E premte, 26.04.2024, 11:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Keka: Personaliteti mbikohor Gjergj Kastrioti

E shtune, 02.02.2013, 08:25 PM


Flet Gjon Keka, autor i librit “Skënderbeu, ideatori i Bashkimit Europian”

Askush nuk mund ta njollosë petkun e Gjergj Kastriot Skënderbeut

- Pse vendosët të shkruanit një libër për Skënderbeun, kur dihet se është shkruar mjaft për këtë hero dhe shtetar të madh të shqiptarëve si komb?

Është e vërtetë se ka me mijëra libra të shkruara për personalitetin mbikohor dhe figurën heroike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe kjo tregon se ai është një personalitet i pashtershëm, i paarritshëm në kuptimin e mundësisë së kapjes së plotë të madhështisë së tij, karakterit, virtyteve dhe talentit etj., pra janë cilësitë e tij të mëdha, veprat apo gjurmët e pashlyera, që, edhe pse janë shkruar me mijëra libra, ne akoma mund të nxjerrim thesare të reja nga burimi i brendshëm i këtij personaliteti dhe gjeniu të kombit shqiptar europian. Ndërsa ajo që më shtyu të shkruaj mbi këtë personalitet mbikohor dhe lidership vizionar e strateg është së pari gjaku që ecën i tij në venat tona, së dyti fryma e tij që na përshkon në të gjitha kohërat dhe shekujt që ikën dhe ato që vijnë, dhe njohja akoma më shumë me të. Të shkruash për një figurë si Gjergj Kastrioti nuk është gjë e lehët, por kur ke në dorë dorëshkrime, kronika dhe dokumente që flasin për të dhe gjurmët e tij të mëdha në jetën e tij politik, diplomatike dhe të lidershipit të tij gjatë qeverisjes së shtetit të Arbrit, atëherë është edhe një shtytje më shumë të shkruash në frymën e fakteve, detajeve të pakontestueshme dhe argumenteve të mëdha të kohës së tij.

Por duhet potencuar se libri është shkruar sipas metodologjisë dhe analizës së thellë të nxjerrjes së këtij personaliteti në dritën e re të kohës, por e gjithë kjo është bërë duke ecur natyrshëm në shkallët e historisë dhe asaj të historisë politike e diplomatike të kohës.

- Çfarë i sillni të re lexuesit, shkencës e akademikëve në librin tuaj mbi figurën dhe personalitetin e Skënderbeut?

Një gjë që dua të them këtu është se ajo që, më së tepërmi, mund të vërehet këtu është se risi për lexuesit është se ata do të njohin akoma më shumë një nga etërit më të mëdhenj të kombit të tyre europian dhe do ta zbulojnë vizionin e plotë të tij për të ardhmen e tyre, ndërsa për shkencën dhe akademikët libri është një plotësim, një përmbushje e një pjese të trupit të gjeniut të kombit shqiptar europian, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke theksuar këtu se të gjithë veprat shkencore mbi këtë figurë të bazuara mbi fakte të pakundërshtueshme dhe që flasin për natyrën e tij reale janë plotësim për trupin e tij, pra kështu secili autor i paideologjizuar jep kontributin e tij në trupin e shkencës rreth këtij personaliteti mbikohor. Jo rastësisht e kam thënë se periudha e tij historike është një shkencë në vete ai vetë është i tillë, prandaj ne si autor vetëm sa japim kontributin tonë në plotësimin e këtij personaliteti të pashtershëm dhe lideri vizionar.

Po ashtu, ajo që mund të thuhet si e re është edhe aspekti i idesë së unionit europian, ide kjo që nuk ka lind në kohën e Gjergj Kastriotit si e tillë por kishte edhe më herë ide të tilla, por ideator i vërtetë i familjes së unionit europian është Gjergj Kastrioti, ai e projektoi Europën e Bashkuar dhe këtë madje ia kishte shtruar në tryeza edhe Papa Piut II, pastaj princave, mbretërve dhe diplomatëve të të gjitha vendeve të kombeve të Europës. Risi tjetër është edhe ajo se lexuesit të kenë rastin të njihen në tërësi me politikën dhe diplomacisë që ka zhvilluar dhe mënyrës se si i ka përdorur ato Gjergj Kastrioti Skënderbeu etj.

- Si paraqitet figura e Skënderbeut në dokumentet arkivore të perëndimit?

Skënderbeu në shumë kronika, dokumente dhe dorëshkrime është parë si një hero i madh i kohës, si një mburojë për Evropën dhe si një bashkëvlerë e madhe e kësaj familjeje. Ndërsa ai ishte edhe krahu i fuqishëm jo vetëm i kombit tonë, por edhe i mbarë Europës, madje këtë krah e lakmonin jo vetëm perandoria barbare otomane por edhe shumë popuj tjerë të asaj kohe, ishte krah që mundi errësirën ideologjike sulltaniste, pra ishte krah i fitoreve të njëpasnjëshme gjerë në ditën e fundit, prandaj kush nuk do ta lakmonte një krah si të tij që nuk lodhje dot një krah të shënuar që në fillim. Ka autor që tregojnë për gjurmët e mëdha të tij, virtytet, talentin, heroizmin dhe vizionin e madh të tij, por ka edhe autor që mundohen të ideologjizojnë, të shtrembërojnë dhe lëvizin atë nga pozicionin heroik, historik, mbrojtës dhe shtetar, kjo për faktin se autor të tillë ose janë oborrtar të mbetjeve sulltaniste, sllave apo tjera që mundohen në njërën anë të trajtojnë këtë figurë si një figurë normale sa për të kaluar këtë periudhë përshkrimesh historike, dhe të atillë tendencioze sa për ta përvetësuar dhe shtrembëruar identitetin rrënjësor të tij.

- Cili është mendimi juaj mbi njollosjen e figurës së Skënderbeut nga disa individë, historianë etj., të cilët mundohen t’ia minimizojnë përpjekjet e tij heroike e çlirimtare, pastaj luftën e tij

Mendoj se këto tendenca apo kjo fushë e errët e njollosjes më duken një lloj shigjete e djallit që mundohet të provoj gjuajtjen e tij drejt një gjëje të shenjtë, drejt një figure të tillë rrezatuese, drejtë një personaliteti mbikohor, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këto tendenca të errëta bëhen nga individ të ideologjizuar me syze të paguara, nga mbetjet sulltaniste nga “historianë” të politizuar të pasaktësive dhe klisheve dhe e gjithë kjo bëhet vetëm për ta dëmtuar imazhin, për të futur dyshime dhe mbjellë farën e urrejtjes, mohimit dhe të rrënimit në mesin e kombit tonë shqiptar evropianë. Këta njollosës kanë një emër ose janë mohues, ose janë mbetje sulltaniste apo të ideologjizuar, që të tria kanë vetëm një specialitet frymën e gënjeshtrës dhe të vallëzimit rreth saj, ajo që është tepër e rëndësishme është që ky specialitet të mos bëhet gjellë e shijshme e popullit, sepse do ta shkandullonte atë dhe do ta fuste në luftë me veten e tij dhe do të mbillte mendësinë mohuese. Por një gjë e tillë nuk do të arrihet kurrë, sepse kombi ynë ka ndërgjegjen e tij,vetëdijen kombëtare, rrënjët e thella të shenjtëruara që në fillim, por ajo që i duhet tani kombit tonë urgjentisht është ringjallja e tij dhe rikthimi në vizionin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kjo do t’i shembte të gjitha iluzionet, tendencat dhe do të zhdukte frymën e mohimit, të pasaktësive dhe gënjeshtrave.

Ajo që dua të them është se askush nuk mund ta njollos petkun e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ai është llamba e madhe kombit tonë shqiptar europian, ai është hero i denjë i kombit, mburojë dhe lideri vizionar. Ai është vlera e panjollosur dhe hiri dallues i kombit, prandaj askush nuk mund ta thumboj atë, as veprat e tij gjurmëlënëse në histori, as fatin e kombit tonë që identifikohet me të si shqiptar i madh europian dhe margaritar në kurorën e familjes kombeve europiane.

- A mund të në thoni se cilat janë disa nga aspektet të pasqaruara mirë në lidhje me vdekjen e Skënderbeut dhe testamentit që la ai në fund?

Ka pas dyshime dhe kjo ka ardhur më tepër nga politikat mashtruese të kohës, të cilat kishin për qëllim zbehjen e marrëdhënieve të tij politiko-diplomatike tepër të ngushta me disa nga vendet europiane dhe liderët e saj. Të gjitha tezat tjera të pasakta si ajo e helmimit dhe tjera janë të paargumentuara dhe janë vënë si të tilla për të zbeh atë dhe ngjall dyshime. Teza e argumentuar dhe e saktë është se Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq natyrshëm në shtratin e tij të thjesht edhe pse ishte mbret dhe lider i shtetit të Arbrit dhe udhëheqës i aleancës së kombeve të krishtera europiane kundër pushtuesit barbar otoman.

Ai vdiq aq i varfër si një shenjtor i vërtetë edhe pse ishte mbret dhe lider ai tregoi se ishte një nga personalitetet mbikohore më të mëdha, më modeste dhe më të vlefshme në historinë e kombit shqiptar europian, ai është imazhi i pavdekësisë së identitetit dhe kulturës europiane të kombit shqiptar. Ai, në fund, i la një testament birit të tij dhe miqve apo aleatëve të tij. Në testamentin e tij ai porosit që të mos bëjnë aleancë me turqit në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë. Ndërsa aleatët e tij i porosit që të mos harrojnë se duart e tij ishin njësoj si të tyre dhe vetëm me guxim, urtësi dhe të bashkuar mund të korrin fitore të sigurta ndaj perandorisë barbare otomane.

- Së fundi, ka një debat si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, madje në Kosovë janë formuar edhe komisione për ndryshimin e librave të historisë dhe nuk është lënë pa u prekur edhe periudha e Skënderbeut, cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Kjo që po ndodh në këtë shekull është e neveritshme, është tallëse, turpëruese për kombin tonë. Ky është një lloj i mashtrimit kolosal edhe atë para syve tanë. Disa mbetje sulltaniste duan që për shkak të interesave të tyre të ngushta të shëmtojnë kombin tonë dhe historinë e tij, ta lënë atë pa asnjë shenjë të përpjekjes heroike, pa asnjë pikë gjak të derdhur për liri,dinjitet dhe mbrojtje të qenies kombëtare e identitare të tyre nga pushtuesi barbar otoman. Por një gjë është e ditur se historinë nuk mund ta ndryshojnë politikanët, atë mund ta bëjnë vetëm për politikën e tyre ditore dhe të interesave të tyre të ideologjisë sulltaniste, por të vërtetën historike e cila është argumentuar dhe provuar nuk mund ta ndryshojnë. Siç kam shkruar në një shkrim timin së fundi në lidhje me këtë temë se ka fakte të panumërta që perandoria barbare otomane ka bërë gjenocid të paparë në histori ndaj popullit shqiptar europian. Sulltanët, në pamundësi për të pushtuar shtetin e Arbrit gjatë kohës së qeverisjes së liderit vizionar dhe strategut të madh të kohës Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbysnin qenë dhe kafshë të tjera dhe i fusnin në ujin ku pinte populli dhe kështu pastaj bënin gra, fëmijë dhe pleq të vdisnin nga helmimi. Kjo e ka emrin barbari. Ata, edhe kur zinin shqiptarë të pabindur dhe gra me fëmijë që nuk donin të shkonin pengje, i merrnin dhe i fusnin në zjarr dhe i digjnin së gjalli. Për këtë flasin fakte të panumërta – dokumente, kronika dhe përshkrime të sakta për genocidin e saj ndaj kombit shqiptar europian. Ndërkaq, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka bërë një luftë të ashpër dhe të guximshme kundër armikut, pra perandorisë barbare otomane dhe gjersa ai udhëhiqte me shtetin e Arbrit, shqiptarët ishin të pamposhtur, janë pikërisht të bëmat e Skënderbeut ato që flasin më tepër se fjalët e mëdha të çdo kronisti të kohës.

Intervistoi: Eglantina Alliaj

http://www.gazetarepublika.al/?p=41271



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora