Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha nderohet me Çmimin e Parë në ''Ora e Poezisë 2012'' në Tropojë
E diele, 13.05.2012, 04:30 PM
SHKRIMTARI DHE PUBLICISTI SEJDI BERISHA U NDERUA ME ÇMIN E PARË PËR POEZI NË “ORA E POEZISË-2012” NË TROPOJË
Në manifestimin tradicional “ORA E POEZISË 2012” që u mbajt me 12 maj 2012 në Bajram Curr të Shqipërisë e në kuadër të Mitingut të 48-të të Poezisë në Gjakovë, Klubi i Shkrimtarëve dhe i Artistëve të Tropopjës, shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA nga Peja i ndau Çmimin e Parë për poezinë e lexuar në këtë orë letrare.
***
Poezia fituese nga:
SEJDI BERISHA
SA KËNDIM I MIRË
Më ikën muzat
Tani rri vetëm me rërën e detit
Me flladin
Që nuk di se nga vjen
Punë është të këndosh
Kur zëri qëndron nën këmbë
Kur kënga lëkundet në litar
Kur muzat më ikën
Një letër të vjetër
Tek dera e mbyllur
Dikush ma kishte lënë
Shkruaj e shprush në te
Gjeje vetveten nëse mundesh
Merr frymë thellë
Or pus i vargut
Or shpëtimtar i jetës
Or dashnor i dritës
Që pa ty nuk bën
As në tok
As në qiell
As në terr
As në dritë
Çfarë je duke bërë kështu
Çdo ditë duke e ngrënë vetveten
Përherë duke bërë mur për lapidar
Ku e ke atë damarë
Për ta ngulfatur
Ose në gjarpër për ta shndërruar
I cilin helmin e bën ar
Që kafshimin e kthen në përqafim
Dukesh si shqiponjë
E cila krahët i flijon
Për lartësitë e mirësisë
Por
Pus Ti
E pus vargu yt
Sa këndim i mirë
Kurrë nuk kam dëgjuar këngë të tillë
Tash më erdhën muzat
Ndoshta plagët m’i ëmbëlsojnë...