Kulturë
Vladimir Muça: Vallja e vargjeve të lira në truallin Dardan
E premte, 04.05.2012, 11:23 AM
Vallja e
vargjeve të lira në truallin Dardan
Poeti Adem Zapllusha paraqitet në këtë libër të 44-tert si krijues me formim të gjërë letrar, me konceptime të qarta, vizione e stil modern ku bie në sy mëkimi i muzës së poetit me poetikën migjeniane. Adem Zaplluzha vjen në truallin dardan me pasaportën e vet biometrike e ligjësuar që të kalojë pa frikë çdo doganë në Shengenin poetik Europian.
Nga Vladimir Muça
Cilido
lexues që do e marrë në duar librin e ri poetik “Kur pemët ndërrojnë këmishët” të Adem Zapllushës, do ta identifikojë atë me
brigjet e Lumbardhit, Fushë Kosovën veshur kurorë nga malet e pyjet, me
dhimbjen, brengën, baballarët, gjyshërit si dhe zambakët e Prizrenit tek shpërthejnë
në lulërinë e tyre në freskun e Lumbardhit. Jam i sigurtë se lexuesi do të ndjejë
një rishtjellim të përhershëm emocionesh që shkaktojnë këto tëma universale, të
veshura me një rrobë të re, çka i ngre në një nivel më të lartë, u jep një vlerë
më të madhe përjetimi duke kaluar vetëm thjeshtë argëtuese. Poeti Adem
Zapllusha paraqitet në këtë libër të 44-tert si krijues me formim të gjërë letrar,
me konceptime të qarta, vizione e stil modern ku bie në sy mëkimi i muzës së poetit
me poetikën migjeniane.
Poeti nuk
e parafytyron lirizmin gjithnjë rozë, romantik e idilik, por nëpër vargjet e
lirikave të tij, herë herë kryengritës, nxjerrin kryet konflikte e nocione
dramatike që shndërrohen dhe në urrejtje. Më të thekura këto vihen re tek
poezitë “Kur pemët ndërrojnë këmishët”, “Kudo mure të ngjyrosura”, “Me afshin e
lëkurës së zeshkët”, “Ti eja”, “as kujtim për ty”, “Vetëm ti”, Nën gjethet e rëna”.
Në të tre ciklet që përbëjnë produktin poetik qartazi dallojmë portretin poetik
të Ademit të penelatuar. Këto tre cikle përbëjnë njëkohësisht dhe anatominë poetike
të librit.
Ciklet
dhe tërë poezitë në terësi ndërthuren, ushqejnë me ekstrakte poetike, ideore e
mendore njëri-tjetrin si enët e gjakut e të limfës në trupin e njeriut, duke i
dhënë jetë pathosit poetik qe çel si zambakët e Prizrenit, aty buzë rrjedhës së
Lumbardhit, bukuria, paqja, urtësia, lufta për përsosjen e mëtejshme të botës,
si vetira fondamentale të poezisë në tërësi. Po të lexosh poezitë “Balladë për
qytetin tim”, “Kishim mall”, “Në qytetin tim”, “Në ecejaket e çmendura”, “Tavolinat
e vjetra të qytetit” na përvijohet poeti atdhetar, patriot, dashuria pa kufi për
vendlindjen, dëshira për progres shoqëror. Ndaj dhe koha për poetin
identifikohet si përjetim dhe kapja e çastit si burimore e çasteve të fëmijërisë
me ato imazhet e pra që të mbeten të pashlyera në kujtesë. Ndaj dhe
natyralizimi i moernitetit poetik të Adem Zapllushës na vjen i ndjerë, i ëmbël
e plot ndjenjë.
Adem
Zaplluzha vjen në truallin dardan me pasaportën e vet biometrike e ligjësuar që
të kalojë pa frikë çdo doganë në Shengenin poetik Europian. Poeti ynë na
prezantohet me një soj disi të ri, me shumë rezonancë në kumtet e tija
patriotike, social-etnike, pa ju larguar thelbit dhe në poezitë lirike, ku ndonëse
me nota migjeniane, manifestimi i së bukurës e jep rezonancën që në titull e
vargjet e para me kuintencën e një ideje se mosha nuk ndikon në shpirtin lirik
të autorit. Ajo çel vrullshëm “si një tulipan” apo si “zambak i bardhë”,
fluturon në “Qiellin blu” si mjelma e Lumbardhit. E këto lirika nuk janë, siç ndodh
rëndom në shumë poetë, shpërthyese, të pakontrolluara, të çthurura, pa
programim esencial. Në këto që kemi kënaqësinë ti lexojmë mbizotëron raporti i
arsyes dhe shpirtit që bën vetërregullimin poetik, vesh profilin mjeshtëror të poezisë
me rrobën e figuracioneve artistike duke përflakur momentet më të çiltërta të poetit
dhe duke hijëzuar njëkohëshisht dëshirat e pavullnetshme, duke perceptuar
matamorfozat palimpseste të jetës, duke nxjerrë nga mendja e shpirti poetik atë
shkëlqim të pasur diamantik, i cili jep zananfillën e një big-bingu.
Ndaj dhe
hera herës, duke qenë poezi post moderne, të natyralizuara në vendin ku u lind
dhe u rrit poeti ynë, duke qnë në startin e një poezie inteligjente, brenda këtyre
poeti na paraqitet dhe me një lloj impresionizmi ku hera herës realiteti merret
si i dyzuar. Ky lloj impresionizmi baritor, qytetar, më kujton Montalen Zhak
Preverin, Rilken, ku brenda stilit flak mërzitjen dhe dhimbjen për jetën si në të
kaluarën, të tashmen e në të ardhmen. Poezia “Kishim një mall” mund të merret
si etalon i një moderniteti të natyralizuar në tokën amë me nuance konceptuale
të një poezie inteligjente. Ajo ka një prirje drejt një personalizimi. Ajo vjen
në këtë vëllim tjetër lloj nga ajo e bashkëshkrimtarëve kosovarë. Ka në të më shumë
filozofi, është në startin e nisjes të një rrugenaje të re, ku ngërthehen
ngushtas nocionet filozofike me ato artistike , stilistike e jetësore, të shkrira
në një unitet letrar të ri në prurjet e sotme poetike.
Thjeshtë kemi
të bëjmë me një nismë të re posmoderniste, një poezi inteligjente me parametra
tokësor, të kapur fort në tabanin ku jeton e militon poeti ynë i nderuar Adem
Zapllusha. Ky personalitet poetik është i tillë sepse është ngjizur në natyrën
prizreniane, është lindur dhe kërkon amëshimin aty në rrjedhën kreshtëshkumë të
Lumbardhit. Poeti nuk mund të bëjë asnjë poezi për të dashurën, gruan, nënën,
babain, gjyshin, nipin pa e futur mes gjelbërimit të brigjeve ujëshkumë, të mollëve,
kallinjve, zogut të dashur, mëllenjave skepisha, çafkave, bilbilave e
laureshave, mes këtij gjelbërimi të dendur. Në këtë densitet natyror autori
prodhon peisazhe vangogiane aq shumë të preferuara nga poetët. Në këtë stilizim
natyror, ai me një rëndesë mendimi, godet me penelata të ashpra hipokrizinë,
demagogët, shpifarakët që vegjetojnë gjirizëve të qytetit. Duke bërë një shetitje
nëpër gjurmët e metaforave të poezisë të A. Zapllushës ku purpurantja nuk i ikën
fjalës për ta lënë atë të çveshur, unë si redaktor kam besim se lexuesi do të flatrojë
mbi këtë pyll poetik me këtë purpurantë duke thithur aromat e përjetimeve të bukura
njerëzore me bukurinë e shpirtit poetik të poetit. (Vjeshtë e parë, 2011)