E premte, 26.04.2024, 04:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Teatri ekzistencialist dhe absurd

E merkure, 25.01.2012, 08:18 PM


Teatri ekzistencialist dhe absurd

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Pjesa më e madhe e njerëzve që përdorin fjalën ekzistencializëm ndihen keq kur ju duhet ta shpjegojnë se ku qëndron kuptimi i kësaj fjale, megjithëse, sot, është kthyer në modë dhe thuhet si pa të keq që ky muzikant , piktor apo dramaturg është ekzistencialist. Ajo që ngatërron gjërat është se ka dy lloj ekzistencialistësh: të parët që janë të krishterë dhe midis tyre do të radhisja Jaspersin dhe Gabriel Marselin të besimit katolik dhe nga ana tjetër ekzistencialistët ateist midis të cilëve duhen futur Heidegeri, ekzistencialistët francez etj. Zhvillimin e kësaj filozofie e gjejmë që në vitet 1928 me botimin e veprës së Martin Hainegerit “Qenia dhe koha”, por, përhapje të gjerë, ajo mori sidomos pas luftës së dytë botërore, dhe sidomos pas botimit të veprës së Zhan Pol Sartrit “Qenia dhe asgjëja”. Ekzistencializmi ka të bëjë më shumë me idealizmin nëse preket në formën letrare, por, shënjestër ka ekzistencën njerëzore në nivelin e individit të padeterminuar nga kushtet reale historike, të cilat konsiderohen absurditet i tërë. Në disa libra filozofike, shumë mendimtarë këtë filozofi ekzistencialiste e kanë quajtur si irracionale, që i kundërvihet racionalizmit. Nga kjo del se njeriu nuk është diçka e dhënë që në fillim, por vetëm një hiç, gjë të cilën nuk mund ta vërteton realiteti. Tek ekzistencialistët qenia njerëzore nuk konsiderohet si diçka, por një qenie që lufton të bëhet e tillë. Njeriu krijon vetë nga asgjëja dhe pothuajse në një liri të plotë. Ata njeriun e dënojnë me liri absolute, thjesht është i lirë të vendosë vetë, madje edhe ta shkruajë ardhmen e tij, të vendos vet për jetën e tij, madje edhe ta përcakton vet fatin. Praktika dëshmon se zgjedhja nuk është arbitrare, por e kushtëzuar.  Zhan Pol Sartri dhe Albert Kamy ishin dy përfaqësuesit kryesor që ekzistencializmin e shtrinë në fushën e letërsisë dhe teatrit. Veprimtaria e këtyre dy shkrimtarëve të mëdhenj mbështet në absurdin e jetës. Shikimi i tyre filozofik niset nga mendimi se në botën tonë njeriu i ka humbur të gjitha iluzionet mbi mundësinë për të kuptuar dhe për të shpjeguar në bazë të arsyes botën që e rrethon dhe njeriun, meqenëse, ky i fundit është i detyruar të jetoj në një botë që nuk ka asnjë kuptim  dhe që është i huaj për të. Kamy në esencën e veprës “Miti i sizifit” shkruan: “Nuk ka veçse një problem filozofik me të vërtet serioz. Ky problem është vetëvrasja. Të gjykosh nëse jeta ia vlen të jetosh, do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë”.  Ky botëkuptim shprehet edhe në teatrin ekzistencialist. Pikëpamjet ekzistencialiste ushtrojnë një ndikim të madh në lindjen dhe zhvillimin e teatrit absurd. Lidhja midis ekzistencializmit dhe teatrit absurd del e qartë edhe nga një deklaratë e Joneskos, ku ai shprehet me këto fjalë: “Absurde është ajo që ndodhi që s’ka asnjë qëllim, duke shkëputur nga çdo lidhje fetare, metafizike dhe transcendentale, njeriu humbet, çdo veprim i tij është pa kuptim dhe i panevojshëm”. Këto mendime të pamëshrimshme përfaqësojnë pikëpamje filozofike antinjerëzore. Çdo dramaturg që është i zhytur në teatrin absurd problem të parë ka vdekjen. E vërtetuar është se vdekja është e pashmangshme dhe sipas tyre e bënë jetën të pa kuptim,  nguros çdo nxitje për veprim dhe kthen çdo gjë të jetës në hi dhe pluhur. Përderisa do të vdesim, atëherë, përse duhet jetuar, përse duhet  vepruar. Kuptimi ideologjik i këtij pesimizmi është i qartë. Konflikti bazë i dramës absurde rrjedh nga mungesat e qëllimit që ka njeriu në jetë. Shpeshherë, dramaturgët kur ndërtojnë personazhe absurde, nuk janë heronj që në skenë shprehin pikëpamje moralo-shoqërore. Në skenë dominojnë situatat njerëzore. Thelbi i absurdit nuk thuhet, ose mbetet i papërcaktuar dhe nuk mund të kapet nga spektatori. I njohur është edhe Ezhen Jonesko dhe gjithë bota e tij është e mbushur plot frikë dhe marramendsh, ajo është shkretëtirë në të cilën bredhin fantazmat, që dalin papritur nga errësira e natës. Tek “Rinoqeronti” ai ngre aktakuzë të fuqishme kundër çfarëdolloj diktature, e kuqe apo e zezë, që e katandisë njeriun në hiç e detyron të jetërsohet në kafshë për të mbijetuar. Berazhenja mbetet i vetëm në botën e rinoqerontëve. Mbetet i vetëm para fatit dhe pa shpresë rrugëdaljeje. Edhe teatri i Samuel Becketit paraqet shprehjen më të plotë dhe më rrënjësore të shikimit absurd të botës. Në veprën “Duke pritur Godonw”, nëpërmjet dialogut monoton dhe të çuditshëm të dy vagabondëve, Vladimiri dhe Estragoni, që presin në një fushë të thatë ardhjen e një personazhi misterioz dhe enigmatik – Godon, përpiqet të tregoj një mungesë të kuptimit dhe të kotësisë së çdo veprimi njerëzor. Drama përfundon ashtu siç ka nisur, në një kotësi ankthi.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora