Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: ''Thesare Entografike'' i Viktor Gashit, pasaportë vlerash në shekuj
E shtune, 01.12.2012, 04:48 PM
“THESARE ETNOGRAFIKE” I VIKTOR GASHIT, PASAPORTË VLERASH NË SHEKUJ
NGA PËLLUMB GORICA
Kur ke
marrë në dorë e shfleton albumin e pasionantit nga Peja e Kosovës, Viktor
Gashi, “Thesare Entografike”, dhe njihesh me këtë pasuri të madhe etnografike,
kulturore, historike e artistike, të duket vetja sikur je para stendave të një
muzeumi madhështor, që sjell gjurmë të arta nga lashtësia e popullit tonë dhe
hedh dritë në një pasuri tradicionale me vlera enciklopedike, të cilën
vetëm një popull si yni mund ta ketë. Mendon për një çast sikur të
kishim edhe të tjerë si Viktor Gashi, që të kishin bërë më shumë, në një punë të tillë, po aq sa ai, në një drejtim tjetër të
trashëgimisë sonë, dinjiteti i kombit tonë do të ishte në lartësi të reja.
Shfleton
albumin, këtë pasuri të madhe trashëgimore, fotot e objektet e rralla, dhe admiron punën e saktë shkencore që ka
bërë një pasionat dhe patriot si Viktor Gashi. Gjithë këtë trashëgimi
thesaresh, kur e shikon dhe e vlerëson, të duket vetja sikur je në një muze me
pesë stenda, që rrezaton kulturë e mjeshtëri artistike, të frymëzon e të bën
krenar.
Njihesh
me objektet e stendës së parë, të afishuara, stoli argjendi si vëthë, unaza,
pafte, qostekë, byzylyqe, qafore gjerdanë, kopsa, stoli koke, ballore fokza dhe
nga brenda shpirtit të del vetiu thirrja : ç’bukuri!
Kalon
para stendës së dytë mbushur me lloje të ndryshme armësh të vjetra, si dekor i
qendisur me ar e me ornomente popullore, sikur t’i ketë bërë një dorë magjike e
agimeve të luftrave legjendare, si pushkë të gjata me çark, jataganë me
këllefe, pisqollat dhe koburet për brez plot dekor, të bëhet sikur dëgjon
krismat e betejave që gjëmuan në mbrojtje të nderit dhe lirisë së shqiptarit,
apo thika të mprehta, brisqe e biçakë të ndryshëm, dhe thua me zë të lartë :
ç’histori!
Të mbetet
vështrimi tek stenda e tretë e imagjinuar, me veshjet e bukura popullore,
jelekë, mintanë, përparse, çorape, shoka, dallama, dantella, tufa, thekë,
shirita e sidomos fustanet dhe këmishat e qendisura me ar e të duket se
ndodhesh në një dasëm shqiptare, ku martohen çifte e përtërijnë jetën e nuk
mund të rrish pa klithur : ç’mrekulli!.
Vështron
stendën e katërt ku janë afishuar objekte të vyera shtëpiake, si enë bakri, enë
argjendi, kandila, arka të ndryshme, mangalla, kanaçe. I prek me mëndje enët
prej argjendi dhe bronxi dhe bindesh për bujarinë e shqiptarit tek shtron
sofrën e prêt e përcjell me dashuri mikun dhe shpërthen : Breh ç’trashëgimi!.
Vetiu të
ka magjepsur stenda e fundit me objektet e kultit si kryqe me dimensione të
ndryshme, ikona mahnitëse, qiraka, shandanë, dhe thua se populli ynë patriot e
fetar, e do zotin ashtu siç do fëmijën e truallin e tij. Sodit pipat prej
argjendi e fildishi, hajmalitë e veshjet
fetare dhe thua: zoti ka qenë me ne!.
Viktor
Gashi nuk është vetëm një koleksionist i apasionuar, por edhe një njeri me
kulturë, një burrë me dinjitet dhe i vullnetshëm në punën e tij. Fisniku i poetëve të Pejës. Rrallë intelektualë gjen që të bëjnë një punë të
tillë, të këtë vlerësim për trashëgiminë kulturore e artistike, të gërmojë në
çdo grimcë të së kaluarës për të nxjerrë
thesare kombi. Aq më tepër në mënyrë vullnetare, në këtë kohë që e sundon
kamercializmi. Por Viktor Gash i ka kapërcyer të gjitha këto. Ai ka lënë
mënjanë rehatinë dhe lodhjen, kamercializmin dhe mikroborgjrzitë e vogla. I ka
bërë thirrje vullnetit rinor dhe u ka dhuruar të gjithëve një album me vlera
kolosale, një dëshmi të gjallë trashëgimie.
Puna e Viktor Gashit është një vlerësim dhe respekt për botën e pasur
shpirtërore dhe larminë e madhe krijuese të një populli punëtor, që ka ditur të bëjë dasmën e t’i falet zotit, ta mbajë
kokën lart për historinë e tij e të presë me dinjitet vdekjen. Viktor Gashi, ky
84 vjeçar, pinjoll i denjë i një familje bujare, e kulturuar, aristokrate dhe
krenare për traditat e me emër të mirë. Gjyshi i tij zotëronte 5 gjuhë të
huaja, dhe kjo kulturë është përcjellë me pasion e dashuri, dhe ka çelur sythë
tek Viktori në veçanti, që e ka ushtruar këtë zeje të trashëguar, që ka
koleksionionuar e ruajtur me fanatizëm një pasuri të tillë thesaresh.
Viktor
Gashi është bujar dhe shpirtmadh. Në vitin 2000 i fali Muzeut Etnografik në
Pejë 300 objekte me vlera të
pallogaritshme, që rrallë persona mund
ta bëjnë një veprim të tillë. Ai nuk pranoi
të lidhë kontratë me Muzeun e Jugosllavisë së atëhershme, për t’i shitur
nga muzeu personal një pjesë të koleksionit të tij kundrejt një shpërblimi të
majmë, por ia dhuroi atë Muzeut të Kosovës. Dhe kjo është ndërgjegje kombëtare
siç e thotë edhe vetë: “Duke qenë i vetëdijshëm se sikur ky koleksion të kishte
shkuar në Beograd,ato punë nuk do të paraqiteshin më si punime shqiptare, por
do ti mvesheshin kulturës serbë, ndaj një kontratë të tillë nuk e
pranova.” Kjo tregon edhe një herë për
ndjenjën e madhe atdhetare që karakterizon këtë njeri, një shuplakë ndaj
propogandës serbe për autoktoninë e
trojeve shqiptare,duke dëshmuar me argument se serbët janë të ardhur vonë në këto troje dhe
se kultura e tyre nuk është autoktone
siç pretendojnë.
Albumi
etnografik ka vlera të veçanta edhe sepse sintetizon gërmime që shtrihen në
hapsirë kohore që para shekullit të III,
para erës sonë dhe nga të gjitha trojet shqiptare sidomos të Shqipërisë së
Veriut, të Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo shtrirje në kohë dhe hapsirë, si dhe
vlerat e veçanta që ruan çdo objekt i këtij koleksioni, jo vetëm janë pasaportë
vlerash të kombit tonë në shekuj, por tregojnë edhe për faktin se trungu i
familjes Gashi ka pjesën e tij me trashëgiminë dhe bëhet pjesëtare me dinjitet
në këtë pjesë vitale të historisë së popullit tonë.
Të vlerësosh se ç’është arti e puna, trashëgimia dhe historia, që mbajnë dhe ushqejnë rrënjët e një kombi, është meritë. Dhe për këtë fakt Viktor Gashi do të meritojë jo vetëm mirënjohjen e brezit që jeton, por edhe të brezave që do të vijnë.