E premte, 26.04.2024, 01:59 PM (GMT+1)

Mendime

Fazli Hajdaraj: Shkelje të rënda parimore

E diele, 14.07.2013, 12:47 PM


SHKELJE TË RËNDA PARIMORE

-  Kryesisë të Lidhjes Demokrastike të Kosovës -

- Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së -

- Anëtarësisë të Lidhjes Demoratike të Kosovës LDK-së -

P R I S H T I N Ë

Nëndega e LDK-së për Republikën e Rheinland Pfalz-it, në Gjermani, pas Kuvendit të VI-të, tanimë, i njohur si Kuvendi shkatërrues i Partisë të Presidentit Rugova, bëri përpjekjet maksimale për ta bindur klanin uzurpues të udhëheqjes të LDK-së, për të bërë kompromisin e nevojshëm me krahun e e akademik Nexhat Dacit, por dështoi. Sepse klanorët kishin marrë detyrime për kreun e PDK-së. Nëndega jonë nuk heshti, i bëri thirrje anëtarësisë të LDK-së, të jetë syçelë për çfarë po ngjet në LDK-e, duke publikuar shkrimin kritik: "Mbetemi në LDK-e, por nuk mbështesim udhëheqjen e saj", si dhe shkrime të tjera, për të këndellur elektoratin e dr. Rugovës.

Ndërkohë, degët dhe nëndegët e LDK-së në Diasporë, me ndonjë përjashtim të rrallë, i thurnin hymne pa fije mbulese klanorëve matrapazë e shpirtshitur, rrënues të pafrikshëm dhe të pacipshëm të Partisë të dr. Rugovës, duke qenë të njëzëshëm me Kryesinë Qendrore, duke i dhënë përkrahjen asaj, e çonin LDK-në drejt humnerës.

Krejt çfarë Nëndega jonë parashikoi në vitin 2006, mjerisht, rezultoi e saktë. Publikimi i transkripteve të debateve, në mbledhjen shkatërruese të LDK-së, të publikuar këto ditë, nga gazetari dhe veprimtari i devotshëm Xhevat Rexhaj, denoncon dhe dëshmon bindshëm personazhet varr-mihëse të LDK-së. Klanorët, të ndezur në synimet e tyre shkatërruese, deri në krim, jo vetëm karshi partisë-lëvizje të Presidentit Rugova, por edhe karshi Kosovës, nuk dëgjuan as shpjegimet e qeta të Milazim Halitit, për rrjedhojat fatale që do të këtë LDK-ja nga revanshi i uzurpatorëve, për ta ndarë partinë; as thirrjet shpërthyese - akuzë direkte për klanorët, madje me emër e mbiemër, se donin ta fundosnin LDK-në e ta harronin shenjëtorin Rugovë, të pinjollit të bajraktarit  të Llaushës, Fadil Geci; as lutjen me logjikën e shëndoshë të Naser Osmanit me shokë.

Klanorët e Kuvendit të VI-të, i njohur edhe si Kuvendi përjashtues i kuadrove më të përkushtuar dhe më besnikë të LDK-së dhe të Presidentit Rugova, duke manipuluar edhe me alibinë fallse se, gjoja, këtë po e kërkon Washingtoni dhe Brukseli, realizoi ndarjen e partisë, madje, krejt të vetëdijshëm se po ua dorëzonin pushtetin majtistëve stalinistë, të cilët, tashmë, e kishin përgjakur Kosovën, me ekzekutimet në pusira, gjatë dhe pas luftës, të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve institucionalë.

Ne vlerësojmë kryetarin e zgjedhur në Kuvendin e VI-të, për denoncimin e bërë, së fundi, për kolegët, pjesë të klanit të tij, duke e cytur "shko deri në fund...", pra, refuzoje ofërtën e akademik Dacit, për një marrëveshje kompromisi, për ta shmangur ndarjen e partisë. Por, kjo nuk e amniston atë, sepse është prof. dr., me një përvojë të gjatë politike e, mbi të gjitha, ishte bërë i parë i partisë dhe nuk do duhej të lejonte që të tjerët ta tërhiqnin atë për hunde, drejt fatalitetit. Për habinë tonë, këta shtirës, megallomanë e cinikë, të cilët dje i bënë gjëmën LDK-së, edhe sot janë "maje kalit", me poste e ofiqe të larta, të cilët bëjnë ligjin në partinë tonë, fort përçarë dhe të molisur e katandisur skajmërisht.

Klanorët, edhepse kishin realizuar serinë e humbjeve në disa palë zgjedhje të LDK-së, ata mbetën të paprekur për fajësinë, krimin e bërë, duke ruajtur monopolin e plotë mbi partinë edhe në Kuvendin e VII-të, të njohur si Kuvendi i kompromisit, si Kuvendi i vazhdimësisë!! Për rrjedhojë, zotimet e marrura nga kryetari i ri, për ta bashkuar sërishmi LDK-në, për të bërë reforma të thella, për t`ia kthyer namin që partia kishte në gjallje të Presidentiut Historik, dr. Ibrahim Rugova, ngelën vetëm premtime në fjalë dhe letër! Në vend të bashkimit me LLD-në, partia pësoi edhe një të çarë me "Listën Rugova"; në vend të spastrimit nga klani i vjetër rrënues, ata mbetën "në ballë të oxhakut", duke u bërë pengesë e patejkalueshme për reformat në parti, sepse reforma do t`i nxirrte të parët ata "tepricë teknologjike".

Kuvendi i VII-të i LDK-së ishte një kopje e zgjyrosur e Konventave zgjedhore të dy partive të ekstremit të majtë stalinistë, tashmë, të njohura si parti të inkriminuara, të kriminalizuara, PDK-së dhe AAK-së. Përveç zgjedhjes me votim të fshehtë dhe transparencë vizive  të kryetarit Isa Mustafa, e gjithë pjesa tjetër ishte emërtesë kompromisi i klanorëve të vjetër me kryetarin e ri. Lista prej 107 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm u votua me aklamacion, në grup! Pra, u emërua dhe nuk u zgjodh me votim të fshehtë, duke thyer një nga normat bazë të zgjedhjes demokratike.

Kuptohet mirëfilli, kemi një Këshill të Përgjithshëm të paligjshëm. Dhe, ndonëse ky ligj zgjedh Kryesinë e LDK-së, rezulton se një Kryesi e dalë nga një Këshill i paligjshëm, kemi edhe Kryesinë Qendrore të LDK-së të paligjshme. E gjithë kjo maskaradë "zgjedhore", ku 359 delegatët e pranishëm janë sorollatur tërë ditën holleve të Hotel "Grand", për një votim 15 minutash të kryetarit të LDK-së, është pasqyruar, besnikërisht, në shkrimin "Shpirti kristian i shqiptarëve", - të një delegati nga Gjermania.

Me gjithë përpjekjet e kryetarit të ri, Isa Mustafa, për të jetësuar reformat, të cilat do ta motivonin për veprime anëtarësinë aktive, do do të tërhiqnin të zhgënjyerit, të pasivizuarit, të mëfshtët në radhët e LDK-së, kjo u "stopua", u pengua nga klani, gjithnjë aktiv edhe në kryesinë e "re". Kur u lexua emri i Eqrem Kryeziut, për Këshillin e Përgjithshëm, shumica e delegatëve në sallë reagoi me ilaritet, në shenjë mosaprovimi. Për çudinë e të gjithëve, në vend që të reflektohet, të hiqet menjëherë nga lista e Këshillit, atë do ta shohim të katapultuar sërishmi në Kryesinë Qendrore dhe në krye të LDK-së të Prizrenit, për t`ia zënë frymën partisë dhe për ta siguruar humbjen e Prizrenit në zgjedhjet lokale e qendrore. Kjo është mospërfillje, injorim total, përçmim i organit më të lartë të partisë, siç është Këshilli i Përgjirhshëm i LDK-së. Rrjedhimisht, ky është më shumë se gabim, është faj, është krim karshi anëtarësisë dhe elektoratit, dikur numerikë, të partisë-lëvizje të Presidentit Rugova.

Krert e LDK-së, jo vetëm nuk arritën të jenë të suksesshëm dhe imponues në përballjet me PDK-në, por, jo rrallë, u bënë pjesë e aprovimit, e pajtimit me krerët e PDK-së, të cilët, të zhytur në krimin e organizuar politik - vrasje dhe ekonomik - vjedhje, kërkonin dhe kërkojnë mbështetjen e LDK-së. Dihet, e majta staliniste, PDK-ja, AAK-ja, janë të interesuara jo vetëm për largimin e UNMIK-ut, por edhe të EULEX-it, madje edhe të NATO-s. Pa praninë e ndërkombëtarëve, ata ndjehen të çliruar nga barra e krimeve seriale, madje janë të gatshëm të shtrijnë edhe viktima tjera, nëse pengohen në revanshin e tyre kriminal.

Çuditërisht, me një rast edhe kryetari Isa Mustafa ka kërkuar largimin e EULEX-it! A ishte ky mendim personal apo i Kryesisë, mbetet ta sqarojë ai. Ne mendojmë se shoqëria jonë, Kosova jonë, shteti ynë i brishtë dhe i prishtë, nga banda në pushtet, nuk ka mundësi, madje as teorike, të konsolidohet, të ligjësohet, sepse kriminalizimi është i përmasave fatale dhe askush nuk është i gatshëm ta luftojë veten e tij. Vërtet, UNMIK-u, jo vetëm që nuk vuri bazat e shtetit ligjor, por i dha qytetari krimit të organizuar! Edhe EULEX-i nuk e ka njëmendësisht konsolidimin e shtetit të Kosovës, sepse veprimet e tij nuk janë serioze, nuk janë efikase, edhepse i ka të gjitha mundësitë, për ta vendosur rendin, ligjin, drejtësinë.

LDK-së dhe e djathta e mëfshtë e Kosovës, (pa PDK-në dhe AAK-në, të cilat jo vetën nuk janë të djathta, madje as të majta evropiane, por janë e majtë ekstreme staliniste, të para jo nga fjalët, por nga veprat kriminale), duhet të kërkonin angazhimin në Kosovë të kuadrit të një shteti të fuqishëm ekonomik dhe ligjor si Amerika, Gjermania, Anglia, Austria..., për ta përgaditur infrastrukturën për një shtet të konsoliduar, ekonomik e ligjor, duke e nxjerrë nga vorbulla, bataku i krimit, ku është zhytur Kosova jonë. Dhe, këtë duhet ta bëjë menjëherë, pa humbur kohë. Përndryshe, një shtet fantomë, i shantazhuar, në vijimësi, nga bandat mirë të organizuara, me një liri fiktive, pa fije demokracie, deri në instalimin e një fashizmi supërspecifik për kohën dhe rrethanat.

Dihet mirëfilli se Kosova u mund në fush-betejë. Edhepse kjo humbje nuk ishte befasi, por përballja me pushtuesin mund të ishte më dinjitoze, sikur luftën të mos e sabotonte Lëvizja marksiste-staliniste e Kosovës, kryesisht, ajo pjesë në diasporë, që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me Sigurimin Shqiptar të filosllavit Enver Hoxha, duke u ndërlidhur indirekt edhe me UDB-në serbo-sllave. Përçarja, mosunifikimi i faktorit politik e ushtarak të Kosovës, ishte vepër ekskluzive e forcave te errëta të Lëvizjes, në shërbim të pushtuesit. Megjithatë, angazhimi në luftën për liri i popullit të Kosovës, i bijave dhe i bijëve të saj më të përkushtuar, flijimi i shumë syrësh, vepra e tyre do të mbetet, përjetësisht, në kujtesën e brezave dhe të historisë tonë kombëtare.

Kosova u çlirua nga NATO-pakti më 12 qershor 1999. Kjo datë shënon ditën e çlirimit për tanë Kosovën. Për ndryshim nga Lufta e Dytë Botërore, ku pushtuesi bënte rezistencë nga njëri qytet në tjetrin, lufta e fundit në Kosovë ka përfunduar në një datë, në një ditë, pikërisht, më 12 qershor 1999, me hyrjen tokësore të tankeve të NATO-s.

Festimet përkujtimore, megallomane, të turpshme, të cilat bëhen para ose pas 12 qershorit, nga eksponentët e SHIK-ut, të cilët përballen me drejrtësinë për 14 vjet radhazi, të akuzuar për krime lufte dhe të pas luftës, kanë qëllimin e përfitimit politik, se kinse, ata janë "çlirimtarët", por, në fakt, janë tërësisht jashtë çdo realiteti historik.

Çuditërisht, kësaj maskarade festive po i jep legjetimitet aprovimi dhe pjesëmarrja e parisë të LDK-së, duke tërhequr në kremtime edhe anëtarësinë e mashtruar, të keqpërdodur marrëzisht. Rasti konkret, përkujtimi i "çlirimit" të Prishtinës, më 11 qershor, ishte një falsifikim i rëndë dhe, kryesisht, në shërbim të eksponentëve të krimit, tashmë, të dëshmuar, të faktuar, të dënuar.

Është tmerrësisht provokative e fyese për familjet e 1.700 viktimave të SHIK-ut dhe të mijëra familjeve të tjera, në lidhje gjaku, miqësie e dashamirësie me këto familje, si dhe për të gjithë anëtarësinë, simpatizantët dhe elektoratin e LDK-së dhe të së djathtës shqiptare, në përgjithësi, prania e kryetarit të LDK-së, akademik Isa Mustafa, përkrah "komandantëve" SHIK-as, në përkujtimin e "çlirimit" të Prishtinës, më 11 qershorin e këtij viti.

Kryetari Mustafa, në vend që t`i drejtohej anëtarësisë të LDK-së, me thirrjen se Prishtina, ashtu si edhe e gjithë Kosova, ka për datë të çlirimit 12 qershorin 1999, duke i porositur që të mos bëhen argatë të profiterëve, vrasës të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtrarakëve institucionalë, pikërisht, nga tribunalët e sotëm, të cilët, tashmë, kanë marrë vendimin e gjykatës për vuajtje të burgut, ai, kryetari, e legjitimon një datë fallse e manipulative të çlirimit të Prishtinës dhe amnistoi krimin dhe kriminelët, duke qenë me ata në të njëjtën tribunë, madje duke mbajtur edhe fjalime së bashku!!! Ky  është një mesazh tërësisht i gabuar, madje shumë i keq, një shkelje e rëndë e parimeve partiake, demokratike, morale e njerëzore. Kjo lexohet nga shqiptarët dhe opinioni jasht shqiptar, si thirrje e hapur: Harrojeni krimin dhe kriminelët! Rrofshin komandantët kriminelë të SHIK-ut, të cilët, dje na vranë e sot po na sundojnë, me shantazh e cinizëm mizor!

"Komandantët" e Llapit u dënuan për torturë të civilëve dhe EULEX-i "harroi", madje me dashje vrasjet faktike të tyre. Ja, dëshmia e Enver Sekiraqës: "Ne ishim 4 (katër) vetë, tre meshkuj e një femër. Na urdhëruan ta hapim një gropë-varr të përbashkët. Unë përfitova nga errësira e natës, ika. Më gjuajtën me breshëri automatiku, por shpëtova. Jetova në ilegalitet. Pas disa vitesh shkuam, me UNMIK-un, në vend-ngjarje. Hapëm gropën dhe i njoha kufomat e bashkëvuajtësve nga rrobat".

E tmerrshme, e llahtarshme! Tmerrësisht e turpshme, "komandantët" vrasës të djeshëm, deputetë të sotëm! Një ministër gjerman, i mirinformuar për Kosovën, deklaron se, "aktualisht, dihen 27 deputetë dhe 6 ministra kriminelë, në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës. Pas çdo takimi me zyrtarët e Kosovës, më duhet të laj fort duartë, sepse më ngjanë se i bëra me njolla gjaku". E pakuptueshme se si tolerohet kjo gjendje makabre në kontinentin tonë?! Rrjedhimisht, sot kemi një Parlament dhe një Qeveri nga më kriminalet e globit.

Agim Hoti është një i dënuar me 16 vjet burg, për atentatin kundër kuadrit Anton Berisha. Vitin e kaluar, nga burgu i Dubravës, ai deklaroi se ka provuar një atentat kundër Presidentit Ibrahim Rugova, me prorosi të Xhavit Halitit, Artan Nimanit dhe Agron Haradinaj. Denoncimin e bëri pasi ishte prishur në pazar me shefat e tij. Këto ditë, në një intervistë të dhënë gazetares të kombëtarës "Bota sot", krimineli Agim Hoti ka ndryshuar dëshminë dhe akuzën. Ai, tani, për atentatin ndaj Presidentit Rugova, akuzon sekretarin e LDK-së Ismet Beqirin..., duke u justifikuar se "nuk e di në ç`rrethana e kam dhënë dëshminë e parë"!

I pyetur nga media për këtë akuzë të rëndë, zoti Ismet Beqiri sikur flet me gjuhën e të akuzuarëve fillestarë, Xhavit Halitit me shokë, se "Agim Hoti ka probleme psiqike! Për përmasat e krimeve dhe të kriminelëve, Burgu i Dubravës është nga më të lehtët në rajon dhe më gjerë. Ai nuk është as Burrel dhe as Golji Otok. Në një burg ku njeriu mund "të thyejë qafën" në levore bananesh, është vetëm shtëpi izolimi. Andaj, Agim Hoti është shëndosh si molla nga koka. Me pazaret e reja, të bëra me shefat e tij, ai ka rënë në ujdi për ndryshim të dëshmisë fillestare, krejt të saktë. Ndërsa tani flet me kokën e shefave të tij, për ta zhvlërsuar dëshminë e parë, për ta paraqitur të sëmurë mental, duke përgaditur edhe lirimin e tij perspektiv, natyrisht, duke i premtuar edhe amnistimin e afërt.

Njëri nga kuadrot e lartë të SHIK-ut, i ngarkuar me instruktimin e skuadrave ekzekutuese, pushkatuese të kundërshtarëve politikë, Azem Syla, ngushëllon një mikun e tij, të dënuar në procesin gjyqësor "Bllaca 2", të mos mërzitët, pavarësisht dënimit, sepse "ikën EULEX-i dhe ne të lirojmë nga burgu". Diçka e tillë i është thënë edhe Agim Hotit, veç kompensimit material.

Për çdo vezhgues të vëmendshëm, përgjigjia e zotit Beqiri është e përciptë dhe krejt alogjike. Ai duhet të bëjë akuzë për shpifje të rëndë, me qëllim kamuflimi dhe zhvlerësimi të një të vërtete sa të madhe, aq edhe të hidhur, siç është atentati kundër Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova dhe të këmbëngulë që rasti të sqarohet deri në fund. Dhe, ndonëse bëhet fjalë për themeluesin e LDK-së dhe shtetbërësin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, akuza duhet të mbështetët nga Kryesia e LDK-së, në emër të partisë.

Zoti Beqiri ka dy argumente të gatshme dhe shumë bindëse:

1.- Shefi i Agim Hotit ka luajtur rolin, në mënyrë të përkryer, të të sëmurit mental, të çmendurit, duke e bindur Komisionin  Psikiatrik Federal të Zvicrës, për çmenduri totale, e lëndëzuar në përfitimin pensional shëndetësor me paaftësi në masën 100 %! Çuditërisht, me këtë diagnozë, të çmendurisë totale, ky themelon UÇK-në, bëhet i parë i saj dhe emërohet Ministër i Mbrojtës të Qeverisë të Përkohshme të Hashim Thaçit!!!

2.- Armët për atentatin, për të cilin vuan dënimin prej 16 vitësh burg Agim Hoti, janë gjetur në banesën e "pedagogut" Artan Nimanaj, njëri nga të akuzuarit edhe për cytje dhe instruktim për atentatin kundër Presidentit Rugova. Këto dy argumente faktike plotësojnë njëra-tjetrën dhe bartësit e krimit janë, pikërisht, të akuzuarit fillestarë. Ndërsa, ndryshimi i dëshmisë ësht i porositur nga shefat e tij, për të arritur dy qëllime njëherësh:

I pari, nëpërmjet zhvlerësimit të akuzës, realizohet rehabilitimi i shefave bashkëpjesëmarrës në krim;

I dyti, duke i dhënë Hotit statusin e të sëmurit mental, mundësohet lirimi i tij i parakohshëm nga burgu, njësoj siç u lirua nga puna dhe pëfitoi pension shefi i tij në Zvicër.

E thonjëzuam titullin pedagog, sepse tandemi Enver Hoxhaj, dikur ministër i arsimit dhe Mujë Rugova, ish-rektor i Universitetit, e shikizuan këtë institucion të dijës, arsimit dhe edukimit, duke punësuar njerëz rrugash, kriminelë dhe llumhane gjithëfarëshe, me porosi te shefave te SHIK-ut. Ishin, pikërisht, ky soj "pedagogësh" që organizuan protestat e turpshme të studentëve, për lirimin e kriminelëve të dënuar, duke përdhosur këtë vatër zëmirë, prijetare në demonstrimet e atdhetare në vitet `60-a dhe `80-a.

