E diele, 15.12.2019, 05:48 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Takimi me krijues dhe promovimi i veprave - urë e bashkimit kombëtar

E diele, 17.06.2012, 05:58 PM


Nga promovimi i veprave të Angjelina Krasniqit Bardhaj dhe të Pilo Zybos në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë

TAKIMI ME KRIJUES DHE PROMOVIM I VEPRAVE-URË E BASHKIMIT KOMBËTAR

Nga Sejdi BERISHA

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ditë më parë u bë promovimi i veprave, “Tingujt mallëngjyes” dhe “Zëri im i brendshëm” të poetes nga Peja, Angjelina Krasniqit Bardhaj e cila jeton dhe vepron në Gjermani, dhe të krijuesit Pilo Zyba, “Troja e trojeve të mia” nga Përmeti, por i cili jeton dhe vepron në kurbet, Greqi. Në këtë festë letrare, morën pjesë shumë krijues dhe dashamirë të fjalës së shkruar nga kryeqendra e Shqipërisë, Tirana por edhe nga Peja.

Përkitazi me këto vepra folën krijuesit dhe kritikët letrarë, Prend Buzhala, prof. Murat Gecaj, Sejdi BERISHA dhe Bardhyl Xhama.

KUR MË FLISTE BABAI IM PËR SHQIPËRINË...!

(Fjala integrale e shkrimtarit dhe e publicistit, Sejdi berisha në këtë festë letrare)

Ndjehem i lumtur që sot këtu, në Tiranë, në këtë tempull kulture dhe historie po promovojmë veprat e Angjelina Krasniqit-Bardhaj nga Kosova dhe të krijuesit, nga Shqipëria, Pilo Zyba, dhe atë librat “”Zëri im i brendshëm” dhe “Tinguj mallëngjyes” të poetes Krasniqi, dhe librin “Troja e trojeve të mia”, të autorit Pilo Zyba. Ky manifestim është i veçantë për disa arsye. Një. Ngase që të dy krijuesit jetojnë dhe veprojnë në kurbet, për çfarë pesha e vargut është e përshkuar me mallin por edhe me dhembjen për kombin dhe atdheun, për vendlindjen. Dhe tjetra, sepse, këto përurime po ndodhin sot këtu në Tiranë, e nesër në Pejë, që e kanë simbolikën e vetë, që e kanë qëllimin e një rrugëtimi që kombi e trojet shqiptare kahmot, me decenie e me periudha kohore e historike e synojnë. Sa mirë është të jemi kështu të bashkuar. Por, është edhe e veçanta tjetër, sepse, këtu e kudo në trojet shqiptare, çdo ngjarje kulturore por edhe tjetër fare që ndodhë e zhvillohet, përshkohet me frymën e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të ngritjes së flamurit.

Këtë që dua ta them në vazhdim e kam thënë edhe diku tjetër, dhe nuk është e tepërt ta them edhe këtu:

Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend; athua çfarë ëndrre është kjo që ma tregon prindi im me plis të bardhë, kurse babait tim duke folur i përvidheshin lotët nëpër të qarat e faqeve.

Dikur, kur u rrita, fjala Tiranë, Shkodër, Tropojë,  m’u bënë flakë shpirti, ëndërr e parealizuar, etje e pashuar. Edhe atëherë babait i përvidheshin lotët, por edhe lotët e mi ma përcëllonin rininë.

Dikur më vonë, Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,... m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

Kurse tash, po të ishte sot gjallë im at, do t’i thosha: Ja, o prindi im, rrëfimet tuaja, etja për atdheun, por edhe ëndrrat e mia u bën realitet. Tash, Tiranën dhe tërë Shqipërinë e përqafoj si dua vetë. Bile, edhe sot kur jam bashkë me juve në këtë manifestim shpirti.

Andaj, në kontekst të tërë kësaj, si duket, situatat, rrugëtimi i kombit, i atdheut dhe i vetvetes, krijuesit ia krijojnë rrugën poetike, e cila, kur merr formën dhe peshën e vet, dot nuk del nga binarët e përplasjeve, meditimeve, ndijimeve, nuk del nga mllefi, etja, malli e dashuria për ta parë e përjetuar ëndrrën e bashkimit, ëndrrën e përbashkët që jeta të merr kahe ashtu siç e meriton njeriu, atdheu dhe kombi.

TINGUJT MALLËNGJYES KUR KAPLOJNË JASHTË ATDHEUT...

Duke lexuar veprat e Angjelina Krasniqit-Bardhaj, “Zëri im i brendshëm” dhe “Tingujt mallëngjyes” por edhe librat e krijuesit Pilo, krijohet përshtypja se gjendesh në rrugëtimin e tyre si rob i vargut për t’i përjetuar të gjitha ndijimet e shprehura, që pas leximit, padyshim se bëhen pjesë përbërëse e secilit lexues.

Unë jam përcaktuar për t’i thënë disa fjalë për librin “Zëri im i brendshëm” të autores Krasniqi-Bardhaj.

Tingujt mallëngjyes kaplojnë e vërshojnë edhe kështu: “Kur ishit të vegjël u dekorova me veshje kombëtare/Shkronjat shqipe ua mësova, nga shpirti im ABETARE/Prandaj bir, bijë mos shisni si plaçkë, urë/Mjegulla të errëta më mbështjellin, nuk do t’ua fali kurrë”! E fillova fjalën time kështu, sepse autorja është përplasur me shpirtin e vetë për shumë gjëra, e këtë ia ka imponuar, kush tjetër përveç se jeta, e ia ka shtuar barrën  edhe mallin kurbeti, i cili është plagë e mbështjellë me gjërat më të papara, me gjërat më të dhimbshme dhe me etjen për dashurinë, ashtu siç e do për vendlindjen dhe për atdheun. Andaj, nuk ka se si mos të përjetësohet vepra poetike përveç se me titullin “Zëri im i brendshëm”.

Angjelina Krasniqi-Bardhaj, ka një fëmijëri me ëndrra, kujtime e me rrëfime që i ngjajnë romaneve që nuk hiqen kurrë nga tavolinat e lexuesve, por e cila, atë fëmijëri e ka edhe të temperamentit të veçantë, i cili temperament pastaj bëhet pjesë e rinisë, që gjeneron ndjenja që shndërrohen në dashuri dhe në gjithçka që lidhet me lirinë, me kombin dhe me atdheun, e që, të gjitha këto, pos në poezi, më parë janë reflektuar edhe në organizimin e shumë aktiviteteve shoqërore e politike, në lëvizje që janë të ndërlidhura me fatin e Dardanisë, me fatin e Kosovës. Prandaj, njeriu i karakterit siç është autorja e këtyre dy veprave, e do dhe e përfill zërin e brendshëm, sepse, ai zë është i fuqishëm, është pasqyrë e shpirtit, është dhembje e krenari, që bashkërisht ndërtojnë kuptimin e ecjes, madhështinë e jetës dhe rrugën e lumturisë. Për këtë arsye, ajo që në fillim të librit “Zëri im i brendshëm”, sikur na detyron, dhe paraprakisht, pa e lexuar librin, na bën të kujdesshëm për ta kuptuar mesazhin dhe rrugëtimin poetik të Enxhit: “Të kaluarën time mos e vri.../Më lëndon fluturimi i saj furtunë/Tek e ardhmja mbështetëm.../Gjallërinë e mbaj në dëshirë të ndjerë në shpirt...!

Kjo dëshmon, se zjarrmia e vargut sikur kaplon çdo gjë, dhe sikur e tërë jeta, koha dhe njeriu ecin kapërdijshëm. Duke e ndjerë këtë fenomen kohe, autorja fare pa hezitim, thotë: “Dua të kuptoj, ç’po më ndodhë/Ku e kam botën time”. Edhe këto vargje ngacmojnë e gjenerojnë kujtime e ngjarje, të cilat, po që së doni, edhe tërësisht e pasqyrojnë jetën e saj të mbrumur me temperamentin e papërfillshëm vetëm e vetëm që jetën ta bëjë të lumtur, ëndërr e përrallë që ligjërohen këndshëm në labirintet e dritës dhe të së bukurës.

Këto karakteristika, qëndrojnë pip në këmbë pothuaj se në të gjitha vargjet dhe në të gjitha poezitë e Enxhit, figura e së cilës shëtitë, endet e shkrepë mendime, që i ngjajnë fanarit që bën pandërprerë dritë edhe atëherë kur mërzia kaplon apo edhe ndonjëherë pllakosë çdo gjë. Kështu lë përshtypjen kjo dritëpafikur. Andaj, në të gjitha poezitë në këtë libër, zërin e saj e sjellë kujdesshëm por edhe sertshëm për të mos u përkulur as ajo por edhe as njeriu, edhe pse plagët nganjëherë pengojnë për të ecur, por, megjithatë, ato më shumë trimërojnë për të qëndruar përballë sfidave.

Këto veçori i hasim kudo, dhe ato, si të tilla shndërrohen në tempull shpirti e qëndrese: “Ti oxhak i konakut të shpirtit mes thërrimesh/Me flakën tënde ngrohë gëzimet dhe pikëllimet/Ti lis i rrënjosur, si aortat e shpërndara në trupin tim/Ujitëm me gjakun, mbushe frymën e verës me gëzim”! Autorja, në shumë poezi, lexuesit ia dëshmon qëndresën shumëdimensionale edhe kur thotë se shpirti i bëhet dyllë me tërë atë kompozicion ndjenjash e zjarrmisë vargëzuese: “Kam arsye të qesh apo të qaj/Kur gjurmoj labirintit tim të kujtesës”!

“DIGJEM NË GJUMË ME ETHET E NJË ËNDRRE”!...

Nëse këndimin poetik e pikasim në karakterin e autores, lirisht mund të themi se Enxhi e ka dhuntinë e njeriut i cili në çfarëdo situatash lufton dhe ia arrin për të qëndruar vertikalisht, por, në të njëjtën kohë pëlqen, preferon dhe e adhuron çiltërsinë e shpirtit dhe të mendjes, të cilat i kërkon dhe dot nuk i lëshon nga vetvetja: “...Jepma dorën, o i dashuri im/Që ecja me mua të vijë e lehtë si flutur”. Mirëpo, jo rrallë, shtrëngimi i shpirtit i vjen nga të anët, që e detyrojnë të këndojë pakëputur, sepse: “Digjem në gjumë me ethet e një ëndrre/Akoma mes ëndërrimeve/Pa u shkëputur prej tyre”!

Nëse e shprushim mirë mesazhin e vargjeve, atëherë, edhe ligjërimi, edhe rrugëtimi i jetës, edhe përplasjet, edhe ditarët e kujtimeve marrin formë rrethi mbase edhe të hartës të sakatuar të tokës, e cila padyshim se godet. Megjithatë, autorja përpiqet që këtë, nëse mund të quhet realitet, ta konsideroj si gjë normale, mbase ta shndërrojë edhe në “ëmbëlsirë” kohe: “Nën hirin tënd ruhet zjarri im!.../Flaka e gjëmës së shpirtit...”!

Të bëhesh pelegrin dashurie është mund dhe përgjegjësi, që krijuesin e detyrojnë të hapë rrugë e shtigje për të arritur deri aty ku dëshiron, e ajo nganjëherë mashtron, sepse duket si fotomorgamë, dhe asnjëherë nuk arrin në cakun e dëshiruar. Dhe unë, nganjëherë mendoj, mirë që është kështu, sepse, edhe kur njeriu dëshiron të “mbytet në oqeanin syve të mi”, mund të ndodh: “Të shkrumbohesh, të flijohesh...”. Megjithëkëtë, autorja për çdo gjë, rri gjithnjë zgjuar, sepse, ëndrrat mund t’ia vjedhin gjumin, e atëherë tretët diku në mesin e botës së vetë, por në atë “siklet” se harron dot bashkimin, dhe ligjëron: “Mbulesë do ta kemi qiellin, qiri do mbajmë diellin/E trupat e bashkuar fjalën, TË DUA, do të mbjellin...”!

Në këtë formë e shohim kooperimin poetik të Enxhit me këngën dhe ëndrrat, me të cilat, përherë dëshiron të udhëtojë edhe bashkë me të tjerët e kurrsesi vetëm. Por, edhe pse nganjëherë autoren e vërejmë dhe e hasim si flakë të ngatërruar në shkëlqimin e vargut, zëri i saj ëmbël tingëllon, dhe si i tillë mbetët me peshë në krijimtarinë poetike, në fushën e vlerave letrare kombëtare.

Miq të nderuar,

Unë kaq kisha përkitazi me librin “Zëri im i brendshëm” të Angjelina Krasniqit-Bardhaj, edhe pse në fillim të shkrimit por tash edhe më shumë, disi më kujtohet koha kur Enxhi së bashku me të ëmën dhe me motrat e saj, në rininë e hershme thurnin sexhade, çanta prej leshi dhe qilima për të siguruar kafshatën e bukës, kohë e cila është shndërruar në kujtim krenarie dhe tash edhe në zjarr vargu e poezie.

Ndërsa, sa i përket librit të përbashkët të Pilo Zybës dhe të Enxhit, kujtoj se vetë titulli i librit, “Tingëllimat e shpirtit” tregon për peshën artistike dhe për jehun poetik. Mirëpo, siç thash edhe në fillim, përkitazi me veprat e krijuesit Pilo folën të tjerët, kurse unë do të shkruaj ndonjëherë tjetër për librin e tij “Njeriu që vraponte pas një ëndrre”.

Të theksojmë se manifestimin letrare e madhështuan artistët e mirënjohur, Margareta Xhepa dhe Agim Xheku, të cilët me madhështinë dhe mjeshtërinë e tyre prej aktorit recituan dhe i madhështuan vargjet nga librat që u promovuan.

 Moment nga promovimi (Sejdi Berisha, Prof. Murat Gecaj dhe Pandeli Koçi)

 

Një kujtim pas festës letrare



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT