Kulturë
Xheladin Mjeku: Kur dhembja krijon poezinë
E marte, 21.08.2012, 07:11 PM

Naim Kelmendi: “Antologjia e
dhembjes poetike”, 101 përkushtime
poetike Ali Podrimjes, botoi ‘Rugova art” - Prishtinë, 2012
NGA XHELADIN MJEKU
1.
REQUIEM POETIK
Kumti
për humbjen e një figure të dëshmuar në letrat shqipe erdhi si bombë në ditën
për diell dhe shembi për tokë dëshirat e adhuruesve dhe miqëve të panumërt që
poeti të rroj sa malet, siç kemi bërë traditë të urojmë njerëzit kur shënojnë
përvjetorët e lindjes. Nuk kishte edhe shumë kohë kur do të vërshonte lumi i
urimeve për ditëlindjen e shtatëdhjetë të poetit, por sikur ai u ngut të ikën
para kësaj vale të lumit të urimeve për ta takuar Lumin e tij të mallit të
pashuar për tri dekada. E çuditshme, por e vërtetë, kjo që e them këtu, kur
kujtoj se pak ditë para ikjes së tij përgjithmonë, sikur një parandjenjë ia
trasonte rrugëtimin e gjatë e të pakthyeshëm. Ai për ditë të tëra ishte sa në
Durrës, sa në Tiranë, në Sarandë apo në Kukës, kthente në Prishtinë dhe menjëherë
në një rrugëtim të ri. Rrugëtim malli, thotë fjala e urtë për raste të këtilla, dhe vërtetë
ashtu edhe doli. Ai sikur po shpërndante mesazhin e tij gjithandej trojeve
shqiptare për të vazhduar pastaj në Europë, ku la mesazhin e madh se fjala dhe
vepra e tij nuk mund të mbyllet veç në atdheun e tij, ajo ka fuqinë e shtrirjes gjithandej nëpër botë për të
dëshmuar katërcipërisht se dikund në një vend të Ballkanit frymon fuqishëm një
popull i lashtë dhe liridashës.
Këtë
mesazh poeti e shpërndau që nga fillet e shkrimeve të para të poezisë duke i
kënduar atdheut, njerëzve dhe lirisë, që aq shumë i deshi.
Në frymën e kësaj ecejakeje kaq të vrullshme kohëve të fundit, deri në
frymën e fundit kur shembi gjithçka për të lënë veç kujtimet dhe vargun e tij
shpirtëror që mbetet vulë e pashlyer e
kohës, me mesazhin e fuqishëm ndër breza u krijua një numër kaq i madh poezish
në përkujtim të emrit dhe veprës së tij që firmosën këtë requiem poetik plot
mall e dashuri për poetin.
Gjithë
këto shkrime përkushtuese në vargje vijnë për lexuesin në përkujdesjen e
shkrimtarit dhe publicistit Naim Kelmendi me titull shumë simbolik “Antologjia
e dhembjes poetike”, që mbetet vulë e dëshmive të një kujtimi të
pashlyer në shpritin dhe mendjet e krijuesve dhe adhuruesve të Ali Podrimjes.
2.
FUQIA NJËQINDENJË E VARGUT TË DHIMBJES
Kjo
Antologji vjen si forcë shtytëse nga një çast i papritur dhe i dhimbshëm, me
pretendimin e një paraqitje sa më gjithëpërfshirëse të ndjenjës së prekjes së
madhe të të gjithë njerëzve anekënd botës shqiptare, që mbetën për një moment
të shtangur nga kjo rrufe që kaloj anë e tej tek çdo adhurues e njohës i mirë i fjalës poetike. Një det i pafund
krijuesish e adhuruesish të poetit nuk ngurruan të shprehin dhembjen dhe
dashurinë e tyre për të. Këto shkrime mbetën dëshmi kohe se vërtetë poezia
paska kryer misionin e saj, për aq sa ka arritur të përvetësoj lexuesin e vet
deri në mbetjen në kujtesë përgjithmonë. Arsyeja pse u hartua kjo antologji
është fare e thjeshtë kur kemi parasysh gjithë këtë vrull krijimesh e
përkujtimesh për këtë emër të përveçëm të letrave shqipe. Rëndësia e kësaj
fuqizohet në simbolikën e koduar me shifrën njëqindenjë, që shpreh shtrirjen e
pakufishme të prekjes së temës së dhimbshme, por edhe krenare dhe mesazhin e pakontestueshëm të
kultivuar prej fillimeve të daljes në opinion të shkrimeve të tij.
Takojmë
këtu vargun e latuar me fuqinë e dhimbjes dhe dashurisë nga autorë të njohur
gjithandej kah frymohet shqip, që nga poezia e parë me autore Alma Papamihalin,
që vjen nga bota mërgimtare, deri në të fundit, që poashtu vjen nga Shqipëria,
që konsiderohet një rrumbullaksim global shqiptar si shprehje figurative e
përfshirjes së autorëve të ndryshëm, kush më pak e kush më i njohur, por që në
këtë rast seicili syresh ngre kalanë e tij të qëndrueshme për të fortifikuar
përgjithmonë dashurinë dhe respektin ndaj poetit. Kjo baraspeshë e shprehur në
fuqinë individuale sjell një monument poetik, që synon ngritjen e vlerave në
kuotën e nderit për Ali Podrimjen, vepra e të cilit për dekada ishte
udhërrëfyese e dritës dhe lirisë dhe ashtu synon të mbetet edhe më tutje, duke
iu bashkuar emra e figura të shumta të artit e kulturës, që ndërtuan lapidarin
poetik që po shqyrtojmë këtu.
3.
KOMUNIKIMI I NDËRSJELLË PËRMES POEZISË
Ky
ritual poetik bën që të vlerësohet pozitivisht veprimi i krijuesve të shumtë,
që nuk ngurruan të jenë bashkëpjesëmarrës të dhembjes dhe shprehjes së
ndjenjave të tyre në forma të ndryshme,
me fjalën poetike, me kujtimet, me dhimbjen dhe heshtjen si një element që flet
mjaft për faktin se, kur pllakos dhimbja, për një çast humbin fjalët për t’u
kthyer pastaj në kujtim të përjetshëm.Këtu takojmë vargje që shprehin vajin,
por në asnjë mënyrë si zhgënjim, veç në frymën e shqetësimit dhe me konotacion
dhimbjen krenare të ngulitur në kujtesë. Poeti vlonjat Myrteza Mara do të
shprehej në poezinë e tij “Kur ikin poetët”, me pak fjalë, ku inkurajon
lexuesin që dhimbjen e këtillë ta kthej në
krenari për figurën dhe veprimtarinë e poetit deri në përjetësi: “Mos qani/ për poetët,/ kur marrin udhën e Parajsës,/ mbi shtratin e
ndezur/ të ëndrrave rrebele!/ Mjaftojnë/ lotët e tyre të dashurisë,/ mbi
buzët e plagëve të botës.../ Lavdisë dhe këngës/ nuk i shkojnë lotët!” E sollëm këtu këtë poezi për t’ia kujtuar
lexuesit se poetët dhe fjala e tyre nuk vdesin e as nuk durojnë lot. Kujtoj se
ky është mesazh i qëndrueshëm, pavarësisht humbjeve fizike të emrave të veçuar
të letrave shqipe. Krenaria e poetit duhet të kthehet në përjetësi dhe të
përcillet në breza si udhërrëfyes i ecjes me “drejtpeshim”, siç porosit
edhe Ali Podrimja me vargun e tij.
Ali Podrimja tërë jetën ia kushtoi poezisë. Ai jetoi për poezinë
dhe në këtë mision edhe mbyli sytë për të mos frymuar më fizikisht, por fryma e
tij poetike vazhdoi rrugëtimin nëpër botë, për t’i dhënë jehonë kësaj humbje të
kulturës së nivelit ndërkombëtar me petkun e bukurisë shqiptare. Në shenjë
komunikimi me poetin shpërthyen vargje e këngë nga shumë pena të njohura e më
pak të njohura, pët t’iu përgjigjur poetit me poezi në komunikim të ndërsjell.
Si duket poeti për të gjallë kishte komunikuar më së miri përmes poezisë dhe
kjo situatë u krijua spontanisht edhe në çastet e dhimbshme dhe lamtumirëse.
Poetët në çdo kohë dhe në çdo çast komunikojnë vetëm përmes poezisë dhe
padyshim ata frymojnë vetëm poetikisht.
Simbolika e këtij ndëkomunikimi përmes vargut poetik e bën të
veçohet edhe kjo Antologji, ku gjithçka vjen përmes vargut dhe komunikon me
receptuesin e vargjeve të fuqizuara me ndjenjën e besimit se vdekja nuk e ka
rrugën andej kah frymojnë poetët. Atje fuqishëm sundon përjetësia. Këtë e
shpreh bindshëm edhe vargu i Alma Papamihalit:
“Poetët! Ah, me ata, kam gënjyer veten,
sa herë ju jam afruar, më treguan
vargjet,
“Me to rilindim së dyti”, dhe në sy
më panë”.
(“Vdekja dhe poeti”).
Përfundimisht mund të konkludohet se profilizimi poetik i
figurës së Ali Podrimjes ka fituar një pamje të portretit meritor në letrat
shqipe. Kjo Antologji vjen si një sprovë poetësh e krijuesish për ta skalitur
edhe më këtë portret, me vija të mallit e dashurisë, me dhimbjen dhe krenarinë
që përshkohet përgjatë gjithë planetit krijues të njëqindenjë pene, që
simbolizojnë pafundësinë e dashurisë dhe kujtimit. Do të shkruhet e kujtohet
edhe më për poetin, por fillimi është çështja. Nga këtu hetohet se cili është
respekti ndaj tij dhe këtë herë është treguar shumë premtuese mbajtja në
kujtesë për kohë të pakufishme e veprës së tij.
Nuk ka asnjë arsye të citojmë emra e vargje të njëpasnjëshme të
autorëve këtu, sepse ajo është pjesa më e këndshme që i takon çdo lexuesi, por
ndonjë veçim vargu a poezie do ta bënte më informues edhe receptuesin e
rëndomtë për materjen që do ta takoj gjatë kënaqësisë së leximit. Kështu, poetë
e artistë bashkë, thurën një “merimangë kujtimi”, nëpër ngatërresat e të
cilës mund të përbirohet vetëm me dashurinë dhe resektin për poetin dhe
poezinë.
“Ti nuk vdiqe
Vetëm kalove
Andej kah s’kthehesh
Por
sytë të mbetën hapur
Sikur
deshte t’thuash:
Të paktën vargjet m’i lexoni
Vargjet…”
(Çun
Lajçi: “Pika e fundit”)
Dhe fundi i leximit të kësaj Antologjie dëshmon
pikënisjen e përhershme të kujtesës, ruajtjes dhe adhurimit të fjalës e
mesazhit që sjell poezia. Kësaj i bashkohet edhe vlera dhe malli që preken nga
këta emra krijuesish, ku në mënyrën e vet shpalosin dashurinë dhe respektin për
mikun e krijuesin, me të cilin rrugëtuan gjenerata. “Të paktën vargjet m’i
lexoni/ Vargjet…”, mund të jetë vërtetë dëshira e poetit, siç e shpreh
edhe artisti Çun Lajçi.
4.
EPILOGU I FJALËS
Fjala
që buron nga thellësia e shpirtit, sidomos kur ka edhe dhimbjen, nuk ka epilog
të mirëfilltë. Dhe pikërisht këtë qëllim ka edhe kjo Antologji e kaq emrave
krijues, të cilët dëshmojnë se për aq sa ka mundësi komunikimi me poezitë e
tij, aq do të vazhdoj jetëgjatësia e kujtesës për poetin.
Ndërtimi
i kësaj Antologjie me poezi përkushtimesh për poetin, për personalitetin dhe
veprën e tij është nder dhe respekt, si
për hartuesin, ashtu edhe për autorët, që bën të mbetet në kujtesë për kohë të
gjatë. Kjo rrugë e kujtimit sikur
obligon edhe emra e institucione tjera që ta kenë në përkujdesje veprimtarinë
krijuese të Ali Podrimjes, duke ia botuar dhe distribuar veprën e tij tek
lexuesi dhe adhuruesi i fjalës poetike në gjithë botën shqiptare, ashtu siç
veproi për të gjallë vet poeti, ku fjala e tij poetike rrezatoi gjithandej
nëpër botë..
Në një fjalë rasti në përurimin e kësaj
Antologjie shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Prend Buzhala ndër të tjera
tha: “Poezia është e hershme aq sa është edhe njerëzimi dhe ajo vazhdon të
krijohet e të jetoj edhe me tutje. Dhe derisa poezia jeton edhe poeti do të
jetoj padyshim”. Fjala ishte për Ali Podrimjen. Ishte fjala për poezinë dhe
jetën që bashkëjetojnë ngushtë. Një përmbyllje e qëndrueshme dhe e saktë edhe
në këtë shkrim, që nuk ka si të jetë i fundit, kur jeta e poetit ka të trasuar
rrugën në pafundësi.