Kulturë
Bajrush Morina: Tri pamje të një përjetimi letrar me shkrimtarin Azem Shkreli
E hene, 20.08.2012, 07:37 PM
Në vend të
eseut
TRI PAMJE TË NJË PËRJETIMI LETRAR ME SHKRIMTARIN AZEM SHKRELI
(Një rilexim krejtësisht individual i romanit "Karvani i bardhë", i dramës "Varri i qyqes" dhe i vëllimit poetik "Lirikë me shi" të Azem Shkrelit.)
Nga Bajrush Morina
Pamja e parë: "Pse e vrave Shaqën, Azem Shkreli?!"!
"...
Dyl Mehmetit i kërceu gjaku në kokë, drodhi mauzerin dhe preku me gisht këmbëzën
e ftohtë të metalit. Iu duk vonë sa të pëlciste fisheku te gryka dhe t'i jipte
fund atij rebelimi të tjetrit. Ishte ajo pëlcitje, ajo krismë, e cila po i
mungonte zërit të tij që po këlthiste i pafuqishëm dhe i papërfillur mes fërfëllëzës.
Hija që i valëvitej në sfond qielli u përdrodh dhe ra. Automatiku, sikur u këput
nga duart e saj, gërgiti në qiell dhe korri ca degë breu përmbi. I rreptë e i
egër siç kishte filluar, dialogu nuk u ndal, vazhdimin e tij e morën krismat...
...Shaqë,
bir! O Shaqir…!
...Shaqën
nuk e paskemi…!
...Ti shëndosh,
o Dyl Mehmeti…!
...Me
shokë e me miq shëndosh!" - ua ktheu Dyli...
...Të gjallët
pas meje!...I gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit..."
Me Shaqën
e Dyl Mehmetit jam takuar kur kam qenë nxënës i klasës së tetë të shkollës
fillore. Natyrisht unë kam qenë fare i ri, kurse ai djalë, burrë. Ka qenë qershori
i vitit 1977 kur mësuesja ime kujdestare ma dhuroi "Karvanin..." Dhe
derisa hijeve të shelgjeve buzë Drinit të Bardhë lexoja dhe përcillja udhëtimin
e Karvanit të Bardhë, të cubit të maleve Dyl Mehmetit, qysh në fillim ia mora për
inat kapterit të çetës partizane pse e vrau
Shaqën që në fillim të shfletimit të "Karvanit..." Mbase do
t'ia kisha falur "gjakun" menjëherë sikur ta kishte vrarë p.sh. Osman
Malën ose Bardh Bulin, ose Rexhë Elezin, Deli Dakën, Ali Cukun e madje do t'i
kisha bërë ballë edhe vrasjes së Dyl Mehmetit. Sa më shumë që udhëtoja në "thellësi"
të "Karvanit..." aq më tepër më shtohej nostalgjia për Shaqën.
Kur në faqen
e fundit të "Karvanit...", Dyl Mehmetin "… e vret koha", në
cepin e zbrazur të kësaj faqeje ndër të tjera kam shkruar: "...Më ka pëlqyer
shumë romani "Karvani i bardhë" i Azem Shkrelit. Nga personazhet e këtij
romani më së shumti më ka pëlqyer (në kuptimin “m’u ka dhimbsur”) Shaqa, djali
i madh i Dyl Mehmetit". Në manifestimin e ditës së shkollës sonë, këtu e 20
vjet më parë, në një takim me shkrimtarët, ku ishte prezent edhe autori i "Karvanit
të bardhë", mbaj mend se e Azem Shkrelin e kam pyetur: "Pse e keni
vrarë aq herët Shaqën?" Përgjigjja e tij nuk më kujtohet, sepse gati të gjithë
nxënësit, arsimtarët, por edhe vetë Azem Shkreli zunë të qeshnin nga kjo pyetje
imja "provokative". Unë u skuqa pak dhe nuk e mbajta në mend fare përgjigjen
e Azemit.
Në vjeshtën
e vonë të po këtij viti, në një nga skenat amatore, nga regjisori amator Qazim
Hoti u luajt drama "Fosilet" (dramatizim i romanit "Karvani i
bardhë") i Azem Shkrelit. Kur në fillim të shfaqjes, në skenën e errët, dëgjohen
dy-tri krisma të pushkës automatike, në skenë vritet Shaqa, kurse në sallën e
ngushtë e të mbushur përplot me publik, unë "vdes për së gjalli". Dorë
pas dore më nxjerrin përmes skenës në prapaskenë. Atje, nga ajri i freskët, "më vjen shpirti" dhe
"i ringjallur" takoj të gjallë Shaqën "e vrarë". Kur për
disa vite më vonë, për herë të dytë kam marrë në dorë "Karvanin...",
e kam përjetuar ndryshe vrasjen e Shaqës. Në këtë kohë e kam kuptuar se vetëm
vrasja e Shaqës, ose eventualisht e Shpendit, "Karvanit..." ia shton
dramacitetin artistik këtij romani.
Me Shaqën
jam takuar edhe një herë këto ditë kur autori më dhuroi variantin e ri e të zgjeruar
të "Karvanit të bardhë" të botuar nga shtëpia botuese "Eurorilindja"
në Tiranë. Edhe në këtë variant të ri të "Karvanit..." Shaqa vritet që
në fillim, por në vazhdim të leximit të këtij varianti figura e Shaqës
portretizohet edhe me vija të reja artistike nga autori.
Pas leximit të variantit të ri të "Karvanit të bardhë", Azem Shkrelin nuk e kam pyetur më: "Pse e vrave përsëri në fillim Shaqën...?" Natyrisht as ai nuk më ka dhënë kurrfarë përgjigjeje.
Pamja e dytë: Gjergj, mblidhi eshtrat e mos pyet për kullën. A e sheh se ajo po digjet flakë!
Derisa në
dërrasat e Teatrit Popullor Skënder Tafaj (Gjergji) nga goja e tij nxirrte
gjithë mllefin e dyshimit ndaj sjelljeve morale të së shoqes së tij Marisë (Melihate
Qenës) për kohën derisa ai kishte qenë në male dhe kishte munguar në shtëpi, unë
në një skaj të prospektit të shfaqjes i pata shkarravitur do rreshta në formë të
vargjeve që gjasonin me poezinë. Disa
ditë më vonë, në mbrëmjet letrare, mjaft të suksesshme, të cilat në vitet 1984-85-86,
e më vonë, i organizonte klubi letrar "Jeronim de Rada" i Fakultetit
Filozofik të Universitetit të Prishtinës, këta rreshta u lexuan si poezi e cila
u duartrokit nga të pranishmit e shumtë të këtyre mbrëmjeve letrare.
Natyrisht, edhe gjatë shfaqjes, po edhe gjatë "rishkrimit" të poezisë sime, unë jam "zënë" me Gjergjin. Maria ishte bërë asht e lëkurë, ishte tretur shpirtërisht e fizikisht nga katrahurat e luftës e të pritjes për kthimin e tij, e ai, Gjergji, gati sa nuk çartej e nuk pëlciste nga mërzia "nga fjalët e hallkut" që i kishin rënë atij në vesh për gjoja "kënaqësitë e shtratit" të Marisë me oficerët fashistë. Kulla ishte djegur e bërë shkrumb, muret i ishin rrënuar përgjysmë e ai (Gjergji) prapë nuk besonte në qëndresën heroike të kullës së tij. Gjithë kohën sa qante Maria nga mosbesimi që shprehte Gjergji ndaj saj, unë në vete "e shaja" Gjergjin. "Mblidh eshtrat, Gjergj, e mos pyet për kullën,/ a e sheh se ajo po digjet flakë/, kanë qenë disa prej vargjeve të poezisë sime të nisur në sallën e premierës së shfaqjes "Varri i qyqes", të shkruar më vonë në një nga dhomat e konviktit Nr.2, të lexuar në një nga mbrëmjet letrare të mbajtura në sallën e madhe të Fakultetit të Filologjisë. Atëbotë Azem Shkrelin nuk kam mundur ta takoj dot. Ai ka qenë shkrimtar, kryetar shkrimtarësh, drejtor, kurse unë vetëm student.
Pamja e tretë: Nga "klinika" e poetit për herë të parë e shihnin dritën lirikat me shi...
Rastësisht
ose fatmirësisht shtigjet e shtegtimi na kanë bashkuar në Munih, përkatësisht në
vilën “Valberta” të Feldafingut në periferi të Munihut. Azem Shkreli, mysafir i
ftuar nga Fondacioni për Kulturë i këtij qyteti, kurse unë rrugëtar rrugësh që kërkoja
konak për bujtje. Qëndrimi në vilën “Valberta” në fakt nuk ka qenë "...ngujim".
Jo, unë dhe vila “Valberta” kemi qenë dëshmitarë dhe kujdestarë të netëve të pranverës
së vitit 1993 kur poeti latonte vargje dhe kur "...hatullave përnatë,
minjtë i hanin metaforat".
Gjithë ditën poeti bridhte nëpër strehët e mërgimtarëve shqiptarë e në mbrëmje shtrihej në shtrat dhe shtihej se po flinte. Kur pas mesit të natës gjumi m'i rëndonte qepallat dhe vilën “Valberta” e mbulonte tisi i qetësisë së natës, ai ngritej qetë nga shtrati dhe në tavolinën në mes të dhomës, ulur bashkë me muzën e tij poetike, herë meditonte, herë fliste pa zë e herë shkruante ditarin e tij të jetës. Kjo jetë e poetit, ky "...mundim i çasteve..." fillonte kur ora shkonte "...dymbëdhjetë e dhjetë" e natës, atëherë kur "Në katin përmbi Stefan Cvajg/ fëshfërin mes librash dhe kollitet" dhe kur "Te dritarja një zog i përhimtë/ këndonte ftohtë, saktë dhe gjermanisht”. Një ditë Azemi vajti në Lengrisë, të varri i Martin Camajt dhe në mbrëmje u kthye me një copë dhe të varrit të Martinit. Atë natë poeti shkroi poezinë "Guri i Martinit", dhe kur njëherë nata e kishte zënë mes mërgimtarëve, të nesërmen, nga xhepi nxori një fletë të bardhë e më tha lexoje:
"Natë
njëqindvjeçare, hape librin tënd, shkruaj
Nga fundi
i botës po të vijnë nipa plisëbardhësh
Evropës
t'i sjellin erë dheu, erë toke të jugut
Ujërat
sonte do të flenë, ata s'do të flenë
Kokë më kokë
për bukë e për luftë e për Londër
Zotër të mirë
të mërgimit, mbushni shtambat
Pini verë
të moçme ilire, pini thuani Zonjë
E
qytetruar, rrudhe kindin, bëri vend robit
Të lirisë
sate të madhërueshme, jepi pak nga
Bukuria
jote, lëre të të prekë me pendël të
Shpendit
të vet, me futë të saj të ta shkruajë
Evropën,
Anadollin, Amerikën, natë njëqindvjeçe
Shkruaj,
Mërgim Bardha, Mërgim Curri, Mërgim
Kelmendi,
Mërgim Mërgimi, po të vijnë pa plisa
Të bardhë, do të kthehen me koka të bardha."
Derisa u
rashë në fund këtyre vargjeve, përpara meje pashë thinjat e bardha të xhaxhait
tim, i cili në Munih kishte ardhur para 23 vjetëve. Në një fotografi të vjetër
bardh e zi, që gjyshja e ruan në fundin e kutisë së vet, xhaxhanë tim e kam parë
me flokë të zeza e kaçurrela. Para se të vijë letra në Prishtinë në adresë të "...mikut
A.P." njëherë e kam lexuar unë dhe si në shaka i kam thënë: "A nuk të
përngjajnë hallakamet, sharjet, recitimet e mia me ato të mikut tënd A.P.?"
Nuk ka kaluar shumë kohë, por nuk e kujtoj përgjigjen e tij.
Lirikat me shi të netëve të pranverës së vitit 1993, të thurura bashkë me lirikat e tjera të netëve të tjera të poetit Azem Shkrelit, i kam marrë si dhuratë nga vetë poeti aty kah fundi i vitit 1996. Sa herë më bie mall për këngën e lirë, çmallem me vargjet e lira të vëllimit poetik "Lirikë me shi" të Azem Shkrelit.
P.S. Për
të gjitha që u thanë më lart, dëshmitarë kam Shaqë Dyl Mehmetin, Gjergjin dhe
Marinë, Gurin e Martin Camajt, Bardhin, Currin, Kelmendin, Mërgim Mërgimin,
xhaxhanë tim të thinjur dhe Azem Shkrelin. Mbrëmë, të gjithë këta kanë qenë mysafirë
në kullën time. Në mëngjes i përcolla deri te dera e oborrit dhe u thashë:"Udha
e mbarë, nuk keni udhë tjetër, as tjetër derë…!"