtu ai të ketë qenë dëshmitar okular në vrasjen apo keqtrajtimin e ndonjë dëshmitari në proçeset kundër zotit Haradinaj në Hagë, edhe këto fakte le të vejë ku t’ia ketë qejfi, pse jo edhe në prokurorinë beogradase që merret me krimet e luftës dhe të dëshmojë aty gjithçka ai di.

S’ka fare arsye përse ai t’i mbajë në bark të gjitha të vërtetat që bëjnë fjalë për krimet “e llahtarëshme” që paskan kryer shqiptarët në Kosovë apo Shqipëri kundër serbëve.

Le të flasë për skizofreninë që neve na karakterizonka si popull (i vetmi normal me shëndet të plotë mendor është vetëm ai në këtë rast, teori e vjetër kjo e tipave si ai...”Vij nga një vend majmunësh me bisht, kriminelësh dhe putanash, por unë vetë jam njeri i ndershëm dhe nuk kam bisht”)...apo për të tëra ato që stomaku i tij mezi pret të vjellë kundër vendit të vet.

Gjithësesi gjithçka që unë pres që me të vërtetë të flejë në barkun e tij, është ndonjë lepurush i cili aty ia ka marrë gjumit për shtatë palë qejfe (aty “fle lepuri” siç thotë populli), lepurush frikacak ky, i cili trembet nga hija e vet, hija e kombësisë së tij dhe e gjakut që natyra apo Zoti i ka bërë t’i rrjedhi nëpër vena!

“Gjaku shprishur” është një shprehje arbëreshe dhe sesa lidhet kjo me Lubonjët e shumtë, ua lë juve t’a gjykoni lexues të dashur!

Pa u stërholluar më tepër me këtë personazh, po kujtohem tani edhe për një koment lexuesi serb që lexova poshtë një shkrimi lidhur me Lubonjën në një gazetë online serbe.

Aty ai nga serbi i zakonshëm, cilësohej fiks si “POSHTEN ALBANAC”!

Shqiptar i ndershëm pra është ai për serbët....veshkat e tyre imagjinare tashmë do të prehen në paqe dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi i tyre tanimë që ky analist foli.

Pra miq...”Një Lubonjë në ditë, e largon Shqipërinë nga Europa shumë vite dritë”!



(Vota: 38 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT