E shtune, 27.04.2024, 12:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Peter Tase: Lek Pervizi - koleksionisti i këngëve

E hene, 14.01.2013, 08:58 PM


LEK PERVIZI: KOLEKSIONISTI I KËNGËVE POPULLORE SHQIPTARE

Nga Peter Tase

Para disa ditësh munda të lexoj me një frymë vëllimin e përmbledhur me titull “Lahutari Shqiptar,” autor Lek Pervizi, me këngë popullore që u krijuan nga poetët anonim popullor gjatë kohës së diktaturës së egër komuniste në Shqipëri.*

Kjo përmbledhje përfshin perjudhën që nga pushtimi Italian deri në vitin 1992, kohë  e cila njihet si më e përgjakura në historinë e Shqipërisë së pavarur.   Këto vargje janë shprehja e qartë e vuajtjeve dhe persekutimeve të përjetuara gjatë kohës së komunizmit.

Autori më i madh i eposit shqiptar mbetet gjithmonë poeti anonim, prandaj edhe Lek Pervizi ka mundur të mbledh këto poezi në copa letre, gjatë kohës kur ai ka qenë i internuar në fshatin Pluk të Lushnjes me shumë bashkëkombas të tjerë.  Këngët lirike të paraqitura në këtë vëllim janë mishërimi i vuajtjeve, torturave dhe i varfërisë që ishin  përhapur në gjithë teritorin e vendit pasi regjimi komunist erdhi në pushtet.  Stili i këtij poeti përmban në vetvete një trup e një mendje që përfaqësojnë një popull e një komb. Pjesë e pandashme e kësaj stilistike është edhe madhështia e krijimtarisë popullore e cila shoqërohet herë pas herë nga vargjet plot vuajtje të shkruara nga vetë autori.

Si njëri prej vuajtësve nga regjimi komunist, Lek Pervizi do të shkruante se: “shteti komunist planifikonte dhe servirte një folklor të zyrtarizuem e konformist që t'i shërbente regjimit, për të tregue se sa i lidhun ishte ky lloj pushteti me  popullin. Harronte se ky popull, ndonse i gjunjëzuem, i torturuem  dhe i gjymtuem, ruente thellë në shpirtin e tij të pamposhtun, flakën e pashueme të qëndresës, që shpërthente përmes vargjeve të rrembyeshme epike, lirike apo satirike të rapsodëve e lahutarve të maleve ose përmes elegjive të grave vajtore, që thurëshin e këndohëshin brenda mureve të ngurta të kullave kala. Kështu ai i bani ballë stuhive shekullore dhe patjetër do të mund të përballonte edhe ato të disa vjetëve të diktaturës, shumë ma     furishme.”  Forca e këtyre elegjive bënë të mundur që Lek Pervizi të mbledh energjitë dhe të përpiloj denjësisht këtë vëllim që flet shumë.  Si biri i një gjenerali, autori Pervizi, jo vetëm në këtë libër por në gjithë krijimtarinë e tij, ka treguar vlera atdhedashure dhe patriotike; ai me sakrificë ka mbrojtur të vërtat historike të popullit Shqiptar.

Që në fillim të librit do të gjejmë një pathos heroik i cili përmbledhtazi shpalos konjuktural politike ku Shqipëria ka luajtur rolin e saj gjatë Luftës së Ftohtë, për pesë dekada me rradhë.

Kjo përmbledhje është një nga të vetmet materjale që janë pasuri e atyre shqiptarëve të ish-internuar që shprehin vuajtjet dhe disidencën ndaj regjimit me këto vargje.

“Mjer Shqipnia mjer  Shqiptarët,

N’fuqi erdhën sllav-barbarët,

Komunistë e Shqipnisë,

Lidh pas qerrës së Rusisë,

N'krye të shtetit e t'qeverisë:

S'po lajnë krime për pa krye,

Burrat n'burgje tuj mbërthye,

Shumë tuj vra, tuj pushkatue,

Tuj djeg shpija, tuj rrenue,

Gra e fëmi tuj internue ....

Artisti Lek Pervizi shprehet se “në epikën e maleve tona u himnizue heroizmi dhe sakrifica vetmohuese e atyne që nuk pranuen t'i nënshtrohëshin zgjedhës sllavo  - komuniste dhe qëndruen me pushkë në dorë për të mbrojtun lirinë dhe idealet kombëtare, duke krye vepra trimnie e guximi të përmasave lëgjendare. Në këtë krijimtari ndiqet një vijim kohor i përcaktuem nga zhvillimi i ngjarjeve reale, duke na dhanë njohuni historike sipas këndveshtrimit dhe koncepteve të vetë popullit, ma mirë e saktë se historianët e indoktrinuem me lloj lloj parimesh ideologjike të hueja dhe mbrojtës te interesave të klanëve ku banin pjesë, për t'i shërbye klaneve te tyne dhe jo historisë.  Ndërsa vetë diktatura  e fallsifikonte historinë me qëllime mashtruese të paramendueme, në dam te popullit  e të Kombit, për të ia përshtatun interesave  të veta meskine e kriminale. Nuk përjashtohen nga ky qëndrim negativ edhe partitë e forcat e tjera politike, të vjetra ose të reja, po ashtu dhe këto në përpjekje për të manipulue historinë për përfitime e lavdi vetjake.   Poeti popullor që i përjeton vetë ngjarjet nga afër ose që përfshihet në to, nuk i

nënshtrohet imponimit as diktimit të askujt por drejtpërsëdrejti paraqet përshtypjet e gjalla të çastëve dhe ndodhive, i të cilave asht dëshmitar i mirëfilltë.”

Në përshkrimet e tij, Lek Pervizi, ka përfshirë mendimet dhe kujtimet e tij

përsonale nga ato ambiente ku ka kaluar vitet e rinisë.

“...Na s'kem qumësht as për fëmijtë,

As nji gotë e pikë për mallë

Na ka zanë i madhi hall.

Kafen shohim n'mikroskop,

Buka e misrit me i ra n'top!...”

Urtësia e popullit duket në vargjet e këtij vellimi sa here që është e nevojshme për të dhenë gjykime ose për të përshkruar rrethana te caktuara ose personazhe historike.

“N’burg të zi ku paskam ra,

Fundi i ferrit asht tuj m'gja,

Sigurimcat, si djajt vijne,

Na mundojnë dhe na grijne

Me tortura na përpijnë.

Harruem nanat, harruem gra,

Harruem motër, harruem vlla,

T'gjall t'vorrosun për hata:

Harruem hanën, harruem diellin,

Falna Zot, harruem dhe Qiellin!”

Në këtë krijimtari që bazën e ka në poezinë epiko - heroike - historike, nuk mbetet pa u shfaqur dhe talenti tjetër i poetëve të maleve, siç është satira, me të cilën ai fshikullon me forcë e pa

kursim, të metat njerëzore dhe veçanërisht të atyre që mbajnë pushtetin në  dorë duke trajtuar keq popullin mbi të cilin sundojnë. Në rastin tonë konkret satira popullore demaskon me sarkazëm therëse udhëheqësit e regjimit komunist dhe organet e tij të shtypjes dhe të terrorit.

Bie në sy edhe ajo që ne  shqiptarët e quajmë “mallkim”, që vjen nga zemra e atyre që e pësuan vetë dhe që humbën të afërmit, të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë nën shtypjen e egër të terrorit komunist. Mallkimi del nga shpirti i nënave që i humbën fëmijët ndër kampet e internimit, del nga shpirti i popullit, i katandisur të jetoj si kafshë për një kothere buke të thatë.

“Mallkue kjofshi krimmela

Që sajuet kampet me tela,

Mallkue kjofsh parti kulsheder,

Gjakatare dhe fort e egër!

Po kjajnë nanat ditë e natë

Për fëmijte e tyne t'ngratë,

Po kjajnë fëmijt po derdhin lot,

Nana e baba vdesin kot.

Enver Hoxha ka urdhnue,

Skifterr kjoftë e kjoftë mallkue!”

Lek Pervizi, si nismëtar i kësaj përmbledhje, është gjithashtu edhe dëshmitari i origjinës së këngëve, të cilat vijnë nga zonat e Kurbinit, Malësia e Lezhës, Pukës dhe Këthellës.

Nga stili i përdorur dallohet qëllimi i përshkrimin të ngjarjeve, autori kërkon të japë të sakta e me pak vargje fabulën apo ndodhinë e caktuar në pak vargje.  Në të vërtetë  këngët e veriut dallohen për vërtetësi të shkallës historike dhe nuk i shmangën kësaj vije deri në fund, ato paraqësin të këqijat apo të mirat, ashtu siç janë.

“Në Kurbin malet gjïmojnë

Pyjet, grykat fort ushtojnë,

Shumë do trima po luftojnë;

Luftëtarë janë të lirisë

Bij të rreptë të Shqiptarisë.”

 

GJYSHES

Kjo grue që kishte perjetue

e shoqnue kryengritjën e madhe

për liri e pavarësi përkrah luftëtarve

trima të Kurbinit të udheheqën nga

patrioti rilindas Gjin Pjetër Pervizi,

e që kishte pa djegien dy hete

rresht të kullave historike e krenare

prej hordhive turke,  jetoi

përsëri në moshën e pleqërisë,

diegien e po atyne kullave prej

hordhive barbare komuniste

te shekullit njezet qe duke

mos u mjaftue me kaq e mbyllen

ne kampin mizor të Tepelenës

ku ajo, megjithëse trimneshë

dhe e vendosun, nuk mundi me

durue vuetjet e semundjet

e vdiq aty në moshën 90 vjeçe,

viktime e pafajsme,  martire  e lirisë

 

*http://www.lulu.com/shop/lek-pervizi/lahutari-shqiptar-poezi/paperback/product-14410516.html

 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora