Kulturë
Peter Tase: Krijesa simbiotike e Lulzim Tafës
E hene, 18.02.2013, 08:00 PM
Patriotizmi
dhe vlerat e vargut: krijesa simbiotike e Lulzim Tafës
(Lulzim
Tafa, Terrible Songs, Gracious Light,
Nga Peter Tase
Republika
e Kosovës është shteti më i ri i pavarur i Europës por çuditërisht është njëra
prej vatrave më të pasura të kulturës dhe poezisë europiane. Nuk është çudi të
takosh një shkrimtar apo rapsod me emër në qytetet apo edhe zonat më të thella
të Shqipërisë apo Kosovës. Njëri prej tyre është edhe Lulzim Tafa. Kjo nuk
është rastësi por në të vërtetë është treguesi kryesor i nivelit kulturor të
një populli dhe kontributi i këtij kombi të syrgjynosur ndër shekuj, në
promovimin gjithmonë e më shumë të kulturës vendase por edhe asaj të huaj në
gjuhën shqipe.
Trashëgimia
e shkruar, veçanërisht në lëmin e poezisë dhe kritikës letrare në Kosovë është
për t’u admiruar. Ajo është e mbushur me krijimtari nga shkrimtarë të
përgatitur dhe poetë të afirmuar, ashtu siç është edhe Lulzim Tafa. Shkrimtari
ndodhet krahas krijuesve tjerë bashkëkohorë. Ndër më të njohurit duhen
përmendur Azem Shkreli dhe Ali Podrimja i ndjerë, Sali Bashota, Ndue Ukaj,
Anton Gojçaj, Anton Nik Berisha. Ndoshta e kam anashkaluar ndonjë emër tjetër,
por sipas mendimit tim, këta janë disa nga shkrimtarët dhe prozatorët më të
mirë që shkruajnë mbi tema patriotike dhe historike, siç vepron edhe Lulzim
Tafa.
Që nga
momenti i botimit të librit të tij të parë me poezi, Lulzim Tafa ka demaskuar
me mjeshtëri pushtimin dhe genocidin serb mbi popullin e Kosovës, dhunën e
ushtruar mbi kulturën, fenë dhe letërsinë kosovare. Kjo letërsi, duke përfshirë
edhe stilin e Lulzim Tafës, është një forë origjinale e të shprehurit që ka
magjepsur shumë studjues dhe antropologë, vizitat e të cilëve datojnë që prej
kohës së Shën Palit i cili kishte kaluar në këto treva dhe i quante territoret
buzë Adriatikur me emrin ”Illyricum.” Këtë rigjenerim të historisë së përgjumur
të një populli të lashtë, po e bën edhe Lulzim Tafa me poezinë e tij të
spikatur. E tillë është edhe përmbajtja e poezisë ”REPORTAZH I
LUFTËS SË SHENJTË”:
Ne
robërit e luftës ikim përpjetë/ S’e dimë
ku jemi nisur/ As ku arrijmë për dritë/
Ata na ndjekin na vunë në rreth/Ata me këpucë e dhëmbë të hekurt lufte/ Ne të zbathur të uritur të
pa rruar/ Një javë të pa pastruar me flokë të telta/ Fije-fije shpirtin
përtypim zhgënjimin/ Pështyjmë copat e fatit të përgjakur/ E droçka të gjalla
na janë ngjitur gjuhës/ Ato flasin ne heshtim biem në rreth/ Më në fund ngremë
duart lart i dorëzohemi ujkut/ Biem në mëshirën e tij/ Të dhëmbëve të syrit të
tij të shqyer/Sytë tanë rriten/ Tre dhunuesit i rrinë sipër një gruaje/
Ç’betejë e pabarabartë e fatit/ Para syve të tanë porno e gjallë shfaqet/ Mund
ta shohin edhe fëmijët e mitur/ Që gjenden në rresht krejtësisht ftohët rrimë/ Ereksion i seksit
s’na nxitet dot/ Na kaplon ereksion i vdekjes/ E mjera ti o grua e mirë më në
fund/ Mish i gjallë e thua shpëtuam u zgjuam/ Lufta kishte shkuar në tjetër
jetë/ Dhe trimat e malit me fletë.../
Këto
vargje vendosin në kornizën makabre të vdekjes gjithë ato fatkeqësi, tortura,
që kanë ndjekur kombin shqiptar në të dy anët e kufirit. Në të mirë të historisë, ndoshta do të ishte
akoma edhe më e përpikte nëse do të përfshinim në këtë kontekst, apo
“Reportazh”, shqiptarët kokëulur dhe
kulturalisht të margjinalizuar në Mal të Zi, pse jo edhe Shqiptarët e
“degdisur” nëpër lagjet Getto – të ngjashme me vendbanimet e Hebrenjëve në
Varshavë gjatë pushtimit nazist, mu në zemër të Shkupit. Imazhe të ngjashme i
gjejmë edhe tek poezia e Anton Gojçajt, ”Mrekullia e Ekzistencës”, ku vetë
autori, i frikësuar, krijon imazhin e plotë të atyre ditëve të vështira ku
dhuna dhe persekucioni kanë mbi zotëruar kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë:
”Rrugëve të Prishtinës/ studjova frikën/ Policët kah më ndiqnin/ Thërrisja
Amerikën/ Lulet kur i shihja/ Pranë tankeve kur mbijnë/ E shaja Europën/
Lutesha për Shqipërinë/ Për miqtë e mi të atëhershëm/ Më pushton një mall/ Jo
nuk bëmë çudira/ çudi që mbetem gjallë.”
Ndërsa
Lulzim Tafa krijon dhe vizaton kontekstin e duhur nëpërmjet përshkrimeve
rrënqethëse, barbare dhe të mjerueshme, aq sa
„Fije-fije shpirtin përtyp[te] zhgënjimin.../ Lufta kishte shkuar në
tjetër jetë/ Dhe trimat e malit me fletë...”. Për të njëjtin përshkrim – apo
skenar të rrjedhjes së mendimit - Anton
Gojçaj, me lapsin e tij ”magjik” e sjell këtë vizatim më pranë lexuesit dhe
mundohet të ”qetësojë” Tafën duke i thënë se shpresa për ndihmë nga jashtë
është e vetjma zgjidhje, dhe simboli i saj është Amerika, e cila ende është
prezente në Kosovë. Megjithëse policët
serbë e ndiqnin nëpër rrugët e Prishtinës, Antoni nuk bënte gjë tjetër vetëm
”therris[te] Amerikën” dhe për çudi nuk e lë me kaq por fillon të mallkoi edhe
Europën. Europa, ndryshe nga imazhi
tepër pozitiv i Amerikës në Kosovë, ende
njihet si strumullari i sfidave në vendin e flamurit më gjashtë yje, të
shfaqura jo vetëm tek krijimtaria e shkrimtareve të Kosovës, por siç e vërejmë
këtu, edhe në penën e Gojçajt nga Mali i Zi, që është një shkrimtar me një
filozofi të qartë kundrejt perfeksionimit intelektual dhe moral të krijimtarisë
letrare shqiptare, e cila vlerësohet edhe tejmatanë brigjeve të Atlantikut.
Lulzim
Tafa shpreh një pasion të veçantë edhe për vargjet e bukura të shqipes, që
fatmirësisht ai i ka perfeksonuar përgjatë dy dekadave me krijimtari intensive
letrare, poetike por edhe në fushën e drejtësisë. Në vargjet e poezisë
”Poetët”, Tafa shpalos talentin e tij dhe dashurinë për metaforën, epitetet por
edhe qendrimin modus vivendi që Shqiptarët historikisht kanë ruajtur kundrejt
fesë: „Kur zemërohen zotat/ Lindin poetët./ Në të parën shenjë jete/ Ngrihen
kundër zotit të vet./ Protestojnë./ Kur rriten/ Bëhen çapkën/ Shpërndajnë
afishe/ Kundër vetvetes/ Si demonstrantët nëpër qytet/ “Fëmija i tepërt i
secilës nënë / Bëhet poet”...
Nga
fëmija - tek vargjet e mësiperme - i cili ka prirje për t’u bërë poet, Lulzim
Tafa me talentin e tij është në gjendje të rrëfehet dhe të “përqafojë”
metaforat dhe figurat historike, ndonëse është në botën tjetër, dhe tek poema
“Kur të Vdes” shkruan”:“Kurë të vdes/ Mos qaj e dashur/ Të kam tradhtuar/ Me
çupat e planetit tjetër.// Kur të vdes mos qaj motër/ E ngas gjokun e Gjergjit/
Me bajlozë deti...// Kur të vdes mos qaj nënë/ Veç jepu gji/ Këtyre/ Metaforave/
Të pikëlluara/ Si mua dikurë”. Me këto fjalë, Lulzim Tafa i jep gjallëri dhe
jetë çdo vargu dhe personazhi historik, duke i kërkuar nënës së vet, të lërë
mënjanë trishtimin dhe t’u japë “gji” metaforave, ashtu si vetë autorit kur
ishte femijë. Gjergj Elez Alia është
simbol kryesor në legjendën e Kreshnikëve që është në rrafshin ballkanik -
madje disa studjues ndonëse janë të huaj dhe shqipfolës, Kreshniket i nxjerrin
si figura historike Sërbe - si një simbol i fuqishëm që gjen vëmendjen e duhur
tëk Tafa dhe vepra e tij.
Ndoshta
përfshirja e Gjergj Elez Alisë në këtë poezi të trishtë, evokon sërisht humbjen
tragjike të Gjergjit por edhe sjell ndërmend vajtimet e shumta të motrës së
tij, vajtime këto që Lulzim Tafa nuk do i dëshironte në ditën e vdekjes së
tij. Me stoicizmin e tij klasik, Lulzim
Tafa po krijon një frymë të re në letërsinë e shqiptarëve të Kosovës, një autor
i talentuar për t’u admiruar, studjuar dhe marrë si shëmbull nga shkrimtarët
tanë, por edhe të huaj. Depërtimi i
thellë i metaforave, prania e subjektit historik, dhuna ushtarake sërbe në
Kosovë, dashuria për vargun dhe “rigjenerimi” i figurave historike janë
elemente thelbësore në poezinë e Lulzim Tafës, që përveç përkthimit në gjuhët
rumune dhe suedeze, e sheh botimin edhe në gjuhën angleze, sot, kurse nesër
edhe në disa gjuhë tjera të Europës.
Jo më kot, Anton Gojçaj e ka cilësuar autorin si “një poet me emocione të thella që shndërohen në mendime të shprehura, nepërmjet metaforave rezatuese që e bëjne poezinë e tij të jetë më afër traditës letrare shqiptare”.