Nënvleftësimi i zotit Ismet Beqiri, duke pohuar se "nuk merrem me një të sëmurë psiqik, si Agim Hoti", lexohet si heshtje e problemit, për më keq, heshtja konsiderohet pranim i akuzës, fajit, si dhe mungesa e gadishmërisë për t`u përballur me të vërtetën shumë të hidhur, SHIK-un, i cili po e dështon, çdo ditë e më shumë, shtetin e Kosovës, pavarësisht se ajo u çlirua nga NATO, më 12 qershor 1999 dhe shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Zoti Beqiri, duke ngritur padi penale  kundër shpifjes të kriminelit të vogël Hoti, ai del në përballje me kriminelët e mëdhenj, Hashim Thaçin, kryeministër dhe Kadri Veselin, shef i organizatës kriminale SHIK, që numëron, të paktën, 30.000 anëtarë dhe vazhdon të mbetët gjithnjë aktiv.

Shantazhimi, kërcënimi dhe shkarkimi i sekretarit të Ministrisë të Infrastrukturës, pse ai, me të drejtë, i ndërpreu marrëdhënien e punës dhe rrogën, pa qenë në punë fare, një të akuzuari për krime të luftës, është dëshmi e forcës, arrogancës, e mujëshisë të SHIK-ut kriminal. Dhënia e librezave të PDK-së, anëtarëve të rinj, nga shefi i SHIK-ut

Kadri Veseli, si hoxha karamele për festën e Bajramit, a nuk është dëshmi e qartë se SHIK-u përgaditet ta marrë partinë dhe ta sundojë këtë shtet gjysmak, i cili, gjithëçka mund të jetë, por vetëm shtet ligjor kurrë.

Zoti Ismet Beqiri dhe kolegët e tij në Kryesinë e LDK-së, me kot i ikin përballjes me SHIK-un, për të qenë rehat. Koha ka provuar se komunistët stalinistë janë si qentë e këqinj. Sa më shumë ikësh, aq më shumë të ndjekin. Prandaj, nëse janë të frikësuar dhe të lodhur, është fisnike t`u lënë hapësirë atyre që janë të gatshëm të përballën me këta horra, për ta shpëtuar Kosovën, Atdheun tonë të përdhosur, nga fara e ndyrë moskovite, nga egërsirat staliniste.

Qoftë të mirat, qoftë të këqijat, kanë një pikë kulmore. Dhe të këqijat e LDK-së kulmuan me letrën hit të anëtarit të Kryesisë dhe të deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri, drejtuar shefit të EULEX-it, Bernd Borchardt, titulluar: "Cili është misioni juaj z. Borchardt?" Bashkautor i letrës të hapur është Berrat Buzhala i PDK-së! Por, ai është në krye të detyrës të partisë së tij, kurse Lutfi Haziri është argat, mërcënar i PDK-së e përtej!

Që në nismë e deri në fund letrën e përshkon fryma e Lëvizjes staliniste të Kosovës: "Në vitin 1999 kosovarët e fituan lirinë, falë edhe humanizmit perëndimor." NJë falsifikim i "vogël". Ende shohin ëndrra se ata, ndërkombëtarët, na ndihmuan pak, pa e pranuar se na çliruan. Dhe, vazhdojnë me sulmet e vrazhdëta kundër EULEX-it, duke mbrojtur me fanatizëm krimin dhe kriminelët, që u kanë hypur në qafë shqiptarëve mjeranë, të cilët ende nuk u vetëdijësuan për ta mundur të keqen.

"Ata (EULEX-i - shënimi ynë) në emër të krimeve të luftës, janë duke persekutuar udhëheqësit e luftës"- shkruan Lutfi Haziri në letrën akt-akuzë për EULEX-in! Hymnizimi i të akuzuarëve, mbrojtja paushalle e tyre, të bën të dyshosh se zoti Lutfi Haziri është vet SHIK-u, ngaqë i mbron më shumë se shefi i tyre Hashimi apo Kadri Veseli, të cilët, të paktën, i referohen drejtësisë.

Këta dy zotërinj, në letrën e tyre të pistë, thonë se nuk u bë nami nëse të akuzuarit aktual, si mjet torture, kanë përdorur edhe pickimet në organet gjenitale. Djem me shkollë Luta me kolegun, por fodullëk, cinizëm dhe sadizëm të bollshëm. Fatmirësisht, çdo njeri i ka organet gjenitale, bile edhe hudumët, veçse të pazhvilluara. Provoni t`i pickoni me maje gjilpëre gjenitalët tuaja, duke e peshuar edhe masën e dhembjes.

Ne nuk merremi me emra të veçantë, madje as me akuza dhe mbrojtje individuale apo grupore. Ajo është kompetencë dhe obligim i gjykatës. Por, përzierja në punët e drejtësisë, në përmasën që bëjnë këta zotërinj, përbën jo vetëm turp, por edhe krim karshi viktimave të shumëta, në veçanti dhe Kosovës në përgjithësi.

Zotërinjtë, Luta me kolegun, shkruajnë me porosi të padronëve të tyre, shefa të SHIK-ut. Dhe, nga mungesa e fakteve, vetëdemantohen: "Individë të kriminalizuar, si Nazim Bllaca, janë shndërruar në kryeprokuror. Bazuar në këto thashetheme dhe inate personale, prokurorët e EULEX-it ka kohë që kanë marrë tiparet dhe zakonet më të shëmtuara të rajonit tonë, Ballkanit."

Zotëri Bllaca është dëshmitar sa i saktë, aq edhe me guxim qytetar, i përkushtuar për të zbuluar qëllimet dhe autorësinë e të paktën 1.700 vrasjeve të shqiptarëve, gjatë  dhe pas luftës. Vërtetësia e dëshmive të tij u provua, madje katërcipërisht, në proceset gjyqësore Bllaca 1, Bllaca 2 dhe Bllaca 3, në bazë të të cilave gjykata dha dënimet përkatëse për dy proceset e para  dhe i treti pritet të shqiptohet gjatë këtij muaji.

Zoti Lutfi Haziri me kundërvënien drejtësisë, me thirrjen për mosndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve  numerikë, që e kanë shpëfytyruar Kosovën, duke qenë anëtasr i Kryesisë të LDK-së dhe deputet i saj, ka dëmtuar tej mase partinë dhe ka lënduar anëtarësinë e LDK-së. Janë pikërisht krimet seriale të të PDK-së, të cilat opozita, përfshi këtu edhe LDK-në, që duhet përdorur në fushatën zgjedhore. Dhe, kjo, jo thjesht për t`i fituar zgjedhjet, por, është urdhresë e kohës për ta larguar nga pushteti partinë e krimit, dhe, mbi të gjitha, për ta shpërtuar Kosovën.

Heshtja e Kryesisë, për një çështje kaq kardinale, madhore, për më keq, kandidimin e Lutfiut për kryetar të Gjilanit, është veprim tërësisht i gabuar dhe bie ndesh me vullnetin e anëtarësisë të LDK-së. Vallë, kush është i interesuar të zbehë shkëlqimin e Arben Gashit, pinjoll i një familje atdhetare, e përballur me kral e komunistë? Pse, pikërisht, Arben Gashi e Vjosa Osmani dërgohen në mbështetje të Lutfi Hazirit? Mos, vallë, ata pajtohen me pikëpamjet mërcënare e kriminale të Lutfiut?! Ne nuk duam ta besojmë këtë dhe presim distancimin e tyre nga ky bastard.

Ligjit për amnistinë i parapriu greva e urisë, e porositur nga Qeveria e Kosovës. Krerët e SHIK-ut të instaluar në krye të qeverisë dhe të partisë, PDK-së, u cullakuan për arritjen e qëllimeve kriminale, pikërisht, nëpërmjet kësaj palo amnistie. Ata duan ta amnistojnë dhe ta rehabilitojnë SHIK-un, me serinë e krimeve enorme. Duke i liruar të dënuarit dhe duke i amnistuar ata që janë në hetim e sipër për krime, PDK-ja lehtësohet në fushatën parazgjedhore dhe përgaditet për të vazhduar pushtetin kriminal edhe në mandatin e tretë.

"Xhavahiret" e ligjit të amnistisë janë unike, madje pa preçedent, paraprijës. Janë paraparë për t`i falur edhe zyrtarë në funksione publike në kuadër të institucioneve të Kosovës! Mund të falet bujku apo bariu, për shkelje të lehta të ligjit, por kurrë zyrtarët funksionarë, të cilët janë të thirrur enkas në mbrojtje të ligjit.

Ka një kamuflim të çuditshëm. Përzierje e një amnistie të kërkuar në kuadër të Marrëveshjes me Serbinë, për Veriun e Mitrovicës dhe shtrirjen e saj artificiale, të qëllimshme edhe në Kosovë, edhepse këtu nuk kanë munguar faljet e herpashershme të të dënuarëve.

Është e kuptueshme që partitë, më sakt, partizat, me pak anëtarësi e shumë deputetë, e aprovojnë ligjin e amnistisë, sepse ato janë fort interesuara që Serbia të mbetet disi e pranishme në Kosovë. Edhe AAK-ja ka arsye dhe nevojë për një amnisti sa më të gjerë, sepse shumë militantë partiakë, kriminelë të dëshmuar për vrasje, grabitje, pengmarrje, haraç dhe poshtërësi të tjera janë prapa grilave dhe në arrati, ilegalitet. Kreu i saj na përrallisë se, kinse, "arrestimet prekun argumentin historik", duke u përpjekur t`i bojatisë vrastarët e haraçët me politikë e histori! Çfarë historie kanë vrasësit, gjobavënësit, grabitësit?! Po, ata kanë historinë dhe histerinë e krimeve.

Por, habitë LDK-ja, me veprimin dhe aprovimin foshnjor të këtij ligji makabër, e cila, si parti, është fort e përgjakur, pikërisht, nga ata që presin amnistimin. Edhe pas votimit të parë të ligjit nga LDK-ja, ndonjë deputet i kësaj partie, bën hipokrizinë e radhës, duke thënë, tekstualisht: "Nuk do të shkelim mbi gjakun e veprimtarëve të LDK-së"! Mos, vallë, bazohen në heqjen e ndonjë neni, nga 70, sa janë gjithsejt, siç është neni 3, duke i lënë të paprekur 69 nene të tjerë!!

LDK-ja duhet të ngulmojë që të ndahet amnistia në kuadrin e Marrëveshjes me Serbinë me atë për Kosovën e lirë, e cila duhet të përgaditet ngeshëm e me kujdes, nga specialistët dhe në koordinim ndërpartiak. Ngutia për amnisti, pse burgaxhinjtë bëjnë grevë, për t`u liruar sa më parë, nuk duhet t`i merakosë pushtetarët dhe shtetarët në atë masë sa të harrojnë kriteret. Sot, ndershmëria e grevës është relativizuar shumë. Kanë hyrë lloje të medikamenteve ushqyese, sa që për gjatë kohë nuk ndjehet nevoja e ushqimit të rendomtë. Fundja, për amnisti dhe falje Evropa ka ca kritere bazale, të përbashkëta dhe mirë të shoshitura.

Oreksi i qeveritarëve duhet frenuar për arsyet që, tashmë, dihen. Për asgjë nuk mund t`i besohet një qeverie, e cila i ka paraprirë krimit. korrupsionit, haraçit, grabitjes, përvehtësimit të pronave private, shoqërore e shtetërore. Për çështje të një rëndësie të veçantë, siç është ligji për amnistimin, pse nuk praktikohet votimi i fshehtë? Duke njohur mendësinë tufëzuese shqiptare, hipokrizinë proverbiale të shqiptarëve, mungesën e guximit për fjalën e lirë, aplikimi, jetësimi i votimit të fshehtë është i domosdoshëm edhe në Parlamentin e Kosovës.

Me keqardhje konstatojmë se as kryetari i ri i LDK-së, por me kryesi të trashëguar, nuk arriti menagjimin e partisë, konformë situatave dhe proceseve me të cilat po përballet Kosova. Deklaratat e kryetarit, në dukje, të mençura, të forta, por jo edhe të qendrueshme, imponuese. Marrëveshja për zgjedhjen e Presidentës; rasti i dështuar i ndërhyrjes të qeverisë në Veriun e Mitrovicës; votimi i shumë ligjeve diskutabile, përfshi edhe këtë të fundit, për amnistimin e krimeve dhe të kriminelëve; qendrimi "as mish dhe as peshk" për bisedimet me Serbinë, kur dihet se Hashim Thaçi është i shantazhuar, me akuza te bazuara dhe asesi nuk duhej t` i besohej kryesimi i bisedimeve; privatizimet, rasti PTK-së; reforma zgjedhore, me projektin e SHIK-ut, me një zonë zgjedhore, ku Drenica "zgjodhi" një duzinë deputetësh, ndërsa me votimin ndryshe, do të kishte dy ose tre deputetë; ngecja e reformave brenda partisë, si rrjedhojë e kompromiseve hiç parimore në Kuvendin e VII-të të LDK-së; zgjedhjet klienteliste, si në Gjakovë, Prizren e gjetkë, me votim të hapur, "alla komuniste"; heshtja ndaj akuzave të veprimtarit Musa Daka; zvarritja e bashkimit me LDD-në, injorimi dhe mosdhënia e besimit, qoftë edhe në komuna; rasti i Lutfi Hazirit, mosdistancimi i Kryesisë Qendrore, mosmarrja në përgjegjësi, deri në shkarkimin nga të gjitha funksionet dhe të tjera lëshime.

Riciklimi i ndoca kuadrove në poste hiç meritore, madje përkundër vullnetit të anëtarësisë të LDK-së, përshkak të kundërshtisë të heshtur të rugovizmit dhe pjesëtarë të klanit rrënues të partisë, përbën rrezikun e mosvotimit në zgjedhjet e pritshme. Nëse Kryesia është në dijeni të kësaj kundërshtie me votë dhe heshtë, atëherë kjo përbën faj të rëndë për Kryesinë dhe parathotë humbjen e radhës.

Është krijuar opinioni se LDK-së, përkatësisht, Kryesisë të saj, nuk i intereson fitorja, pushteti, sepse, duke qenë në opozitë, jeton komoditetin, rehatinë. Dhe, për këtë përmendin aprovimin nga LDK-ja për një zonë zgjedhore, e cila ua siguron karrikën e deputetit pjesës më të madhe të Kryesisë. Dhe, nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një tradhti e krim në kurriz të elektoratit të LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht, dobësive, lëshimeve, gabimeve e ,herë-herë, edhe fajeve të ndoca kuadrove të saj, ka qenë dhe mbetet partia më akademike, më serioze dhe më e përgjegjshme në Kosovë. Megjithatë, ka një vetëkënaqësi, deri në mospërfillje të vërejtjeve. sugjerimeve të veprimtarëve të hershëm ose edhe të kritikave të bazuara të tyre. Disa Nëndegë të LDK-së në Gjermani dakorduan t´i propozojnë Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, për të pasur një qasje më të afërt në Degën e LDK-së të Mitrovicës, sepse ka shenja të ndërhyrjes nga elementë jashtëpartiakë, me joshje djallëzore. Madje menduam t`i propozohet Kryesis dhe Këshillit kooptimi në Kryesinë e Degës të atjeshme të Profesorit të Analizës, ish-pedagog në Universitetin e Tiranës, Nexhmedin Spahiun, i cili e ka shumë për zemër Partinë e Presidentit Rugova, LDK-në. Anëtarë të Kryesisë premtuan se do ta shqyrtojnë këtë sugjerim, por, deri më tani nuk ka ndonjë veprim konkret.

Kur jemi tek kuadri, ka edhe të tjerë të interesuar, por krerët e LDK-së, si duket, mjaftohen me slloganin fort zgjyrosur: "Dyert e LDK-së janë të hapura për të gjithë"! Ne nuk aprovojmë kushtëzimin e luftëtarit dhe veprimtarit të orëve të para të LDK-së, Gani Geci, sepse, parimisht, demokracia, në vend të kushtëzimit, ka dialogun, shprehjen e mendimit të lirë. Por, në emër të Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz, me bindjen absolute se përfaqësojmë edhe mendimin e anëtarësisë të Mërgatës, i bëjmë thirrje Gani Gecit me vëllezër, të bëhen pjesë e LDK-së, ashtu, thjesht, pa pretendime e kushtëzime.

Merita e Familjes bajraktare dhe fisnike, në bashkëpunimin dhe sigurinë fizike personale të Presidentit Rugova, ka qenë e mbetet mirënjohja e thellë, jo vetëm e anëtarësisë të LDK-së, por edhe e popullit të Kosovës. Në saje të Familjes Geci dhe disa familjeve të tjera të zëshme të Drenicës, edhepse më se paku i votuar në atë trevë, përshak të përdhosjes të stalinistëve që i bënë Drenicës trime, mbrojtjen, sigurinë e afërt fizike, Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova, ua besoi, pikërisht, djemëve të Drenicës. Thirrja jonë publike për Gecajt e Llaushës, pret përgjigje të ngutshme e publike. Një apel, thirrje u bëjmë edhe kuadrove, intelektualëve dhe elektoratit të dikurshëm numerikë të Ibrahim Rugovës.

Është rast unik që një popull me bindje të djathta, nacinaliste, kombëtare, të sundohet me cinizëm nga një grup majtistësh të ideologjisë të mykur komuniste-staliniste. LDK-ja, si prijetare e të djathtës të Kosovës, duhet ta potencojë zëshëm e bindshëm bashkimin e forcave atdhetare, të familjeve, të cilat ndër dekada kanë dhënë prova atdhedashurie, duke u përballur me Jugosllavinë e vjetër dhe të renë. Vetëm unifikimi i të djathtës e shpëton Kosovën.

Pse Evropa, por edhe Amerika kërkon ta bëjë hisenikë Serbinë, në sundimim edhe më tej të Kosovës?! Testimi i nderkombëtarëve, prej më shumë se një dekade,  të kastës sunduese në Kosovë, i bindi ata se shqiptarët nuk kanë pjekurinë e duhur për ta drejtuar shtetin. Dhe, për këtë, ata përdorin metodën krahasuese Serbi - Kosovë. Shtypi evropian shkruan, madje shpesh, se Serbia u ka dhënë mijëra vjet burg vrasësve paramilitarë apo policorë e ushtarakë të popullatës të Kosovës. Sepse, pavarësisht se ata kanë vepruar me një urdhër, ekipi i ri pushtetar, bandat i konsideron të rrezikshme, herdokur, për popullin, shtetin.

Ndërsa, kur UNMIK-u dikur, apo EULEX-i tani, arreston ndonjë individ api grup kriminelësh në Kosovë, me akuzën për torturim, përdhunim apo vrasjen e civilëve shqiptarë, që nga kryeministri, kryeparlamentari e deri ke shoqëria civile, protestojnë rrugëve, me britmat çjerrëse: "Lironi çlirimtarët", "lironi heronjtë tanë"! Të cytur nga qeveria, përdorin "kulaçin dhe dajakun", duke i mitosur, shantazhuar dhe vrarë dëshmitarët.

Nuk është vetëm ministri gjerman që jep shifrën e kriminelëve në Parlament dhe Qeveri. Janë edhe të tjerë prezent në media të shkruara dhe vizive, të cilët flasin me përbuzje pêr shefat e shtetit të Kosovës. Por, jo edhe për Presidentin  Ibrahim Rugova, për të cilin ruajnë një konsideratë të lartë dhe e çmojnë si një lidër të papërsëritshëm shtetëror e shpirtëror të shqiptarëve.

LDK-ja ka barrë të përjetshme fajësinë e madhe për dorëzimin e pushtetit horrave stalinistë të Lëvizjes. Veprimet e tyre, gjatë dhe pas luftës, përmbajnë elemente të bollshme të fashizmit hitlerian. Ata e ekzekutuan shefin e burgut të Kleçkës, Ismet Jasharin - Kumanova dhe, për të humbur gjurmët e krimit, e mbajtën për një kohë të fshehur, pastaj e shpallën Hero të Kosovës, duke insistuar, madje dhunshëm, edhe ngritjen e shtatorës së tij në Prizren, pa e përfillur as urbanistikën e qytetit.

Një tjetër viktimë e stalinistëve të Lëvizjes të sotme në pushtet është Agim Çela, ushtarak institucional, vend-varrimin e të cilit e mbajtën 10 vjet sekret, e graduan edhe gjeneral-major dhe këto ditë mbajtën edhe akademi përkujtimore në Singen të Gjermanisë, ku ishte i pranishëm edhe eksponenti i SHIK-ut Muharrem Xhemajli, i cili volli vrerë për çlirimtarët faktik të Kosovës, ndrkombëtarët.

Duke i parë rrokullisjet e Kosovës drejt humnerës, nga kjo bandë uzurpuese e pushtetit, nëpërmjet vrasjeve tinzare dhe shantazheve ndaj kundërshtarëve politikë, është obligim moral dhe atdhetar karshi Kosovës, që LDK-ja të përgaditet për të marrë pushtetin. Për ta realizuar këtë, duhet mobilizuar maksimalisht, anekënd Kosovës, duke e shpërfaqur projektin demokratik, për krijimin e një shoqërie bashkëkohore, evropiane, për t`ia kthyer nderin dhe dinjitetin Kosovës tonë.

KRYESIA E NËNDEGËS TË LDK-së PËR RHEINLAND PFALZ, GJERMANI

Kryetari

FAZLI HAJDARAJ



(Vota: 28 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora