E premte, 26.04.2024, 10:47 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Vangjush Saro: Shqiptarët e Vankuverit

E premte, 27.07.2012, 08:43 PM


Shqiptarët e Vankuverit

Nga Vangjush SARO

Është e vështirë për të thënë shumë në një shkrim të krijuar mbi shënime e përshtypje nga një vend që është ende i pashfaqur plotësisht. (Pas Rusisë, Kanadaja është vendi më i madh në botë për nga sipërfaqja.) Për më tepër, në ritme zhvillimi dhe norma emigrimi të mirënjohura; por që renditet gjithnjë në vendet e para - sa i takon mirëqenies dhe vlerave njerëzore e demokratike - në të gjitha llojet e statistikave. Ndërkaq, vetë komuniteti shqiptar në Kanada është në rritje, paçka se i vogël krahasuar me komunitetet e tjera që jetojnë këtu. Dhe të tilla janë shumë.

Veçmas, British Columbia është një shoqëri multietnike, Kryeqendra e saj, Vankuveri, edhe vetë është një qytet i ri, i krijuar në kapërcyell të shekullit që shkoi; 52% e banorëve të tij nuk e kanë anglishten gjuhën e parë. Vankuveri e rrethinat e tij, shtrihen në veri-perëndim të vendit, përgjatë Luginës Frezer dhe përballë gjigandit Pacifik; ai është “i mbrojtur” nga ishulli madhështor e me të njëtin emër dhe është cilësuar si një mbijetesë e lumtur mes multikulturalizmit dhe ambientit që i rrethon.

Vankuveri është quajtur gjithashtu “qyteti me më shumë gjallëri në botë”, nga një listë prej 127 qytetesh të mëdhenj e të vegjël. (Vlerësimi është bërë nga “Economist Intelligence Unit” dhe “UN-Habitat”. Në një dokument të publikuar nga “UN-Habitat”, shkruhej: “Vankuveri qëndron në krye të 127 qyteteve për infrastrukturën e tij të projektuar dhe të realizuar, për pasurinë kulturore dhe ambientale, për nivelin e ulët të kriminalitetit dhe për thjeshtësinë për të siguruar të mira dhe shërbime të çdo lloji”.

Qyteti ka 603.000 banorë, 2.3 milionë duke përfshirë edhe rrethinat; Port Metro Vankuver është nga më të mëdhenjtë e Amerikës Veriore. Gjithsesi, emblema e Vankuverit është turizmi, (industria numër dy për të), po ashtu është mjaft i njohur në fushën e kinemasë; mban vendin e tretë për prodhimin e filmave pas Los Anxhelosit dhe Nju Jorkut. Qendër e zhvillimit të Lojërave Olimpike dhe përherë në hartat e turistëve nga e gjithë bota, me parqet e mrekullueshmme dhe përgjithësisht nivelin e lartë të jetesës, Vankuveri është një nga qendrat e lumtura të ruzullit. (Në Vankuver ka lindur edhe miku i shqiptarëve e Kosovës, shkrimtari dhe albanologu Robert Elsie (1950). Nga Burnaby, qytet pothuaj i bashkuar me Vankuverin, është këngëtari i njohur Michael Buble.)

 

?

 

“Shoqëria Shqiptare e BC (British Kolumbia)” është pjesë e jetës në ritëm e mirëqenie të këtij qyteti të bukur. Shqiptarët janë pjesë e aktiviteteve, ndërtimeve dhe festimeve që karakterizojnë këtë metropol, të cilin bukuria natyrore dhe klima e qendrueshme e kanë shndërruar në një qendër model bashkëjetese. Kështu, kujtojmë se në festimet për ditën e Kanadasë (Canada Day), edhe këtë vit u përfshinë gjallërisht edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Duke pasur parasysh këtë eveniment, por edhe për të shprehur gëzimin për stinën e ngohtë, ditë më parë, Shoqata e Shqiptarëve të Vankuverit  - e njohur edhe si “Shoqëria Shqiptare e BC (British Kolumbia)” - mblodhi në Parku Cresend, në një piknik në natyrë, dhjetra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Vankuver. Ata kishin ardhur nga Vankuveri dhe qytetet e tjera në rezen e tij, si Burnaby, Delta, Surrey, etj. Kryetari i Shoqatës Estref Resuli, nënkryetari Edison Heba, si dhe anëtarët e Këshillit Drejtues, por edhe veprimtarë të tjerë të kësaj shoqate, ishin kujdesur që organizimi i piknikut të shërbente edhe si një tubim i lirë i të gjithë shqiptarëve që banojnë dhe punojnë në Vankuver e rrethinat e tij.

Ashtu siç janë shprehur në shtyp edhe veprimtarë e zëdhënës të shoqatës, misioni i saj është organizimi, bashkimi dhe forcimi i frymës vëllazërore midis anëtarëve të komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në B.C.; po ashtu, kultivimi dhe forcimi i marrëdhënieve miqësore të ndihmës dhe bashkëpunimit midis popullit shqiptar dhe atij kanadez, ndihma dhe përkrahja e emigrantëve të rinj në B.C., etj. (Me përkushtimin dhe devotshmërinë e treguar nga të gjithë shqiptarët e British Kolumbia, kryesisht të Vankuverit dhe Vankuver Mainland, kjo shoqëri po forcohet gjithmonë e më shumë, duke krijuar kështu një imazh të mirë të shqiptarëve në komunitetin e madh multi-etnik të British Kolumbias.)

Takimet e anëtarëve të shoqatës janë të herëpashershme, natyrisht edhe duke u motivuar nga kërkesa dhe ngjarje të rëndësishme. Më parë, shqiptarët e Vankuverit ishin mbledhur edhe për të kremtuar Festat e Nëntorit dhe, më pas, ato të Fundvitit. Gjithsesi, pikniku i verës, i motivuar edhe nga Canada Day, tregoi edhe njëherë se shqiptarët që tashmë jetojnë dhe punojnë në Vankuver, janë një komunitet në rritje; në të njëjtën kohë, ata po e konsolidojnë çdo ditë vetëdijen për trashëgiminë, por edhe perspektivat e jetës në një kontinent tjetër. Në ndihmë të këtij mentaliteti promovues dhe të këtyre veprimtarive, është tashmë edhe një faqe interneti, ku pasqyrohen ngjarjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe Kanadanë, me aktivitete të shoqatës dhe, po ashtu, përvojat e ndryshme të qytetarëve me origjinë shqiptare tashmë rezidentë apo qytetarë zyrtarë të Kanadasë.

Anëtarët e Shoqatës së Shqiptarëve në Vankuver, ku tashmë janë përfshirë disa breza, nga të posalindurit deri te më të vjetrit, bëjnë ç’është e mundur të mbajnë gjallë frymën e dashurisë për vendin e lindjes dhe të ushqejnë edhe fëmijët me gjuhën e vendlindjes dhe traditat e cilësitë më të mira të saj. Edhe në këtë piknik në natyrë, në traditën e vendit, krahas një dreke të pasur, si dhe bisedave për punën dhe problemet familjare, u zhvilluan lojëra tradicionale si tërheqja e litarit dhe vrapimi në thes. Më të rinjtë zhvilluan edhe ndeshje futbolli, ndërkohë që një pjesë e më të vjetërve “nuk bënin dot” pa ndonjë bisedë të nxehtë politike. Gjithsesi, aspirata e tyre, aspirata e të gjithëve, është që vendi-mëmë të përparojë dhe të përfshihet me dinjitet në të gjitha organizmat perëndimore.

 

?

 

Më parë, edhe në Tiranë, me rastin e ditës së Kanadasë (Canada Day), Instituti i Çështjeve Kombëtare  - INA (Albanian Institute of National Affairs) ka organizuar ngritjen e flamurit kombëtar të Kanadasë në sheshin përpara ”Hotel Tirana International”, (1 korrik 2012). Siç është paqyruar në media edhe nga zëdhënësi i kësaj shoqate, ky aktivitet ka qenë pjesë e veprimtarisë së njohur të Institutit për të promovuar dhe forcuar më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kanadasë. Ai zhvillohet nën kujdesin e z. Kastriot Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i INA.

Po ashtu, në po atë mbrëmje, në skenën e Teatrit të Kombëtar të Operas dhe Baletit do të ngjiteshin mbi 40 artistë të orkestrës sinfonike “West Coat” të Vankuver-it nën drejtimin e maestro Bujar Llapajt. Ky koncert vinte për publikun shqiptar pikërisht në Ditën e Kanadasë, por edhe në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. (“West Coast Symphony”, është krijuar në vitin 1970 si një orkestër amatore harqesh dhe tashmë ajo është nga më të njohurat në Kanadanë Perëndimore, me mbi 20 koncerte në sezon dhe me një repertor të pasur.)

Ndërkaq, asistenca dhe ndihma e qeverisë së Kanadasë për Shqipërinë nuk ka munguar në projekte të caktuara, duke përfshirë gjithë fushat e zhvillimit. Nga viti 1996 deri në vitin 2011, Kanadaja ka dhënë për Shqipërinë mbi 30 milion dollarë. Por një prezencë më e madhe e investimeve kanadeze në Shqipëri, do të bënte të mundur promovimin e imazhit të vendit në tregun ndërkombëtar, fuqizimin e ekonomisë dhe zhvillimin e potencialeve të vendit, duke sjellë shtrirjen e këtyre mundësive në hapësirën mbarëshqiptare.

Në përmirësimin e mëtejshëm të këtyre raporteve e objektivave, luan një rol të rëndësishëm edhe “Shoqëria Shqiptare e BC”, që tashmë është duke e prezantuar gjithnjë e më mirë komunitetin shqiptar në Vankuver dhe më gjerë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora