Mendime
Ali Cenaj: Katolikët e Idriz Seferit
E shtune, 13.07.2013, 11:08 AM
Katolikët
e Idriz Seferit
Nga Ali Cenaj
Vetë
Idriz Seferi, prijësi i madh i kryengritjeve të shqiptarëve në atë kohën kur
pas muzgut të gjatë aziatik, po vendosej fati edhe i shqiptarëve në këtë
gadishullin e lashtë të Ilirisë, strategu e komandanti të cilit i këndohet
kënga e Betejës së Kaçanikut, do të ishte tmerruar edhe më shumë se ne dhe s’do
të mund ta besonte se do të vijë dita që mu në vendlindjen e tij, dikush nga të
vetët, jo vetëm t’ia kthejë shpinën por t’ia rrënojë edhe përmendoren, ashtu
siç ndodhi një ditë më parë në vendim me emrin Miqibabë, në Karadak.
Dhe atë
për çka? Merreni me mend, sepse s’paska qenë mysliman, siç e kishte emrin e
mbiemrin por paska qenë katolik! Ashtu siç mund të jetë apo të ketë qenë edhe
vetë rrënuesi i përmendores, nëse është pjesë e kësaj popullate të Karadakut e
njohur për fenomenin e laramanëve. Si fenomen i shqiptarëve të cilët rënia e
pushtimit turk i gjeti në mes të udhës të konvertimit nga katolikë më
myslimanë. Dhe mbetën të tillë, në mes, as andej as këndej. Andaj morën emrin
Laramanë. Me emra myslimanë në paraqitjet publike por brenda familjes ruajtën
fenë e vjetër, kuptohet në diskrecion pasi duhej gjallëruar në një ambient
primitiv diskriminues si ky që nuk e duruaka as një skulpturë në shkëmb.
Dhe si
për ironi, këtë e bën dikush nga gjaku i shprishur i Seferëve që tashmë s’e
njohin as vetveten. Si fundamentalistët talibanë në Afganistanë që vite më parë
me raketa shkatërruan një nga monumentet më të mëdha botërore, Skulpturat
Budiste tremijëvjeçare, të gdhendura në shkëmb, këta pasardhësit e talibanëve
tanë në Karadak përsëritën vandalizmin e njëjtë: thyen një skulpturë të madhe
në shkëmb të cilën kishte nisur ta skaliste skulptori i kësaj ane Hevzi Nuhiu.
Artisti të cilin vite më parë, kisha pasur rastin ta takoja në mesin e
arbëreshëve, në Shën Mitër Korona, ku kaluam një mbrëmje të paharrueshme në një
ambient shqiptar në familjen e tij, mes skulpturave, shumë nga to me motive nga
vendlindja, si “Daullxhinjtë”, drugdhendja që deri vonë zinte vendin e nderit
në dhomën time të pritjes.
Artisti
që me vite bëri emër me veprat e çmuara artistike edhe jashtë komunitetit
arbëresh në Itali, si kurbetqarët që nuk thonë më kot se atdheu duhet më shumë
kur është larg, kthen shpesh në Preshevë e në Karadak Dhe pas çdo vizite në
shkëmbinjtë mbi Preshevë ka lënë prapa nga një vepër skulpturore në natyrë.
Kjo e
Idriz Seferit do të duhej të ishte e radhës. Por dikush nga vandalët tanë mendor
duke shkatërruar një vepër të tillë artistike, aq më keq me prapavijë fetare,
treguan se as anticivilizuesja, antinjerëzorja e mbi të gjitha antikombëtarja
nuk kanë fund. Ashtu si treguan se investimet e viteve të fundit të qarqeve
fetare ekstremiste antiperëndimore që duan të na bëjnë mashë në duart e tyre
kanë filluar te japin rezultatet konkrete.
Pas
serisë së sulmeve mbi baza fetare mbi figurat kombëtare si Gjergj Kastrioti-
Skenderbeu, tash Idriz Seferi dhe sulmeve tjera të përditshme për të përçarë
apo armiqësuar shqiptarët mbi baza fetare, edhe ata të Bashkësisë Islame por
edhe qeveritarët duhet ta kuptojnë se mendësia strucit nuk ka sjellë kurrë një
të mirë.
Është
koha që shteti dhe populli të mobilizohen që sherrbudallë të tillë që në emër
të fesë po i fryjnë urrejtjes ndërfetare, t’u ngushtohet rrethi dhe t’u
kufizohet veprimtaria. Aq më shumë që vetë feja e mirëfilltë myslimane nuk e
udhëzon askënd qe ta urrejë tjetrin pse i takon një besimi tjetër. Përkundrazi,
predikon tolerancën, dashurinë dhe afrimin ndaj njeri- tjetrit.
Ekstremistë të tillë anti-kombëtar po pushtojnë hapësirën që u është lejuar. Nëse sot thyejnë skulptura apo varreza nesër radhën e kemi ne, njerëzit normalë të këtij vendi. Të këtillë çfarë jemi e çfarë ishim, me të gjitha diversitetet tona por edhe tolerancën fetare.