Kulturë
95 tezat e Luterit
E hene, 20.08.2012, 07:04 PM
95 TEZAT E LUTERIT
1486-1546
Biblioteka Doktrinë Seria 28
Titulli: 95 Tezat e Luterit
Origjinali: 95 Theses of Marthin Luther
Autor: Martin Luteri
Përktheu: Blerina Jashari
Editor: Dr. Femi Cakolli
Design: Tomor Rudi
Botues: Shtëpia Botuese TENDA, Prishtinë
Realizimi: www.pikastudio.com
Shtypi: Dinor & MultiGraphics, Prishtinë
Formati: 14 x
Tirazhi: 2000 copë
Viti i botimit 2007
Copyright i përkthimit: © Tenda
Reklamimi: Libraria BUM-COM
Printed in Kosova
ISBN: 978-9951-405-41-6
Katologimi në publikim – CIP : Biblioteka Kombëtare dhe
Universitare e Kosovës
Adresa për kontakte:
Shtëpia Botuese Tenda
rr. Nazim Gafurri nr. 66
10000 Prishtinë, Kosovë
Tel. 044118088
e-mail: Tenda_al@yahoo.com
Parathënie
Gjithmonë kur flitet për kishën
protestante në përgjithësi assesi s’mund t’i kalosh pa i përmendur 95 tezat e
kryereformatorit të krishterimit Martin Luteri, i cili lindi në vitin 1486 në
Eisblen, dhe vdiq në vitin 1546. Fundamentalisht kisha protestante u shfaq në
horizont me bërjen publike të këtyre tezave të cilat u shpallën në derën e
kishës së Vitenbergut më 31 tetor 1517. Prandaj edhe sot festohet 31 tetori si
Dita e Reformacionit. Praktikisht kishte edhe më përpara disa figura të shquara
të teologjisë krishtere, të filozofisë dhe të rilindjes evropiane të cilët me
një mënyrë ose tjetrën i kishin shfaqur kundërshtimet e tyre kundër dogmatizmit
katolik të asaj kohe, por ishte vetëm Martin Luteri ai i cili me anë të 95
tezave të tij të famshme doktrinalisht po jepte përgjigje për të gjitha
devijimet e krishterimit mesjetar. Martin Luteri pasi i vendosi këto teza në
kishën e qytetit të Vitenbergut, atëherë la porosinë se do të kthehej pas tri
ditësh që do t’i mbronte publikisht këto teza. Tri ditët ishin simbolikë
biblike, dhe kishte kuptimin e ditëve të ringjalljes së Krishtit, me këtë
anologjia ishte në ringjalljen e kishës së vërtetë krishtere në parimet
ungjillore dhe në parimet e kishës së hershme krishtere, para se ajo të
romanizohej (katolocizmi) ose të helenizohej (ortodoksizmi). Kërkesat dhe
vizioni i Luterit në këtë kohë nuk ishte që të bënte një kishë të re, por që të
reformohej kisha ekzistuese, pra kisha romano-katolike, por ky ishte një proces
i kotë pasi menjëherë pas mbrojtjes publike sulmet dhe ekskomunikimi erdhën nga
papati. Prandaj kështu u gatis Kuvendi i Mirënjohur i cili përfundimisht e
shpalli Kishën Protestante në vitin 1524. Kishte edhe shumë figura tjera të
njohura që e vazhduan reformacionin evropian dhe filozofinë e tezave të
Luterit, si p.sh. Gj. Kalvini, U. Cvingli, K. Grebel, M.V. Iliriku, F.
Melanhton, Xh. Hus, J.A.Komenski, H. Bullinger. Sipas historianit anglez Noel
Mallkom, në vitin 1580 në Kosovë ishte një reformator luteran i cili erdhi dhe
predikoi mes shqiptarëve ungjillin e Krishtit si dhe shpalosi doktrinën
protestante. Kur jemi këtu në të vërtetë aq sa mund ta dokumentojmë deri tash
është vetëm viti 1876 kur themelohet kisha e parë protestante ndër shqiptarët,
dhe kjo filloi në Manastir, dhe pastaj në Korçë më 1892 në krye me predikuesin
e popullit shqiptar Gjerasim Qirazi.
Tani t’i shikojmë shpejtas tezat e Luterit. Gjëja e parë që na bie
në sy si një lexues modern i këtij materiali është evidencimet e problemeve
teologjike të cilat ishin aktuale në kishën katolike gjatë fillimit të shek.
XVI, dhe këto ishin: indulgjencat (shitblerja e letrave që garantonin faljen e
mëkateve) e që Luteri këtë e quan pendesa sakramentale; prifti nuk mund të
shërbejë si ndërmjetësues për faljen e mëkateve; shpikja e purgatorit;
komercalizimi i finesave shpirtërore (nëse jep paranë do të dalësh nga
purgatori); autoriteti jo biblik i papës qoftë si pozitë e funksion por edhe si
ndërhyrje në pushtetin frymor të Zotit – në një tezë Luteri thotë se nëse papa
i dashur paska aq shumë autoritet pse ai nuk i zbraz njerëzit nga purgatori por
i kërcënon t’i dërgojë atje – ose përse kurrë papa, megjithëse është njeriu më
i pasur në botë nuk ndërton një kishë; heshtja e Fjalës së Perëndisë nëpër
Kisha nga ndërhyrja e papës dhe e surrogateve të tij; në vend të ceremonive të
ketë 100 herë më shumë ungjill kujtdo, dhe shton se thesari më i madh i kishës
duhet të jetë ungjilli dhe jo paratë, sepse përmes parave pasurohen të pasurit
kurse përmes ungjillit pasurohen të varfrit; keqpërdorimi i kryqit sikur në
rastin se kryqi i indulgjencave barazohej nga papa me kryqin e Krishtin, dhe
për këtë teologu dhe mjeshtri Luter thotë se është blasfemi; të krishterët
parajsën e kanë të sigurt më shumë në bazë të vetëmohimeve të tyre personale në
Krishtin sesa nëpërmjet sigurisë së paqes që predikohet nga kleri; Luteri thotë
se dashuria mund të rritet vetëm me veprat e dashurisë dhe jo përmes veprave të
lëmoshës, letrave të faljes etj.
Për t’i përmbledhur konceptualisht të gjitha tezat e Luterit në
pesë syresh ato duken kështu:
Sola fide (Vetëm besimi)
Shpëtimi vjen vetëm nga besimi në Zotin, dhe njeriu nuk është i
detyruar të bëjë vepra të mira për t’u shpëtuar. Në Bibël (tek Letra e Palit
drejtuar Romakëve 4:5 thuhet: “
Sola gratia (Vetëm Hiri)
Shpëtimi, dhe jeta si besimtarë, vjen vetëm nga hiri i Perëndisë,
dhe njeriu nuk mund ta fitojë as ta meritojë. Tek Letra e Palit drejtuar
Efesianëve 2:8 thuhet: “Jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit,
dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë....”
Sola Christus (Vetëm Krishti)
Shpëtimi vjen vetëm nga Jezus Krishti, dhe nuk nevojitet asnjë ndërmjetës
tjetër. Në Bibël tek libri Veprat e Apostujve
Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi i Shenjtë)
Fjala e Zotit është fjala e fundit në jetën tonë si besimtarë.
Soli Deo Gloria (Lavdia vetëm Zotit)
Lavdia nuk na takon neve. Synimi i jetës sonë nuk është ai që
duhet të jemi të suksesshëm, të pasur, të zotët, ose që do t’i plotësojmë
nevojat tona. Zoti na ka krijuar dhe na ka shpëtuar me anë të forcës dhe
dashurisë së Tij. Ai ka kryer gjithçka në jetët tona, dhe gjithashtu meriton
lavdi nga tërë popujt e botës. Tek Efes. 1:11-12 thuhet: “Në të (Zotin) edhe
kemi qenë zgjedhur... që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së Tij....”
Kisha protestante i dha njeriut pavarësinë ndaj dogmës 12
shekullore. Kisha shkarkohet nga autoriteti i saj, duke kaluar tek individi, si
koncept për besimin dhe shpëtimin. Kjo e bëri individin e përgjegjshëm dhe të
vlefshëm duke krijuar raportin e drejtpërdrejtë: Perëndi-njeri. Këta përbërës
të reformacionit, ndikuan në zhvillimin e lirisë shpirtërore, politike,
kulturore, artistike dhe ekonomike, për t’iu vënë bazat e shoqërisë moderne
evropiane. Erih Fromi, ka hetuar se me protestantizmin janë arritur zhvillimet
më të rëndësishme psikologjike që kanë ndodhur ndonjëherë. Ky psikolog
bashkëkohor, thotë: “protestantizmi është përgjigje për nevojat njerëzore të
individit të frikësuar dhe të izoluar, të shkëputur nga rrënja, i cili në botën
e re duhej të gjendej dhe të lidhje me të”. Pra, sipas Fromit, kisha
protestante e përgatiti njeriun psikologjikisht, edhe për fillet e punës, si dhe
për rolin e njeriut që do të luajë në sistemin industrial”. Një filozof tjetër
i quajtur Maks Veber në veprën e tij “Etika protestante dhe shpirti i
kapitalizmit” pasqyron thellësisht ndikimin e protestantizmit në zhvillimin
ekonomik dhe në diplomaci. Ky rol u jetësua, sepse protestantizmi shemb
autoritetet tjera për individin, dhe forcon atë vetëm me Zotin Perëndi.
Përfundimet e këtij psikologu janë se protestantizmi e shpëtoi njeriun
shpirtërisht, ndërsa kapitalizmi politikisht. Kisha protestante filloi procesin
e atillë që njeriun e detyroi të ballafaqohet personalisht me Zotin, dhe jo
përmes hallkave të tjera. Hegeli, për Luterin, tha se më të fillon fryma e
lirisë. Luteri u cilësua si luftëtari i arsyes dhe i vetëdijes së lirë.
Sot në botë dëshmojnë se janë më shumë 800 milionë njerëz
protestantë, kurse shumicën e tyre e përbëjnë këto shtete: Amerika, Britania e
Madhe, Gjermania, Holanda, Zvicra, Çekia, Suedia, Danimarka, Norvegjia,
Finlanda, Koreja e Jugut etj.
Edhe në Kosovë Kisha Protestante është prezente, së paku prej
vitit 1892. Aktualisht, falë Zotit Krisht, intelektualëve dhe rinisë shqiptare,
që i di rrënjët dhe identitetin e tij, tani komuniteti protestant në Kosovë
mund të numërojë me mijëra besimtarët dhe ithtarët e krishterë protestantë.
Ky botim po
Dr. Femi Cakolli, pastor
31 tetor 2007
Prishtinë
95 Tezat e Luterit
Kundërshtimi i doktor Martin Luterit në lidhje me fuqinë dhe
efikasitetin e indulgjencave (faljes së mëkateve), nga Dr. Martin Luter
31 tetor 1517, Kisha në Vitenberg
Nga dashuria për të vërtetën dhe dëshira për ta sjell atë në
dritë, propozimet në vijim do të diskutohen në Vitenberg, nën udhëheqjen e të
përhershmit At Martin Luterit, Mjeshtër i Arteve dhe i Teologjisë së Shenjtë,
dhe Predikues në Meshën e Rregullt në po të njëjtin vend. Për këtë arsye ai
kërkon nga ata që nuk kanë mundësi të jenë prezent dhe të debatojnë gojarisht
me ne, që ta bëjnë këtë me shkrim.
Në Emër të Zotit tonë Jezus Krisht. Amen!
1. Zoti dhe Mësuesi Jezus Krisht, kur Ai tha
Poenitentiam agite (pendohuni), dëshira e Tij ishte që krejt jeta e besimtarëve
të ishte pendesë.
2. Kjo fjalë nuk nënkupton pendesë sakramentale,
do të thotë, rrëfim dhe pendesë, që administrohet nga priftërinjtë.
3. Madje nuk nënkupton vetëm pendesë të
brendshme; jo, nuk mund të ketë pendesë të brendshme e cila nuk vepron nga
jashtë në sfilitjet e shumta të trupit.
4. Në këtë mënyrë paga [e mëkatit] ekziston për
aq kohë sa urrejtja ndaj vetes vazhdon; sepse ky është pendimi i vërtetë i
brendshëm, i cili vazhdon deri sa të hyjmë në mbretërinë e qiellit.
5. Prifti nuk pretendon të fal, dhe nuk mund të
fal asnjë faj pos atyre për të cilat ai vetë është i ngarkuar qoftë me anë të
autoritetit të tij apo Kanuneve.
6. Prifti nuk mund të fal asnjë faj, përveç të
deklarojë se është falur nga Perëndia dhe të pranojë faljen e Perëndisë;
megjithatë, me siguri, ai mund të jap falje në rastet që mund t’i rezervohen
gjykimit të tij. Nëse kjo e drejtë për të falur në raste të tilla nuk pranohet,
atëherë gabimi do të mbetet plotësisht i pa falur.
7. Perëndia nuk i fal gabimet askujt në rast se
në të njëjtën kohë nuk bënë që ai person të përulet në çdo aspekt dhe nuk i
nënshtrohet mëkëmbësit (vikarit) të Tij, që është prifti.
8. Kanunet e pendesës u ngarkohen vetëm të
gjallëve, dhe sipas këtyre, asgjë nuk duhet t’i ngarkohet të vdekurve.
9. Për këtë arsye Fryma e Shenjtë në priftin
është i mirë ndaj nesh, sepse për shkak të natyrës së tij njerëzore, ai
(prifti) çdo herë do të bëjë përjashtime në rastet e dënimit me vdekje dhe në
nevoja.
10. Injorante dhe të liga janë veprimet e atyre
priftërinjve të cilët në rastin e vdekjes ata rezervojnë falje kanunore në
purgator.
11. Ky ndryshim i dënimit kanunor në dënim të
purgatorit është dukshëm një ndër farat që është mbjell gjatë kohës që
peshkopët kanë qenë duke fjetur.
12. Në kohët e mëhershme dënimet kanunore janë
dhënë jo pas, por para faljes, si teste të pendimit të vërtetë.
13. Të vdekurit me anë vdekjes së tyre janë të
liruar nga çdo dënim; ata tashmë janë të vdekur për rregullat kanunore, dhe
kanë të drejtë që të jenë të liruar nga ato.
14. Shëndeti jo i përkryer [shpirtëror], që do të
thotë, dashuria jo e përkryer e të vdekurve sjell me vete, nga nevoja, një
frikë të madhe; dhe sa më e vogël të jetë dashuria, frika është më e madhe.
15. Kjo frikë dhe ky tmerr janë vetvetiu të
mjaftueshme (për të mos thënë asgjë tjetër për gjërat e tjera) për të krijuar
dënimin e purgatorit për shkak se është shumë i përafërt me tmerrin e
dëshpërimit.
16. Ferri, purgatori dhe parajsa dallojnë njëra nga
tjetra ashtu siç dallon edhe dëshpërimi nga gati-se-dëshpërimi dhe gjetja e
sigurisë.
17. Duke qenë se shpirtrat ndodhen në purgator duket
e nevojshme që tmerri të zvogëlohet dhe dashuria të rritet.
18. Duket e pa evidentuar qoftë nga arsyeja apo
Shkrimet, që ata janë jashtë gjendjes së meritës, që do të thotë, dashurisë në
rritje.
19. Përsëri, duket a pa aprovuar që ata, apo të
paktën që të gjithë ata, janë të sigurt për shenjtërinë e tyre, edhe pse edhe
ne mund të jemi mjaft të sigurt për të.
20. Kështu kur prifti thotë “falje e plotë për të
gjitha fajet”, ai në fakt nuk i nënkupton “të gjitha” por vetëm ato që janë
shkaktuar nga vetë ai.
21. Për këtë arsye predikuesit e indulgjencave e
kanë gabim kur thonë se me anë të indulgjencave të priftërinjve një njeri mund
të lirohet nga çdo fajësi dhe të shpëtohet;
22. Ndërkaq ai nuk paguan për shpirtrat në purgator
për asnjë gabim që në bazë në kanuneve ata është dashur t’i paguajnë në këtë
jetë.
23. Nëse është sadopak e mundur t’i jepet ndokujt
falja e të gjitha dënimeve, atëherë është e sigurt që kjo falje duhet t’i jepet
vetëm atyre që janë më të përsosur, që do të thotë, t’u jepet shumë pak
njerëzve.
24. Është e nevojshme të thuhet se pjesa më e madhe
e njerëzve janë mashtruar nga ky premtim pa dallim dhe shpresëdhënës për çlirim
nga dënimi.
25. Fuqia që papa ka, në një mënyrë të
përgjithshme, mbi purgatorin, është e barabartë me fuqinë që çdo peshkop apo
ndihmës famullitar ka, në mënyrë të veçantë, përbrenda dioqezës apo famullisë
së vet.
26. Papa bënë mirë kur u jep falje shpirtrave [në
purgator], jo me anë të fuqisë së çelësave (të cilët ai nuk i ka në posedim),
por me anë të ndërhyrjes.
27. Ata predikojnë që në momentin kur paraja futet
në kutinë e parave, shpirti do të dal jashtë [purgatorit].
28. Është e vërtetë që kur të futen paratë në
kutinë e parave, fitimi dhe lakmia mund
të rriten, mirëpo rezultati i ndërhyrjes për Kishën është në duart e vetë
Perëndisë.
29. Kush e di nëse të gjithë shpirtrat që ndodhen
në purgator do të duan të nxirren jashtë nga aty, si në legjendën e Shën
Severinit dhe Paskalit.
30. Askush nuk mund të jetë i sigurt nëse pendimi i
tij mund të jetë i sinqertë; aq më pak nëse ka marrë falje të plotë.
31. Ashtu siç janë të rrallë njerëzit që pendohen
me të vërtetë, po aq të rrallë janë edhe njerëzit që blejnë me të vërtetë
indulgjenca, d.m.th., njerëz të tillë janë fare të rrallë.
32. Ata do të jenë të mallkuar përjetësisht së
bashku me mësuesit e tyre, të cilët besojnë se janë të falur për veten e tyre
për shkak të letrave të faljes që ata posedojnë.
33. Njerëzit duhet të ruhen nga ata që thonë se
faljet e papës janë dhuratat e çmueshme të Perëndisë me anë të të cilave njeriu
pajtohet me Perëndinë.
34. Sepse këto “hire të faljes” shqetësojnë vetëm
dënimet e pendimeve sakramentale dhe këto janë të përcaktuara nga njeriu.
35. Ata nuk predikojnë asnjë doktrinë të krishterë
e cila mëson se pendimi nuk është i nevojshëm për ata të cilët pretendojnë t’i
blejnë shpirtrat nga purgatori apo të blejnë fletët e pendesës
(confessionalia).
36. Çdo i krishterë i penduar me të vërtetë ka të
drejtën e shlyerjes së dënimit dhe fajit, pa pasur nevojë që të ketë fletët e faljes.
37. Çdo të krishteri të vërtetë, qoftë i gjallë apo
i vdekur, i takojnë bekimet e Krishtit dhe të Kishës; dhe kjo i jepet atij nga
Perëndia, pa pasur nevojë që të ketë fletët e faljes.
38. Megjithatë, falja dhe pjesëmarrja [në bekimet e
kishës] të cilat jepen nga prifti në asnjë mënyrë nuk duhet të përbuzen, sepse
ato janë, ashtu siç kam thënë, deklarata të faljes hyjnore.
39. Është më së shumti e vështirë, edhe për
teologët më të mprehtë që në të njëjtën kohë në një anë të urdhërojnë popullin
për një mori faljesh dhe në anën tjetër për [nevojën e] pendimit të vërtetë.
40. Pendimi i vërtetë kërkon dhe dëshiron dënimet,
mirëpo faljet liberale vetëm se zbusin dënimet dhe i bëjnë ato të urryeshme,
apo të paktën, japin një rast [për t’i urryer].
41. Faljet apostolike duhet të predikohen me shumë
kujdes, për shkak se njerëzit mund t’i konsiderojnë më të dëshirueshme se sa
veprat e mira të dashurisë.
42. Të krishterët duhet të mësojnë se papa nuk
pretendon që blerjen e faljeve ta krahasojë me ndonjë vepër të mëshirës.
43. Të krishterët duhet të mësojnë se një njeri që
i jep lëmoshë një të varfëri apo i ofron ndihmë një nevojtari, ai bënë një
vepër më të mirë se sa të blejë faljet.
44. Sepse dashuria rritet nëpërmjet veprave të
dashurisë, dhe njeriu bëhet më i mirë; mirëpo me anë të faljeve një njeri nuk
bëhet më i mirë, vetëm se mund të bëhet më i lirë nga dënimi.
45. Të krishterët duhet të mësojnë që ai që sheh
një njeri në nevojë, dhe i kalon për skaj, dhe i jep të hollat e tij për letrat
e faljes, ai nuk blen indulgjencat e priftit, por zemërimin e drejtë të
Perëndisë.
46. Të krishterët duhet të mësojnë që nëse nuk kanë
më shumë se sa kërkojnë nevojat e tyre, ata janë të detyruar të mbajnë për vete
atë që është e nevojshme për familjet e veta, dhe në asnjë mënyrë të mos
shpenzojnë kot në letrat e faljeve.
47. Të krishterët duhet të mësojnë që blerja e
faljeve është një çështje e vullnetit të lirë, dhe nuk është një urdhër.
48. Të krishterët duhet të mësojnë që papa, duke
dhënë falje, ka nevojë, dhe në këtë mënyrë i dëshiron lutjet e tyre të
devotshme për të më shumë se sa paratë që ata i sjellin.
49. Të krishterët duhet të mësojnë që faljet e
papës janë me vlerë në rast se nuk vendoset besimi në to; por në të njëjtën
kohë edhe të dëmshme, nëse nëpërmjet tyre ata humbasin frikën ndaj Zotit.
50. Të krishterët duhet të mësojnë që nëse papa do
ta kuptonte se sa të rrepta ishin kërkesat e predikuesve të faljeve, atëherë ai
më parë do të lejonte që kisha e Shën Pjetrit të rrënohej se sa të ndërtohej me
anë të lëkurës, mishit dhe kockave të deleve të tij.
51. Të krishterët duhet të mësojnë që do të duhej
të ishte dëshira e papës, ashtu siç është edhe detyra e tij, që të jap nga
paratë e tij atyre prej të cilëve shitës të caktuar të faljeve mbledhin paratë,
bile edhe nëse është e nevojshme që të shitet edhe kisha e Shën Pjetrit.
52. Siguria e shpëtimit me anë të letrave të faljes
është e kotë, edhe nëse vikari i madh do të votonte kundër dhe vetë papa do të
jepte shpirtin e vet për këtë.
53. Ata janë armiq të Krishtit dhe të papës, i cili
ka lejuar që Fjala e Perëndisë të ngelet plotësisht e heshtur në disa Kisha, në
mënyrë që faljet të predikohen në kishat e tjera.
54. Fjala e Perëndisë dëmtohet kur në disa
predikime i kushtohet kohë e barabartë ose më e madhe faljeve se sa Fjalës.
55. Duhet të jetë synimi i papës që nëse faljet, të
cilat janë një gjë shumë e vogël, dëgjohen me një zë të vetëm, me një ceremoni
dhe marsh të vetëm, se sa Ungjilli, që është gjëja më e madhe, atëherë Ungjilli
duhet të predikohet me qindra zëra, qindra marshe dhe qindra ceremoni.
56. “Thesaret e Kishës” prej të cilave papa nxjerr
indulgjencat nuk janë të njohura aspak dhe nuk përmenden në mesin e popullit të
Krishtit.
57. Është plotësisht evidente që ato nuk janë
thesare tokësore, sepse shumë nga shitësit nuk derdhin me aq lehtësi thesare të
tilla, por vetëm i mbledhin ato.
58. As nuk janë virtytet e Krishtit apo të
Shenjtorëve, sepse edhe pa papën, këto gjithnjë sjellin hir për njeriun e
brendshëm, dhe kryqin, vdekjen dhe ferrin për njeriun e jashtëm.
59. Shën Lorenci tha se thesaret e Kishës ishin të
varfrit e Kishës, por ai foli në bazë të kuptimit të fjalës në kohën e tij.
60. Pa ndonjë nxitim ne themi se ky thesar janë
çelësat e Kishës, të dhënë nëpërmjet meritës së Krishtit;
61. Sepse është e qartë se për shlyerjen e dënimeve
dhe rasteve të rezervuara, fuqia e papës është e mjaftueshme në vetvete.
62. Thesari i vërtetë i Kishës është Më i Shenjtë
Ungjill i lavdisë dhe hirit të Perëndisë.
63. Megjithatë ky thesar në mënyrë të natyrshme
është i urryer sepse bënë që i pari të jetë i fundit.
64. Në anën tjetër, thesari i indulgjencave në
mënyrë të natyrshme është më i pranueshmi sepse bën që i fundit të jetë i pari.
65. Në këtë mënyrë thesaret e Ungjillit janë si
rrjeta me anë të së cilave ishte zakon që të kapnin peshq për njerëzit e pasur.
66. Thesaret e indulgjencave janë rrjeta me anë të
së cilave peshkohet për t’i pasuruar njerëzit.
67. Indulgjencat për të cilat predikuesit thonë se
janë “hiret më të larta”, dihet se përderisa ato nxisin fitimin do të jenë me
të vërtetë të tilla.
68. Megjithatë në të vërtetë ato janë hiret më të
vogla krahasuar me hirin e Perëndisë dhe veprën e devotshme të Kryqit.
69. Ipeshkvit dhe famullitarët janë të përcaktuar
që të pranojnë vikarët e faljeve apostolike me nderimet më të larta.
70. Por ata janë më shumë të përcaktuar që t’ua
lodhin sytë të gjithëve dhe të marrin pjesë me vesh të hapur nga frika se mos
këta njerëz predikojnë ëndrrat e veta dhe jo faljen e papës.
71. Ai që flet kundër së vërtetës se faljeve
apostolike, qoftë ai i shkishëruar dhe i mallkuar!
72. Por ai që mbrohet nga lakmia dhe leja e
predikuesve të faljeve, ai qoftë i bekuar!
73. Papa me të drejtë bërtet kundër atyre, të
cilët, me çdo mjet mundohen të dëmtojnë rrugën e faljeve.
74. Për më tepër ai pretendon të ngre zërin kundër
atyre që përdorin pretekstin e faljeve për të planifikuar dëmtimin e dashurisë
së shenjtë dhe të së vërtetës.
75. Të mendosh që faljet e papës janë aq të larta
sa që të falin një njeri edhe nëse ai ka kryer një mëkat tepër të madh dhe
përdhos Nënën e Zotit – kjo është çmenduri.
76. Në anën e kundërt ne themi që faljet e papës,
përderisa fajësia qëndron, nuk kanë mundësi që të heqin as më të voglin mëkat
të falshëm.
77. Është thënë që edhe Shën Pjetri po të ishte
papë sot nuk do të kishte mundësi të jepte hire më të mëdha; kjo është blasfemi
kundër Shën Pjetrit dhe papës.
78. Në të kundërtën ne themi se edhe papa i
tanishëm, dhe çdonjëri papë, posedon hire të mëdha; për të dëshmuar Ungjillin,
fuqitë, dhuntitë e shërimit, etj. Ashtu siç është shkruar në 1Korintasve 12.
79. Të thuash që kryqi, i dekoruar me anë të
pushtetit papat, që është themeluar prej [predikuesve të indulgjencave] është i
barabartë me Kryqin e Krishtit, kjo është blasfemi.
80. Ipeshkvit, vikarët dhe teologët që lejojnë
përhapjen e fjalëve të tilla në mesin e popullit kanë për të dhënë llogari për
një gjë të tillë.
81. Ky predikim i paskrupullt i faljeve të mëkateve
nuk është një çështje e lehtë, bile edhe për njerëzit e ditur, për t’i shpëtuar
respektimit të tyre nga frika se mos e ofendojnë papën, apo edhe pyetjeve të
zgjuara të laikëve.
82. Do të thotë: “Përse nuk e zbrazë papa
purgatorin nga dashuria dhe nevoja e tmerrshme që kanë shpirtrat që ndodhen në
purgator, nëse ai shpengon shpirtra të panumërt për hir të nevojës së tmerrshme
për të mbledhur para për ta ndërtuar Kishën? Arsyet e para duken më të drejta;
kjo e fundit tingëllon shumë e vogël”.
83. Përsëri: “Përse vazhdojnë ceremonitë mortore
dhe përvjetorët ndaj të vdekurve, dhe përse ai nuk e kthen apo nuk e ndalon
tërheqjen e ofertës që bëhet në emër të tyre, pasi që është një gabim të
paguash për të shpenguarin?”
84. Përsëri: “Çfarë është kjo keqardhje e re e
Perëndisë dhe papës, që për para ata lejojnë që një njeri që është i pabesë dhe
armiku i tyre të blejnë nga purgatori shpirtin e mirë të një miku të Perëndisë,
dhe pse në të kundërtën, ky shpirt i mirë dhe i dashur të mos lirohet vetëm për
hir të dashurisë?”
85. Përsëri: “Përse janë kanunet e faljes të gjata,
kur në të vërtetë dhe me anë të keqpërdorimit, janë të shfuqizuar dhe të
vdekur, dhe tani plotësohen me anë të dhënies së indulgjencave, sikur të ishin
të gjallë dhe në fuqi?”
86. Përsëri: “Përse papa, pasuria e të cilit sot
është më e lartë se ajo e njerëzve më të pasur prej të pasurve, nuk e ndërton
vetëm këtë kishën e Shën Pjetrit me paratë e veta, por e bënë këtë me paratë e
besimtarëve të varfër?”
87. Përsëri: “Çfarë po fal papa, dhe çfarë pjesëmarrje po u jep ai atyre, të cilët me
anë të pendimit të përsosur, kanë të drejtën e faljes dhe pjesëmarrjes së
plotë?”
88. Përsëri: “Çfarë bekimi i madh që do të vinte
mbi Kishën në rast se papa bën njëqind herë në ditë atë që bënë vetëm një herë,
dhe t’i jepte çdo besimtari këto falje dhe pjesëmarrje?”
89. “Përderisa papa, me anë të faljeve të tij,
kërkon shpëtimin e shpirtrave dhe jo paratë, përse ai i suspendon indulgjencat
dhe faljet që janë dhënë deri këtu, sepse ato kanë vlerë të barabartë?”
90. T’i ndalosh këto argumente dhe ngurrimet e
njerëzve laik dhe t’i ndash ato duke i arsyetuar, është ta bësh kishën dhe
papën objekt talljeje për armiqtë e tyre, dhe t’i bësh të krishterët jo të
lumtur.
91. Nëse në këtë mënyrë, faljet janë predikuar në
pajtim me frymën dhe mendjen e papës, atëherë gjithë këto dyshime duhet të
zgjidhen menjëherë; madje ato nuk duhet të ekzistojnë fare.
92. Largohuni, atëherë, së bashku me të gjithë
profetët që i thonë popullit të Krishtit, "Paqe, paqe", kur nuk
ekziston paqja!
93. Të bekuar qofshin të gjithë ata profetë, të
cilët i thonë popullit të Krishtit, “Kryqi, kryqi,” kur nuk ekziston kryqi!
94. Duhet t’u bëhet thirrje të krishterëve që të
jenë të zellshëm për ta ndjekur Krishtin, Drejtuesin e tyre, me anë të
dënimeve, vdekjeve dhe ferrit;
95. Dhe kështu të jenë të sigurt se do të hyjnë në
parajsë nëpërmjet mundimeve se sa nëpërmjet sigurisë së paqes.
Për ribotim- Pastor Dr. Femi Cakolli