E hene, 20.09.2021, 04:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Ekspozita personale e Kastriot Nures

E diele, 24.07.2011, 07:55 PM


Ekspozita personale e Kastriot Nures

 

Ta bluash kokën tënde!

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Mullinjtë e rreshtuar, të përdorur simbolikisht si shenjë mbijetese, e kjo mbijetesë i nënshtrohet  individit, por edhe kolektivit, është spikatur në pikturat e artistit Kastriot Nura të cilat u ekspozuan të premten  në Galerinë e Ministrisë së kulturës në Prishtinë.  Kryesisht në punime dominon arti surreal, arti i ndjenjave, i halucinacioneve, i ëndrrave etj. Artisti me një mjeshtri dhe pedanteri krijon poteza të shpejtë dhe të dirigjuar të brushës, penelin ai e kontrollon dukshëm, i ngjan një oratori me shumë mend, krijon konfliktin e kohës mes idesë dhe reales, mbijetesës dhe kalimit  . Artin surreal ai e ruan tradicionalisht, pothuajse e shpëton nga “konfrontuesit” tjerë, konfliktin e prezanton zëshëm nëpërmjet portreteve të figurave të njohura nga historia e artit, vlen të përmendet piktori i famshëm spanjoll Salvador Dali, i cili nën shoqërinë e Gales dhe me mustaqe përpjetë demaskon atë çmendurinë e vërtet të gjeniut që e posedonte. Por, disi qëllimshëm autori fut edhe portretin e tij mu në këtë mesë të nxehtë. Motivin, ai e trajton në formë universale, e ringjall të kaluarën duke i dhënë një kahe te re me një mesazh të shëndoshë që hap shtigje të reja të këtij arti. Po të analizohen me kujdes ciklet e reja, i ngjajnë një mbijetese të zymtë e cila është renditur në formë ushtarake, ose një makineri e madhe, e cila bluan mendime ,ose ja bluajnë mendimet. Individualizmin autori e kolektivizon, sepse fitorja, dhe forca është mese e sigurt dhe më e madhe. Autori, nga koha vështron një padrejtësi të madhe nga e cila përdorë shumësinë për “sfidim”, kjo i ngjan sikurse luftërave mes gladiatorëve ku i pa mposhturi arrin ta shijojë lirinë, këtë liri “kafshuese” nga padrejtësia autori e bashkon me qëllim për ta arritur. Mirëpo, sipas tij, çdo gjë kalon nën ritëm të njëjtë, edhe pse koha duket që ec shpejtë, ajo gjithnjë ec me ritëm të njëjtë. Me ngjyra më të mbyllura ai arrin ta shprehë atë të zymtën, të lodhurën, banalen, por ajo nuk fiton, atë e pastron e verdha, e kuqja dhe bluja, këtë trekëndësh ngjyrash, autori e shpërfaq në disa cikle. Mulliri i Nurës shprehë rrymën e ekzistencës, me një mori vlerash. Në disa raste ky simbol e ringjall skeletin estetik të vlerës si metaforë që rrëfen jetën, problematikën, peshën, humbjen, fitoren, të gjitha këto rreshtohen në formë proteste nga mullinjtë. Ata janë bluar dhe mendimet e tyre tregojnë fatin e pa zgjidhur sepse janë afruar në kolektiv për shkak ndihmës-forcë. Me forcën e tij surreale kokat e njerëzve zëvendëson me mullinjtë e kohës, mbijetesa e tyre varet nga bluarja, magjia kapërcen kufijtë, ata janë të zotë për vete, secili ka forcë ekzistuese ta bluaj egon, ta njoftojë vetën, mos të ndikohet nga pasqyra e jashtme, ngase e brendshmja përfaqëson me origjinal strategjinë shpirtërore, dhe kjo na vije përmes ngjyrës së verdhë, e cila si një llavë vullkani përvidhet nëpër mullinj. Dhe si për fund, kufij ekzistuese të mbijetesës dhe të ecurisë nëpër kohë, artisti ka arritur t’i deshifroj me një përpikëri dhe vullnet të madh.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora