Kulturë
Elida Buçpapaj: ''Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit''
E shtune, 30.06.2012, 08:08 AM
DOLI NË QARKULLIM
LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
TIRANË, 29
QERSHOR - Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori dje në qarkullim vëllimin me poezi "Raspodi
e Golgotës së Tranzicionit " të autores Elida Buçpapaj. Redaktor i librit është
Skënder Buçpapaj. Libri ka 144 faqe dhe kushton 500 lekë.
Libri
poetik "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit" është prirë nga hyrja "Dy
fjalë nga autorja" dhe nga parathënia e Skënder Buçpapajt.
„Rapsodi
e Golgotës të Tranzicionit" është ankthi i bujshëm i një njeriu dhe i një shoqërie
njëkohshëm për t’iu shpëtuar kthetrave të së djeshmes, për të dalë sa më shpejt
nga labirintet." Kështu shpreh kredon e saj poetike Elida Buçpapaj në fjalën
e saj hyrëse.
DY FJALË NGA
AUTORJA
Po i
shkruaj këto radhë me rastin e botimit të librit tim „Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit".
I takoj asaj gjenerate, ku fatbërës i jetës time ishte një regjim totalitarist
mynxyrësjellës, në antitezë të plotë me poezinë, për fajin e vetëm se isha e
bija e një poeti, të cilin regjimi e kishte futur në listat e njerëzve të padëshiruar
. Dhe ky ritual pritej të përsëritej brez pas brezi, nga poeti, tek vajza e
poetit, nipat e stërnipat e poetit, në vijimësi.
Si bijë arti,
u linda me poezinë, isha objekti poetik i tim eti, e rrethuar nga tik-taket e
makinës së shkrimit, nga bota poetike e fantazisë dhe figurave si kaligramet e
Apollinaire-it, duke dëgjuar tim atë kur deklamonte, tek deklamimet e mia të para
deri sa nisa edhe unë të shkruaj poezitë e mia, si shprehje vokacioni e trashëgimie
genetike. Por ndërsa tim eti iu ndalua e drejta e shkrimit në moshë madhore,
mua m’u ndalua që fëmijë, ky regjim monstrum të dënonte edhe në barkun e nënës,
duke na futur në listat e qytetarëve të dorës së fundit, të atyre që i linte
gjallë vetëm për t’i poshtëruar e depersonalizuar, e që me ne pastaj të frikësonte
të tjerët.
Jeta jonë
ishte gjithë trauma dhe vuajtje, të braktisur nga të gjithë, por jo nga poezia!
Isha e përjashtuar për jetë nga listat e atyre që regjimi i zgjidhte se cilët
do të ishin shkrimtarët dhe poetët e Partisë së Punës, por isha e privilegjuar
në listat e përpiluara nga vetë Kaliopi, muza e Homerit dhe e poetëve, e cila
edhe në momentet më të vështira të jetës nuk më braktisi.
W.H. Auden
thotë se „Një poet është para së gjithash një person i dashuruar me gjuhën".
Po, qëndron, por unë do të thosha se një poet është, para së gjithash, i
dashuruar me ndjenjat më të holla të zemrës, me spleen-in, e shpirtin e tij. Dhe
jam dakord potësisht me Jevgeni Jevtushenkon se « Biografia e poetit janë poezitë
e tij„. Duke shtuar se biografia e poetit është biografia e shoqërisë ku jeton,
e dramave të saj kozmike, vuajtjeve, sfilitjeve, pengjeve, dështimeve,
humbjeve, sfidave, gjithçka është në këtë funksion, ku poeti si një kronikan
respekton thelbin e së vërtetës të ndjenjave. Poeti nuk gënjen kurrë, nuk është
hipokrit, nuk është fals, poeti iu qëndron besnik sensacioneve të tij, i bindet
muzës së tij; poeti është i çuditshëm, „strange", i veçantë, ngjan gati si
i huaj me botën që e rrethon, sepse ndjenja e bën të parandjenjë, të parashohë,
të parathotë; poeti është më njerëzori, nuk e vret dot një mizë, nuk fyen dot
askënd, poeti kur ndihet se gabon, kërkon ndjesë, poeti fal kur e fyejnë, poeti
nuk është lulja e së keqes, është klithma kundër saj. Vargjet e librit tim „Rapsodi
e Golgotës së Tranzicionit „ janë fragmente të biografisë sime dhe të shoqërisë
së qytetarëve, janë pasqyrë e atij kalvari që kemi hequr dhe e asaj Golgote të tranzicionit
që na i tërheq zvarrë me brutalitetin e zvarritjes që Akili i bënte Hektorit,
vitet e bukura të jetës.
Kur
menduam se diktatura u rrëzua, sepse poetët janë edhe besimtarët më naivë të rruzullit,
besuam se jeta jonë do të merrte kuptimin e bujshëm, larg reminishencave,
inercisë dhe atavizmave të së djeshmes, por mjerisht shohim se pas njëzet
vitesh kohën na e kanë bjerrë njerëzit që në fakt nuk kanë lidhje me atë që ne ëndërruam.
Një shoqëri
e dalë nga një burg-bunker gjysmëshekullor nuk mund të shërohet në mënyrë të menjëhershme,
por të paktën tani jemi të kthjellët dhe syçelë. Të paktën askush më nuk mund të
na i diktojë dhe t’i zgjedhë mes turmës se cilët do të jenë poetët dhe as
dogmat nuk mund të na i paraqesë më askush si ideale të lirisë. Këtë pak a shumë
shpreh edhe poezia ime e këtij vëllimi poetik. Ky vëllim i ka shpëtuar
fatalitetit të diktaturës, këto vargje janë të çliruara nga iluzionet dhe janë të
shqiptuara në mënyrën më të sinqertë të mundshme, me sinqeritetin e fëmijës që nuk
di të gënjejë kurrë.
Duke
kaluar jetën time në rivistë në një minutë të tërën, me shpejtësinë e trokun e
trenave e shoh portretin tim në mosha të ndryshme, diku duke matur të rrahurat
e shpeshta të zemrës prej fantazmave të frikës, që shkaktonte terrori i një regjimi,
që kishte fikur sa e sa jetë të pafajshme, me atë pamundim sa të duhet të ndezësh
a të fikësh një fill shkrepse. Por e mbijetuar sepse prapë ne ishim fillimi i
fundit të tyre, i gjeneratave të para që u ndriti ylli i fatit sepse i shpëtuam
ad literam ferrit të diktaturës, paçka se u futëm në spiralet e Golgotës së tranzicionit.
Por destini i poetit më në fund i shpëtoi lakut të litarit të xhelatit si oguri
i një fillimi të pritur e të vonuar njëkohshëm.
Zotit i
jam mirënjohëse gjithashtu sepse na shpëtoi nga armata e produktit më mizerabël
të superstrukturës totalitariste që prodhonte akulturizëm dhe lejfenizimin e
shqiptarëve, një soj larje trush nga njerëz mediokër dhe të pashpirt, që ende
sot i ngrohin duart mbi zjarrin e kalvarit të tranzicionit, ku kultura
shqiptare po vazhdon të digjet në turra drush e vendin e xhelatëve të kritikës
socrealiste që i çonte poetët në litar, e ka zënë antikritika, ajo që vazhdon të
jetë e varur nga politika, në një formë spektakolare, tragjiko-komike si
dordolecë në një buratiniadë.
„Rapsodi
e Golgotës të Tranzicionit" është ankthi i bujshëm i një njeriu dhe i një shoqërie
njëkohshëm për t’iu shpëtuar kthetrave të së djeshmes, për të dalë sa më shpejt
nga labirintet e saj në dritën e diellit, në emër të asaj që na vjen në dorë vetëm
një herë.
________
POEZI E
FRYMËZIMEVE NEOIMAZHISTE, E TUNDIMEVE SIMBOLISTE DHE E REBELIMEVE TRONDITËSE
SUREALE
Nga Skënder
BUÇPAPAJ
Poezi e
imazheve tronditëse, poezi-dramë. Nëse trille hyjnore si poezia do të pranonin
përkufizime, atëherë them se ky do t'i shkonte më shumë krijimtarisë së Elida
Buçpapajt përmbledhur në librin e saj të ri "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit".
Imazhi në
qendër të frymëzimit poetik do të pagëzonte në fillim të shekullit të shkuar
imazhizmin, një lëvizje poetike angloamerikane, të cilën Thomas Stearns Eliot,
i shqipëruar tejet mjeshtërisht nga Elida, e konsideron lëvizjen e parë moderniste
në arte. Eliot vetë do të ndikohej gjithë jetën nga imazhizmi, sidomos nga njëri
prej themeluesve të imazhizmit, Ezra Pound. Madje poezitë e tij të personazheve,
poezitë e tij portrete do ta kishin pikënisjen drejtpërdrejt nga vinjetat
epigramatike të Pound.
Siç është
në natyrën e poezive të kësaj prirjeje, edhe tek "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit",
personazhi, qoftë ai në vetën e parë, i gjithëpranishëm, qoftë personazhi me emër
të përveçëm, qoftë personazhi alegorik apo personazhi simbol, qoftë në njëjës
apo në shumës, priren drejt konkretizimit, drejt sendëzimit. Ku realiteti jepet
si lojë e fantazi nga më spektakolaret, që të merr mendjen e të rrëmben
shpirtin, por që mban vulën e kohës të cilën e jetojmë autorja dhe ne. Kjo bën
që peizazhi të marrë frymë si njeri, ndërsa frymorët mitikë apo të mitizuar si
engjëjt, shtrigat, lubitë, kanibalët, ujqit, çakejtë, kojotat, tartabiqet,
magjistricat të marrin fytyra të bashkëkohësve tanë. Në këtë terren hedhin
shtat simbole si "faraonët", "Ramsesët", "hunët dhe
gotët e Jugut", "Kali i Trojës në Veri", "Kleopatra", "Klu-klus-klanet",
"Sodomat dhe Gomorrat".
Poezi e
frymëzimeve neoimazhiste, do ta zgjeroja më tej përkufizimin tim për
krijimtarinë e re të Elidës. Si kudo tjetër në art, ndjeshmëritë edhe në poezi çojnë
drejt një prirjeje të caktuar, drejt formave dhe mjeteve të parapëlqyer, drejt
zgjedhjes së aleatëve estetikë, filozofikë dhe etikë, drejt kërkimeve, drejt
eksplorimeve dhe drejt zbulimeve artistike. Në art të gjitha këto bëjnë pjesë në
pafajësinë e krijimit. Frymëzimet ndërtohen mbi bazën e një imazhi dhe shprehen
poetikisht një ritëm të lirë. Ato janë sublimim i përjetimit emocional dhe i përsiatjes
intelektuale, janë ndjenjë dhe mendim. Parimi estetik qendror i kësaj poezie është
se objekti dhe pasqyrimi janë e njëjta gjë, pra sa objekti është pasqyrim, aq
edhe vetë pasqyrimi është objekt.
Zbulime të
mirëfillta poetike janë formanse si "lotët e urrejtjes", "të njohurit
s'më njohin", "qielli refugjat", "kockat e imta të yjeve",
"qielli me thesaret e tij personale" deri tek fjala "drithërenja"
e përftuar nga ngjashmëria me "ngashërenja". Të tilla janë edhe
metaforat e përftuara nga metamorfozat e shumëfishta të njëpasnjëshme si "kurmin
e bardhë/ si mështeknat/ ta kthyen në xham/ të thyeshëm si kristalet e borës";
"e dëshiron botën vetëm të bukur/ të paktën të bukur/ sa gishtat e tij të këmbës";
"qielli iu arratis prangave/ të reve dhe zinxhirëve të mjegullave për në Jug";
"gjurmët e gishtave/ të këmbëve të mia janë fotografi/ të eshtrave të ditëve
të shkuara". Nga të gjitha llojet e shkrimit letrar, poezia është e vetmja
që ka privilegjin të rilexohet pafundësisht, të mësohet përmendsh, të deklamohet
dhe të citohet. Poezitë e Elidës, në çdo lexim, i japin kënaqësi befasuese,
zbulimesh si ato më sipër lexuesit të thjeshtë, kritikut apo eseistit.
"Shqipëria
asht diell,/ andërr, zhgjandërr,/ asht shi, breshër, borë,/ furtunë, stuhi,/ stuhi
në gotë;/ delir,/ gënjim, zhgënjim/ asht pranverë, verë,/ verë e kuqe, e bardhë,/
dehëse,/ dehje/ verë e dielltë,/ Drin, Bunë, Vjosë,/ Shkumbin, Valbonë;/ asht
Liqen, kodër, mal,/ fushë e ultësirë;/ asht ofshamë...." Këto janë vargjet
e para të poezisë së parë ("Shqipëria asht") të librit të ri të Elida
Buçpapajt. Autorja, pra, parapëlqen vargun e bardhë, organizimet jostrofëshe,
jometrike, monokolone. Poezia e saj pajton dhe kundërvë asimetrinë me simetrinë,
rregullin me çrregullin, kaosin kozmik me monotoninë tokësore, abstrakten e
kulluar me konkreten e vrazhdë, duke i manifestuar parimet e saj estetike deri
edhe në rrafshin gjuhësor.
E gjithë kjo
dramë luhet në një atmosferë simboliste, çka përbën një përmasë qendrore të frymëzimeve
neoimazhiste të poezisë së Elida Buçpapajt. Simboli që do t'i shprehë lidhjet
poete-atdhe, Elidë-Shqipëri do të jetë Jugu: "Mbetem e shushatur/ prej
mungesës së qiellit/ të gllabëruar/ nga retë e mugëta/ dhe kur vjen nata/ e njëtrajtshme/
kur mungojnë/ yjet/ si gurët kilometrikë/ që ndrisin prej fosforit/ të eshtrave/
nëpër rrugën e kthimit/ drejt Jugut/ dhe arsyes/ Por arsyeja e humbi rrugën/ në
natën/ pa qiell/ që si lubi i gëlltiti yjet dhe hënën/ dhe shpresa humbi/ si një
monedhë/ në oqeanin e zi të natës/ pa zbardhëllimën/ e gurëve kilometrikë."
Nën këtë frymë përftohen simbole si "Kuçedra flokëkuqe" që na e pati
zili fluturimin, "bastardët e tranzicionit", "çakejtë e
urbanizmit". Përballë tyre, sa hajthëm aq dhe fisnikërisht qëndrojnë simbole
ku poetja e mban të hedhur ankorën e lidhjeve me atdheun, si Ura e Tabakëve, "ciceronia
që më nxjerr nga ngujimi i ankthit".
Nuk
mungojnë situatat surealiste, çka i bën të panevojshme edhe shenjat e pikësimit
sidomos në poezitë e mallit të skajmë dhe rebelimit të shfrenuar. Shembull i
fatalitetit surealist, ndoshta më i spikaturi në libër, është poezia "Vargje
për përbindëshat e tranzicionit": "Ne njerëzit e çliruar nga bunkerët
e rrathëve/ të ferrit/ tash e mbas/ e të gjitha herët/ jemi të ngopur/ nginjtas/
me shëmtimin/ postum/ dikur në emër/ të tutës/ sot në emër të mostutës/ dje në emër/
të kuçedrës së diktaturës/ sot në emër të prostituimit të lirisë."
Më kulmin
e shfrimeve dhe shfrenimeve poetike, në trajektoren mes atdheut dhe poetes e
anasjelltas, një vend qendror zë cikli kushtuar Kosovës, tragjedia më e madhe e
përjetuar deri sot nën kupën qiellore , "Kosova vendi ku Zoti i shumon fëmijët
si fijet e barit", i paraprirë nga thënia e Ibrahim Rugovës, "Kosova është
një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga
Zoti". Cikli hapet me "Unë vij në Prekaz", përjetim thellësisht
dramatik, ku poetja ngrin "e palëvizur si mermeri i varreve/ nën harkun/ e
violinave të vajit/ të fijeve të barit/ që qajnë/ nga mungesa/ e hapave/ të fëmijëve.
Pastaj vijnë tri poema: "Kur vjen qershori vritet Bardhyl Ajeti", "Balada
e 3500 nënave shqiptare që presin 3500 fëmijë të zhdukur" dhe "Vajza
e vogël me emrin Lule", kushtuar vogëlushes pa emër, të pagëzuar prej
poetes Lule, është një simfoni tejet e përkryer imazhesh kushtrimtare: "Vajza
e vogël/ me trupthin e zvogëluar/ prej frikës/ nga nata që e rrëmbeu/ prej shtëpie/
duke ia grisur dhe shqyer lodrat/ prej të cilave ajo shpëtoi/ vetëm vizatimin e
fundit/ të saj/ ku me lapsat me ngjyra/ kishte vizatuar/ lule dhe shtëpinë e
saj/ në Kosovë/ Vajza e vogël... / me zemrën që vazhdon/ t’i dridhet/ si një fije
bari,/ nëpër ujërat e ftohtë/ të Danubit të largët..."
Me librin
e saj të ri „Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit", Elida Buçpapaj e vendos
veten në një pozicion paraprijës (avangardë ) poetik, në një rrymë kundër-rrymë.
Krijimet e saj janë të përkora në strukturë dhe shqiptim, pajtojnë në vetvete
frymën mistike dhe teknikat simboliste për të krijuar një formë poetike me tingëllim
klasik e njëherësh modern, njëherësh të thjeshtë e të kursyer sa të ndërlikuar
dhe kompleks, njëherësh të butë sa edhe të ashpër, sa të bukur aq dhe
antidekorativ, njëherësh të butë dhe provokativ, njëherësh subjektiv dhe
objektiv, njëherësh ritmik dhe jo metrik, njëherësh ledhatues sa edhe tronditës
dhe shokues. Metafora e kësaj poezie nxit zbulimin dhe shpalosjen intuitive të realitetit
në thelbin e tij të vërtetë. Kambanat e imazheve të kësaj poezie bien për
zhdukjen e frikës, bien për shpërgjumjen, bien për zhdehjen, bien për zgjimin,
bien për t'i dhënë fund ankthit dhe makthit të kalvarit të përbindshëm
posttotalitar që ka pllakosur deri sot e gjithë ditën anembanë hapësirës së qenies
shqiptare. Është një Rapsodi virtuoze e Golgotës së Trazicionit shqiptar.