Kulturë
Enkelejda Kondi: Loti është grua
E premte, 24.08.2012, 05:49 PM
Doli ne qarkullim libri me peozi i Enkelejda Kondit ''Loti është grua''
Poezi
Jeta pa dashuri, si bota pa diell - Herve Bazin
Hyrje
“Loti është grua” ...Ky libër i ri me poezi i Enkelejdës i dedikohet dashurisë, fjalës më të bukur të zemrës, virtytit më të lartë shpirtëror, i dedikohet asaj së cilës i kanë kënduar, poet, shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e qëndisura në buzë . Kushdo nga ata që ka provuar dashurinë, ka marrë krahë dhe ka fluturuar në vënde të pamenduara duke përcjellë gëzim, hare, optimizëm. Dashuria është ndjenja më e thellë njerëzore. Ajo të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës, ndërsa tek Enkelejda himnet e dashurisë sot përbëjnë perlat e muzikës popullore në të gjitha trevat anembanë vendit tonë. Folklori shqiptar, është një nga më tradicionalët në botë për sa i përket larmisë së këngëve të dashurisë, emancipimit të ndjenjës dhe të qenit autokton dhe të veçantë, ndërsa poezia e Enkelejdës është një shpërthim shpirtëror befasues, plot muzikalitet, pathos dhe metaforë. Fabula e saj është reale, konkrete, e drejtpërdrejtë, ku në dallim me librin e mëparshëm është pa nënteks. Mos vallë dashuria është krijuar enkas që vetëm çasti që të kujton ndjenjën të çon në buzëqeshje? Sipas Enkelejdës dashuria të bën të gëzohesh si një fëmijë e lumtur me një gëzim të patreguar në sy edhe kur mendon apo kur dëgjon zërin në telefon. Njeriu sot në një sistem global duket sikur s’ka kohë për dashuri, ndërsa ajo thotë të kundërtën, pasi sipas saj në dashuri i duhet të paguaj ç’do fjalë pa harruar dhe çmimin e shpirtit edhe netët pa gjumë, lotët. Dhe a e di se si e ndjen ajo ç’do sinjal apo mendim që e çon me idenë e të qenit në të njëjtin mendim në ç’do kohë me dashurinë?! E lehtësuar, e dhimbsur, e ëmbëlsuar, por dhe e mpirë. Ndjenja sipas saj është poezia e imagjinatës dhe kjo imagjinatë e çon me plot ndjenja të bukura tek poezia. Ajo s’do ta kuptoj dhe ta pranoj se koha punon kundër dashurisë për shkak të disa përgjigjeve që si mban dot as deti…pasi ajo e thërret atë si ëndrra pranverore. E nëse shpirti flet me gjuhën e syve, atëherë Enkelejda me sy di të puth çdo mëngjes dashurinë poetike! Dita për të është ëndërr është në ç’do këngë që dëgjon gjithë kohës, pasi duke dashur muzikën duket se ditpritja është e tëra muzikë. Në vargun e saj duket sikur hapet qielli i mëngjesit dhe i mbrëmjes dhe peozia e përthith në pushtetin e saj si brendësia e magjishme e luleve.
Albert
Zholi
Shkrimtar, publicist