E premte, 19.04.2024, 09:39 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Poemë për bisedën e ngelur në fillim!

E shtune, 05.05.2012, 08:05 PM


Sejdi BERISHA:

POEMË PËR BISEDËN E NGELUR NË FILLIM!

I. NËSE SHEKUJT M’I SHFLETON...
(Bisedë e pazakontë me Ilixhen e Pejës)

1.
Ti, oj bukuri shekullore
Sa plagë njerëzve ua ke shëruar
Sa shpresa u ke dhënë
Atyre në rrugëtim
Uji yt me ngrohtësi toke
dhembjet ua ka zbutur
Atëherë sëmundjet janë strukur
Sa historinë e njeriut
E ke hedhur në rrjedhën e ujit
Pse nuk vendos për të shkruar
Vepra historie
Sepse burimi i ujit tënd
Nuk i shtrembëron kahet
As të ditëve as të moteve
Sepse Ti
Nuk u japë lak decenieve e shekujve
Që janë grumbulluar e bërë tërkuzë
Si konopi në thes

2.
Ti, moj shëruese shpresash
Sa e bukur më dukesh
Në këtë stinë pranvere
Por
Akoma dukesh me vaj në buzë
Plagët e njeriut ende të rëndojnë
Ti, Ilixhe e Pejës*
Me shpresën e njeriut në gjinj
Trego diçka së paku në këtë pranverë
Se, e di
Motet janë tradhtarë
Edhe vetveten e fshehin
Nën dushkun dhe gjethet e vjeshtës

3.
Sot, kam ardhur enkas tek Ti
Me shpresë se diçka do të më tregosh
Diçka që askush nuk e di
Por lutjen time
Sikur ma ke shndërruar në mëkat kohe
Të kuptoj edhe nëse kështu vepron
Por
A ke gjuhë për të më rrëfyer
Për fuqinë që uji nga Ti gurin e fisnikëron

4.
Po...
Po të them
Po sa i marrë je me këto shkrolat e tua
A di ti se çfarë lavire duket historia ime
Çfarë të duash të tregoj
Vetëm nëse shekujt e mi
Faqe për faqe e fletë për fletë m’i shfleton

5.
Po...
Edhe unë i thash
Por Ilixhja marrëzisht qeshi
E unë u tmerrova për gënjeshtrat
Sepse nuk më premtonin ditët
Muajt, vitet as shekujt
Atëherë
Mu duk se ajo m’i ledhatoi faqet
Me ujin e ngrohtë m’i shëroi lotët:
Ik poeti im duke kënduar
Shkruaj vargje dhe kënaqe njeriun
Sepse lumturia e tij
Është më larg se sa që ti mendon

6.
Ula kokën
Lotët e përcëlluan burimin e Ilixhes
Që nxirrte edhe djegësim sulfuri

7.
Të gjithë më qortuan
Çfarë bëre kështu
Me lot, akull e bëre burimin e ujit shërues
I fshiva pikat jo të ujit
E dora e lagur ma bëri qull gjoksin
8.
Ika na Ilixhja e Pejës
Por koka më ngeli me shikim prapa
Kur s’ke fuqi ta rrotullosh botën
Mos i përmallo njerëzit
Historinë mos e trazo
Kështu i thash vetvetes
Si njeriut të cilin e urren tej mase

9.
Por, Ilixhja e Pejës ka gojë
Di të flasë
Sepse ajo ka fuqi
Ujin shërues ta nxjerrë nga thellësitë tokës
E këtë e ka bërë
Edhe para se janë numëruar shekujt

10.
Duke ligjëruar kështu
I mbetëm borxh njëri-tjetrit
E borxhi
Peshon rëndë në tokën Dardane
Ama shumë rëndë...

11.
Tash ngrita kokën lartë
Sa shumë ishte çmendur gjelbërimi

12.
Sërish iu ktheva Ilixhes:
Unë e di se Ti ke shëruar
Edhe armiq të kësaj toke
Sikletin ua ke zbutur edhe tradhtarëve
Unë e di se Ti ke shëruar
Edhe njerëz të dritës
Edhe barinj, argat e kosarë
Unë e di se ka edhe shumë të tjerë
Që kurrë nuk i ke shëruar
As dert nuk ua ke bërë
Jetën as dhembjet

13.
Por, unë e di edhe një gjë tjetër
Se Ti do të ma shfletosh pra
Historinë tënde
Faqe për faqe e fletë për fletë
Atëherë unë do të shndërrohem në urë
Që do të bashkoj Ty
Me tokën dhe njeriun
Apo, nuk di se me kë
Unë e di se bisedën as historinë
Nuk e përfunduam
Ndoshta sërish takohemi nesër...

II. MË TROKITE NË DERË...
(Një ditë më vonë: Vazhdimi i dytë i bisedës së pazakontë me Ilixhen e Pejës)

14.
Sot
Nuk e kisha ndërmend të të vizitoj
Por t’i shfletoj disa faqe pa libër
Vetë më trokite në derë
Dhe me detyrove të bisedoj me Ty

15.
E di
Se të ka mbetur syri
Që nuk të pyeta për mermerin* e Ilixhes
I cili është palosur në muret e kishave
Edhe të xhamive e të minareve
Që ka stolisur shtëpitë-saraje
Edhe obeliskët dhe përmendoret
Jo vetëm në këtu në Dardani
Që është përgjakur e folur nuk ka

16.
Për këtë arsye
Të ka ngelur syri tek biseda
Apo tek provokimi i historisë

17.
Po...
Eja pra të bisedojmë
Për gurin tënd prej mermeri
Por ndoshta nuk di
Rrëfimet për t’i radhitur
Për secilin gur
Kudo që është “balsamosur”
Gurë që janë shkapërderdhur
Kudo në dhe e në botë
E, që i ngjasin mërgimtarëve të mi

18.
Eja të ecim nëpër shekuj
E të rrëfejmë për harresën
Edhe për mos harresën
Mos u mërrol por hidhi ato brengat tuaja
Këtu në prehrin e vargut tim
Të kalërojmë me atin e kohërave

19.
Ndoshta nuk mund lehtë të llafosin
Se gjuha e gurit është e rëndë
Por secili gur mermeri
Le të mbetet histori në vete
Edhe nëse u ngjajnë librave të palexuar

20.
Por...
Gurët e mi të mermerit
Kudo që janë
Pavdekësinë e kanë frymëmarrje
Zoti ua ka dhuruar
...
Mos ta hapim këtë kujtim
Se harta ime do harliset
Do të dalë
Jashtë kornizave të kapërthurta
Atëherë unë dhe Ti
Në të njëjtën kohën
Do qeshim dhe do qajmë
E loti do ngelet udhërrëfyes i çuditshëm

21.
Pas këtij shoqërimi
Kësaj lashtësie dhe kësaj të sotme     
I thash
A ta këndojmë një këngë
Për shfryrjen e shpirtit
Po...
Unë këndoj malësorçe
Nuk di të këndoj këngë të tilla
Atëherë...
Ik, më tha guri i mermertë
Edhe Ilixhja e Pejës

22.
Mu parafytyruan objektet prej mermeri
Mermerit të Ilixhes
Atje në kohën e Bizantit
Edhe në kohën e Romakëve 
Edhe në vaktin e Osmanlinjve
Edhe atëherë nga Beteja e Kosovës
Edhe në kohën e djallit
Të gjitha erërat e kohërave m’u grumbulluan
Dhe ma dhuruan një gur
Ishte xhevahir si jeta e njeriut
Që nuk mashtron as nuk gënjen...

23.
Ik, më tha Ilixhja e Pejës
Dhe vazhdoi të nxjerrë ujë shërues
Edhe surfull e fosfor
Që begatojnë gurin e mermertë
Ngjyrën e të cilit e ka i tërë Ballkani

24.
Po, çfarë ligjërova deri tash
Biseda kishte ngelur aty në fillim
Unë kujtoj në zero
Dhe, duke ia ngritur gishtin
Si me kërcënim i thash:
E sheh
Unë sërish do kthehem tek Ti
Qumështin e nënës do ta nxjerrë
Derisa të më rrëfesh për secilin gur
Për secilën sëmundje
Për secilin ilet
Për secilin shërim
Ilixhja vetëm sikur buzëqeshi
Duke nxjerrë një çurg uji
Pikat e të cili pak m’i dogjën gishtat e dorës
Me të cilën e mbaja lapsin
Më vonë
Në flladin dhe gjelbërimin e lulishtes
Krisma e daulles ma kënaqte shpirtin
Kështu njeriu im gjithnjë dëfrehet...
E biseda
Sërish sikur ngeli në fillim



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora