Kulturë
Dibran Demaku: Miniatura
E premte, 04.01.2013, 03:23 PM
Dibran Demaku
MINIATURA
Veja apo pula
pula apo veja
as se zgjodhi shkenca
as se zgjodhi feja!
Ditë apo natë
natë apo ditë
gjithnjë i pa fat
gjithnjë rënë në pritë!
Ura apo lumi
lumi apo ura
kur na doli gjumi
ngrituni o burra!
Ëndërr apo zhgjëndërr
zhgjëndërr apo ëndërr
pa pritë e pa kujtuar
ai na doli dhëndërr!
Derë për shtëpi
nuk ka shtëpi pa derë
jeta plot kundërshti
kujdes, jo besëprerë!
Të rrosh a të vdesësh
të vdesësh apo të rrosh
biletën të presësh
rezultati bosh!
Ngrit e rrëzo permendore
ngrit e rrëzo pallate
me një të rënë dore
përmbys jetë e fate!
Kur gomari bëhet mbret
e ngrit zërin deri në qiell
nuk e njeh nënën e vet
shan, mohon hënë e diell!
Kush na qenka mbreti
kush na qenka patrioti
në rrymime deti
kush doli më i zoti?!
Të marrësha të keqen Fan Nol
dhe ty Hasan Prishtinë
dikush na bëri gol
dhe na ndryshoi historinë!
Dikush thumbit dikush patkoit
si kofini pas të vjeli
merre briskun i prejmë thonjtë
se asgjë tjetër nuk ngeli!
Iku festa, euforia
u kthye jeta jonë reale
çfarë do shënojë historia
për mendjet tona fatale?!...