Kulturë
Hyqmet Hasko: Letërsia arbëreshe
E marte, 21.08.2012, 08:04 PM
Letërsia
arbëreshe, mesazhiere e gjakut të arbrit që rron
Nga Hyqmet Hasko
Arbëreshët,
edhe edhe pse nuk jetojnë në trojet e tyre etnike e janë disi të shkëputur nga
toka amë, gjithmonë mbijetuan në "dhe të huaj", duke u vetëuishqyer
shpirtërisht me krenarinë se janë "gjak arbri".
Historia
e ngulimeve arbëreshe, tregon më së miri se një popull mund ta mbajë kulturën
dhe gjuhën e vet edhe duke mos jetuar në trojet e veta “etnike”. Në bazë të mbajtjes
së identitetit mund të tregohet vendimtare – është fjala këtu natyrisht për
komunitetin arbëresh – krenaria e origjinës së vet, por sidomos lidhja e ngushtë
me një identitet që pati një fleksibilitet që e shpëtoi nga bjerrja e mundshme,
siç ka ndodhur me shumë ardhacakë nga vende të ndryshme. Nga kjo anë,
komuniteti arbëresh u bë historikisht pararoja e një fluksi që nga trojet
shqiptare të Ballkanit mori hov nga fundi i shekullit XX dhe u drejtua në Perëndim,
duke karakterizuar historinë dhe duke kushtëzuar identitetin e vet të këtij
komuniteti. Nëse e shikojmë pak me objektivitet, do të konstatojmë se si
identiteti shqiptar karakterizohet në një pjesë e mirë si identitet i farkëtuar
nga diaspora, dhe ky referim i shërbeu edhe komunitetit arbëresh, kur përballoi
krizat e saj më të thella.
Në gjendjen
e re, arbëreshët po luftojnë deri sot me sukses, me të gjitha vështirësitë objektive,
ku hasin, për të mbajtur të gjallë gjuhën, kulturën, traditat e tyre, edhe kur
jetojnë jashtë komuniteteve të tyre historike dhe në diasporën e re.
Duhet
theksuar se në krahasim me pakicat e tjera historike, ajo arbëreshe ka në letërsinë
e saj një ndër elementet themeluese të identitetit të vet dhe kjo traditë, që u
bë tërheqëse brenda letërsisë së Rilindjes shqiptare, edhe për letërsinë e re
shqipe që po krijohej në trojet ballkanike, i ka rrënjët e saj të largëta dhe të
fuqishme në vatrat e të dy komuniteteve arbëreshe më të forta nga ana
kulturore, për shkak të pranisë së inteligjencies së kishës katolike lindore të
Kalabrisë dhe të Sicilisë, që prej dy dhjetëvjetëshave të parë të shekullit
XVIII.
Që prej
asaj kohe lindi në trevat arbërishtfolëse Rilindja–natyrisht me baza më parë fetare
dhe pra iluministe – në përpjekjen serioze intelektuale që bënë që prej asaj
kohe kishtarët e kishës arbëreshe për të dalluar nga ana historike, kulturore
dhe gjuhësore, përpos anës fetare, identitetin arbëresh –shqiptar nga
identiteti grek. Dhe kjo përqasje ‘rilindëse’ para kohe që gjejmë pra të thelluar
gjatë Rilindjes romantike, shoqëroi angazhimin e figurave më të ndritura të inteligjencies
arbëreshe, sidomos të asaj siciliane (kujtojmë këtu figura të shquar si ato të Gjergj
Guxetës, Pal Maria Parrinos, Nikollë Keta) që u bënë ndër shtyllat e përtëritjes
së parë intelektuale panshqiptare gjatë shekullit të Iluminizmit. Kjo rrymë e
letërsisë së përbashkët shqiptaro-arbëreshe, që i njohu pikat më të larta
artistike gjatë shekullit XIX, dhe që ushqeu në mënyrë vendimtare krejt
procesin e Rilindjes së Shqipërisë me një veprimtari të gjerë dhe domethënëse
politiko-kulturore-letrare në shkallë të gjerë, e rimori hovin e saj pas Luftës
së Dytë Botërore, me një letërsi të re që u bë deri në vitet ’90 dëshmi e një rryme
të lirë ose liberale në letërsinë e diasporës, brenda një letërsie shumëdegëshe
si ajo shqiptare e ballkanike të kushtëzuar në mënyrë të rëndë nga realizmi
socialist dhe nga sundimi i ideologjisë komuniste në shoqërinë shqiptare në vendet
e ndryshme të Ballkanit.
Një përcaktim
të tillë u bënë pak a shumë rrjedhave të letrësisë arbëreshe në kohë dhe hapësirë,
Dr. Françesko Altimari, një njohës prestigjioz i kësaj letërsie dhe i gjithë letrave
shqipe në përgjithësi.
Që nga De
Rada, Gavril Dara (Plaku dhe i Riu), që ishin
themeluesit e poezisë moderne shqipe dhe ideatorët e parë të rilindjes kombëtare
shqiptare, lista e shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve arbëreshë ka ardhur
duke u shtuar me figura të reja, ndërsa letrat duke u modernizuar, por pa
humbur për asnjë çast vetëdijen kombëtare. Mund të përmendim këtu ndër të tjerët
shkrimtarë dhe poetë tashmë ‘klasikë’në letërsinë moderne arbëreshe si Dushko
Vetmo, Voreja Ujko, Lluka Perrone, Zef Skirò di Maxho, Enxa Skutari, etj. por
edhe shkrimtarë arbëreshë sot të afirmuar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare
si Karmine Abate, që megjithëse shkruajnë veprat e tyre italisht, duhen
inkuadruar qoftë brenda letërsisë italiane, qoftë brenda letërsisë arbëreshe.
Që në vitin
1836, kur De Rada e botoi në Napoli poemën e tij të parë ‘Këngët e Millosaut’ e
gjer më sot, pema estetike e letrave arbëreshe vazhdon t’iu japë letrave tona
kombëtare emra shkrimtarësh dhe tituj veprash, të denja për përfqaësimin e tyre
epokal.
Arbëreshët
e mbartën botën shqiptare të kohës skënderbeiane si një gur Sizifi, por ndryshe
nga superheroi mitolgjik, ata e çuan gurin deri në krye dhe ai nuk do të mund të
rrokullisej më kurrë nga ajo majë ku ata
e vunë të qëndronte përgjithmonë. Në këto dhe të tjera rrafshe përvijohen
ku përvijohen elementët romantikë të një kohe heroike, unifikohet mesazhi dhe
kredoja poetike si dhe kodifikohen vetë strukturat e brendshme të ndërtimit të kësaj
poezie.
Në hapësirën
e shkrimit poetik, në poezitë dhe poemat e ndjera të poetit arbëresh, vjen një botë
e spikatur e marrëdhënieve njerëzore shqiptare në fund të shekullit XIV- XV, ku
mpleksen fort rrënjë historike dhe mitike të botës shqiptare, fakte,
impresione, gjurmë kujtese, zhvendosje në kohë dhe hapësirë të imazheve dhe
gjendjeve, për të nxjerrë më në pah kohën e tij dhe hapësirën e etnisë kombëtare.
Rilindja
Kombëtare shqiptare erdhi si rrjedhojë e proceseve të ndërlikuara në kompelsin
e tyre. Këto procese do të kishin antyrë të ndryshme me romantizmin europian,
sepse të ndryshme ishin dhe kushtet ekonomike e socialkulturore që çuan në lindjen
e romantizmit shqiptar, por kjo mospërputhje nuk është aspak e habitshme, “madje
e pritshme”, pasi në themel të lëvizjes kombëtare shqiptare është kontradita e
thellë madje themelore midis popullits hqiptar dhe pushtuesit turk. Nëse në lëvizjen
e Rilindjes Europiane është në qnedër mendimi illuminist dhe këtkimi I së bukurës,
në Lëvizjen Romantikme Shqiptare kemi në qendër një qndrim shumë interesant
ndaj kërkimit të së bukurës. Kjo është e lidhur ngushtë “përpunimin e mendimit
të ri shqiptar I cili kishte (gjithashtu) në thelb idetë iluministe” Ndonëse
historikisht lindja e romamtizmit si drejtim letrar lidhet me peiudhën e
ardhjen e një shtrese të veçantë shoqërore, “në kufirin e dy botëve prap se
prap në gjithë kohët gjejmë tipare dhe prirje për idealizimin e jetës dhe shprehje të hoveve ëndërruese,
sepse kjo ka qenë gjithmonë në natyrën e njeriut”
Romantizmi
europian kishte për bazë konfliktin e madh mdis individit dhe shoqërisë. “Romantizmi
sjell një lidhje të artit, si shprehje immediate e sentimentit dhe rrjedhimisht
të një individuaiteti konkret të artistit, sespe nëse arsyeja është e nëjjtë për
të gjithë njerëzit, ndjenja karkterizon individin në veçanti. Romantizmi
shqiptar nisej nga ndjenja e madhe e dashurisë “për të romantizuar çdo gjë shqiptare”.
Përfaqësuesit
e parë të romantizmit në Shqipëri vijnë nga letërsia arbëreshe dhe akti i parë dhe
më i rëndësishmi i kësaj letërsie, që nga kultura e folkut deri tek akti i mirëfillttë
i krijimit estetik, është ai që lidhet me kryeprijësin e Arbërit, Gjergj
Kastriot Skënderbeun dhe epokën e tij lavdiplote. Kjo epokë i dha frymë dhe e
mbajti gjallë përfytyrimin poetik plot dritëhije të kësaj letërsie verbale dhe
të shkruar.
Njësimi i
aktit poetik kolektiv apo individual me etninë, si pjesë e konfiguracionit
psiko-gjeo-historik të një etniteti të caktuar, është dimensioni më i epërm i
sprovave të tij estetike dhe jashtëestetike, në këtë rast i letrave poetike arbëreshe
për epokën e Skënderbeut. Duke u identifikuar me etninë, ky akt më tepër se
estetik është një akt kombëtar, një gjallim shpirtëror në zhegun përvëlues dhe
asfiksues të integrimeve globale. Ajo që në fakt e bën joshëse dhe provokuese për
ta zhbiruar këtë dimension të poetikës arbëreshe është tentativa e saj për t’i
ikur steriotipit tradicional të kërkimit të gjurmëve të etnisë, moderniteti si
esencë e vetë artit të poezisë qoftë popullore, qoftë asaj të kultivuar, e cila
mori aq shumë nga e para.
Poetët më
në zë arbëreshë ndërtojnë paralele figurative në kohë dhe hapësirë, me anë të të
cilëve ravijëzojnë burimin autokton të mitit dhe historisë si dhe figurave mitike
e historike, finesën, burinë, fuqinë dhe qashtërsinë e simboleve më autentike të
botës shqiptare. Mëtimi për t’iu qasur e aq më tëpër për të depërtuar në shtresimet
estetike të një poezie elitare, për të selektuar në shumësinë e elementëve
poetikë ato më përfaqësuesit, në çdo shteg nga mund t’i qasesh, nga çdo kënd
nga mund ta kundrosh, të çon drejt Skënderbeut dhe epokës së tij. Në thelb, një
përpjekje e tillë i ngjet përpjekjes së ankthshme për të deshifruar një ëndërr.
Kjo ndodh pasi Kryetrimi, edhe pse në të gjitha rastet, qoftë në këngët
popullore, qoftë në poezinë e kultivuar të mjeshtrave arbëreshë, është një personazh episodik, më shumë si një
imazh se sa si një person konkret veprues,
ai zotëron ngjyrat dhe lëvizjen e gjithë spektrit rrëfimtar, pra i jep
fytyrën e tij vetë rrëfimit dhe epokës që ai bën objekt rrëfimtar.
Poezia
kolektive arbëreshë ndërton një minibotë të sajënj, në të cilën mpleksen fort
rrënjë historike dhe mitike të botës shqiptare, fakte, impresione, gjurmë kujtese,
zhvendosje në kohë dhe hapësirë të imazheve dhe gjendjeve, një botë ndjesish të
një kohe që ishte e vetëmjaftueshme për arbërorët. Me anë të një lirizmi të ngrohtë,
plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura, ajo na sjell vizione të harruara, një
kohë idilike ku lufta dhe dashuria janë simbioza të mbijetesës shqiptare.
Muza arbëreshe
i ndërton imazhet në formë mozaiku, duke na dehur me secilin gur të tij, por
duke na dehur ende më shumë me të tërën e cila, duke qenë e plotë dhe e begatë në
pasurinë e tekstit rrëfimtar, nuk na përmbush vetëm estetikisht, duke na dehur
me të buklurën, por dhe historikisht, duke na përcjellë një informacion që na
mungon për këtë epokë lavdimadhe.
Poetët
arbëreshë vizatojnë peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë,
duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në
strofë, nga poezia në poezi, nga libri në libër, me një pasuri tronditëse
trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse. Ata
përcjellin përvoja jo të zakonshme njerëzore, duke u përkujdesur, që të na
lidh me kohë-hapësirën e pamatë të së shkuarës, me anë të rrezonancave të forta,
me domethënie në fatet e historisë sonë kombëtare.
Rikthimi
si kujtesë i akteve të epokës së Skënderbeut konfigurohet në këtë shtrirje
poetike epokale si një vizatim me ngjyra të gjalla, ku spikatin elementët e një
shoqërie në luftë, ku lufta dhe dashuria për atdhuen në luftë vendos kodet
morale dhe etike të mbijetesës. Nga ana tjetër, rikrijimi i peizazheve thuajse
hyjnore, ku mpleksen detaje mitologjike, historike, trajta shpirtërore,
akuarele baritore, akte të lumturia dashuirie dhe erotizmi i zgjerojnë rrathët
e këndvështrimit poetik.
Edhe sot,
poezia dhe letrat estetike arbëreshe në përgjithësi vazhdojnë të ushqehen me
mitin e “Motit të Madh”, për arsye të thellimit të kuptimit të ekzistencës
kulturologjike, duke pasur si njësi matëse të fuqisë së shpirtit dimensionet e
një kohe dhe të një figure, që jo vetëm bëri epokë në kohën e tij, por edhe
tash, pas gjashtë shekujsh, vazhdon të ushqejë krenanri e motivim për ekzsiencë
kulturologjike, në hapësirat ku gëlon bota shqiptare dhe gjuha shqipe, ndër arbëreshë
dhe ndër të gjitha trevat e ngulimet shqipefolëse në botë.